Kur mbërrita në Kejp-Taun të Afrikës së Jugut, në tetor, në fundin me erë të pranverës, duke shkelur për herë të parë në jetën time në tokën afrikane, nuk kisha ardhur për t’iu dorëzuar atij voajerizmi zoologjik që, siç më thonë të porsamartuarit e pasur, ta ndryshon jetën. Mundësia për të mbetur i ngujuar në një xhip, duke parë tufat e gnushëve që derdhen përmes savanës, nuk më joshte. Përkundrazi, kisha ardhur të kërkoja gjurmët e njërit prej shkrimtarëve më të çuditshëm të botës, J. M. Coetzee-së, në qytetin prej nga kishte dalë, një qytet për të cilin kishte shkruar herë pas here — pa zbuluar shumë prej tij — dhe të cilin më pas e kishte lënë, më 2002. Më kishin thënë se trashëgimia e autorit 86-vjeçar ngjallte këtu pasione të një lloji që pothuajse kudo tjetër në planet tashmë është zhdukur. Ja ku më jepej rasti të shihja jo një tufë gnushësh në afsh, por diçka që as e kisha përfytyruar se mund të ekzistonte ende: një obsesion letrar kolektiv në një epokë postletrare, në qendër të të cilit qëndron një njeri që dishepujt e tij e quajnë thjesht “Zot”.
Librat e Coetzee-së i hasa për herë të parë gjatë viteve kur po formohesha si shkrimtar, në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000. Çdo sekondë që nuk e kaloja duke pirë, duke abuzuar me drogën, duke u përpjekur në mënyrë mjerane të joshja dikë, duke fjetur në ndonjë punë zyre apo duke ripunuar romanin tim të parë, e kaloja duke lexuar Toni Morrison-in, Salman Rushdie-n, Don DeLillo-n, një vajzë të re nga Londra me emrin gazmor Zadie — letërsi eksperimentale, realizëm social, modernizëm, udhëpërshkrime, kujtime. Me siguri lexoja të paktën tre libra në javë, një mendim që sot edhe më frymëzon, edhe më dëshpëron.
Natyrisht, lexoja edhe Coetzee-n. Askush nuk të bënte të ndiheshe kaq i kulturuar dhe letrar brenda rreth dyqind e ca faqesh sa ai burrë nga Kejp-Tauni, me pamje stoike e prej shkrimtari. Disgrace, të dytin nga dy romanet e tij fituese të Çmimit Booker, e lexova kur doli më 1999, në një periudhë kur po eksperimentoja rëndshëm me ketaminën, dhe pastaj iu ktheva veprave të mëparshme, romaneve të epokës së aparteidit, ndër to Waiting for the Barbarians dhe fituesi tjetër i Booker-it, Life & Times of Michael K., i vitit 1983. Më 2003, ai fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë — shkrimtari i dytë nga Afrika e Jugut që e merrte këtë çmim.
E përmend ketaminën jo për t’u dukur au courant, në hap me kohën, por sepse vetitë disociative të drogës përkonin çuditërisht mirë me atë që unë e perceptoja si gjendjen e brendshme dhe tonin e romaneve, ose të paktën të protagonistëve të tyre. David Lurie, profesori i letërsisë i diskredituar në qendër të Disgrace, dhe Michael K-ja i titullit, një kopshtar i thjeshtë, nuk mund të ishin më të ndryshëm nga njëri-tjetri për nga klasa, arsimi dhe raca. E megjithatë, ndërsa lexoja historitë e tyre, të dy më dukeshin sikur qenë ndarë më dysh: njëra pjesë e qenies së tyre vepronte, vuante, mbijetonte; tjetra vështronte nga lart ose nga poshtë. Ata banojnë në botët e tyre dhe njëkohësisht pluskojnë nëpër to, të palidhur fort as me vendin, as me njerëzit. Shumë nga personazhet e Coetzee-së të krijojnë ndjesinë e njerëzve pa një tokë të tyren: kanë lënë shtëpinë (Disgrace), janë vetë të pastrehë (Michael K), ose krijojnë marrëdhënie me të pastrehët që nganjëherë kalojnë në një lloj intimiteti (Waiting for the Barbarians, Age of Iron). Shumë prej tyre janë të mbështjellë nga privilegji i lëkurës së bardhë, por njëkohësisht dëshirojnë një lloj shfajësimi nga mëkatet e rrethanave në të cilat kanë lindur e jetojnë — një ide jo krejt e panjohur për lexuesin e bardhë liberal që jeton në Amerikën e Donald Trump-it. Për ta, e kaluara është e ngarkuar me faj: me ndjesinë, të nënkuptuar ose të shprehur, se “prania e tyre mbështetej mbi një krim, domethënë pushtimin kolonial, të përjetësuar nga aparteidi”, siç shkruan Coetzee në kujtimet e tij gjysmëfiksionale të vitit 2009, Summertime, pjesë e trilogjisë që ai e quajti Scenes From Provincial Life. Sa për të ardhmen: në faqet e Coetzee-së, ajo zakonisht premton katastrofë.
Por nuk ishte vetëm kjo ndjeshmëri prej ketamine ajo që më tërhiqte tek ai. Nuk jam i huaj as ndaj shkrimit për distopinë, as ndaj temës së humbjes së shtëpisë; emigrimi është humbje e shtëpisë. Coetzee u shpërngul në Australi një vit përpara se të fitonte Çmimin Nobel. Unë u largova nga Shën Petersburgu im i lindjes kur isha shtatë vjeç dhe e shoh në ëndërr, ndoshta, një herë në javë — ndërsa, duke pasur parasysh situatën politike, një vizitë atje nuk duket se do të ndodhë së shpejti. Nuk mund të mos pyesja veten nëse edhe Coetzee ëndërron Kejp-Taunin pasi dielli perëndon mbi Adelaide. Diku në romanet që lexoja gjendej një qytet afrikan i zymtë, nën qiej me shi, që më dukej aq i ndryshëm nga qytetet e veprave të Chinua Achebe-së dhe Ngũgĩ wa Thiong’o-s, madje edhe nga Johanesburgu i Nadine Gordimer-it, e cila fitoi Nobelin e parë të Afrikës së Jugut për letërsi. E megjithatë, Kejp-Tauni i Coetzee-së mbetej gjithmonë i mjegullt. Një mal shumë i madh, me majë të rrafshët si tryezë, herë pas here e bënte të ndier praninë e vet në faqet e tij, por ky shkrimtar dukej se dëshironte ta mbante dramën brenda personazheve ose të kapërcente të veçantën për të mbërritur te parabola universale.
E vizitova qytetin që ai kishte lënë pas, sepse doja të kuptoja çfarë mund të kishte përfaqësuar Kejp-Tauni për të, si mund ta kishte formësuar dhe, ndoshta, përse kishte zgjedhur të largohej. Ndoshta doja të kuptoja pak më mirë mendjen e njeriut që qëndronte pezull mbi veprën e vet, më zotërues mbi fjalitë dhe subjektet e tij, në njëfarë mënyre më hyjnor se pothuajse çdo shkrimtar tjetër që kisha lexuar. Dhe doja të zbuloja gjithashtu se si kishte mundur të mbetej ende një figurë pothuaj hyjnore në disa qarqe: për disa, një Kafka, përshkrimet e të cilit mbi tjetërsimin i kishin dhënë shtetit të tij dikur paria një pasaportë drejt botës më të gjerë; për të tjerë, një profet i rremë i katastrofës, që e kishte braktisur “Qytetin-Mëmë” pikërisht kur ai po fillonte t’i përgënjeshtronte parashikimet e tij të zymta.
Erdha i pajisur me një ese të mikut tim Imraan Coovadia, edhe ai romancier me njëfarë emri dhe drejtues i programit të shkrimit krijues në Universitetin e Kejp-Taunit. Me titullin “Coetzee në (dhe jashtë) Kejp-Taunit”, ajo ishte botuar rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë në një revistë kulturore relativisht të panjohur në Filipine dhe kritikat e saj të gjera ndaj Coetzee-së — ku ai paraqitej si koleg i vështirë dhe vepra e tij si shoqërisht regresive — e kishin ndezur flakë komunitetin letrar të Kejp-Taunit. Disa miq të Coetzee-së më paralajmëruan të mos i zija besë Coovadia-s, sepse pjesa më e madhe e studiuesve të Coetzee-së e mbanin larg; njëri prej tyre më tha madje se shkrimtari ishte lënduar thellë nga ajo ese — aq më tepër që ishte shkruar nga një ish-student i tij. Coetzee kishte qenë diçka si mentor për Coovadia-n në vitet ’90, kur ky heretik i ardhshëm ishte student universitar në Harvard dhe Coetzee profesor vizitor.
Eseja e Coovadia-s edhe sot të trondit kur e lexon dhe, në disa qarqe të Kejp-Taunit, nuk është harruar. Coetzee, shkrimtarin që e kisha përfytyruar si një mister të largët, objekt punimesh universitare dhe homazhesh të vakëta me rastin e çmimeve, na e paraqet si figurë polemike, si një shkrimtar politikisht shmangës, që kërkonte “ta fuste emrin e vet në raftet e librave, përkrah Conrad-it dhe Dostojevskit”. Rreth tij qarkullonin edhe thashetheme të çmendura, me shkallë të ndryshme besueshmërie, ndër të cilat historia se një herë paskësh mbyllur një rival në bagazhin e makinës së vet. Coovadia nuk u jep besueshmëri akuzave të tilla dhe as unë nuk kisha dëshirën apo mjetet gazetareske për t’i hetuar. Por mund ta shqyrtoja nga afër trashëgiminë e Coetzee-së, në qytetin që pretendon më shumë se kushdo tjetër se i përket atij — një qytet që kishte shërbyer si sfond për profecitë e tij të errëta mbi shpërbërjen shoqërore dhe konfliktin civil, por që ndërkohë ishte shndërruar në një destinacion turistik kozmopolit, ku të joshin gatimet me produkte të freskëta nga ferma në tryezë, mrekullitë e natyrës dhe resortet bregdetare, ndërsa shkrimtari i tij më i madh nuk gjendet askund.
Kur sheh Table Mountain-in — përmasat e tij, mënyrën si zotëron qiellin — gjithçka ndryshon. Ana e pasme e malit, ajo që shumë banorë të Kejp-Taunit e parapëlqejnë ndaj faqes që sheh nga qyteti, sepse merr më shumë reshje dhe është, rrjedhimisht, më e gjelbër, mbushte gjithë pamjen përmes xhamit të përparmë të taksisë sime në autostradën që vinte nga aeroporti, pikërisht pasi rruga linte pas një nga township-et e varfra të Cape Flats-it përreth, me çatitë prej llamarine që vezullonin mbi ngrehina të improvizuara me tulla. Ky vështrim i dyfishtë, i çuditshëm, pasqyron shumëçka nga vepra e Coetzee-së: varfërinë aq pranë sa pothuaj mund ta prekësh dhe shpëtimin e natyrës shumë larg, me gjasë përtej mundësive të personazheve të tij, që përleshen me jetën moralisht dhe shpesh edhe fizikisht.

Ka qytete si Los Anxhelosi, të rrethuara e të përshkuara nga male, dhe peizazhe urbane ku shpërthejnë masa shkëmbore si Mali Sugarloaf në Rio de Zhanejro, por kurrë nuk kam parë një qytet kaq plotësisht të mbërthyer mes kreshtash guri sa Kejp-Tauni. Qyteti shtrihet në një lloj amfiteatri urban, i rrethuar nga Table Mountain-i, nga Lion’s Head-i kërcënues dhe nga pjesa e pasme e luanit, e njohur si Signal Hill; disa prej pronave më të lakmuara buzë detit struken nën Twelve Apostles, një varg me maja të ngjashme që, në të vërtetë, janë tetëmbëdhjetë. Shën Petersburgu u ndërtua nga Pjetri i Madh në mënyrë që banorët e tij të ndiheshin të vegjël përballë fuqisë së stolisur të arkitekturës perandorake; këtu, njeriu vihet menjëherë në përmasat e veta sapo ngre kokën dhe sheh një faqe të zhveshur shkëmbore që refuzon t’ia kthejë vështrimin, ose Table Mountain-in kur mbulohet nga një varg resh të holla e të avullta, të cilat vendasit i quajnë “mbulesa e tryezës”.
Shoqëruesi im për dhjetë ditët e ardhshme, fotografi Kent Andreasen, më takoi në hotelin Taj Cape Town, në qendër të qytetit, rreth një bllok larg Parlamentit, pak pasi isha sistemuar. U nisëm menjëherë përpjetë Lion’s Head-it me një Toyota të përshtatur për shtigje malore, si ato që dukej se ngisnin thuajse të gjithë atyre anëve. “Mangustë! Mangustë!” — bërtiti ai, ndërsa për pak sa nuk e shtypëm kafshën në fjalë. M’u kujtua dashuria e fëmijërisë për Rikki-Tikki-Tavi-n, heroin mangustë të një tregimi të Kipling-ut, që në Bashkimin Sovjetik ishte bërë një film i animuar shumë popullor.
Gjatë gjithë qëndrimit tim, banorët e Kejp-Taunit vazhdonin të më linin të kuptoja se, megjithëse më në fund kisha mbërritur në Afrikë, në të vërtetë ende jo — se qyteti i tyre dhe shumica e banorëve të tij ekzistonin disi më vete nga pjesa tjetër e kontinentit. Burimet e këtij përjashtimi ishin njëkohësisht fizike dhe shpirtërore: së pari, bukuria e rrallë natyrore e qytetit dhe, së dyti, një ndjesi — më coetzee-ane kjo — se ai ishte një mbetje e shkëputur nga një botë krejt tjetër, që kishte pluskuar deri në skajin e Afrikës.
Në përsiatjet kulturore të personazheve të bardha të Coetzee-së, ajo botë është Evropa — Lurie, për shembull, kalon një pjesë të mirë të Disgrace duke planifikuar të shkruajë një operë për Lord Byron-in. Edhe Coetzee i mori orientimet e veta letrare nga modernistët evropianë: Kafka që ndërtonte parabolat e tij; Dostojevski që i tundte grushtin Zotit — ose ndoshta Zoti atij —; Conrad-i që kërkonte të vërtetën në skajet e perandorisë. Pavarësisht të gjitha joshjeve të dukshme të rajonit, ishte pikërisht realizmi alegorik i Coetzee-së, me rrënjë në traditën kontinentale evropiane, ai që e vendosi Kejp-Taunin — një qytet më pranë Antarktidës sesa Londrës — në hartën letrare dhe intelektuale të botës. Mos vallë edhe autori, njësoj si vetë qyteti, ishte në Afrikë, por jo krejtësisht i saj?

“Kejp-Tauni po të shfaqet në gjithë shkëlqimin e vet”, — tha Andreasen, ndërsa qyteti poshtë nesh vezullonte si prizëm, në një mënyrë që nuk do ta bënte kurrë në ndonjë roman të Coetzee-së. Era famëkeqe e Kepit kishte vendosur të pushonte. Në largësi shihnim doket e ngarkimit të portit të stërmadh, të mbushura me copa shumëngjyrëshe Legoje — kontejnerë kinezë transporti. Më pranë ishte diçka që i ngjante siluetës urbane të një qyteti kanadez jo fort të madh: qendra ku po qëndroja unë. Edhe më pranë, ndërtesat me ngjyra të ndezura të Bo-Kaap-it, një lagje e banuar kryesisht nga myslimanë të komunitetit Cape Malay. Ndërsa në mes të gjirit, Robben Island-i, ku Nelson Mandela kishte kaluar gati dy dekada i burgosur, ia kundërvinte gjithë asaj bukurie peshën e historisë.
Pranë një faltoreje myslimane, ku kishim ndaluar në majë të kodrës, një familje prej tre vetash ishte strukur në hijen e një shkurreje të rrëgjuar. “Doni ca mollë?” — e pyeti Andreasen kryefamiljarin e çrregullt. Ai e refuzoi me një shpjegim që mund të kishte dalë fare mirë nga Michael K ose Age of Iron: “Sepse s’kam dhëmbë.” Pjesëtarët e tjerë të familjes i pranuan frutat.
Zbritëm në anën tjetër të kodrës, drejt Camps Bay-t, dhe menjëherë u gjendëm — të paktën për nga pamja — si në Malibu apo në Bondi Beach të Sidneit. Kaluam pranë rrugës ku ka një shtëpi presidenti aktual i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa. Vila të bardha, të fortifikuara frikshëm kundër grabitësve, ngjiteshin e zbrisnin përgjatë shpatit. Pavarësisht gjendjes së tensionuar të sigurisë — Kejp-Tauni ka një nga normat më të larta të vrasjeve në botë — qyteti është shndërruar në magnet për të huajt. Andreasen-i, i cili kohët e fundit kishte pësuar një sulm brutal, vërente se krimi dhe ujërat e akullta — ai, si shumë banorë, merret me sërf — janë të vetmet gjëra që e pengojnë Kejp-Taunin të pushtohet krejtësisht nga të ardhurit. The Telegraph e shpalli qytetin më të mirë në botë për vitin 2025. Po kështu edhe Time Out: “Vendasit dhe vizitorët mund të kalojnë kohë me një koloni pinguinësh afrikanë, të provojnë verëra të klasit botëror, të shëtisin në plazhe me Flamur Blu, të shijojnë pamjen nga maja e njërës prej Shtatë Mrekullive të Reja të Natyrës” — Table Mountain-it — “dhe të vizitojnë një nga lagjet më interesante të botës, East City-n, të gjitha brenda një dite të vetme.”
Duke kaluar Camps Bay-n, mbërritëm në Sea Point, një lagje tradicionalisht hebraike buzë detit. Këtu pata mundësinë e parë të krahasoja skenat e një romani të Coetzee-së me atë që mund të shihja në terren. Te Michael K, personazhi që i jep titullin romanit përpiqet të mbijetojë gjatë një lufte civile. Pjesa e parë e romanit përfshin udhëtimin që ai ndërmerr me të ëmën e sëmurë, e cila kishte punuar si shërbyese shtëpie për një “prodhues çorapesh në pension” në Sea Point, lagje që paraqitet si një guaskë e braktisur nën ligjin ushtarak. Ai përpiqet ta çojë të ëmën, me një karrocë dore të sajuar aty për aty, drejt vendlindjes së saj, Prince Albert-it, në skajin jugor të rajonit gjysmë të thatë të njohur si Karoo, në mënyrë që ajo të mund të vdesë në paqe, në tokën ku kishte lindur.
Michael K e hedh poshtë atë ndërtim të ethshëm të botës që përshkon një pjesë të madhe të letërsisë distopike. Palët ndërluftuese në luftën civile nuk emërtohen kurrë, as arsyeja e luftës; edhe racat e personazheve — si në pjesën më të madhe të prozës së Coetzee-së — zakonisht nuk përcaktohen. Por herë pas here futen shenja të qytetit, po ashtu edhe aluzione racore, të paktën për vendasit që dinë t’i dallojnë. Michael K e shtyn të ëmën “përtej Beach Road-it dhe më pas përgjatë shëtitores së shtruar buzë detit”, një skenë e qetë që më vonë ia lë vendin dhunës së turmës në rrugë. Për shkak se e ëma është shërbyese, lexuesit kanë hamendësuar se ata janë “Coloured”. (Për t’i dalë përpara zemërimit të kuptueshëm të lexuesit amerikan: në kontekstin e Afrikës së Jugut, Coloured u referohet kryesisht njerëzve me prejardhje të përzier racore.)
Tani po ecja pikërisht përgjatë së njëjtës shëtitore të shtruar, duke kaluar pranë djemsh të rinj në formë fizike gati absurde, që garonin mes tyre me pompa — po t’i picërroje pak sytë, mund të mendoje se ishe në Ocean Drive të Majamit —, pranë trupave të notarëve që vezullonin në pishinat e mrekullueshme buzë detit, pranë grave shtëpiake që e kalonin pasditen me ecje të shpejtë.
Mospërputhja ndërmjet distopisë së zymtë që përfytyron Coetzee dhe realitetit në lulëzim të Kejp-Taunit pas aparteidit ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mënyrën si ai perceptohet — dhe si vazhdon të ngrejë pikëpyetje — ndër afrikanojugorët e sotëm. Edhe dyzet vjet më parë, çuditshmëria e mjediseve të tij letrare kishte ndezur debate: si duheshin lexuar pikëpamjet e këtij shkrimtari të epërm për luftën reale kundër aparteidit në vendin e vet? “Aspekti i veçantë dhe polemik i kësaj vepre, — shkruante Nadine Gordimer në recensionin e saj për Michael K, — është se, ndonëse në mënyrë të nënkuptuar dhe thellësisht politike, heronjtë e Coetzee-së janë ata që e shpërfillin historinë, jo ata që e bëjnë atë.” Teksa admironte vizionin e tij të fuqishëm mbi shtypjen njerëzore, ajo dallonte gjithashtu “një neveri ndaj të gjitha zgjidhjeve politike dhe revolucionare”: në vend që t’i bashkohet një grupi guerrilas, Michael K-ja, një vetmitar me buzë të çarë, i rritur në një institucion shtetëror për “fatkeqët”, vazhdon të merret me kopshtin e tij.
Alegoria mund të hapë shumë dyer interpretimi, siç ka ndodhur edhe me Coovadia-n. Në esenë e vet, ai përmend Michael K si shembull të një rrëfimi që u flet afrikanojugorëve të bardhë të cilët u larguan nga vendi duke parashikuar një të ardhme të zymtë nën sundimin e zezakëve. “Mund të shtrohet pyetja, — shkruan Coovadia, — nëse Coetzee po jepte një paralajmërim apo diçka që kishte më shumë natyrën e një dëshire” — pra, një përligjje të vendimit për t’u larguar. Këtij interpretimi kritik i jepte më shumë peshë edhe largimi i vetë Coetzee-së pas përfundimit të aparteidit.
Ky lexim i Coovadia-s, prej dikujt që e njihte mjedisin nga brenda dhe që nuk ishte aspak i zakonshëm, nuk më kishte shkuar në mendje. Unë i kisha përfytyruar postblloqet e shumta që Michael K duhet të kalonte gjatë udhëtimit të tij si të kontrolluara nga ushtarë të bardhë të fraksioneve ndërluftuese. Coetzee, nga ana e tij, bezdisej kur i dëgjonte romanet e veta “të diskutoheshin si deklarata politike të veshura me petkun e letërsisë”, siç shkroi dikur në një letër; e zemëronte fakti që njerëzit nuk arrinin t’i lexonin “ashtu siç ishin shkruar: si rrëfime për jetët e mundshme të njerëzve të mundshëm”.

Sidoqoftë, pyesja veten nëse Coetzee do ta përligjte vetëlargimin e tij mbi baza morale, si një kolonizator, “prania e të cilit atje ishte e ligjshme, por jo legjitime”, siç thotë një personazh te Summertime. “Kishim një të drejtë abstrakte për të qenë atje, një të drejtë të lindur, por themeli i asaj të drejte ishte i rremë.” Ndërsa e bija e protagonistit të bardhë të Disgrace, e cila përdhunohet në grup në fermën e vet, shton: “Përse duhet të më lejohet të jetoj këtu pa paguar?” Edhe vetë i ati përjeton një rënie të tmerrshme. Kur romani u botua, rreth pesë vjet pas euforisë së zgjedhjeve demokratike të vitit 1994 në Afrikën e Jugut, paraqitja e një cikli brutaliteti dhe dorëzimi, ndërsa sundimi i të bardhëve po zbehej, ndezi edhe më shumë debatin rreth qëndrimit politik të Coetzee-së — ose mungesës së tij.
Në atë kohë, Coetzee ishte bërë tashmë një figurë madhore në universitetin ku kishte studiuar, Universitetin e Kejp-Taunit, dhe kishte qenë pjesë e stafit të tij që prej vitit 1972 — por, njëkohësisht, prania e tij aty ishte e herëpashershme. Kërkohej shumë si profesor vizitor në Shtetet e Bashkuara, ku kishte marrë doktoraturën tridhjetë vjet më parë, dhe udhëtonte shpesh. Dukej sikur dëshironte fort të krijonte njëfarë distance mes vetes dhe vendit të tij. Duhet të përmend se universiteti ka një kampus të vendosur në një pozicion të mrekullueshëm dhe të sistemuar me shumë shije, me ndërtesat klasike të mbuluara nga një sasi dredhëzash që do t’i mjaftonin edhe Princeton-it. Këtë e zbulova kur shkova të takoja Coovadia-n, një burrë të gjatë, me atë ajrin e një luftmensch-i — sikur mendja e tij të ishte vazhdimisht duke përpunuar të padukshmen dhe të pathënën — jo tamam tipi që të krijon përshtypjen e një provokatori.
Te Disgrace, kritikë si Coovadia kanë parë një përpjekje për t’u dhënë të drejtë atyre afrikanojugorëve të bardhë që paralajmëronin se boshllëkun e pushtetit që po linin pas do ta mbushte kaosi. Kongresi Kombëtar Afrikan, partia në pushtet në kohën kur u botua romani, e sulmoi veprën se nxiste stereotipe racore për popullsinë zezake të vendit. Për adhuruesit e Coetzee-së, përkundrazi, romani mund të lexohet si një parabolë se si pasojat e kolonializmit nuk kursejnë asnjë grup. François Verster, kineast afrikanojugor që po punon për një film mbi shkrimtarin, më argumentoi se shmangia e përkatësisë racore dhe etnike nga Coetzee synon pikërisht të minojë stereotipet — “një refuzim për të riprodhuar terminologjinë gjuhësore të strukturave të pushtetit të aparteidit”, ashtu si mungesa e peizazhit sfidon zakonin e evropianëve për “t’u ngazëllyer me bukurinë e tokave që po vidhnin dhe për ta poetizuar atë”.
Kur e lexova për herë të parë Disgrace, dekada më parë, i magjepsur prej tij dhe ndoshta i ndikuar nga historia ime si fëmijë i një regjimi totalitar të dështuar, isha ndier i shteruar nga konflikti i pandërprerë dhe i tmerrshëm ndërmjet zgjedhjeve personale dhe atyre politike që zhvillohej në faqet e romanit. Tani nuk mund të mos pyesja veten se si do të ishte ta rilexoja: si do t’i tingëllonte sot një amerikani vizioni i Coetzee-së për thelbin moral të një vendi nën trysni dhe për institucionet e tij që po çahen? Por kësaj do t’i kthehesha më vonë. Për momentin ndodhesha në Kejp-Taun dhe duhej të ndiqja gjurmët e vetë shkrimtarit në vende ku nuk kisha qenë kurrë — vende prej të cilave ai vetë ishte ndier gjithmonë i huaj.
Organizova një udhëtim me një ekspert të mirëfilltë — “dekanin e studiuesve të Coetzee-së”, siç e kishte quajtur Coovadia. Hermann Wittenberg është profesor i anglishtes në Universitetin e Kepit Perëndimor, njohës prej shumë vitesh i Coetzee-së dhe redaktor i J. M. Coetzee: Photographs From Boyhood, një përmbledhje fotografish të bëra nga Coetzee kur ishte adoleshent dhe jetonte në Plumstead, periferi e Kejp-Taunit. Autoportreti me kontraste drite e hijeje në kopertinën e librit — Coetzee i ri, që shfaqet në hije me një pamje njëherësh çapkëne dhe ogurzezë — të trondit, po ta kesh parë deri atëherë vetëm në kopertinat solemne të romaneve. Të lë të kuptosh një natyrë më lozonjare sesa ajo që do të shfaqej në faqet e librave të tij dekada më vonë. (Disa nga adhuruesit e Coetzee-së u përpoqën të më bindnin se, përveç shumë talenteve të tjera, ai është edhe shkrimtar humoristik; gabohen.) Wittenberg-u ka versionin e pjekur të asaj pamjeje tashmë të njohur të Coetzee-së: pak mjekër, disi i ngathët dhe pa shpresë i kulturuar.
Historia e Afrikës së Jugut, siç kisha mësuar tashmë, ka edhe pjesën e vet të tensioneve ndërmjet vetë të bardhëve — shumë më pak deformuese sesa shtypja e ndërtuar mbi vijat racore, por gjithsesi të rëndësishme në planin shoqëror. Sipas arketipeve të përafërta që janë krijuar me kalimin e viteve, afrikanët, pasardhës të kolonëve të parë holandezë, konsiderohen më pranë shtresave punëtore dhe më të lidhur me frymën e “gjakut dhe tokës” sesa britanikët e ardhur më vonë, të cilët paraqiten si më të pasur, më të rafinuar dhe më pak të lidhur drejtpërdrejt me politikën e aparteidit.
Kur e pyetën një herë se si do ta përkufizonte veten, Coetzee u përgjigj: “Ndoshta një afrikan me dyshime.” Të dy prindërit e tij ishin me prejardhje afrikane, më shpjegoi Wittenberg-u, dhe unë e dija se një fermë në Karoo, Voëlfontein (“Burimi i Zogjve”), kishte kaluar nga gjyshi i tij te xhaxhai nga ana e të atit. Por familja e afërt e Coetzee-së ishte disi e larguar nga kjo trashëgimi, jo më pak për faktin se në shtëpi fliste anglisht — dhe ai e ka përshkruar veten si veçanërisht ambivalent ndaj kësaj përkatësie që në moshë të vogël. Në shkollë ndihej më mirë me të jashtmit — fëmijët hebrenj dhe katolikë — sesa me nxënësit dhe mësuesit afrikanë, të cilët në kujtimet e tij shfaqen si bullizues. Edhe si i rritur, shpesh dukej sikur nuk ndihej rehat në mjediset e zakonshme shoqërore dhe kulturore — një njeri që qëndronte në skaj të festës.
“Ndonjëherë është e vështirë të hysh në komunikim me të dhe nuk i duron kollaj budallenjtë, — tha Wittenberg-u. — Mund të thotë herë pas here gjëra të prera, që nuk i lënë bashkëbiseduesit mundësi të ruajë fytyrën. Ka forcën për të shkuar drejt e në thelb, por për disa njerëz kjo mund të ndihet si sjellje armiqësore.”
M’u kujtua mënyra si vetë Coetzee e kishte përshkruar veten adoleshent në intervistën e përfshirë në librin me fotografi. Si fotograf i ri, kishte qenë “i interesuar të ishte i pranishëm në çastin kur e vërteta zbulonte veten, një çast që gjysmën e zbuloje dhe gjysmën e krijoje”, i kishte thënë Wittenberg-ut. Njëkohësisht, e pranonte se nuk ishte i ndjeshëm “ndaj përvojës së njerëzve të tjerë. Isha tepër i mbyllur në vetvete, gjë që nuk ishte e pazakontë në atë moshë.” Te Boyhood, një tjetër nga kujtimet e tij gjysmëfiksionale për jetën provinciale, protagonisti i ri dëshiron të jetë një “djalë normal”, e megjithatë qëndron me krenari larg bashkëmoshatarëve, të cilët i konsideron afrikanë të pagdhendur.
Pothuajse të gjithë ata me të cilët fola, qofshin adhurues të Coetzee-së ose jo, theksonin një lloj largësie emocionale. Te Summertime, një ish-e dashur e përshkruan alter egon e Coetzee-së kështu: “Në mënyrën si bënte dashuri, tani mendoj se kishte diçka autike. Nuk po ta them si kritikë, por si diagnozë, nëse të intereson. Tipi autik i trajton njerëzit e tjerë si automata, automata misterioze.” Në bisedat e mia, një numër befasues njerëzish hamendësonin me zë të ulët se Coetzee mund të ishte diku në spektër, ndërsa admiruesit e tij ndonjëherë flisnin për të si për një lloj invalidi hyjnor ose, po deshëm të shkojmë deri në fund në frymën e Dostojevskit, si për një “të marrë të shenjtë”.
Në këtë pikë të udhëtimit tonë, nuk do të habiteni po t’ju them se edhe historia familjare e Coetzee-së është e trazuar — dhe se vendet ku ai u rrit kanë ndryshuar. I ati kishte bërë gjithfarë punësh dhe, megjithëse kishte diplomë juridiku, gjatë rrugës ishte futur edhe në telashe me ligjin; ndër të tjera, kishte përvetësuar fonde të administruara në mirëbesim. Familja Coetzee “ishte në kufijtë e klasës së mesme”, tha Wittenberg-u ndërsa po shkonim drejt Plumstead-it, ku përfundoi trajektorja e rënies shoqërore të fëmijërisë së tij, përpara se të largohej nga shtëpia. “Prandaj kishte ambicien për t’ia dalë, — tha Wittenberg-u, — dhe prandaj ka qenë gjithmonë i kujdesshëm me paratë.”
Ndalëm pranë shkollës katolike që Coetzee kishte ndjekur para universitetit — një “zgjidhje e fundit” për ata që nuk arrinin të futeshin në shkollat private më të rafinuara të elitës anglishtfolëse. Prej andej, Wittenberg-u na çoi te vendi ku jetonte atëherë familja Coetzee, duke më shpjeguar se në atë kohë ishte fare pranë një zone të banuar nga njerëz të komunitetit Coloured, me dyqane hallall dhe një xhami; më tregoi edhe “banesat e lira të pasluftës”. Ajo që mund të shihja nga shtëpia e Coetzee-së, kryesisht e fshehur pas një porte dhe gardhi të fortë, më kujtoi ato shtëpi anonime ku jetonte familja ime disa vjet pasi mbërritëm në Amerikë; ndoshta mund ta quaje një mjedis të klasës së mesme të ulët, por me një dëshirë të madhe për t’u ngjitur më lart. Coetzee kishte ushtruar kriketin këtu, ndërsa i ati, emocionalisht i paarritshëm, pinte deri sa humbiste çdo vetëdije.
Në njërën prej fotografive që Coetzee i ri kishte bërë, e ëma qëndron përpara shtëpisë, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë dhe një qen në krahë — një çast i fiksuar i asaj ndjenje të ngrohtë të rrënjosjes në shtëpi, në fokus të përsosur: pikërisht ajo që mungon në prozën e tij. Gjatë udhëtimit me makinë, përmenda mënyrën si i gjithë rajoni priret të fshihet thellë në sfond në veprën e Coetzee-së. Wittenberg-u më tha se Coetzee vendos një lloj filtri mbi peizazhet mahnitëse që ofrojnë qyteti dhe rrethinat e tij. Ai përmendi një personazh të romanit Foe të Coetzee-së, të vitit 1986, një shkrimtar që, teksa vështron nga dritarja e një papafingoje, përsiat mbi “një valëzim në xham”. Kjo ndjesi e një “shtrembërimi në fushën pamore”, tha Wittenberg-u, është thelbësore për “realizmin e ndërlikuar” të Coetzee-së. Çdo fije gëzimi që një personazh arrin të kapë buron nga thellësia e mendjes së tij dhe lidhet kryesisht me intelektin, ndonjëherë me dashurinë ose, në raste edhe më të rralla — duke kapërcyer ndarjet e krijuara nga kolonializmi dhe aparteidi — me aftësinë për të kuptuar një qenie tjetër njerëzore. Për Coetzee-në, njeriun që qëndronte gjithnjë disi jashtë, letërsia banonte në botën e brendshme.
Katër vjet përpara se familja Coetzee të vendosej në Plumstead, ajo e ndërpreu jetën periferike dhe u largua nga qyteti. Coetzee, atëherë ende pa hyrë në adoleshencë, ishte i dëshpëruar kur familja u shpërngul në Worcester, jo shumë larg vendit ku nis Karoo-ja. “Pas një ore jashtë, flokët, veshët dhe gjuha të mbushen me një pluhur të imët të kuq”, shkruante ai te Boyhood. “Worcester-i është vetëm nëntëdhjetë milje larg Kejp-Taunit, e megjithatë këtu gjithçka është më keq.” Ishte e vështirë t’i rezistoje një rekomandimi kaq kumbues. Kështu, një mëngjes herët, u nisa të vizitoja këtë pjesë të së kaluarës së Coetzee-së, së bashku me Andreasen-in dhe Coovadia-n. (Që askush të mos e përfytyrojë Coovadia-n si një kundërshtar të pakompromis të Coetzee-së: në një çast ai më tha se ish-profesori i tij “mbetet ende shkrimtari më i madh i gjallë i Afrikës së Jugut”.)
Udhëtimi drejt Karoo-së ishte aq i bukur sa mund të shpresonte njeriu. Çdo pak minuta hapej përpara nesh një skenografi e re: peizazhe gjithnjë e më të thata, me vargmale që shpaloseshin drejt pafundësisë, ose ngriheshin me maja mbi një horizont ngjyrë okër, ose merrnin formën që vendasit e quajnë “kapelja e shtrigës”. Sikur nëpër rrugë të kishte kaluar me vrap një dinosaur i vogël, në vend të babunit të zakonshëm, nuk do të isha habitur.
Ndalëm pranë një padstal-i tradicional, një pikë shitjeje fshatare buzë rrugës, të mbushur me shembuj disi kitsch të asaj që Wittenberg-u e kishte quajtur “elegancë boere”: parmenda druri e sende të ngjashme. Dhjetëra fermerë ishin mbledhur aty për drekë, shumë prej tyre me bluza që u tendoseshin mbi trupat gjigantë dhe që reklamonin lloj-lloj armësh taktike. Hëngra një karpaço antilope springbok, me një shije të mëndafshtë gjaku — diçka që, në planin gastrik, nuk do të përfundonte mirë për mua.
Përpara se të mbërrinim në Worcester, bëmë një devijim: Andreasen-i na çoi te i ashtuquajturi “Porta e Karoo-së”, qyteti hekurudhor Touws River, të cilin ai po e fotografonte për një projekt. Kaluam përmes gjithfarë pamjesh shkretimi që dukeshin sikur kishin dalë nga ndonjë film: shkolla të braktisura, dyqane pijesh me pamje të trishtë — “Mërzia në Afrikën e Jugut do të thotë të pish”, tha Andreasen-i —, ndenjëse të shpëtuara nga trenat, të grumbulluara mbi verandat e shtëpive. “Ky është qyteti më i varfër ku kam qenë ndonjëherë”, tha Coovadia. Megjithatë, si ish-sovjetik, ajo atmosferë e alkoolizuar më dukej e njohur: ishte si Rusia, vetëm se me diell.
U kthyem sërish drejt Worcester-it, i cili, pas varfërisë së Touws River-it, dukej pothuaj si një Palm Springs i vërtetë: rruga kryesore gumëzhinte nga kafenetë dhe zyrat e menaxhimit të pasurive, megjithëse vendi i zymtë që kishte përshkruar Coetzee nuk ishte shndërruar krejtësisht. Shtëpia ku kishte jetuar tani ishte një banesë njëkatëshe, me garazh dhe çati llamarine, ku ishte hapur një dritare tavani. Një plak i bardhë, që ecte me ndihmën e një mbështetëseje, po shkonte ngadalë drejt një gruaje në shtëpinë ngjitur, ndërsa fëmijë këmbëzbathur vraponin nëpër rrugë dhe një qen lehte e angullinte. (Djali te Boyhood bie në sy pikërisht sepse mban gjithmonë këpucë.) I ramë ziles; nuk u përgjigj askush.
Por çfarë pamjeje! Sa herë që Coetzee dilte nga shtëpia e fëmijërisë, përpara i hapej një vargmal — ndoshta modest sipas standardeve të Kepit Perëndimor, por jashtëzakonisht mbresëlënës për këdo tjetër — që ngrihej madhështor mbi shtëpitë e thjeshta. Një park përpara shtëpisë vetëm sa ia shtonte madhështinë peizazhit. Si kishte mundur kjo të mos hynte në veprën e Coetzee-së? Por, nga ana tjetër, pamjet prej kartoline nuk janë ndonjë vlerë e posaçme në romane që merren me thelbin e ekzistencës — po aq sa nuk mund të presësh që autori i tyre të ketë ndonjë dhunti të veçantë për t’u përzier me njerëzit.
Më vonë gjatë javës, Coovadia organizoi një braai, një barbecue, në shtëpinë e tij të madhe por të mbushur plot sende me një rrëmujë të dashur, në periferi. Për qengjin kujdesej një afrikan; ishte pjekur për bukuri dhe ndoshta ishte edhe më i shijshëm se homologu i vet nga Zelanda e Re. Mjeshtri i skarës më dhuroi një libër në afrikans, ku gjurmohej prejardhja treqindvjeçare e familjes Coetzee në Afrikën e Jugut; më tha se edhe ai vetë kishte një lidhje të largët farefisnore me shkrimtarin. Një mike e Coovadia-s, një grua me prejardhje nga Azia Jugore, kujtoi vitet e veta në Universitetin e Kejp-Taunit, kur Coetzee jepte mësim aty. Me njëfarë krenarie, përmendi se “ish-bashkëshorti im i ka shitur një biçikletë” dhe se “shumë nga njerëzit me të cilët rashë në dashuri ishin fanatikë të Coetzee-së”. Ishte pikërisht ajo që më tha se, ndërsa studentët e huaj i drejtoheshin me emrin John, “studentët afrikanojugorë e quanin “Zot””.
Mendova sa shumë festa dhe braai duhet të jenë bërë ndër vite në periferitë jugore të Kejp-Taunit, në shtëpi akademikësh si kjo, me biseda që përqendroheshin te Coetzee: disa, ndoshta, te vetë vepra e tij; të tjera te ftohtësia e tij, dashuritë, biçikletat. Në esenë e vet, Coovadia shkruan se, në dekadat pas aparteidit, për një pjesë të intelektualëve të Kejp-Taunit Coetzee u bë më shumë sesa shkrimtar. U bë një fe, duke e shndërruar atë skaj afrikan ku jetonin në një lloj Meke.
Teksa qëndrimit tim në qytet po i vinte fundi, unë dhe Andreasen-i rendëm sa andej-këtej nëpër Kejp-Taun, si në një lojë kërkimi thesari, me një listë në dorë ku kishim shënuar fragmente të shpërndara nga romanet e Coetzee-së që përmendnin hollësi të qytetit. Fillova të kuptoja se Coetzee nuk kishte qenë aq i pavëmendshëm sa kisha menduar ndaj faktit se jetonte në një nga vendet më të bukura të botës. “Kejp-Tauni, — mendon Lurie te Disgrace, — një qytet bujar me bukuri, me bukuroshe.” Herë pas here shfaqen skena joshjesh të trishtuara dhe afërsish që mbeten përgjysmë: personazhet e tij vështrojnë nga lart një nga plazhet poshtë ose mezi ia dalin të përballojnë një vakt buzë portit në një periferi piktoreske si Hout Bay. Dhe po, siç thotë Lurie gjatë një leksioni te Disgrace, ngjitja në Table Mountain mund të të çojë drejt “njërit prej atyre çasteve zbuluese, wordsworthiane, për të cilat kemi dëgjuar të gjithë”.
Përpara se të largohesha nga qyteti, takova shkrimtarin Justin Fox, gjysmë afrikan nga prejardhja, i cili kishte ndjekur itinerarin e Michael K-së për librin e vet Place: South African Literary Journeys. “Ka kaq shumë shkrimtarë afrikanojugorë të dalë nga Karoo-ja, nga ky peizazh i lashtë ku dikur endeshin dinosaurët”, më tha në një restorant të çlirët buzë ujit, me atmosferë në stilin e Los Anxhelosit — një lloj anti-Karoo-je. “Rrënjët e mia angleze janë vetëm njëqind e pesëdhjetë vjeçare, ndërsa ato afrikane janë treqindvjeçare; prandaj tërheqja është më e thellë dhe mendoj se kështu është edhe për Coetzee-në.”
Në një bisedë publike vitin e kaluar, në Holandë, Coetzee tha se, teksa “po i afrohej fundit”, ndihej gjithnjë e më shumë si një mashtrues sa herë që fliste anglisht: “Në afrikans jam më i lehtë — më zemërgjerë, më i çlirët — dhe njeri më i mirë.” Mund të duket një pohim i çuditshëm, po të kemi parasysh rolin kryesor që luajtën afrikanët gjatë aparteidit dhe, nëse duhet t’i besojmë Boyhood, Coetzee i ri ishte tmerruar nga mundësia që në shkollë ta kalonin në klasa ku mësimi zhvillohej në afrikans. Unë jam rritur duke folur rusisht dhe duke lexuar klasikët në atë gjuhë; tani, duke pasur parasysh përdorimet politike të saj në mizoritë e kryera në Ukrainë, më përshkon një mornicë sa herë më duhet të flas në gjuhën e Pushkinit. E megjithatë, rikthimi i Coetzee-së te gjuha e prindërve të vet mund të jetë fare mirë shenjë e një nevoje për t’u pajtuar me origjinën e tij, sado e ndërlikuar qoftë ajo.
“Ka përmendur se dëshiron që hiri t’i shpërndahet në tokat e fermës së familjes”, më tha Fox-i. A do të thotë kjo se Zoti, në fund të fundit, synon të kthehet, qoftë edhe vetëm pas vdekjes? Fox-i nuk mund ta thoshte: “E njoh prej pesëdhjetë vjetësh, por kurrë nuk e kam njohur vërtet, sepse, në njëfarë mënyre, ai është i pakapshëm.”


