KreuOpinionSkye C. Cleary: Lumturia si akt qëndrese (Simone de Beauvoir dhe lumturia...

Skye C. Cleary: Lumturia si akt qëndrese (Simone de Beauvoir dhe lumturia autentike)

A është e drejtë të jesh i lumtur në një botë të rrënuar? Këtë pyetje Simone de Beauvoir ia drejtoi Albert Camus-së. Beauvoir e shqetësonte mendimi se përqendrimi te lumturia vetjake nënkuptonte shkëputjen nga realiteti politik përreth. Por, për sa kohë lumturia jonë nuk buron nga padija apo apatia, për sa kohë është autentike, edhe ekzistencialistëve u lejohet të jenë të lumtur. Në fakt, duhet të jenë. Lumturia mund të jetë një formë qëndrese ndaj padrejtësisë dhe absurditetit të jetës, shkruan Skye Cleary.

Teksa shfletimi pa fund i lajmeve të zymta në rrjetet sociale shndërrohet në një ritual të përditshëm që krijon varësi, është fare e lehtë të na pushtojnë ndjenjat e palumturisë dhe të pafuqisë. Përballë vërshimit të pamëshirshëm të pandemive, maskaradave të pandërprera politike, ndryshimeve klimatike, diskriminimit, shfrytëzimit dhe vuajtjes së gjithanshme, siç thotë me urtësi Audre Lorde, “çfarë përbindëshi i degjeneruar mund të jetë vallë gjithmonë i lumtur?”

Një nga mekanizmat mbrojtës është apatia. Çdo ditë na përplasen para syve aq shumë vuajtje dhe tmerre të botës, sa shtyhemi të zhvillojmë atë që filozofja ekzistencialiste Simone de Beauvoir e quan një lloj “tetanozi të përfytyrimit”. Beauvoir ra në një paralizë psikologjike kur lexonte në gazeta lajmet për Luftën e Algjerisë më 1961. Për të, përvoja kolektive e mësimit ditë pas dite me mizoritë është “faza e fundit e demoralizimit të një kombi”.

Camus-në e zhgënjente fakti që njerëzve u vinte turp të ndiheshin të lumtur dhe e këshilloi Beauvoir-in: “Lumturia ekziston dhe ka rëndësi; pse ta refuzosh? Duke e pranuar, nuk ua shton palumturinë të tjerëve; madje ajo të ndihmon të luftosh për ta.”

Mes tmerreve të botës, a është moralisht e gabuar të mbështetesh tek apatia për të rrëmbyer çaste të vogla lumturie? A është e gabuar të festosh ditëlindjen e mikut më të ngushtë apo të shijosh një lindje të bukur të hënës, ndërkohë që je në dijeni të varianteve gjithnjë e më të reja të fashizmit dhe të COVID-19? Në fund të viteve 1940, pas Luftës së Dytë Botërore, Beauvoir po bisedonte për lumturinë me Albert Camus-në, me të cilin asokohe ishte mike. Beauvoir e kuptoi se përqendrimi i saj ngulmues te lumturia e kishte bërë të pavëmendshme ndaj realiteteve politike. Camus-ja shihte një rrugëdalje. E zhgënjente fakti që njerëzve u vinte turp të ndiheshin të lumtur dhe e këshilloi Beauvoir-in: “Lumturia ekziston dhe ka rëndësi; pse ta refuzosh? Duke e pranuar, nuk ua shton palumturinë të tjerëve; madje ajo të ndihmon të luftosh për ta.”

Nëse na intereson lumturia jonë, duhet të luftojmë kundër përbindëshave të tillë si apatia. Duke sabotuar lumturinë tonë, nuk ndihmojmë askënd. Dhe pasiviteti na e gërryen jetën e na i mpin përjetimet. Padija e qëllimshme na ngushëllon, por na jep një pamje të rreme të gjendjes sonë. Të shpërfillësh kontekstin real të ekzistencës sate do të thotë të jetosh në atë që Beauvoir e quante “keqbesim”, një lloj vetëmashtrimi që minon lirinë. T’i ikësh realitetit dhe të mos bësh asgjë përballë padrejtësive është keqbesim. Për ta shmangur atë dhe për të krijuar mundësi për lumturi autentike, duhet të angazhohemi në jetë në mënyrë pozitive dhe ndërtuese.

Të jesh njeri do të thotë të jetosh vazhdimisht në tension mes përpjekjes për ta kontrolluar botën përreth dhe përpjekjes për të mos u shtypur prej saj.

*Filozofe dhe autore e librave Si të jesh vetvetja: Simone de Beauvoir dhe arti i autenticitetit (2022), Si të jetosh një jetë të mirë (2020) dhe Ekzistencializmi dhe dashuria romantike (2015). Jep mësim në Universitetin Columbia dhe në City College të Nju-Jorkut.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË