KreuOpinionAgim Vinca: Një misionar në kërkim të rrënjëve

Agim Vinca: Një misionar në kërkim të rrënjëve

Atë Antonio Belushin[1] e kam njohur nga afër. E kam takuar në Prishtinë, në Shkup, në Tiranë, por edhe këtu në Frasnitë, në shtëpinë e tij. Takimet tona të para datojnë nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur ai vinte në Prishtinë për të marrë pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Nuk e di në cilat seminare krejt ka marrë pjesë, por e di se kurdo që vinte ishte jo vetëm pjesëmarrës i thjeshtë, por edhe kontribues me ndonjë kumtesë a diskutim. Kështu, në seminarin e katërt me radhë, atë të vitit 1977, paraqiti kumtesën: De Rada apo Dorsa është autor i dorëshkrimit “Canti Albanesi”. Fjala është për dorëshkrimin “Canti Albanesi”, të cilin e zbuloi profesor Ferrari në vitin 1963 në arkivin e Vinçenc Dorsës. Ferrari këtë dorëshkrim e konsideronte si vepër shumë të hershme, para Fjalorit të Bardhit dhe Rapsodive të De Radës, por tezën e tij do ta kontestojnë studiues si Solano, Haxhihasani dhe Shuteriqi.[2] Belushi, ndërkaq, konsideronte se dorëshkrimi “Canti albanesi” nuk ishte i vitit 1600, por i mesit të shek. XIX dhe jo vepër e Mikel Belushit, siç e paraqiste Ferrari, por e Vinçenc Dorsës, i cili ishte “mbledhës i zellshëm i folklorit arbëresh, porse vetë nuk i botonte tekstet që i mblidhte, por ua jepte të tjerëve t’i botonin”.[3] 

Tre arbëreshë me nam, madje mu nga Frasnita, Ferrari, Solano dhe Belushi, kanë, siç shihet, mendime të ndryshme lidhur me veprën “Canti Albanesi”, por unë nuk jam këtu për ta zgjidhur këtë “kontest”, por për të folur për figurën e njërit prej tyre, më të riut në moshë, Antonio Belushit, të cilin do ta trajtoj, siç kam paralajmëruar qysh në titull, nga këndvështrimi im. Pra, Belushi siç e kam njohur unë.

 Ardhja e arbëreshëve në Seminarin e Prishtinës ishte festë, një festë që zgjaste jo një a dy ditë, por plot dy javë, për çdo vit në gjysmën e dytë të gushtit. Përveç të rinjve, kryesisht studentë dhe disa mësuesve e mësueseve, që vinin për ta përvetësuar më mirë shqipen letrare, në mesin e tyre kishte edhe personalitete si Karmel Kandreva, Zef Kiaramonte, Agostino Jordani, Italo Fortino, Kate Xukaro e të tjerë. Atë Belushi ishte njëri nga këta dhe ishte njeri që binte në sy me pamjen, veshjen dhe sjelljen e tij. Edhe pse prift me profesion, ai ishte njeri shumë i dashur e i afërt.

I tillë, madje akoma më shumë, ishte edhe frasnitasi tjetër, nga më të shquarit, Vorea Ujko, të cilin e kam njohur jo në Seminarin e Prishtinës, por në Mitingun e Gjakovës,[4] ku Vorea ishte pjesëmarrës pothuajse i rregullt. Jo vetëm në mbrëmjen e madhe letrare, që ndiqej nga qindra vetë në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, por edhe në darkën që mbahej pas përfundimit të saj në hotel “Pashtrik”, Vorea ishte figurë markante. Pinte, këndonte, recitonte, vallëzonte si të ishte ndonjë bohem e jo njeri i fesë. (Kam shkruar për poezinë e tij dhe në mënyrë të veçantë për librin kushtuar Kosovës, botuar në vitin 1971).[5]

Por të kthehemi te Belushi. Kur vinte në Prishtinë shfrytëzonte rastin të vizitonte jo vetëm fshatrat dhe qytetet e Kosovës, por edhe viset shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Do të evokoj një ngjarje nga vizita e tij në Maqedoni, për të cilën dihet fare pak, në mos aspak. Duhet të ketë qenë fillimi i viteve ’90, kur Atë Antoni kishte ardhur për vizitë te vëllezërit e tij në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), si quhej atëherë Maqedonia e Veriut.

Kishte rënë sistemi komunist, por qëndrimi ndaj shqiptarëve nuk kishte ndryshuar shumë. Ata ishin ende të dyshimtë. I tillë, i dyshimtë, u qe dukur autoriteteve lokale të Ohrit njeriu i veshur me rrobën e priftit, që e arrestuan në qendër të qytetit, në pikë të ditës. Policia maqedonase ndalonte turistin me pasaportë italiane, vetëm pse fotografonte rrapin e lashtë me aparatin e tij! Çfarë veprimi i pakuptimtë e brutal, skandal i vërtetë!

 Ishte verë dhe isha me pushime në vendlindje. Sapo mora vesh lajmin, takova deputetin e  Strugës në Kuvendin e Maqedonisë dhe e njoftova me rastin. I tregova se për kë bëhej fjalë, duke shtuar se arrestimi i tij ishte turp për Maqedoninë si shtet. Me mua ishin edhe disa të rinj, studentë e të tjerë, të gatshëm që të protestonin. Nuk e di se çfarë bëri deputeti shqiptar, jurist me profesion, njeri me goxha lidhje në Shkup, ku i kishte kryer edhe studimet (maqedonisht), por Atë Belushi u lirua pas dy-tri orësh qëndrimi në polici. Ndoshta me kërkesën që të largohej nga vendi që e quante veten “shtet demokratik”!

Ky është një episod që flet për peripecitë që ka hasur në punën e tij aspak të lehtë ky misionar i vërtetë. Në situata të ngjashme është gjendur edhe gjatë ekspeditave në Greqi.[6]Vështirësitë nuk e stepën. Ai e vazhdoi misionin e tij.

Do ta takoj përsëri në Maqedoni, në vitin 1996, në rrethana të tjera, pak më të favorshme. Kishte ardhur në Tiranë dhe nga Tirana në Shkup. Profesor Latif Berisha kishte marrë vesh për ardhjen e tij në Shkup dhe kërkoi që të shkonim bashkë për ta takuar. (Më lejoni të shtoj në parantezë se Latif Berisha kishte qenë gjatë studimeve profesori im i letërsisë së Romantizmit, përfshirë edhe letërsinë arbëreshe. U ekzekutua në shtëpinë e tij në Mitrovicë natën e parë të fushatës së bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999. Takimi në Shkup do të ishte takimi i tij i fundit me mikun arbëresh). Me të arritur në Shkup, në saje të një mikut tim gazetar, morëm vesh se Atë Belushi kishte shkuar në Televizionin e Maqedonisë, ku ishte ftuar për t’u intervistuar. E takuam në lokalet e redaksisë shqipe të këtij institucioni dhe pasi u çmallën duke pirë kafe e biseduar, bashkë me shoqëruesit e tij nga Tirana, shkuam në Tetovë, ku qëndruam deri në orët e vona të natës. (Me ne ishte edhe Edita Tahiri, anëtare e kryesisë së LDK-së).

Në vitet ’90 për shkak të situatës politike, Seminari i Prishtinës qe ndërprerë; u mbajt dy herë në Tiranë (më 1995 e 1996), për t’u rikthyer në Prishtinë pas çlirimit të Kosovës.

Në rrethanat e reja të krijuara pas luftës, u rivendos komunikimi i ndërprerë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, por edhe kontaktet me shqiptarët jashtë atdheut, në radhë të parë me arbëreshët e Italisë.

I kësaj kohe është takimi me Belushin, për të cilin do të flas pak më gjatë. Ky takim ndodhi pikërisht këtu tek jemi sot, në vendlindjen e tij, në Frasnitë dhe, madje, në shtëpinë e tij. Ishte viti 2004. Isha i ftuar të merrja pjesë në konferencën shkencore kushtuar poetit Vorea Ujko, organizuar nga Bashkia e Fermës, me ç’rast do të promovohej libri Opera letteraria (Vepra letrare) i Vorea Ujkos, i përgatitur për botim nga Agostin Jordani, me një studim hyrës të Italo Fortinos dhe me përkthim italisht të të gjitha teksteve nga Katerina Xukaro. Në këtë botim është përfshirë e gjithë krijimtaria e Voreas.

Konferenca e 2004-s, që kishte si shkas 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të Voreas dhe botimin e plotë të veprës së tij, u mbajt te Manastiri i Dominikanëve (Convento dei Dominicani), vepër e shekullit të 15-të, me një pjesëmarrje të gjerë studiuesish e pjesëmarrësish të tjerë.

Gjatë qëndrimit në Fermë, ne, grupi nga Tirana dhe Prishtina, ku bënin pjesë Dritëro Agolli me të shoqen, Sadijen, poeti Xhevahir Spahiu, profesor Nasho Jorgaqi dhe unë, shfrytëzuam rastin të bënim dy vizita në Frasnitë: të parën në shtëpinë e Vorea Ujkos, ku na priti me shumë përzemërsi i nipi i poetit, Janar (Genario) Beliçi me familjen dhe të dytën te imzot Belushi.

Vizitën tonë në shtëpinë e tij Atë Ndoni e përjetoi si një nder të veçantë. Kënaqësia i shihej në sy dhe në veprimet që bënte. Duke iu drejtuar të motrës, Rinës, shqiptoi një fjali që më është ngulitur në kujtesë. “Këta janë më të mirët çë ka Shqipëria!”, tha. Mua, natyrisht, më erdhi mirë që nuk më ndau nga kolegët e Tiranës. Unë vija nga Prishtina, por, për njerëzit si Belushi Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi ishin dhe janë Shqipëri (jo në kuptimin politik, por në atë kulturor dhe etnik).

Me të hyrë në shtëpinë e familjes Belushi, mua më ra në sy argaljia (avlëmendi) dhe m’u kujtuan nëna dhe motrat e mia të mëdha, që po ashtu punonin në tezgjah. U ngjitëm lart, në katin e dytë, ku qëndruam gjatë mes librave, revistave e materialeve të tjera. Për t›i parë të gjitha ato që gjendeshin aty, duhej qëndruar jo me orë, por me ditë. Në ndarje na dhuroi secilit nga ne numrat e fundit të revistës “Lidhja”, kurse ne u përpoqëm të linim ndonjë fjalë miradie për të zotin e shtëpisë në librin e përshtypjeve.

Këtë vizitë, Atë Belushi e ka shënuar në nr. 51 të “Lidhjes” (dt. 30 maj 2004), në rubrikën “Dëshmi të studiuesve dhe vizitorëve” (Testimonianze di studiosi e visitatori), ku, krahas fjalëve tona, ka sjellë edhe një fotografi. Në këmbë, lart, janë Dritëroi me Sadijen dhe papa Ndonin në mes, anash, në njërën anë profesor Nashoja, në tjetrën Xhevoja me të motrën e Belushit, poshtë unë që kam rrokur flamurin kombëtar si Isa Boletini në Vlorë. Në shënimet që bëmë ad hoc, Dritëroi e quajti punën e Atë Ndonit kështjellë që do ta mbijetojë autorin, Xhevoja “shpirt i shqipes”, profesor Nashoja e uroi me fjalët “mos vdeksh kurrë”, kurse unë e quajta “një copë Shqipëri”.[7]

Pas kthimit në Prishtinë bëra një shkrim në të cilin flisja për konferencën, por edhe për vizitat në dy familjet frasnitase: Beliçi dhe Belushi. Për të mos u zgjatur po e anashkaloj këtë shkrim, i cili mund të lexohet në librin tim “Fije të pakëputura” botuar në Shkup në vitin 2004 dhe ribotuar në Tetovë më 2007.[8] 

Është rasti të them këtu se koleksionin e revistës “Lidhja”  unë ia dorëzova Arkivit të Kosovës, në mënyrë që të mund ta shfrytëzojnë të gjithë ata që janë të interesuar. (Kam dëshmi me shkrim për këtë lëshuar nga drejtoria e Arkivit më 22 prill 2021).

Edhe pse prift me profesion, Atë Ndoni ishte, si thashë, njeri shumë i dashur dhe atdhetar i flaktë. Udhëtimi ishte vokacion jetësor i tij; ai shkeli me këmbët e tij të gjitha trevat shqiptare; ishte shumë i pranishëm veçanërisht tek arbërorët e Greqisë, ku zbuloi një botë të panjohur, pa harruar, natyrisht, as komunitetin arbëresh të Italisë, të cilit i takonte edhe vetë. Edhe pse shtegtoi shumë, nuk u shkëput nga Frasnita e tij, ku jetoi e punoi deri në fund të jetës.

Të tillë e njoha unë Atë Antonio Belushin (1934-2024), nga afër dhe nga larg.

E kam takuar disa herë në jetë dhe e kam ndjekur pothuajse në vazhdimësi veprimtarinë e tij. Belushi ishte mbledhës e studiues i pasionuar i kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare në tërë arealin e saj. Me punën dhe veprën e tij shumëdimensionale (folklor, etnografi, gjuhësi, teologji), ai i ngriti një përmendore etnosit shqiptar.

Do të mund të flisja gjatë për Antonio Belushin dhe kontributin e tij, por po e mbylli fjalën time me fjalët e një njeriu që e ka njohur shumë më mirë se unë, të avokatit të njohur arvanitas Aristidh Kolja. “Papas Antonio Bellusci, helen, pellazg, pasardhës i Kadmit dhe Ilyrit, maratonomaku i etnosit arb, arbërori i paqes, pasardhësi i Eneas, i Aleksandrit të Madh, i Pirros, i Skënderbeut, pasardhësi i atyre që lanë Morenë e bukur me lot dhe që deri sot e kujtojnë, e mendojnë dhe i këndojnë me nostalgji”.[9]Kështu shkruan Aristidhi në librin e tij “Antonio Belushi dhe magjia e traditës popullore”, i cili u botua në vitin 2000.

Magjia e gjuhës shqipe dhe e traditës, por edhe puna e madhe e një plejade të tërë krijuesish, intelektualësh e veprimtarësh, përfshirë edhe klerikët, që nga korifenjtë e Rilindjes e deri te këta të sotmit, i mbajti gjallë arbëreshët, të cilët vazhdojnë ta ruajnë, ndonëse me shumë vështirësi, identitetin e tyre etnik e kulturor edhe pas pesë-gjashtë shekujsh, gjë që e dëshmon edhe ky takim përkujtimor dhe shkencor.

(Fjalë e paraqitur si kumtesë në konferencën shkencore kushtuar Antonio Belushit, mbajtur në Frasnitë më 7-8 nëntor 2026)


[1]  Emri i tij shfaqet në tri-katër variante: Antonio, Anton, Andon, por edhe Ndon (atë Ndoni), si e thërrisnin me përkëdheli miqtë e tij.

[2]  Profesor Solano, në studimin e tij “Belushi apo De Rada? – Vështrim mbi një dorëshkrim këngësh arbëreshe”, të botuar në vitin 1966, mbron pikëpamjen se dorëshkrimi në fjalë ishte vepër e De Radës. Në Fjalorin enciklopedik shqiptar, vëll. I, f. 660 dhe vëll. III, f. 2370, thuhet se autor i dorëshkrimit Canti albanesi, raccolta di Michele Belusci del ‘600 (1963), siç provoi Solano, është De Rada e jo Belushi.

[3]  Andon Belushi, De Rada apo Dorsa është autor i dorëshkrimit “Canti Albanesi”. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare, Prishtinë 1978, f. 247-249.

[4]  Fjala është për manifestimin letrar me emrin “Mitingu i Poezisë”, që mbahej për çdo vit, në muajin maj, në qytetin e Gjakovës.

[5]  Shih: Agim Vinca, Kosova e Vorea Ujkos, në librin Fije të pakëputura, Pro Kultura, Shkup 2004, f. 162-178.

[6]  Në vitin 1965, kur ai shkoi atje për herë të parë, në Sulimahorja të Trifilisë i thanë në greqisht: “S’kemi arvanitas këtu!”.

[7]   “Jam i lumtur që pata rastin ta vizitoj këtë copë Shqipëri. Dora e artë e papa Bellushit u kujdes që të mbledhë libra e revista nga tërë hapësira shqiptare. Të lumtë, Imzot! Të përgëzoj nga zemra”, shkrova në fletoren e madhe të përshtypjeve.

[8]  Ky shkrim u botua fillimisht në gazetë (te gazeta “Koha Ditore” e Prishtinës) dhe pastaj edhe në librin tim “Fije të pakëpura”, botuar në vitin 2004 në Shkup dhe ribotuar më 2007 në Tetovë.

[9]   Cituar sipas librit të Ornela Radovickës: Antonio Bellusci Rrugëtimi i një arbëreshi. Jeta, vepra, kujtime…, f. 13.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË