“To be or not to be/Të jesh a mos të jesh” është një shprehje gjigande e dilemave të psikut të brendshëm njerëzor, që Uilliam Shekspiri (William Shakespeare, 1564 – 1616) e vuri në gojën e Hamletit, Princit të Danimarkës, protagonist i veprës tragjike “Hamleti”, që u interpretua edhe nga Aleksandër Moisiu, i njohur edhe si Alexander Moissi (1879-1935), aktori më i shquar i teatrit europian me origjinë shqiptare i shekullit XX.
Për britanikët shprehja e famshme “To be or not to be” është bërë shpeshherë subjekt i skeçeve, ku roli i grimacave të fytyrës dhe i gjesteve trupore, i mënyrës së shqiptimit apo dhe i zvarritjes së ligjërimit të kësaj shprehje prej artistëve humoristë, shkaktojnë emocione të forta humori, të qeshurash me lot dhe kënaqësi pafund. Duke ndjekur në rrjetet sociale njërin prej tyre, para syve kisha portretin e Hamletit të Janaq Paços (1914-1992), ndërsa qeshja me zë, kuptoja se: “Kjo është shakaja me british që unë kam parë ndonjëherë në jetën time”, sepse ta bën faktike shprehjen se tragjedinë nga komedinë apo e keqja nga e mira i ndan një fije e hollë e padukshme për syrin tonë. Dhe ndjesia ime intelektuale shkonte njëmendasi me disa nga komentuesit britanik në rrjet. Fantastike, çfarë humori?!

E kjo ndodhte ndërsa në mjediset e Universitetit të Durrësit është ekspozuar së fundmi portreti i Alaeksandër Moisiut në skulpturë, i realizuar nga Sadik Spahia, pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë. Në ditët që po jetojmë kjo skulpturë është bërë pjesë e debateve të publikut dhe të artistëve të ndryshëm, të cilët kanë sjellë në vemendje shijet e tyre rreth saj. Ndokush e ka kritikuar e të tjerë e kanë duartrokitur. Thelbi i tyre është shfaqja, edhe njëherë, në shekullin XXI dhe në vendin tonë, e krizës së identitetit për të perceptuar se një skulpture e artit modern është e “mirë ose jo e mirë”. Shkak ka përballjen e artit modern me artin tradicional, buruar ky i fundit nga mendësi të fohta dhe të afërta me artin që kopjon ose pasqyron objektin natyror, ku bën pjesë dhe portreti njerëzor. Kjo krizë është mjaft therëse. Dy prej arsyeve më kryesore janë. Së pari populli ynë gjatë gjithë shekulllit XX u edukua me artin figurativ të pasqyrimit të drejtëpërdrejtë nga natyra dhe me artin e prodhuar nga metoda e realizmit socialist, të cilët ende ndikojnë në shijet dhe mendësitë e shekullit që jetojmë. Së dyti historia jonë e artit nuk ka të njejtat zhvillime me ato të historisë së artit botëror. Ajo është e cungët dhe shumë e mangët përsa i përket zhvillimit të artit modern dhe atij bashkëkohor, gjë e cila rrjedhon një moskuptueshmëri dhe mospranim të vepra të konceptuara sipas parimeve të tyre.
Gjithësesi nuk është aq e thjeshtë të kornizhet kaq prerë. Kriza e debatit doli në pah nga shijet e publikut tonë ende konservator, i cili ende ruan moralin që heroin do ta shoh përmes syve të vet dhe aspak të artistit, i cili emaciponohet shumë më shpejt së shoqëria dhe heroin e sheh në mënyrën me të qenësishme të perceptimeve të tija artistike pa deformuar me “keqdashje” personalitetin fizik të tij. Artisti hyn thellë në historine e jetës së heroit, zbulon rolin e tij në mjedisin që e ka rrethuar, mediton mbi aktet dhe veprimtaritë e heroit dhe e transferon me imagjinatë fillesën e krijimtarisë së tij në kohën, shoqërinë dhe shekullin ku ka bërë pjesë heroi në të gjallë të vet. Ky është një proces që jo vetëm harrohet nga publiku, por ai edhe distancohet prej tij. Ai në çast mendon se nuk është puna e tij. Ai kërkon në fund të fundit produktin përfundimtar artistik dhe i lind e drejta të gjykojë mbi të. Një vepër arti e dalë nga studio e artistit dhe e vendosur në e mjedisin e jashtëm i përket tërësisht publikut dhe veçanërisht, atij të edukuar me veprën e artit.
Më së pari dua të shpreh mendimin tim rreth skulpturës së Aleksandër Moisiut e ekspozuar në publik. Mendimi im është në krahun e atyre që e kanë pranuar si një skulpturë të mirë, të ndryshme, paksa të çuditshme e që tërheq vemendjen. Ndërsa përkufizimi im për të është se: “Kemi të bëjmë më një skulpturë imazhi i së cilës është i mirëmenduar dhe i dalë nga kërkimet që ka bërë artisti mbi dhe nën botën psikologjike të jetës dhe artit të aktrimit të Aleksandër Moisiut. Ai ka zbuluar anfazin natyror të portretit të tij dhe e ka ndërthur me dhjetëra anfaze të gjendjeve shpërthyese aktoriale të mimikës së aktorit gjigand, të cilat në arenën europiane dhe në arkivat e teatrove prestigjioze vjeneze janë të njohura e të konservuara në arkivat fotografike dhe filmike.”


Shprehjen e përgjithshme “Më pëlqen apo s`më pëlqen një vepër arti”, që gjendet e ekspozuar në mjedisin publik, ka gjithë të drejtën ta përdori çdo kush që vendoset përballë saj. Ndërsa, kur një profesionist bën një kritikë “negative” apo “pozitive”, mendoj se do t`i duhet të ketë shumë kujdes, pasi do t`i duhet të justifikojë mendimet e tij në mënyrë profesionale dhe pa ekzaltime subjektive, si dhe së fundi, nuk mund të ushtrojë posesim të mendimive të tija te të tjerët, pra te publiku. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh, sepse ndodh e kundërta dhe mendimet e tij shpalosin formimin e grupeve të debatit, të cilët mbajnë anësi sipas njohurive që kanë mbi artin e zhvilluar në dhjetëra shekuj.

Kritikat rreth portretit skulpturor të Aleksandër Moisiut vendosur në mjediset e Universitetit të Durrësit, u përqendruan në arsyetimin se artisti i është shmangur pozimit zyrtar të pamjes reale të portretit të aktorit Aleksandër Moisiu. Kuptojmë që këto kritika kanë dëshiruar një imazh fotografik, i cili ngatërrohet me atë realist. Imazhin e një portreti të bukur e realist, figurativo-akademik të Aleksandër Moisiut na e ka lënë trashëgim skulptori i mirënjohur i para viteve `90, Kristaq Rama (1932-1998). Ai solli një portret të modeluar nënkujdesin e parimeve të realizmit të akademisë ruse. Skulptori i shekullit XX, krahas tyre ka tejkaluar ftohtësinë dhe masivitetin e volumevve, duke krijuar estetikisht një gjendje emocionale dhe psikologji të brendshme krejt individuale të aktorit, që lidhet tërësisht me kërkesat e artistit për të fshehur psikun aktorial dhe psikun fotografik.
Në media, kritika therëse dhe ekspozimi i një portreti zyrtar fotografik i Aleksandër Moisiut, i realizuar me IA, në krah të portretit në skulpturë të Sadik Spahisë nxitën reagime negative në rrjetet sociale. Situata e krijuar ka të mirat dhe të këqiat e veta. Përmes mendimeve në publik psikologët evidentojnë shkallën e njohurive të publikut mbi artin e skulpturës në këtë rast. Ata regjistrojnë nivelin e shkallës së opinioneve të ndryshuara ose të pandryshuara të publikut ndaj artit, duke bërë krahasimin nga një periudhë kohore në të shkuarën me një periudhë të re kohore. Ndërsa mbi perceptimin e situatës së asaj që ndodh me artin, historianët datojnë përmes veprës aktin artistik dhe studiuesit e artit ballancojnë ekzistencën e koncepteve të reja, të avangardës në art dhe guximit të artistëve, për të konkretizuar volume skulpturore të ndryshme nga ato të një brezi në të shkuarën.

Kritikës së bërë ndaj portretit në skulpturë të Sadik Spahias nga Jona Davidi, në facebook dhe më pas në media të tjera, iu bashkuan një sërë reagimesh. Fokusi i saj me “pa të drejtë ose me të drejtë” ishte se skulptori ka shformuar tiparet dhe ka anashkaluar estetikës klasike të portretit. Ka një mijë arsye për të hedhur poshtë këtë mendim. Së pari është mendimi i qartë i skulptorit Sadik Spahia që në mënyrë kuptimplote arrin të qartësojë keqkuptimin. Mendimi i tij është i kundërt me dëshirat e piktores kritikuese. Ai shprehet se: “Unë e mbroj veprën duke shpjeguar se ajo paraqet plastikën e maskës skenike dhe jo një portret të zakonshëm fotografik.” Në këtëarsye vepra është një e tillë, pra nuk është as “meduzë dhe as karikaturë”. Ajo e ardhur në këtë formë është rezultat i kërkimit të artistit për të rritur shkallën e përmirësimit të perceptimit të shoqërisë shqiptare në kuptueshmërinë e artit të ditëve të sotme, artistët e së cilës krijojnë në forma moderne dhe bashkëkohore.
Le të analizojmë dëshirat e piktores që ka bërë kritikën, madje disa shumë fyese, duke e cilësuar si një shfytyrim imazhin e skulpturës, në përballje me mendimet e skulptorit Sadik Spahia. Piktorja kërkon: “Të mos ketë eksperimente të tepruara moderne. Skulptori nuk duhet të ndajë fytyrën, që e quan realiste, nga pjesa tjetër krejtësisht e transformuar”, që besoj e ka fjalën për flokët. Deri këtu kjo është një dëshirë dhe ne e dimë që dëshirat janë subjektive, por në se do të përdorim “duhet dhe të mos ketë” atëherë ajo merr formën e urdhërit. Dëshirat e çdo artisti ruhen e kultivohen për t`i shprehur në veprat që ai krijon dhe jo si një excatedra t`i drejtohet mediave, publikut, shoqërisë e sistemit të artit, për të treguar se çfarë duhet të bëj një artist tjetër me veprën e tij. Jam duke përfunduar librin e artit mbi jetën dhe krijimtarinë e Edison Gjergos dhe të them të drejtën kjo dëshirë – urdhër e piktores më ka trembur, sepse me ka kujtuar disa vendime të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit dhe LSHASH, të cilat e kritikonin artistin e viteve `70 të shekullit XX, për një pikturë moderne (iste) e më pas hetuesia vendosi heqjen e lirisë, duke e çuar drejt burgut.
Skulptori Sadik Spahija, nga ana tjetër, ka kërkuar të sintetizojë në volume skulpturore një portret që i shmanget plotësisht çastit fotografik të një portreti zyrtar. Kryerja e këtij portreti dhe imazhi i tij përfundimtar është një përjetim artistik mbi gjestet e grimacave të fytyrës së aktorit në çaste skenike, i cili gjatë interpretimit krijonte maska të mrekullueshme dhe dramatike përmes lëvizjeve muskulare të portretit të tij. Skulptori pohon sepse është i qartë se: “Nuk do të krijoja asnjëherë një portret të thjeshtë e të përditshëm. Kjo vepër nuk duhet parë si një fotografi për konsum të thjeshtë.” Skulptori ka bërë zgjedhjen e tij duke krijuar imazhin ekspresiv të buruar nga emocioni aktorial, që tashmë e dimë se ka qenë një emocion real aktorial, në skenat vjeneze. Dhe që ky emocion të bëhet edhe më i fortë artisti ka tentuar të krijojë një plastikë lëvizëse dhe plot zhurmë me pjesën e flokëve. Për artistin ato nuk janë aspak flokë por një vazhdimësi e plastikës shpërthuese aktoriale të portretit ekspresiv.
Në këtë arsye ftoj emalgamën kulturore të thënies “To be or not to be/Të jesh apo të mos jesh një portret skulpturor realist”, kjo është cështja!” Le të diskutojmë në mënyrë profesionale dhe jo të nxitur nga dëshirat e gjithëseicilit. Nisur nga kjo pikë, kam idenë se ky është një debat shterpë, si çdo debat ndërmjet tradicionales dhe modernes që do të thotë se ka ekzistuar në të gjitha kohërat dhe do të jetë i pranishëm edhe në ditët tona. Tradicional/e është një art apo një shoqëri që i ka kryer funksionet e veta në të shkuarën. Modern/e do të jetë gjithmonë një art dhe një shoqëri që funksionet e veta i kryen hap pas hapi dhe në të tashmen. Ky koncept nuk e mohon aspak artin tradicional, por brezi që jeton të tashmën duhet të edukohet me artin e tij, artin e krijuar prej tij, që e cilësojmë dhe arti i ri, modern, sepse vetëm ai është arti, në të cilin brezi i tashëm percepton veten, ndjesitë e tij dhe përmbajtjen e jetës që po kryen. Dhe natyrshëm ky art është gjurma që ai le në historinë e artit. Paramendoni që kjo gjurmë të mos ekzistojë sepse arti tradicional ushtron presion. Po vë në dijeni vetëm vitet 1969-1973 kur artistët e rinj Edison Gjergo, Ali Oseku, Maks Velo, Arben Basha, Alush Shima, Bajram Mata, Remzi Kuçi e dhjetëra të tjerë lanë gjurmën e tyre sepse tentuan të sjellin frymën e tyre moderne e figurative në art. Ata u kritikuan dhe në një mëmyrë heshtën, u burgosën, iu hoq e drejta e krijimtarisë dhe ekspozimit. Fatmirësisht veprat e tyre, të asaj periudhe, në ditët e sotme përcaktojnë një periudhë të lavdishme të modernizmit në qerthullin e epokës së realizmit socialist.
Çfarë keqkuptimi ka shaktuar kritika e piktores saqë në rrjetet sociale gjen reagime të shprehjes portret karikaturë? Natyrisht në këtë këndvështrim kritika e saj është kthyer në nxitje fyese dhe e pamenduar mirë. Kjo lloj kritike dëshiron të mbajë themelet e një mendimi mesatar mbi skulpturën. Po kujtoj se karikatura ishte një nga pararendësit më të rëndësishëm teknikë, që dikoi në shfaqjen e lëvizjes së ekspresionizmit. Ajo ishte një përputhje filozofike dhe një ndikim indirekt mbi vrullin ekspresiv të artit në kapërxyell të shekullit XX. Karikatura i shërbeu botës për t`i treguar se arti nuk ka nevojë të jetë fotorealist për të thënë një të vërtetë të madhe. Dhe Sadik Spahia i përgjigjet mjaft qartë: “Kam përdorur maskën e tij aktoriale dhe flokët në momentin e lojës së tij skenike.” E kjo nuk e bën veprën karikaturë, por realiste ekspresive.
Historia e artit na mëson se janë tre pika ku lidhet karikatura me ekspresivizmin. Po përmend vetëm njërën. “Shtrëmbërim për të nxjer të vërtetën”. Natyrshëm piktores kritike nuk i pëlqen çasti aktorial i Aleksandër Moisiut dhe ka gjithë të drejtën e vet të mos i pëlqejë. Nuk i pëlqen maska e tij aktruese, pra puna që ka bërë aktori çdo natë në skenë, pra “shtëmbërimin eportretit të tij për të nxjerrë të vërtetën” i detyruar nga roli në aktrim. Skulptori detyrimisht i pëlqen kjo dhe e ka kthyer në një personazh simbol. Ndërsa anfazin e portretit të tij njerëzor në ditët e zakonshme nuk e ka anashkaluar, sepse ai është baza e ngjashmërisë së portreti skulpturor që ai ka krijuar. Karikatura bazohet në parimin e ekzagjerimit të qëllimshëm të tipareve fizike ndërsa ekspresivizmi nuk përdor as humorin dhe as satirën e saj. Artistët e tij përdorën shtrëmbërimin dhe deformimin për të shprehur ankth, dhimbje, frikë dhe trazim shpirtëror. Artisti Sadik Spahia ka ekzagjeruar qëllimisht shpërthimin e volumeve, për të arritur një pikë esenciale të ekspresivizmit-trazimin shpirtëror. Ai, edhe pse i ka dhënë rëndësi aktit aktorial, nuk ka dashë as të sjellë humorin dhe as satirën. Dhe këtë e ka arritur me sukses.
Dhe rezultati është i pastër. Portreti skulpturor i Aleksandër Moisiut i kryer nga skulptori Sadik Spahia është një vepër e artit të realizmit modern ekspresiv. Ai i përket artit publik, i cili është realizuar në gjuhën e shprehive moderne, një e drejtë kjo e ditëve që jetojmë dhe e vet artistit. Ai ka kryer një portret të ngjashëm identifikues me aktorin e madh, por psikologjia e anfazit të fytyrës i përket roleve të tij në skenën teatrore dhe aspak psikologjisë së portretit të jetës së tij të zakonshme familjare. Skulptura e tij nuk është kursesi karikaturë, nuk është kurrsesi shmangje nga parimet klasike, edhe sepse nuk e ka pasë këtë qëllim artisti Sadik Spahia, kur ka nisur të krijoi portretin kompleks të Aleksandër Moisiut. Jeta e këtij aktori të madh nuk i përket aspak klasicizmit. Jeta e tij i përket trazirave të Luftës së Parë Botërore dhe fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht jeta e tij në Vjenë dhe në skenat e saj teatrore ka qenë e vështirë. Nuk e pranuan! Ishte aktrimi i tij portretal dhe zëri i tij i jashtëzakonshëm dhe i magjishëm që e bënë yllin e aktrimit vjenez. Ky ka qenë qëllimi final i skulptorit që të realizojë portretin ekspresiv të aktorit në skenat e Vjenës dhe ia ka arritur që të krijoi një imazh të ri, ndërmjet dhjetëra imazheve të krijuara për të nga artistë të ndryshëm. Le ta lemë brezin e ri ta shijojë portretin më të fundit skulpturor e të mësojë më shumë rreth këtij aktori, me origjinë shqiptare që tronditi skenat e Vjenës në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. Po të ishte një portret fotografik brezi i ri nuk do kishte interes. Gjendja ekspresive e portretit do t`i nxisë ata drejt informacionit dhe njohjes.
Tetor 2026


