“Kur Zoti ia don t’mirën dikujt, e frymëzon me folë pak, me hanger pak e me fjetë pak.”
(Ali ibn Ebi Talib)
“Less is more”, thoshte Mies van der Rohe, natyrisht në tjetër kontekst, por thelbi është i njajtë. Ndërsa Rumi na kujton se fyelli nuk nxjerr asnji melodi nëse nuk është bosh.
Prirja për ma shumë, për sasinë, është në natyrën tonë, siç është po aq në natyrën tonë përpjekja me e vu nën kontroll këtë prirje, me u përmbajtë.
Duke perifrazu Heraklitin, mund të themi se ai që nuk i kontrollon dëshirat nuk mundet me qenë i lirë.
Kjo është beteja e betejave – me veten. Nëse ekziston nji e ashtuquajtur luftë e shenjtë, është pikërisht kjo.
Në thelb, skllavëria e vërtetë nuk është diku jashtë nesh, por brenda qenies sonë.
Herakliti e sheh këtë si tension kozmik dhe psikologjik; Sokrati si problem njohjeje; kurse Epikteti si çështje disipline dhe praktike.
Prandaj, liria nuk është me ba çdo gja që dëshiron, por mos me qenë i detyruar nga ajo që do.Nuk bahemi të lirë duke i kënaqë dëshirat, por duke i vendosë ato në vendin e tyre.
“Protect me from what I want” (Holzer) është nji prej veprave-tekst ma të randësishme të artit bashkëkohor, që autorja zgjedh jo rastësisht me e projektu në formë elektronike në Times Square, në atë Niagarë dëshirash e shpërqendrimi.
Anatomia e brendshme e njeriut, sipas Gazalit, është nji fushë beteje midis disa forcave:
nefsit (egoja, plot dëshira e impulse),
aklit (arsyes),
kalbit (zemrës, si qendra shpirtërore)
dhe ndikimeve ma të larta (hyjnore).
Ai përdor një metaforë për këtë, duke na kujtu se njeriu është si nji mbretëri, ku zemra është mbreti, arsyeja këshilltari, ndërsa nefsi është forca që duhet disiplinu.
Duhet shtu këtu se, sipas Ibn Arabiut, çdo dëshirë ka nji burim ma të thellë dhe, në thelb, ajo është kërkim i së Vërtetës, por nji kërkim i deformuar, ose nji kopje e kërkimit autentik.
Realiteti ka kufijtë e vet, kurse dëshirat tona janë të pakufishme. Mbase për këtë arsye kemi kriju edhe botën virtuale, për me e zgjeru ma shumë territorin e realitetit. Në fakt, kemi zgjeru vetëm hartën, se territori na është tkurrë.
E fërkojmë (pa farkëtim) ekranin e celularit si nji llambë Aladini dhe me nji klik “bahet” e jona çdo gja që dëshirojmë. Sa ma shumë që e fërkojmë këtë mrokull (mrekulli?) që na ban me harru se jemi vdekatarë, aq ma shumë dëshirojmë. E kështu, sa ma shumë dëshirojmë, aq ma shumë dëshirojmë… Spiralja nuk është ngjitëse, por vicioze.
Kënaqet syri, dehet mendja, zbrazet zemra.
Ky fenomen është etiketu edhe si “qytetërimi i ndrydhjes”, sepse nga ekrani që na është shtuar si gjymtyrë e shqisë njiherësh mundesh me pa çdo gja që të shkon ndërmend, por nuk mundesh me e shiju. Nji lloj striptizi 24/7. Nji model jetese i llojit “shih me sy e plas me zemër”.
Bota virtuale është nji treg i pafund që vjen duke e sofistiku joshjen, deri në slogane ku përzihet horrori dhe komedia: “Ti nuk je i shëmtuar, por i varfër.” Tashmë është ngulitur ideja se mjafton të kesh para dhe mund të arrish çdo gja: se çdo gja mund të blihet, edhe “e shenjta”.
Në fakt, nuk është edhe aq çudi, sepse në Mesjetë blihej me para edhe falja e mëkateve (indulgjencat).
Por, ndryshe nga Mesjeta, ku ekzistonte ideja dhe përjetimi i nji transcendence reale, sot kemi nji transcendencë të rreme, e prodhuar nga algoritmet dhe reklamat, që premton gjithçka dhe nuk jep asgja, përveç shumëfishimit të dëshirës.
Na duhet nji klithmë (pa za) drejtuar vetes, jo të tjerëve, jo botës, e formuluar prej Ali Sheriatit si “klithma e njeriut të robëruar, që ka zbuluar papritur zinxhirët e tij dhe po zgjat dorën drejt dinjitetit të vet”.
Veçse duhet me u ndërgjegjësu se zinxhirët nuk janë argëtim.


