More
    KreuLetërsiBibliotekë"Unë nuk jam si Franzi", tregim nga Azem Deliu

    “Unë nuk jam si Franzi”, tregim nga Azem Deliu

    Babai im nuk më ka pëlqyer kurrë. Në rininë time të hershme, siç e quaj unë pubertetin, të gjithë djemtë e klasës i kishin idolë baballarët e tyre. Të gjithë, deri te Noli, babai i të cilit ishte në burg, donin të bëheshin si baballarët. Shpesh më vinte t’i thosha “Po ti?” por, një sens i hollë që s’e dija nga më vinte, më ndalonte duke ma bërë me dije me një ndjenjë pickimi në gjoks që kjo ishte një gjë e gabuar.

    Kishte arsye, sigurisht, pse nuk më tërhiqte aspak babai im. Një pastrues i shkollave të qytetit, që punonte me dy turne dhe paguhej shumë pak, nuk do të duhej të ishte njeri edhe aq autoritativ. Krejt e kundërta e këtij përftimi, babai im ishte kaq autoritar sa, të gjitha sjelljet e tij, deri te qëndrimi gjatë pirjes së kafesë së mëngjesit, kishte prirje prej diktatori.

    Po të thosha që një nga arsyet që ai s’më pëlqente ishte se fitonte pak, do të dukej çnjerëzore. Shpesh çnjerëzore na duken pikërisht ato ndjenja që janë më njerëzoret. Shkrimtari im i preferuar, K.K., mendon se kjo ndodh ngaqë këto ndjenja krejtësisht njerëzore, ne nuk kemi gjetur forcën t’i pranojmë dhe prandaj janë shndërruar pa meritën e tyre në temë jetësore për ne.

    K.K.. Ja, ky ishte idoli im. Tek ai gjeja gjithçka që i mungonte babait. Një trimëri elegante, mendim të thellë, autoritet të cilin s’kishte nevojë ta provonte duke rrahur nënën time, e plot të tjera. Dukej sikur ishte bërë njëfarë pakti i heshtur nga larg, që K.K.-ja, nga gjithë ato veti që mund t’i ketë qenia njerëzore, zgjodhi të ketë për dreq, pikërisht ç’i mungonte babait tim.

    Sidoqoftë, rroga e ulët e babait tim, pastrues shkollash me dy turne, më detyroi që të punoja për të siguruar paratë me të cilat do të shkoja në Universitet. Fillova punë si hapës varresh. Kompania e funeraleve, ndonëse vinte nga qyteza jonë e vogël, kishte renome e klientë në mbarë vendin dhe, së këndejmi, neve na duhej shpesh ta linim qytetin. Këtu filloi të më pëlqente udhëtimi. Një ditë, derisa po shkonim në veri të vendit për të varrosur një mësues gjimnazi, mendova me vete se, për dallim prej kompanive tjera shërbimet e të cilave mund të rekomandoheshin nga klientë të kënaqur, e jona s’e kishte këtë mundësi. Veçse nëse, në ëndrrat e familjarëve të tyre, klientët tanë, nga gjithë jeta e tyre mesatarisht shtatëdhjetëvjeçare, do zgjidhnin t’iu flisin familjarëve të tyre pikërisht mbi atë se sa të kënaqur ishin me shërbimet e varrimit të kompanisë sonë.

    “Kaq mirë më lëshuan në varr, sa nuk do të doja kurrë të ringjallesha, edhe po të kishte mundësi të tillë” – do t’i ketë thënë ndonjë baba fëmijës së vet i cili, i prekur nga mërzia aq sa unë s’besoja se mund të mërzitej dikush për të atin, nuk ia kishte vënë syrin shërbimit tonë.

    Kjo s’kishte kurrfarë sensi. Pra, ne ishim në një disavantazh të natyrshëm ngaqë, njërin prej sektorëve më të rëndësishëm të marketingut, rekomandimet e klientëve, nuk i kishim.

    Shefi im, një burrë që vetë dukej se jo fort larg do t’ia kishte nevojën kompanisë që kishte krijuar, më thoshte gjithmonë, “duhet të kujdesemi për rehatinë e të vdekurit jo veç sikur të jetë i gjallë, po sikur të jetë personi me gjumin më të lehtë në botë”. Nuk e di pse ai kishte prirjen që vdekjen ta krahasonte me gjumë dhe jo me çfarëdo gjendje tjetër qetësie, por kryesorja është se ai e thoshte gjithmonë të njejtën fjali dhe, ndonëse një njeri i kthjellët, nuk besoj ta ketë kuptuar ndonjëherë që përsëritej.

    Varret hapeshin lehtë dhe, përjashto rastet kur hasnim në gurë të mëdhenj, kryheshin për maksimumi një orë e katërdhjetë minuta. Nëse nuk ishte varr femëror, kuptohej. Në këtë rast, ne duhej të groponim dyfish sepse, në këtë zonë me një mentalitet religjioz thellësisht fanatik, femrat jo vetëm që mbaheshin mbyllur në shtëpi gjatë jetës së tyre, por edhe duhej të mbylleshin më fort edhe kur vdisnin sepse, siç thoshte shpesh im atë, “Gratë as n’varr s’rrinë rehat”.

    Unë nuk e kisha parasysh pse duhej ta varrosnim gruan më thellë se burrin dhe aq më pak e dija ç’donte të thoshte babai me “gratë as në varr nuk rrinë rehat”. Hamendësoja se “të mos rrije rehat” do të thoshte të ta kishte ënda të bëje seks. Ironikja ishte se babai arsyetonte gropimin më të thellë të dikujt që tashmë i ishte mbyllur jeta, me një proces që, të paktën deri sot, e ka filluar jetën. Sidoqoftë, unë kurrë, e ndoshta nën ndikimin e kësaj thënieje, nuk i kam parë vdekjen dhe jetën si armike. Herë pas here, kur ia kam lejuar vetes të mendoj për to, kam menduar se puthen me njëra-tjetrën. Siç ishte puthur motra ime me komshiun por kjo është një histori për të cilën babai na ka kërcënuar që do të na zhdepë në dru nëse e tregojmë kështuqë s’guxoj ta rrëfej as në këta rreshta të cilët ai s’do t’i lexojë kurrë. Prandaj e kam quajtur babain tim njeri autoritar. Për mua pushteti i dikujt nuk tregohet kur ai të sheh e të ndalon nga diçka që sipas tij s’duhet të bëhet, por kur ai nuk të sheh e megjithatë ka fuqinë të të bëjë ta ndalosh veten nga diçka e tillë.

    Gjatë shkollës fillore unë kam qenë një fëmijë i urtë. Nëna më lavdëronte shpesh ndërkaq babai, për të më nxitur të bëja më shumë, siç më është arsyetuar më vonë, e kundërshtonte nënën. Pavarësisht kësaj, ajo që ndiej ta them është se kam qenë gjithmonë i urtë, i pastër dhe me të gjitha kriteret e shoqërisë për t’u quajtur djalë shembullor.

    Babai im refuzonte t’i njihte këto merita. Ndoshta e bënte nga frika se kjo do të më bënte “të devijoja”, por motivi i tij është i pafuqishëm ta ndryshojë ndikimin që ky fakt pati te unë: një rënie e pabesueshme e vetëbesimit. Nëpër disa vite me radhë unë kam parë gjithçka që bëja të zhvlerësohej dhe jam ndjerë sikur nuk ekziston asnjë mënyrë e asnjë rezultat që do të mund ta kënaqte babain tim.

    Duke mos mundur ta kënaqja atë, në klasën e tetë të fillores, vendosa ta kënaqja përfundimisht veten. Profesori i filozofisë në gjimnaz, ku do të shkoja pas 2 vitesh, më quante hedonist. Këtë fjalë s’e kuptoja as unë as ndokush prej gjeneratës por, aq na bënte pasi profesori, një syzetrashë me fytyrë të mjerë, ishte një nga njerëzit më të përqeshur të qytetit.

    Do ta kuptoja shumë më vonë, mbase kur s’do të më duhej gjë ta kuptoja, se ç’domethënie kishte fjala hedonist. Por, unë e praktikoja edhe pa e ditur: pra i jepesha kënaqësisë sime me çdo kusht.

    Kjo u ndihmua nga njohja me Torin, një djalë që erdhi nga një shkollë tjetër dhe që, fizikisht, ishte përpara nesh në të gjitha fazat e zhvillimit. Prandaj zhvillimet e adoloshencës në trupin e mashkullit i kam përjetuar dy herë: përmes Torit, që na mblidhte të gjithë djemve të klasës prapa WC-ve për të na treguar “kokrrat” dhe pastaj, kur më kishin ndodhur vetë mua. Një të enjte, pas pushimit të gjatë Tori ma bëri për herë të parë kërkesën për të mos hyrë në orën e biologjisë. Se çfarë ndodhi aty është e vështirë të rrëfehet.

    Sidoqoftë, tani që jam pesëdhjetë e tetë vjeç dhe babai im fatmirësisht ka vdekur, vendosa ta shkruaj këtë libër pikërisht për “rrëfimet e ndaluara” dhe të tregoj pa asfarë rezerve, edhe për puthjen e motrës sime me komshiun, edhe për ç’bëmë me Torin. Njeriu ka nevojë t’i rrëfehet ndërgjegjës së vet.

    “Babai im është Herman Kafka”, shkrova në palën e brendshme të letrës së cigares të martën e parë të shkurtit kur, pasi kishim hapur dy varre të vështira në të cilat unë kisha qenë vendimtar, shefi më liroi nga puna një orë më herët. Si shpërblim, më dha një pako me cigare nga ato të rëndat që shiteshin diku mes Polonisë e Çekisë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e di nga i gjente ato cigare, por ai thoshte se ato, ndonëse pesë herë më të rënda se cigaret normale, ishin në fakt të vetmet cigare që vlenin. “Merri, je i rritur tash” më kishte thënë si për të nënkuptuar që cigaret tjera, ato të përditshmet, ishin “për fëmijë”.

    Unë e thitha fort cigaren dhe gjoksi më dogji sikur shkrepsën ta kisha përdorur për të djegur qimet e sapodala të gjoksit e jo majën aromëdushku të cigares. Duke ndjerë këtë djegie, mendja më shkoi te babai im për të cilin nëna ime nuk përdorte termat e rëndomtë me të cilën ankoheshin gratë për burrat e tyre. Ajo nuk thoshte kurrë që ai është “i vështirë”, “tekanjoz” apo “diktator”. Ajo, sikur të ishte duke folur për ushqim, përdorte termin “djegës”. Prandaj dhe s’kishte si të mos më kujtohej babai në çastin që djegësima e cigares më harlisi gjoksin. Ai ishte si Herman Kafka, babai i shkrimtarit të njohur Franz Kafka, i cili ishte idoli i idolit tim K. Një baba abuziv, kishte shkruar një biograf i shkrimtarit.

    Vërdallisja mendjen sa të lehtë duhet ta kishte pasur biografi të bënte një konstatim të tillë dhe, sa të vështirë do ta kishte pasur Franzi për ta bërë të njejtën. Është e vështirë ta pranosh që babai yt është abuziv. Dëshira për të pasur një baba model, nga ata të cilët shoqëria i lavdëron, është e papajtueshme me faktet për një baba të keq, brenda fëmijës.

    Ndoshta nuk është kaq e papajtueshme, mendova derisa po thithja dy-tre tymat e fundit të cigares. Ndoshta problemi është pikërisht me një baba model, nga ata të cilët shoqëria i lavdëron.

    Kafka, një shkrimtar me vetëbesim tepër të ulët, ishte megjithatë më i guximshëm se unë. Ai ia kishte thënë hapur babait këto gjëra në letrën e tij. Këtë letër Hermani s’e kishte lexuar kurrë, por ishte të paktën direkte. Unë ndërkaq, ndonëse babai im gjithashtu s’do ta lexojë kurrë, u detyrova të shkruaj një roman për të thënë ç’kisha brenda.

    “Babai im është si Herman Kafka”, e pashë përsëri shkrimin tim të zhubravitur mbi letrën e cigares dhe, pasi e ktheva në anën tjetër dhe ndjeva djegësimin e cigares që e kisha fikur pak më parë, shtova “por unë nuk jam si Franzi”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË