KreuLetërsiShënime mbi libraPh.D. Oltsen Gripshi: “Laver Bariu: Ustai i fundit”, Një monument i shkruar...

Ph.D. Oltsen Gripshi: “Laver Bariu: Ustai i fundit”, Një monument i shkruar për shpirtin e muzikës së sazeve përmetare nga akad. Vasil S. Tole

Botimi i monografisë shkencore “Laver Bariu: Ustai i fundit” i Akademik Vasil S. Tole e njëkohësisht Zv. Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i publikuar nga Shtëpia Botuese Onufri, përbën një nga veprat më të rëndësishme dokumentuese dhe studimore shkencore mbi trashëgiminë e muzikës popullore shqiptare të shekullit XX. Monografia nuk është thjesht një biografi artistike e mjeshtrit të madh të gërnetës, Laver Bariut, por një udhëtim në kujtesën kulturore të Jugut të Shqipërisë, aty ku muzika me saze u shndërrua në një mënyrë jetese, në një filozofi ndjenje dhe komunikimi njerëzor, të identitetit muzikor shqiptar.

Që në hyrje, autori e vendos figurën e Usta Laverit në përmasën që i takon këtij këngëtari dhe instrumentisti ndër më përfaqësues të muzikës popullore shqiptare historikisht: jo vetëm si interpretues virtuoz, por si një institucion kulturor më vete. Akademik Vasil Tole ndërton një rrëfim shumështresor dhe shumëzërësh falë hulumtimeve të tij shumë vjeçare, ku ndërthuren kujtime, analiza muzikologjike, dëshmi bashkëkohësish, referenca historike dhe reflektime estetike mbi muzikën iso-polifonike me saze. Kjo qasje e largon këtë monografi shkencore nga modeli tradicional biografik, duke e shndërruar atë në një dokument të gjallë të identitetit muzikor shqiptar.

Në qendër të veprës qëndron figura e Usta Laver Bariut, artistit që për dekada i dha frymë dhe shpirt kabasë shqiptare. Përmes klarinetës së tij, muzika popullore fitoi një përmasë të rrallë emocionale, shpirtërore, ndjeshmërie dhe filozofike. Nuk është rastësi që shumë studiues e kanë konsideruar kabanë shqiptare si një formë të “vajit instrumental”, ku instrumenti nuk interpreton vetëm melodi, por artikulon gjendje shpirtërore përbashkuese të shoqërisë shqiptare. Në këtë fushëpamje, loja virtuoze e Usta Laverit kapërcente kufijtë teknikë të interpretimit dhe hynte në territorin e meditimit artistik.

Akademik Vasil Tole me ktët monografi shkencore sjell në mënyrë të hollësishme universin e sazeve të Përmetit, qytetit që lindi dhe formësoi këtë traditë të jashtëzakonshme që pasuroi muzikën shqiptare, duke analizuar repertorin, veglat muzikore, strukturën melodike dhe veçanërisht kabanë, të cilën ai e konsideron si formën më të lartë të improvizimit në muzikën popullore shqiptare, apo siç do të thoshte përmetari Malkë Pëllumbi: “Përmeti ka dhjetë shtëpi dhe njëqind palë saze”. Kjo analizë mbështetet edhe në një perspektivë etnomuzikologjike bashkëkohore, ku improvizimi shihet si proces krijimi i menjëhershëm emocional dhe kulturor për të depërtuar ndjeshmërinë psikoshpirtërore të publikut që gjendet përballë këtij impovizimi të befasishëm.

Në muzikologjinë moderne shpesh thuhet se: “Muzika popullore është arkivi emocional i një kombi.” Në rastin e Usta Laverit, kjo thënie merr një kuptim të veçantë. Klarineta e tij bartte kujtesën e përbashkët të shoqërisë shqiptare të mallit, kurbetit, dashurisë dhe dhimbjes shqiptare në kapërcyell sistemesh politike dhe antropologjike para dhe pas ’90. Tingulli i tij nuk ishte vetëm interpretim; ishte rrëfim. Ishte ajo që filozofi Friedrich Nietzsche e përkufizonte kur shkruante: “Pa muzikën, jeta do të ishte një gabim.”. Për shumë shqiptarë, kabaja e Usta Laverit ka qenë pikërisht një mënyrë për ta përballuar jetën përmes muzikës.

Monografia shkencore e Akademik Vasil Tole ndalet me kujdes edhe te përmasa njerëzore e artistit, duke mos mbetur thjesht teknike duke analizuar vetëm veprimtarinë e tij si këngëtar dhe instrumentist, por duke e pasuruar figurën e tij për lexuesin edhe me atë çfarë ai përfaqësonte si individ në periudhën kur jetoi. Përmes episodeve të treguara nga bashkëkohës, kolegë dhe admirues, figura e Usta Laverit shfaqet njëkohësisht e afërt dhe mitike. Ky dualitet e bën këtë monografi shkencore të rëndësishme jo vetëm për studiuesit e muzikës, por edhe për lexuesin e zakonshëm që kërkon të kuptojë shpirtin e artistit popullor shqiptar.

Një moment me rëndësi të veçantë që trajtohet në brendësi të monografisë është shpallja e iso-polifonisë shqiptare si “Kryevepër e Trashëgimisë Gojore të Njerëzimit” nga UNESCO më 25 nëntor 2005. Me këtë njohje ndërkombëtare, muzika me saze dhe interpretimi i Usta Laver Bariut zinin një vend qendror, si dëshmi e një tradite që kishte arritur të mbijetonte dhe të përcillte identitetin kulturor të shpirtit të shqiptarëve përtej kufijve kombëtarë, atje në zemër të Evropës, në Paris të Francës ku dhe ndodhet selia qendrore e UNESCO-s.

Në aspektin estetik, monografia sjell një reflektim të rëndësishëm mbi marrëdhënien midis traditës dhe modernitetit në muzikën popullore shqiptare. Në një kohë kur globalizimi rrezikon homogjenizimin kulturor, figura e Usta Laverit paraqitet si simbol i autenticitetit artistik shqiptar. Akademik Tole duket se argumenton në mënyrë të nënkuptuar se trashëgimia nuk është thjesht ruajtje e së shkuarës, por vazhdimësi shpirtërore dhe krijuese.

Thënia e kompozitorit Béla Bartók se “Muzika popullore është fenomeni më i pastër i shprehjes artistike” gjen një ilustrim të plotë në artin e Usta Laverit. Muzika e tij nuk vinte nga akademitë apo sistemet teorike, por nga përvoja jetësore, nga ritmi i qytetit, nga dhimbja dhe gëzimi kolektiv. Pikërisht për këtë arsye ajo mbetet universale.

“Laver Bariu: Ustai i fundit” është më shumë sesa një monografi shkencore kushtuar ustait të fundit të kabasë përmetare. Është një akt kujtese kulturore dhe një përpjekje serioze për të ripërmasuar figurën e një prej mjeshtërve më të mëdhenj të muzikës instrumentale shqiptare. Monografia njëherazi na dëshmon se Usta Laver Bariu nuk ishte vetëm interpretuesi i fundit i një tradite të madhe, por një urë lidhëse midis kujtesës së së kaluarës dhe frymës së së ardhmes.

Kjo, sepse sipas edhe vetë autorit në brendësi të kësaj monografie shkencore, Akad. Tole; “Muzika e Usta Laver Bariut nuk njeh fund apo mbyllje. Ajo vazhdon të jetojë përtej biografisë, përtej kohës historike dhe përtej vetë tingullit të regjistruar, duke qenë një trashëgimi e gjallë dhe jo muzeale. Ajo mbetet një prani aktive në kujtesën kulturore të Përmetit dhe të gjithë hapësirës së muzikës me saze, e më gjerë se kaq, si dëshmi e një mënyre të të menduarit, të ndierit dhe të komunikuarit përmes muzikës. Rruga e jetës së Usta Laverit, nuk është thjesht historia e një këngëtari dhe instrumentisti virtuoz, por rrëfimi i një modeli kulturor që krijoi e transmetoi vlera shpirtërore.”.

Në fund të leximit mbetet ndjesia se, edhe pse Usta Laveri nuk jeton më fizikisht, zëri i klarinetës së tij vazhdon të flasë. Dhe ndoshta kjo është forma më e lartë e pavdekësisë artistike.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË