More
    KreuOpinionMiljenko Jergoviç: “Letra e Atit të Shenjtë Françesk mbi rolin e letërsisë...

    Miljenko Jergoviç: “Letra e Atit të Shenjtë Françesk mbi rolin e letërsisë në arsimim”- si e lexon një lexues i Françeskut

    Përktheu: Xhelal Fejza

    Me datë 17 korrik 2024, Papa Françesku nënëshkroi tekstin titulli i të cilit në faqen zyrtare të internetit emërtohet: “Letër e Atit të Shenjtë Françesk mbi rolin e letërsisë në arsimim”. Ose ndoshta më mirë do të ishte të thuhej – formimin. Menjëherë në fillim, Papa shkruan se në nisje kishte dashur të shkruante mbi rolin e letërsisë në formimin e priftërinjve, në mënyrë që më pas e zgjeroi temën edhe për të gjithë të tjerët që merren me punë pastorale, por pastaj e kuptoi se në mendje kishte të gjithë të krishterët. “Ajo që do të doja të merresha është rëndësia e leximit të romaneve dhe poezive në rrugën e secilit drejt pjekurisë vetjake”.

    Pas kësaj vijon nje esé e ndarë në dyzet e katër paragrafë ose fragmente, në të cilët Papa Françesku shqyrton çfarë është letërsia, përse ka rëndësi të lexohet, cili është raporti mes poezisë dhe besimit fetar, në mënyrë që në fund të konkludojë se poeti dhe prifti merren me punë të ngjashme, megjithëse jo të përbashkëta. “Letërsia e ndihmon lexuesin të thyejë mitet e fjalimeve autoreferenciale, rrejshëm të vetëmjaftueshëm, konvencionalisht statikë, të cilët herë herë ndotin edhe fjalimin tonë kishtar, robërojnë lirinë e fjalës. Fjala letrare është ajo që mban gjallë gjuhën, e çliron dhe e pastron: dhe në fund, hap mundësi të reja shprehëse, e bën Fjalën mikpritëse, e cila banon në fjalën njerzore…”. Te poezia dhe letërsia Papa gjen rrugën e gjuhës, nëpërmjet së cilës mund të shqiptohet shpallja dhe me të cilën njeriut i thuhet fjala e Zotit. Për këtë, teksti i tij, natyrisht është plot e përplot me citate dhe referenca. Por, gjithsesi, është interesante se cilin citon papa Françesk.

    Nuk është e pazakontë që i drejtohet Karl Rahnerit, themeluesit të Teologjisë së re, dhe padyshim njërit prej teologëve të krishterë katolikë më të mëdhenj, më të artikuluar nga ana e mendimit, të shekullit të njëzetë, jezuit, student i Hajdegerit, një prej projektuesve të Koncilit të Dytë të Vatikanit, i cili ka këmbëngulur me kokëfortësi në të drejtën e besimtarëve për dyshim dhe për rolin e rëndësishëm krijues të dyshimit. Megjithatë, në letrën e Françeskut, të cilën në edhe më tej po vazhdojmë me kokëfortësi t’a quajmë esé, autorë njëlloj të rëndësishëm referentë janë, përshembull Jorhe Luis Borgesi, T.S. Elioti, Marsel Prusti. Por eseja përfundon me citatin mbresëlënës të Paul Celanit: “Ata që mësojnë sinqerisht të shohin, i afrohen asaj që është e padukshme”.

    Ata të cilëve u drejtohet Françesku, duke folur për poezinë dhe për letërsinë dhe në tërë veprën gjurmon për gjuhën, as janë shkrimtarë të dalë nga fronet kishtare, as i përkasin asaj që në frymën sipërfaqësore të ndonjë pedagogjie u është dhënë emërtimi shkrimtarë të frymëzimit katolik. Sepse, Paul Celani është hebré, dhe disa nga ata, emrat e të cilëve gjenden në fusnotat e esesë së Françeskut kanë qënë biseksualë ose homoseksualë, ateistë, agnosticistë… Por kur flet për atë të cilën njeriu gjurmon në veprat letrare dhe romaneve që lexon, Papa nuk përmend tema hyjnore. Ao dukshëm e eviton interpretimin e letërsisë, ose në përgjithësi të artit, si ndihmës të disiplinave kishtare, meshtare, imagjinative dhe teologjike. Letërsia nga perspektiva e esesë së tij nuk është diçka periferike. Ajo është thelbi.

    Françesku, flet natyrshëm edhe për atë se në leximin e veprave letrare gjendet mënyra e njohjes së njerëzve të tjerë dhe se ajo është rruga për përjetimin nga perspektiva e tyre. Për vete thotë se është i prirur për temat tragjike në literaturë, më shumë se asgjë tjetër. Çfarë shembujsh sjell? Çfarë skenash, pamjesh, ngjarjesh nga letërsia i bien ndërmend Françeskut: “vaji i vajzës së braktisur, plaka që mbulon me batanijë nipin që flen, luftën e tregtarit që këmbëngul të fitojë mjete për jetesë, turpin e atij që ballafaqohet me kritika të vazhdueshme, fëmijën e vogël i cili kërkon në ëndërr një vatër mbrojtëse nga jeta e dhunshme…” Këto histori, do të thotë ai, zgjojnë te ne jehonat e eksperiencave personale dhe kësisoj bëhemi më të ndjeshëm ndaj njerëzve të tjerë. Në një mënyrë mjaft të bukur ai dëshmon për rëndësinë e cila ka identifikimi në bisedat e zakonshme mbi filmin ose letërsinë. Është e vyer të jesh tjetri.

    Papa Françesku, natyrisht, në esenë e tij nuk kursehet të marrë në shërbim eksperiencat dhe shembujt nga biografia e tij. Logjike, sepse si mund të flasësh ndryshe për letërsinë dhe për leximin? Pastaj tregon për atë se si prift i ri, ishte në moshën njezët e tetë vjeçarë atëbotë, në shkollën e jezuitëve në Santa Fé ka punuar si profesor i letërsisë. Në orët e leximit letrar ishte e parashikuar nga programi që të lexohej tragjedia mbi El Cidin, klasikun francez të Pjer Kornejt, gjë që nxënësve kurrsesi nuk po u jepej, por kërkonin me këmbëngulje të lexonin Garcia Lorkën. U muar vesh me ata që Kornejn t’a lexojnë si detyrë shtëpie, në shtëpitë e tyre secili për vete, dhe në këmbim, në orën e mësimit do të lexojnë veprat letrare bashkëkohore. “Dukej qartë se dëshironin të lexonin veprat letrare bashkëkohore. Por duke lexuar ato libra të cilët në atë kohë u interesonin, zhvilluan interesin dhe shijen personale mbi letërsinë dhe poezinë…”. Dhe në këtë mënyrë, shkruan Françesku, krijohen bazat që nxënësit, ose në përgjithësi njerëzit, të vinë te leximi edhe i asaj që paraprakisht aq që e donin, dhe as nuk mundeshin t’a lexonin me mirëkuptim. “Natyrisht, nuk kërkoj prej jush që të lexoni ato që lexoj unë. Secili le të gjejë librat e tij që flasin për jetën e tij dhe të cilët do të bëhen bashkëudhëtarë autentikë në rrugëtimin e tij. Nuk ekziston asgjë më kontraproduktive sesa leximi i diçkaje vetëm nga ndjenja e detyrës…” Ideja e leximit të një libri nuk qëndron në detyrimin shoqëror pikërisht ndaj atij libri.

    Diku menjëherë në fillim të esesë së tij, në një apo dy rreshta, Françesku, letërsinë dhe poezinë do t’ua kundërvejë ekraneve digjitale, rrjeteve sociale dhe telefonave celularë, por nuk do të merret më poshtë me këtë temë, as nuk do t’a ndërtojë tekstin e tij mbi paranojën obsesive dhe frikën nga qytetërimi audio-vizual. Sepse nga ana tjetër, ai as edhe ka filluar së trajtuari temën se telefonat celularë janë të dëmshëm. As si edhe leximin ai nuk mburr se është e vlefshme të lexohet. Në të gjithë këto tema ai vendos kritere pothuajse shëruese. Vërtetë se niset nga ide tejet liberale – duke i’a lënë secilit në dorë të përzgjedhë librat në përputhje me interesin, shijen dhe eksperiencën personale – por në tërë esenë del e qartë se kjo kurrsesi nuk do të thotë se duhet lexuar gjithçka. Çdo fjalë e tij i përkushtohet kritereve. Natyrisht, estetike! Por kriteret estetike, thënë në mënyrë strikte, zakonisht nuk zhgënjejnë kriteret etike. Françesku, mbështet guximin dhe lirinë. Nuk lejon mundësinë që letërsia dhe poezia të mund të kthejnë besimtarin nga besimi i tij fetar, as atë që në letërsi dhe në poezi të mund të ketë ndonjë gjë nga ajo që bësimtarit mund t’ia fyejnë besimin. Ai megjithatë, sugjeron diçka që lexuesit të tij për një moment i’u duk krejtësisht e pabesueshme – sepse ka dalë nga katedra e një peshkopi, e për më tepër të Romës!, Françesku besimtarëve të tij u sugjeron se mund t’a humbin gjuhën e besimit të tyre, e me këtë edhe rrugën e tij, nëse nuk do të merren me poezi dhe letërsi.

    Duke thënë këtë, Françesku nuk këmbëngul se po thotë ndonjë gjë veçanërsiht të re, madje as diçka që ka të bëjë kaq shumë me transformimet e botës së re. Ai flet për angazhimin e krishterimit të hershëm brenda kulturës së gjallë të kohës së tij. Madje i drejtohet edhe Bazilit nga Cezareja, një prej etërve të Kishës, i cili në shekullin e katërt duke u folur të rinjve, ndoshta nipërve dhe mbesave të tij, lartëson pasurinë e letërsisë klasike, të cilën e krijuan “hoi éxothen”, ose “ata nga jashtë”, gjë që do të thotë – paganët. Kësisoj, duke kapërcyer me një frymë pothuajse dy mijëvjeçarë, i drejtohet thirrjes drejtuar artistëve nga ana e paraardhësit të tij, Papa pali VI, nëpërmjet një teksti tjetër të pazakontë, nga i cili lexuesi kujton: “Noi abbioma bisogno di voi”, ose thjesht: “Ne kemi nevojë për ju”. (Është me të vërtetë trishtuese se këto fjalë kurrë nuk u dëgjuan nga Kisha e famshme e kroatëve. Ndoshta sepse në atë filial të bashkësisë së madhe universale, të cilën e drejton sot peshkopi i Romës pothuajse nuk ka nga ata që të mund t’a kuptojnë se çfarë shkruhet në “Letrën e Atit të Shenjtë Françes mbi rolin e letërsisë në arsimim”).

    E gjitha kjo është vetëm një pjesë e asaj që ekziston në esenë e Françeskut. Sikurse fjalët e këtij lexuesi janë vetëm një pjesë e asaj që do të donte të thoshte se çfarë e ka frymëzuar për këtë tekst. Ky frymëzim nuk ka të bëjë me autoritetin e padyshimtë të Pëpës në botë. Nuk i përket madje as besimit të cekët të lexuesit që me këtë autoritet të mund të veprojë sëpaku në pjesën e vogël të pastorëve kroatë. E më sëpaku përsa i përket frymëzimit të lexuesit shpresës – sepse kjo nuk ekziston! – që pushteti kroat, mekanizmat e të cilit, sëpaku në kulturë dhe arsimim, të kujtojnë disi punën  e falangës katolike politike, të munden, sëpaku paksa, të marrin dije nga eseja e Françeskut. Përveç që janë fodullë dhe protokristjanë, cilët janë  larguar nga trupi i Krishtit, dhe ky është një “trup i përbërë nga pasionet, emocionet dhe ndjenjat, fjalët që janë sfidë dhe njëkohësisht ngushëllim, dorë që mjekon dhe prek, shikim që çliron dhe inkurajon, trup i përbërë nga pranimi i fajit, nga falja, nga hidhtësia, dashamirësia dhe guximi, nga dashuria”, këta falangistë kroatë janë të larguar nga ai funksion i gjuhës për të cilit flet Françesku. Nga letërsia dhe poezia,e pastaj edhe nga Zoti.

    Kur u kthye nga Japonia, sikurse thuhet, Franceskun e pyetën se çfarë mund të mësonte Perëndimi nga Lindja. U përgjigj: “Mendoj se Perëndimit i mungon pak poezi”.

    Mjerë ata që nuk e kuptojnë këtë, e akoma më të mjerë ata që e kuptojnë.

    17. 08. 2024.

    Marrë nga portali www.jergoviç.com

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË