Dihet se çdo veprimtari krijuese në historinë e arteve fillon me disa hapa të parë. Ata mund të jenë romanet, operat, pikturat, skulpturat, këngët si edhe…fotografitë më të hershme. Historia e fotografisë, nisi si proces teknologjik (fizikë e kimik), më vonë si veprimtari që u përhap në disa fusha të jetës (ushtri, shkencë, ekonomi, histori, politikë etj.) dhe gjini (si portreti, peizazhi, antropologji, dokumentare, fashion etj. dhe fotografia e artit). Vitet 1820-50, përbëjnë, ndoshta ndërkohën jo vetëm më të rëndësishme, por edhe më tërheqëse në të gjithë historinë e fotografisë. Ishte koha kur shpikës, fizikantë, kimistë, piktorë po realizonin praktikisht ëndrën e vjetër të njeriut, fotografinë. Proceset e vjetra teknologjike zëvendësoheshin me të reja. Fotografia, historikisht nisi të formësohet nëpërmjet tri proceseve kryesore teknologjike, “heliografísë”, “dagerotipísë” dhe “kalotipísë”.
“Heliografia” (helio-diell, gr.vj.) e cila u krijua nga shpikësi francez Nicephore Niepce (1765-1833), ky jepte vetëm një ekzemplar të imazhit në një pllakë metalike që pasi lyhej me bitumin e Judes, futej në “dhomën e errët“ (aparati fotografik parësor) . Aty edhe mbarsej me pamjen përballë objektivit të aparatit, nxirrej prej andej, mandej lihej në diell për disa orë për t’u ndehur në sipërfaqen e pllakës metalike.
Francezi tjetër, Lui Jaque-Mande Daguerre (1787-1851), piktor e skenograf, shpiku procesin teknologjik “Dagerotipi”. Ai, përdori një pllakë bakri të argjenduar dhe të trajtuar me jodur potasi, të mbajtur për disa minuta brenda “dhomës së errët”, që të “shikonte” pamjen para saj, fillimisht rreth 20-30 minuta, mandej me një përpunim tjetër kimik prej saj përftohej vetëm një kopje dagerotipie (daguerreotype-fr.).Ndonëse kjo mënyrë jepte vetëm një ekzemplar, u përhap në shumë vende për 2-3 dhjetëvjeçarë, sepse objektet në të kishin qartësi të mirë.
Shkencëtari dhe shpikësi anglez William Henry Fox-Talbot (1800-1877), krijoi një mënyrë tjetër që u quajt “Kalotipi” (kalo-mirë, bukur-gr.vj.) ose edhe “talbotipi ku u përdor për herë të parë procesi negativ-pozitiv. Kështu, ai prodhoi negativin duke lyer një letër me nitrat argjendi dhe jodur potasi, e pas një përpunimi kimik dhe dyllosje për tejdukshmëri, e fuste në “dhomën e errët”, ku ajo përthithte nëpërmjet objektivit pamjen e zgjedhur. Kjo shërbente si negativ prej të cilit dilnin një numër (teorikisht) i pafundmë pozitivësh, por nuk kishin qartësinë e dagerotipisë. Procesi”, u patentua më 1841 dhe ishte një hap gjigand në fotografi. Bazuar në kalotipi, nisën të krijohen nga mesi i shekullit XIX procese të reja fotografimi, si kolodio e njomë dhe kolodio industriale deri sa në fund të qindvjeçarit, doli “Kodaku” me filmin prej celuloidi, shumë praktik dhe kohë ekspozimi të dhjetat e sekondës. Shtojmë se termi “fotografi”, u përdor së pari në vitin 1839 nga astronomi dhe matematikani i njohur anglez John Hershel (1792-1871).
Fotografia nisi të përhapej me shpejtësi në vende të ndryshme duke hedhur hapat e para, fillimisht në Francë dhe Angli, por edhe në Itali, SHBA, Brazil, Argjentinë etj. Nga e gjithë letërsia e fotografisë e krehur, emri i francezit Nicephore Niepce, mbetet i patundur si autori i fotos më të hershme në histori. Përmendim edhe autorët e librave të historisë së fotografisë botërore të cilave iu është referuar kryesisht për 12 fotot, pra për 12 nga hapat e parë në historinë e fotografisë. Ata janë: Naomi Rosenblum, Beaumont Newhall, Michel Frizot, Helmuth Gernsheim dhe Tom Ang. Në përzgjedhjen e këtyre fotove nuk është zbatuar me rreptësi renditja kohore e realizimit të tyre. Më së shumti është synuar që ndër foto e 30 vjeçarit të parë, të paraqiten ato që përfaqësojnë gjinitë kryesore të fotografisë, si portreti, kompozimi, peizazhi, natyra e qetë etj. Pra, përgjithësisht, më të vjetrat e fushave të ndryshme të saj.
Fotografia e parë ka titullin “Pamje nga dritarja në pronën Gras” (“La cour du Domaine du Gras”, emri në origjinalin frëngjisht) e vitit 1826 e realizuar nga Niepce, me procesin “heliografi”. Kjo mbahet nga studiuesit e fotografsë si fotoja e parë e mbërritur në ditët e sotme.. Niepce, e kishte lënë pllakën metalike me “Pamje nga dritarja në pronën Gras”, tek një mik në Angli në vitin 1830 dhe ishte larguar prej andej i pakënaqur nga mungesa e vëmendjes zyrtare të institucioneve mbretërore britanike. Fatmirësisht, kjo pllakë e mbarsur me imazhin e parë, pasi kaloi përgjatë rreth 120 viteve si nëpër mjegull disa duar, mbërriti tek studiuesi gjerman i fotografisë, Helmut Gernsheim (1913-1995) në vitin 1952. Ky i njohu vlerën dhe, po atë vit, e përpunoi me shumë kujdes e aftësi në “Research Codac Laboratory” (Gjermani). Pas trajtimit të saj me kontrast të shtuar, u arrit në versionin përfundimtar në letër që shihet rëndom shoqëruar me fjalët vërtetë të mëdha, “Fotografia e parë”. (Foto 1). Ajo ndodhet në koleksionin “N&A Gernsheim” në Universitetitin e Teksasit, Austin (SHBA), ku natyrisht ruhet edhe pllaka origjinale. (Foto1-a). Mund të ketë pasur edhe fotografi të tjera para kësaj, por si pasojë e proceseve primitive, nuk janë ruajtur. Fotoja ka vlera të çmueshme historike, dhe ka të përngrirë (fiksuar) pamjen që shihej nga dritarja e punës së shpikësit. Për saktësim, si datëlindje zyrtare e fotografisë mbahet 19 gusht 1939. Në këtë datë Akademia e Shkencave dhe Akademia e Arteve të Parisit, në një mbledhje të përbashkët, i njohën Lui Jaque-Mande Daguerre patentën e procesit fotografik të “dagerotipisë”, datë të cilës “Pamja nga dritarja e pronës në Gras” i jep një tis të hollë mjegulle. Përmasat e origjinalit të Niepce-s, janë, 16,5×20 cm. ose 6.5/8×7.7/8 inch.

Niepce, ka realizuar po në vitin 1826, edhe fotografinë “Kardinali d’Ambuaz” (“Cardinal d’Amboise”) sipas një gdhendjeje në dru të Isaac Briot të vitit 1650. Përveç se është nga fotot e para si portret, në një farë mënyre është i pari, por jo i drejtpërdrejtë i njeriut, por i një gravure. Ndoshta, Niepce synonte kështu, të provonte riprodhimin e veprave të artit. (Foto 2). Ishte koha e ekspozimeve kohëgjata para aparateve, detyrë që veprat e artit e përballonin lehtësisht. Kardinali është fotografuar përanash, ashtu siç ishte dhe gravura në dru. Procesi i përdorur ishte sërish ai i “heliografisë”. Fotoja ndodhet në “Sience Museum”, Londër. Përmasat e origjinalit janë, 19,9×13,2 cm.
“Dritare me hekura” (“Latticed Window”-ang.) Ky është emri i fotografisë së shpikësit anglez, William Henri Fox-Talbot (1800-1877), realizuar në vitin 1835. Fox-Talbot i lauruar për matematikë në Universitetin Cambridge (Angli), shpejt iu kushtua fotografisë, ku shpiku dhe procesin pozitiv-negativ “kalotipinë” (ose talbotipinë), një hap mjaft i rëndësishëm në përparimin e fotografisë. (Foto 3). Fotoja është trajtuar në sepje, me cilësi të dobët, madje fotoja duket si detaj i një fotografie, por ka vlera historike, sepse mbahet si nga negativi më i hershëm. Ndoshta paraqet një dritare të vogël të studios së tij. Origjinali ndodhet në “Fox Talbot Museum”, në Lacock Abbey, Angli. Eshtë shtypur me procesin e tij, kalotipi nga negativi.

Francezi Lui Jaque-Mande Daguerre (1787-1851) është autori i fotografisë me titull “Bulevardi i Tempullit” (“Boulevard du Temple-fr.) të realizuar me procesin “dagerotipi” në vitin 1838. Daguerre, bashkëpunoi për një farë kohe me Niepce, por me vdekjen e këtij (1833), ai e vazhdoi vetëm punën deri sa shpiku procesin e dagerotipisë, që la në hije heliografinë. Në këtë bulevard të Parisit që quhej dhe “Bulevardi i krimit”, shumë teatro shfaqnin ato kohë pjesë horror, e në një syresh Daguerre ka punuar si skenograf. Fotoja është e pastër teknikisht dhe e kuadruar mirë. (Foto 4). Nga hijet e pemëve në foto, kuptohet se është mbasdite vonë ose mëngjes, e megjithatë rruga është e shkretë, me përjashtim të një qytetari në këmbë që po lustron këpucët, dhe llustraxhiut. Ekspozimi ka zgjatur rreth 10 minuta, kështu që njerëzit dhe karrocat në lëvizje nuk arritën të pasqyrohen në foto. Daguerre e ka përngrirë këtë pamje edhe disa orë pas ose para fotos së parë, çka në foton tjetër duket nga hijet tashmë më të shkurtra dhe nga mungesa e dy njerëzve, qytetarit dhe llustraxhiut. Ndoshta është peizazhi më i hershëm urban në botë e, po ashtu fotografia më e vjetër ku fillon të duket njeriu. Për herë të parë këtë foto e ka printuar nga dagerotipi studiuesi i njohur amerikan, Beaumon Newhall dhe ekspozuar në MoMA të New York-ut, në vitin 1937. Origjinali ndodhet në “Stadtmuseum”, Munich, Gjermani. Përmasat e pllakës janë, 15×18,5 cm. ose 5.7/8×7.1/4 inch.

Fotoja “Fosile dhe guacka”, po e Daguerre-it, është realizuar nga shpikësi francez në vitin 1839 me procesin e tij dagerotipi. Ajo ka pastërti të kënaqshme, si të ishte bërë në ditët tona në sajë të palëvizshmërisë së objekteve. Ajo tregon sensin artistik, por disi edhe njohuritë e autorit nga paleontologjia. (Foto 5). Ndriçimi gjatë fotografimit është diellor, i zgjedhur me kujdes dhe krijon kontraste të pëlqyeshme. Mbahet si ndër të parat fotografi të gjinisë “Natyrë e Qetë„ ose “Still Life”, siç quhen sot. Fotografia ndodhet në “Musee National des Techniques C.N.A.M.” Paris.

Alphonse Eugene Hubert (1792-1842), një tjetër francez, arkitekt dhe bashkëpunëtor i Daguerre, është autori i “Daguerotype”, siç sot rëndom emërtohen disa foto“Pa titull”. Në të janë riprodhuar pamjet e dy skulpturave nudo klasike greke dhe pas njerës, duket një bazorelief me kuaj, pra tri vepra arti. Mënyra e vendosjes së tyre para fotografimit flet edhe për kërkesa artistike të autorit. (Foto 6). Kjo nuk ka pastërtinë e fotos “Guacka e fosile” të Daguerre, por hapi rrugën e gjerë të publikimit të veprave të artit nëpërmjet fotografisë, pra edhe pa i vizituar fizikisht muzeumet, çka ndihmoi mjaft në shtrirjen e njohjes, studimin dhe përhapjen e tyre në botë. Fotoja është paraqitur në Akademinë e Shkencave të Francës më 29 tetor 1839. Pllaka dagerotipe ndodhet në një nga sallat e “Societe Francaise de Photographie” të Parisit dhe përmasat e saj janë 15,6 x 20,3 cm.

Fox-Talbot është autori dhe i fotos “Gjethe orkideje” (“Leave of Orchidea”-ang.) e realizuar në vitin 1839. Mundet të jetë fotoja e parë që i bëhet një herbariumi, me prapavijë shkencore. (Foto 7). Fox-Talbot, ka realizuar edhe mjaft foto të gjetheve a bimësive të ndryshme, nga të cilat është edhe ajo me titull“Tri pemë”, ku nuk duket fare dora e njeriut. “Gjethe orkideje”, nuk ka ndonjë pastërti të veçantë, por fotoja ka vlerë historike. Si mjaft imazhe të tjera të kohës, ajo është trajtuar në sepje, nuancë shumë e përdorur ato dhjetëvjeçarë, që i jepte imazhit fotografik një tis vjetërsie. Ndodhet në “John Paul Getty Museum”, Malibu, SHBA dhe ka përmasa 17,1x 20,8 cm.


“Motra Dorothy” (“Dorothy Draper” në original), është fotografuar nga amerikani Draper (John William D. 1811-1882). Mbahet në histori të fotografisë botërore si ndër portretet më të hershëm (1839-1840) të ruajtur mirë nga origjinali (dagerotip) që është dëmtuar në vitet 1930 gjatë përpunimit. Dorothy, ka qëndruar para aparatit të vëllait, gjatë rreth 30 minutave në diell, në muajin qershor ose korrik. Pamja e saj shpërfaq seriozitet, në mos pak mërzi nga pritja e gjatë pa lëvizur. (Foto 8). Faqet e vajzës ishin pudrosur me miell, që të mos dilnin të errëta në fotografi. Procesi teknologjik ishte me kalotipi nga një pllakë dagerotipi. Fotoja “Dorothy Draper” ruhet në “Chandler Chemical Museum” të Columbia University, New York. John Draper ishte professor i njohur kimie në këtë universitet të New York-ut dhe konsiderohet si i pari që ka fotografuar një trup qiellor, Hënën, më 1840. Përmasat e origjinalit ishin 8,2 x 10,9 cm.

“Si i mbytur, autoportret” (“Autoportrait en noy”-fr.) –Është titulli i një punim fotografik të francezit Hippolyte Bayard (1801-1887) i tetorit 1840, printim i drejtëpërdrejtë nga pozitivi. Mund të mbahet si kompozimi i parë në fushë të fotografisë, ndonëse fotoja, teknikisht nuk është shumë e pastër. Ai e ka realizuar atë për “të shkundur” opinionin e institucioneve shtetërore për mbështetjen financiare të punimeve të tij duke e paraqitur veten kinse si të vdekur. (Foto 9). Bayard ka qënë gjithmonë i kujdesshëm dhe poetik në kompozimin e gjithçkaje që do fotografonte. Fotoja mund të quhet edhe si një nga protestat e para demokratike dhe intelektuale në historinë e njerëzimit kundër një padrejtësie. Bayard ishte gjithashtu autodidakt në fotografi dhe njëkohësisht punonjës i shkallës më të ulët në Ministrinë e Financave. Ai mbahet si një nga katër shpikësit e fotografisë bashkë me Niepce, Daguerre dhe Fox-Talbot. Fotoja “Si i mbytur”, realizuar drejtpërdrejt si pozitiv në letër, një proces vetjak i Bayard, është mbajtur në sepje dhe ndodhet në “Societe Francaise de Photographie”, Paris. Përmasat e origjinalit të saj janë, 25,5×21,5 cm. ose 10.1/8×8.1/2 inch.

“Mullari” (“Haystack”-ang.) Foto shumë e njohur e Talbot e vitit 1844 e realizuar me procesin kalotipi. Duket si një ndërtesë dhe është fotografuar në një stinë të ngrohtë, çka e pasqyrojnë gjethet e pemëve në sfond. Këtë foto Talbot e ka përfshirë edhe në librin e tij shumë të njohur “Lapsi i natyrës” (1844), që mund të quhet manifesti i parë në histori të fotografisë. (Foto 10). Njeriu, në këtë foto përfaqësohet nga veglat e tij, shkalla dhe cfurku. “A”-ja e krijuar nga shkalla dhe hija e saj e bënë më intriguese pamjen e cila do të ishte disi e thatë pa të. Duket si shkrepje e rastit, por vertikaliteti i hijes së shkallës, ndoshta tregon vëmendjen e autorit për ta pritur atë çast. Fotoja është e mbajtur në sepje, ndonëse riprodhohet edhe në b/z dhe realizuar mbi letër të kripëzuar duke e përftuar nga një negativ. Origjinali ndodhet në “National Media Muzeum, Bradford, BM”. Përmasat e saj janë, 16×21 cm. ose 6.3/8×8.1/4 inch.

Louis-Auguste Bisson (1814-1876), njëri nga vëllezërit e njohur Bisson të fotografisë franceze, ka realizuar në vitin 1842, foton me titull “Balzak”, ku paraqitet portreti i shkrimtarit të shquar. Kjo mbahet historikisht edhe si fotoja e tij e parë. (Foto 11). Duke vërejtur këtë imazh të shkrimtarit të madh, natyrshëm mund të nxitet përfytyrimi i shikuesit për çastet e fotografimit, bisedën ndërmjet tij dhe fotografit, para dhe pas tyre. Prej veshjes dhe qëndrimit kuptohet se Balzaku nuk i ka dhënë shumë rëndësi fotografimit, madje duket sikur po shkëmben edhe fjalë mbase jo të fortë të ëmbëla me fotografin sepse ai i ka ndërprerë…të shkruarit. Fotoja ndodhet e ekspozuar në shtëpinë-muze të shkrimtarit, “Maison de Balzac” të Parisit. Përmasat e origjinalit janë rreth 17,8×22,8 cm.

“Nudo me zog”, është një dagerotip me autor ende të panjohur e realizuar rreth vitit 1850. Edhe para këtij viti mund dhe duhet të jenë bërë foto nudo femërore dhe mashkullore, qoftë edhe si modele për “sivëllezërit” e tyre, piktorët, por ligjet e atyre kohëve në Angli dhe Francë, vendlindjet e fotografisë, i ndëshkonin rreptë realizuesit dhe shpërndarësit e tyre. (Foto 12). Fotografi i ka vendosur vajzës së zhveshur një zog në dorë, ajo po e kundron me vëmendje e gëzuar për lirinë e tyre, kinse s’di që po fotografohet, e duket sikur i thotë diçka. Ndonëse është nudo e plotë, nuk shquhet për erotizëm të veçantë dhe është mjaft e pastër teknikisht e me ndriçim të studiuar mirë. Origjinali i saj ruhet në koleksionin privat “Stefan Richter”, Gjermani.