KreuUncategorisedMimoza Hasani Pllana: E diela e heshtur në Kishën e Shën Dhimitrit...

Mimoza Hasani Pllana: E diela e heshtur në Kishën e Shën Dhimitrit në Mandricë

Vijon nga Në kërkim të Mandricës shqiptare

Prej tavolinës ku po pija kafenë, shihja këmbanoren si një kullë të vetme, kryelartë mbi të gjitha çatitë. Jo se ishte aq e lartë, por diferenca krijohej ngaqë shtëpitë përreth ishin dykatëshe, prandaj këmbanorja dukej si një obelisk i vetmuar. Kur e pashë ashtu, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte: mos vallë ishte rrënuar apo shembur Kisha? Këto mendime më erdhën shpejt, si vetëtima. Ashtu si erdhën, edhe ikën. Brenda pak sekondash u kthjellova dhe nisa ta arsyetoja veten pse më shkoi mendja pikërisht aty. Ndoshta ishte një ndjesi instinktive e krijuar nga vendi prej nga vij, i cili më ka ngulitur bindjen se ndërtimet prej çerpiçi nuk mund të qëndrojnë gjatë në këmbë dhe se e vjetra shpesh rrënohet për t’i lënë vend të resë. Thuajse asgjë e kësaj natyre nuk ka mbetur,  kështu ne shpesh herë kemi zhdukur edhe shumë shenja të kujtesës sonë arkitektonike e kulturore, të një kohe ndërtimi si ajo që shihja para meje.

Me përshtypjen se mesha fillonte në orën 09:00, ndonëse askush nuk ma kishte konfirmuar këtë, u nisa drejt oborrit të kishës, që ndodhej përballë hotelit të fshatit “Bukor shtëpi”. Hyra vetëm pak minuta para orës nëntë, me njëfarë dileme se mos isha vonë dhe se njerëzit mund të kishin hyrë tashmë brenda. Megjithatë, këto mendime i lashë pas dhe u ula në oborr, e tërhequr nga hijet e disa drunjve të mbjellë në vijë të drejtë. Edhe hijet e tyre ndiqnin të njëjtën vijë. Hijet ishin të rrumbullakëta, si kupola të vogla, pasi degët e tyre ishin krasitur me kujdes në forma rrethore.

Nën njërën prej këtyre hijeve takova një banore. Nga hija im e përshëndeta shqip:

– Mirëmëngjes.

– Nuk vi gegja (nuk të dëgjoj), më tha.

– Jam e re në fshat, dje erdha në Mandricë, ia ktheva.

– Mirsen jertë dë, me shindet (mirë se erdhe), ma ktheu.

– A flet shqip?

– Da (po).

– Mirë.

– Mirë.

Kaq mjaftoi për të kuptuar se këtu më duhej një përqendrim tjetër për të folur dhe për të kuptuar në gjuhën e njejtë. Nuk shtova asgjë më tej. Si në heshtje, u nisëm bashkë drejt Kishës. Që në hapat e parë vendosa të eci krah me të dhe madje të ulem pranë saj kur të hyjmë brenda. Mendova t’ia jap fletoren që kisha me vete, që të më shënonte fjalët që më tha, nga të cilat, kisha kuptuar vetëm dy: “mirë” dhe “da”, njërën nga shqipja, tjetrën nga bullgarishtja. Në heshtje ramë dakord të vazhdonim rrugën e mbetur bashkë.

Në hyrje na priti Katerina Hristova Ilieva, duke na uruar mirëseardhje me përqafime. Ajo na tregoi se brenda ndodhej baba/gjyshe Sulltana, e cila dinte shumë këngë shqipe dhe mund të rrëfente për zakonet dhe jetën e dikurshme të fshatit. Sipas saj, ajo kishte kujtesën më të mirë dhe më të hershme në fshat, duke qenë edhe e vetmja që kishte festuar më shumë se nëntëdhjetë ditëlindje, ndërkohë që gëzonte ende shëndet të mirë fizik dhe një kujtesë të mprehtë për të shkuarën. Me të njëjtën dashamirësi tha se së shpejti do të vinin Kostadin Georgie Beishev dhe Katia Kostadinova Veleva. Më pyeti se me kë dëshiroja ta nisja bisedën dhe, duke e falënderuar, i thashë se do të vazhdonim pas përfundimit të Meshës.

– Në ç’orë vjen prifti dhe kur fillon ceremonia? – e pyeta.

Ajo më shpjegoi se prej kohësh nuk mbahej meshë dhe se prifti nuk vinte më në Kishën e fshatit. fshat kishte vetëm shtatë a tetë banor, të cilët mblidheshin të dielave, ndiznin qirinj, luteshin dhe më pas kalonin kohë së bashku në restorantin përballë. Kjo bisedë zgjati më shumë se zakonisht, pasi të dyjave na duhehsin sqarime shtesë, pavarësisht pritjeve tona se do të kuptoheshim lehtësisht pasiqë flisnim shqip.

xxx

Brenda, në muret e Kishës, më ranë në sy disa fotografi të varura mure. Në disa prej tyre shiheshin gra të buzëqeshura me veshje tradicionale, në të tjera, fëmijë, ndërsa në fotografitë e fundit, gra dhe burra së bashku, sikur festonin diçka. Thuajse të gjitha ishin bardh e zi. I lashë për më vonë, me dëshirën që dikush të më shpjegonte më shumë rreth tyre.

Në sallën ku prisja të mbahej Mesha, pashë vetëm një grua ulur në karrige, me shikim drejt derës, ndërsa altarin e kishte në anën e djathtë. Flokët i kishte krejt të thinjuara, shikimin e butë dhe buzëqeshjen e ngrohtë, fytyrën plot me rrudha që i rrinin për hijeshi. Kjo pamje më krijoi ndjesinë sikur këtë gura e njihja prej kohësh, ndaj iu afrova e përshëndeta dhe e përqafova. Më ftoi të ulesha pranë saj, duke lëvizur lehtë dhe duke rregulluar fustanin e saj deri në gju, një gjest fisnik kujtoi elegancën e grave të dekadave të kaluara, atë finesë nuk del kurrë nga moda.

Zonjës Sulltane Gramenova Aleksandrova i tregova se kisha parë një video ku ajo këndonte këngë nga fëmijëria e saj dhe se ato këngë përbënin një ndërthurje fjalësh shqipe dhe bullgare, ndoshta edhe elemente të tjera gjuhësore, të cilat nuk arrija t’i dalloja plotësisht. Më pas, për disa minuta folëm për ne dyja, për familjet tona, për jetën e saj në Mandricë dhe timen në Sofje e në Prishtinë, aq sa mundëm të kuptoheshim, pasi komunikimi ynë zhvillohej mes dallimeve të dukshme gjuhësore.

Unë përpiqesha t’i përgjigjesha pyetjeve të saj, si: nga vjen/ga ha jesh, çfarë punon/çe pënosh dhe si quhesh/kush sohesh, por jo lehtësisht arrija t’i kuptoja fjalët e saj, për shkak të dallimeve të dukshme paraqet e folmja e Mandricës në raport me shqipen e sotme. Në këtë situatë, më duhej të tregoja vëmendje të shtuar, duke u mbështetur në kontekst, në gjeste dhe në fjalë të njohura nga një fjalor që kisha lexuar paraprakish lidhur me të folmen e Mandricës e që në bisedën tonë shfaqeshin herë pas here në pyetjet e saj.

Vazhdon: Këngët dhe veshjet popullore të Mandricës

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË