More
    KreuOpinionVangjush Sarro: Kritika letrare dhe spekulimet nën okelion e saj

    Vangjush Sarro: Kritika letrare dhe spekulimet nën okelion e saj

    Kohët e fundit, në disa shkrime, jam përpjekur të theksoj se është momenti që në fushën e letrave t’u lëmë vendin e duhur Tregut dhe Kritikës Letrare. Nuk ka dhe nuk mund të ketë letërsi e art përtej këtyre treguesve; edhe nëse, do të ishte një gjë fort e rrallë. Madje, gjykoj se edhe kur ndahen çmime e bëhen nderime – për çka gjithnjë konsumohen llafe, mbase me të drejtë – duhen marrë parasysh këto tregues; sepse janë shumë pranë së vërtetës, sa i takon veprave në fjalë dhe letërsisë në tërësi.

    Duke parë që në kritikat për Kritikën Letrare ndonjëherë ka keqkuptime, shfryrje, deri mllefe, po qëndroj te kjo e fundit: së pari për të marrë në sy pyetjen nëse për gjithçka na e ka fajin ajo (Kritika Letrare); dhe së dyti për t’iu avitur sa më kthjellët termit në fjalë, si zhanër. Lexojmë e dëgjojmë të thuhet lart e poshtë, nga gjithfarë shkrues, ndonjëherë edhe të poleve të ndryshme, që ‘nuk ka Kritikë Letrare’, me ç’rast një pjesë e madhe e letrarëve shqiptarë përpiqen të justifikojnë qasjen e tyre të pafat në këtë lëmë, ku vërtet nuk është e lehtë t’ia dalësh mbanë. Ky është një debat i vjetër sa vetë arti; por në këtë shënim, do t’u shmangemi përkufizimeve dhe do të përpiqemi të ndërtojmë një raport sa më të besueshëm mes nesh dhe disiplinës për të cilën po flasim.

    Si fillim, vetëm pak radhë do të jenë këtu peng i së shkuarës, ngase i vlejnë temës. Dhe fjala është që dikur – kjo tregohej jo thjesht për të qeshur – njëri ndër kritikët letrarë më aktivë çalonte (fizikisht); dhe prandaj thuhej me ironi se Kritika Letrare ‘çalonte’. E vërteta, mendoj, vjen pak më ndryshe; që, siç thashë më lart, një shumicë shkruesish asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk janë të kënaqur me këtë disiplinë dhe kjo, jo për faj të saj, por mbase ngaqë ata aq e kanë hapin. Kritika Letrare e atyre dekadave – sado që, përgjithësisht, në përfshirjen e saj ishte tejet e angazhuar (ideologjikisht) – pati një zhvillim bindës, nëse marrim parasysh parimet e të shkruarit, si i tillë në vetvete.

    Ata kishin mbi vete trysninë e kornizave të kohës, mbase edhe të bindjeve të tyre; por në librat dhe, përgjithësisht, në kritikat e tyre letrare ka shumë profesionalizëm. (Alfred Uçi, Jakup Mato, Drago Siliqi, Dalan Shapllo, Koço Bihiku, Razi Brahimi, Adriatik Kallulli, Dilaver Dilaveri, Rinush Idrizi, Neki Lezha, Abdurahim Myftiu, Riza Hyso, etj.) Shënimet letrare dhe studimet e tyre vijnë të qarta për nga brendia, të pranueshme në formë dhe më se korrekte nga pikëpamja gjuhësore. Kjo ndodhte në një kohë që, megjithë problemet e rënda, letërsia më e mirë (Ismail Kadare, Petro Marko, Jakov Xoxa, Qamil Buxheli, Nasi Lera, etj.) tentoi ta thyente monotoninë e diktuar në këtë lëmë, monotoni që nderej rëndë në botime, gazeta, revista, TV e Radio, për shkak të profilit te rendit politik, sa edhe ngaqë pjesa dërmuese e shkrimtarëve dhe artistëve, duke qenë grafomanë ose thjesht të indoktrinuar, shërbenin me zell si një ‘peshore’ që e kish të kufizuar aftësinë matëse. Kjo masë  nuk mund të mos rëndonte në gjithë pamjen e Letrave Shqip.

    Sot, domethënë pas ‘90-ës, jemi në një situatë krejt tjetër; dhe prapë dëgjojmë të flitet shumë për ‘mungesën e Kritikës Letrare’ dhe për ‘fajet’ e saj në zhvillimin e letërsisë dhe arteve. Gjithë i njëjti refren. Prapë, duke mos qenë i këtij mendimi, si dhe duke u mbështetur përgjithësisht në parime që inspirojnë ekuilibër e drejtësi, mund të them me bindje se këto qarje e justifikime nuk na shpëtojnë dot nga mossuksesi; e thënë ndryshe, nuk kemi pse të shfryjmë vend e pa vend mbi Kritikën Letrare. Nuk është përgjegjëse (vetëm) ajo për çfarë shkon keq apo edhe mirë në zhvillimet e sotme letrare.

    Emrat më të njohur në këtë fushë, mes tyre asi që e kanë ushtruar këtë zhanër edhe më herët, si dhe pedagogë në universitete, studjues, shkrimtarë profesionistë, etj. përballen me një lëndë letrare të tejlodhshme dhe me sjellje vanitoze, që s’ka kritikë dhe estetikë t’i sistemojë. E megjithatë, në shënimet letrare dhe në librat e tyre kanë gjetur përgjigje një sërë pyetjesh që u ngritën sidomos në fillim të viteve ‘90, por edhe më pas, kur letërsia dhe arti ndryshuan në të gjitha dimensionet. Këtu është fjala për kritikë të letërsisë dhe artit të konfirmuar në çdo kohë, si Josif Papagjoni, Floresha Dado, Miho Gjini, Xhezair Abazi, Pandeli Koçi, Bashkim Kuçuku, Klara Kodra, etj., por sidomos për firma që vijnë në këtë disiplinë më së shumti në dy dekadat e fundit: Shaban Sinani, Fatmir Terziu, Behar Gjoka, Muharem Jakupi, Ymer Çiraku, Vangjush Ziko, Spiro Gjoni, Milaim Nelaj, Xhahid Bushati, etj. Shkrimtarët, artistët kanë parë vëmendje dhe profesionalizëm në aktivitetin vlerësues të kësaj kaste kritikësh, edhe pse mund të presin më shumë, çka është një çështje tjetër.

    ‘Mëkatet’ e Kritikës Letrare, nëse vërtet mund t’i quajmë kështu, nuk kanë të bëjnë me fatin vetjak të kaq shumë krijuesve në ofensivë; (po, ata janë gjithnjë e më shumë, tash pothuaj turmë në portat e letërsisë dhe artit). Ashtu si vetë letërsia, edhe kritika letrare ka shkallët dhe gjendjen e vet, të cilat as nuk zmadhohen e shëndoshen duke i mbivlerësuar, as edhe tremben e struken nëse i stigmatizojmë në mënyrë tendencioze. Për hir të së vërtetës, Kritika Letrare e nivelit profesional, ajo elitë të themi, e përkushtuar në këtë disiplinë, është pak aktive; por as që mund të mendohet ndryshe. Përgjithësisht, ajo shkon krahas zhvillimeve e arritjeve të letërsisë më të mirë. Më tutje apo një rend më poshtë mund të thuhet se kemi thjesht tentativa për të bërë një panoramë të jetës letrare, përpjekje për t’i moderuar disi qëndrimet e ftohta e ndonjëherë të anuara të Kritikës – elitë (siç e quajtëm) dhe kjo ndihmesë vjen nga krijues të njohur të kësaj fushe, por edhe nga edhe vetë shkrimtarët; (me modesti, do ta rendisja veten në këtë kategori). Këta ‘ndihmëtarë’ mëtojnë të tregojnë kuota të caktuara të zhvillimit letrar, të sjellin emra dhe të shqyrtojnë krijime që e meritojnë vëmendjen e publikut dhe të institucioneve. Më këtej, vjen Kritika Letrare mediokre, që ashtu si letërsia mediokre, është formalisht korrekte, le të themi e shkruar jo fort keq, por gjithsesi e zvarritur, e lodhshme, ndonjëherë tejet e rëndomtë. E më së fundmi, ka edhe një kategori apo shkallë tjetër të këtij zhanri, ku s’ka mbetur shkrues e letrar pa u përfshirë; dhe kjo është gjendja apo sjellja diletanteske ne këtë fushë.

    Pa qenë strikt në sa u tha më sipër, po i kthehem sërish drojes që shprehet vend e pa vend në lidhje me ‘mungesën’ e Kritikës Letrare. Arsyet pse duket sikur (e thuhet sikur) Letërsia dhe Kritika Letrare shkojnë keq e më keq, janë të shumta dhe në një shënim të tillë nuk mund të argumentohen plotësisht e në thellësi. Por le ta cekim sadopak temën dhe çështjen, duke zbuluar apo numëruar disa ngërçe në këtë raport të vështirë: Një shumicë librash letrarë (nëse mund të quhen kështu) humbasin me t’u botuar; nuk arrijnë dot te publiku, ngase janë shkruar varfër, por edhe sepse shtypen pak kopje, kurse libraritë janë dingas e rëndom nuk i marrin dhe vetë autorët e dinë që hapësira për ta është e kufizuar. Kjo është thjesht një nga pasojat e shfaqjes së amatorizmit në këtë fushë. (Me sinqeritet, unë vlerësoj dëshirën dhe pasionin e gjithkujt që qaset në këtë lëmë, por nuk është e thënë të bien në sy të gjithë, madje ky është fati vetëm i një pakice; i më të talentuarve.)

    Ngërçi tjetër është dukuria e dhurimit të librave, çka tash është bërë pothuaj njëlloj farse, që e zvetënon dhe e korit pareshtur këtë fushë të artit. Unë nuk di si mund t’u ngjajë të tjerëve, por vetë mendoj se ato (gjoja) shkrimet që bëhen nga dikush pasi që i është dhuruar një libër, përgjithësisht ta shpifin… Ato janë qoka, vizita kortezie, lavde në distancë, ndoshta aty-këtu edhe recensione të një niveli mesatar, por që asnjëherë nuk kanë sharmin dhe vlerën e një kritike letrare. Të vjen keq kur edhe autorë deri diku të njohur bëhen prè e kësaj manovre, që tash në Letrat Shqip është bërë ‘trendi’ por, siç u tha më lart, edhe qesharake në të njëjtën kohë. Shpesh, duke qenë larg këtij profesioni, lëvdonjësi poston thjesht një karikaturë të ‘shënimit letrar’, duke telendisur kështu veten dhe libërdhuruesin. Se mund të jesh edhe pedagog(e) siç lexova diku së fundi dhe prapë, me gjithë dëshirën e mirë, shkruan broçkulla, ngaqë nuk je në ‘terrenin’ tënd.

    Po ashtu, mendoj se lë një shije të pakëndshme edhe rendja e disa amatorëve të Kritikës Letrare pas emrave (përkohësisht) të njohur dhe që mund t’u japin shkruesve në fjalë njëlloj aksesi, mund t’i bëjnë ata disi më të njohur. Duke iu qepur një emri që është disi ‘më në rreth’, që ka njëlloj stature, pavarësisht se si e ka krijuar atë, shkruesi përpiqet të korrigjojë e shëndoshë disi klasin e vet; dhe kjo sjellje duket gjithashtu e sforcuar dhe (ende) pak për ta quajtur ‘Kritikë Letrare’. Por natyrisht, këto dukuri nuk se përjashtojnë mundësinë për të treguar (ndonjëherë edhe mirë) mbresat nga leximi i një libri.

    Dhe ndërkaq, është krejt tjetër gjë pjesa më e pamatur e saj, e kritikës pra, domethënë ajo shtresë krijuesish (pasionantë, paçka se hapin e kanë të pakët) të cilët e ushtrojnë këtë disiplinë në mënyrë diletanteske, anipse me shumë pretendime. Edhe kjo përfshirje e sforcuar në art, që sulmon pareshtur gazetat dhe rrjetet, është bërë njëlloj barre për kulturën e sotme në tërësi dhe e ‘hedh vallen’ bashkë me krijimtarinë e dobët e pa frymëmarrje, me krijimtarinë që përsërit, që çirret, që imiton, që nuk e prek dot lexuesin…

    S’ka vend për fyerje, as për paragjykime, fundja jemi në një bisedë, por… ja si shkruhet në një (të ashtuquajtur) kritikë letrare: “Kështu autorja, (me vargun e saj), herë dashuron qetësisht e në mënyrë gati të pahetueshme, herë me vrull, me zjarr dhe në mënyrë pushtuese.” Po përpiqem (së koti) të ‘kuptoj’ se çfarë thuhet edhe në një tjetër shënim letrar: “Por ja që është e pamohueshme se përcaktimi në mënyrë empirike i pranisë së gjërave të tilla nuk është i lehtë, edhe pse elementë të shumtë ndërhyjnë dhe ndihmojnë për të shkaktuar iluzionin e përfytyrimit, të dëgjimit, të nuhatjes, të shijes dhe të prekjes.” (Duket sikur autori ka ngatërruar letërsinë me anatominë a nuk di ç’tjetër.)

    Dhe ‘xhevahiret’ nuk kanë të mbaruar; ato, në vend që ta ‘ndriçojnë, e ndotin edhe më shumë mjedisin letrar dhe artistik. “Futja e elementeve të kriminalistikës së ndërthurur me ato policeske, që joshin lexuesin, që në kohën reale rreket të sendërtojë imazhe filmash gjatë leximit.” (Kaq ishte ‘fjalia’. Mendoni se ka përfunduar, ka kuptim?) Një tjetër fragment nga një ‘kritikë letrare’, në fakt një tjetër fjali mungesore e stërgjatë: “Marrëzi duke qenë e pakufishme dhe e pakapshme, aq më shumë vetmi e pakalueshme, dhe e pabartshme.” Janë me të vërtetë klas i ulët shkarravitjet këso. Ja edhe një e tillë si ‘periudhë’ më vete: “E më tutje, pushteti i njeriut mbi qeniesimin duke pasur pushtetin mbi kënaqësinë…”

    Ndonjëherë them me vete që, kushedi, mbase shumë gjëra kanë ndryshuar; edhe vetë Kritika Letrare. E ndoshta vetë jam pak ‘i vjetëruar’ në mënyrën se si e shikoj këtë disiplinë dhe vetë letërsinë. Të qëndrosh në disa terma e parime, qenka vërtet e vështirë. Por hënde de, çfarë ka përtej shkollës së këtyre disiplinave? Jo çdo qasje është letërsi e kritikë letrare dhe këtu s’ka vend për të vjetër e të rinj (siç zu të flitej dikur, kohë të shkuara). Kur dikush më foli për ‘ndryshimin’ fabulës si lloj letrar, madje duke përdorur pa pikë vetëpërmbajtjeje fjalën ‘modernizim’, unë thashë dhe shkruajta se ato që ishin në rend të bisedës mund t’i quaje thjesht kalambure, por jo fabula. Për më tej, të jemi të sinqertë: edhe ‘modernizim’, edhe rima foljore nga fillimi në fund, kjo sikur nuk shkon; qofsha i gabuar (!)

    Në fakt termin ‘e vjetëruar’ e përcolli tek unë në një nga rrjetet sociale, mik pas miku, dikush që mbase donte të shpaguhej, pasi në ndonjë nga shënimet e mia letrare – këto qasje gjithmonë ‘çalojnë’ – nuk e kisha përmendur. Në fakt, nuk kisha lexuar asgjë prej tij, s’mund t’i ndjekësh të gjithë. U kërkoj ndjesë lexuesve të nderuar të kësaj gazete (që e çmoj fort) për këto radhë me njëlloj ngarkese vetjake; por besoj që jemi brenda temës. Pra, për ta njohur disi autorin ‘modern’ dhe që më kishte stigmatizuar si në lojën e ‘telefonit të prishur’, u bëra kureshtar pa le ç’kolos kisha lënë pas dore; dhe kështu, dikur i hodha një sy fragmentit të një romani… Tregohej (gjithë pathos) se si ish martuar një nga personazhet dhe e kish shtruar mirë (në seks) nusen e tij, aq sa e kishte lodhur e kjo i thosh ‘më lerë, se më more frymën’, etj. Nuk kuptova asgjë dhe nuk e pëlqeva. Epo mirë, ndoshta gabohesha që s’më tërhoqi ajo lloj letërsie e ato episode. Prandaj, më pas, – jo shumë larg nga leximi i atij fragmenti – pashë një tjetër gjë, po nga ai autor; gjithë për kureshtje. Këtu rrëfehej… si masturboheshin fëmijët, adoleshentët më mirë; gjë e parë shumë herë, po vërtet shumë herë, në libra e në filma. Mbase nuk ishte mirë, e di që ndoshta prapë po e paragjykoj, por nuk shkova më tej me autorin në fjalë. Kjo, natyrisht, nuk e pengon atë të promovohet edhe më tej; dhe këtë e them me sinqeritet, sepse jo çdo gjë që nuk gjen pëlqimin tonë, është e papëlqyeshme për të tjerët dhe për Kritikën Letrare.

    Dhe meqë po shpjegoja këtë punën e ‘trendit e të vjetërimit’, ja edhe një fragment nga një tjetër kritikë ‘moderne’: “Loja postmoderne e rrëfimit të asaj që është rrëfyer pafundësisht dhe krijuar e rikrijuar edhe para vetë autorit, e bën rolin e artistit sa interesant aq edhe të rrezikshëm, pasi kur në pavetëdijen kolektive rrëfimet futen në një formë të caktuar, refuzohet pranimi i çdo varianti tjetër.” Po nga ajo ‘kritikë trendi’: “Gjendja e ethshme e tërë personazheve që i kaplon magjia e shfaqjes është në qendër sidomos të kapitujve të parë të romanit.” Dhe pastaj:  “Gjendja e turbullirës mendore që e çon X-in* drejt vetëvrasjes, nuk përshkruhet me thellësi për mendimin tim, por duhet kuptuar që estetika e autorit shkon harmonikisht me tërësinë e romanit, ku mosteprimi me cilëndo temë, do thoja se është princip themelor.”

    Jo, nuk besoj që të jem ‘i vjetëruar’; sidomos kur lexoj këso ‘analizash’ të fryra e të stisura, që nuk mund të quhen kritikë letrare (prandaj këtë herë po e shkruaj me shkronjë të parë të vogël). Ndërkaq, situata bëhet gjithnjë dhe më e rëndë sepse shkruesit nuk dinë të heshtin, të ndryshojnë ndonjë gjë në të menduar e në të shkruar; madje jo vetëm kaq, por vazhdimisht i kanë sytë në qiell: “Teksa ke lexuar dy veprat e tij të mëparshme dhe me padurim pretë të tretin, ja ku erdhi romani befasues X si pjesë përmbyllëse trilogjisë, Y të cilën, pas leximit, e fusim në atë që mund ta quajm, “Tresor” i letërsisë shqipe dhe jo vetëm.” Shikoni sa shumë gabime gjuhësore dhe, nga ana tjetër, çfarë parashtrimi ex cathedra! Mbase ngaqë (së paku në këtë rast) edhe artikullshkruesja, edhe ai për të cilin shkruhet, janë nga ata që marrin ose japin çmime, ndonjëherë të rëndësishme (!)

    Është trishtuese të shtosh që edhe gazeta të njohura i lejojnë këto spekulime në emër të Kritikës Letrare. Atëherë, që ta përmbyllim këtë bisedë, problemi ynë, së paku problemi ynë më i madh, nuk është asfare ajo, Kritika Letrare. Problemi ynë më i madh është teprimi, në kuptimin më të ngushtë të fjalës. Është megalomania. Është mediokriteti. Është marria e të shkruarit pa përgjegjësi. Dhe këto nuk mund të gjejnë prehje e shfajësim në ‘mungesën’ e Kritikës Letrare, sado që ajo, si të gjitha zhanret e llojet e artit përjeton problemet e veta.

    _____________

    *Këto shenja janë përdorur (në vend të emrave a titujve të librave) për të mos lënduar autorët, sa kohë që çështja shtrohet në parim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË