KreuÇmimeArti i poezisë: Anne Carson (Fituesja e Nobel 2026)

Arti i poezisë: Anne Carson (Fituesja e Nobel 2026)

Motivacioni zyrtar i Akademisë Suedeze për dhënien e Çmimit Nobel në Letërsi 2026 Anne Carson-it, i shpallur më 8 tetor 2026, është: “For her bold and inventive oeuvre that, in playful dialogue with the classical tradition, has created new forms for contemporary literature”. “Për krijimtarinë e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore.”

Intervistoi Will Aitken për Paris Review

Anne Carson dhe unë u takuam për herë të parë në vitin 1988, në një seminar shkrimtarësh në Kanada, dhe që prej asaj kohe kemi lexuar veprat e njëri-tjetrit. Intervista që vijon ndërthur bisedat tona të zakonshme me diskutime mbi temat që përshkojnë krijimtarinë e saj: misticizmin, lashtësinë, obsesionin, dëshirën.

Carson lindi më 21 qershor 1950 në Toronto, fëmija i dytë dhe i fundit i çiftit Margaret dhe Robert Carson. E ëma ishte amvisë; i ati punonte në bankën Toronto Dominion. Gjatë fëmijërisë së saj, familja zhvendosej sipas transferimeve të të atit nga një bankë në tjetrën, në qyteza të Ontarios si Stoney Creek, Port Hope dhe Timmins.

Në vitet shtatëdhjetë, Carson ndoqi studime klasike në Universitetin e Torontos dhe më pas studioi greqishten e lashtë nën drejtimin e studiuesit të shquar të antikitetit Kenneth Dover, në Universitetin e St. Andrews-it në Skoci. Në vitin 1981, u kthye në Universitetin e Torontos për të shkruar disertacionin e doktoratës mbi Safon, që më vonë u shndërrua në librin “Erosi i hidhur e i ëmbël” — një traktat i shkurtër e i ngjeshur mbi rolin qendror të mungesës në dëshirë. Sot, Carson jeton në Ann Arbor, ku jep mësim në fushën e studimeve klasike dhe të letërsisë së krahasuar në Universitetin e Miçiganit.

Ndonëse gjithnjë ka ngurruar ta quajë veten poete, Carson ka shkruar një lloj poezie heretike thuajse gjatë gjithë jetës. Krijimtaria e saj është ngulmuese dhe novatore, një ndërthurje zhanresh e stilesh që për vite me radhë nuk arriti të tërhiqte vëmendjen. Në fund të viteve tetëdhjetë, disa revista letrare në Shtetet e Bashkuara filluan t’ia botonin shkrimet. Në Kanada gjeti shumë më pak mirëpritje, dhe vetëm kur Carson ishte dyzet e dy vjeçe, një shtëpi e vogël botuese kanadeze, Brick Books, i botoi librin e parë me poezi, “Biseda të shkurtra”.

Nga mesi i viteve nëntëdhjetë, Carson nuk përpiqej më të gjente botues; përkundrazi, botuesit garonin për ta gjetur atë. Njëri pas tjetrit, brenda një kohe të shkurtër, u botuan tre vëllime me poezi dhe ese — “Ujë i thjeshtë: ese dhe poezi” (1995), “Qelqi, ironia dhe Zoti” (1995), “Burrat jashtë orarit” (2000) — si dhe një roman në vargje, “Autobiografia e së kuqes” (1998), që ndërthur krejt natyrshëm mitin grek, homoseksualitetin dhe jetën në qytezat e Ontarios. Më pas erdhën dy libra në dukje akademikë: “Ekonomia e së pahumburës” dhe përkthimi i saj i poezive të Safos, “Në mos, dimër”, të dy në vitin 2002.

Çmimet dhe vlerësimet vërshuan njëri pas tjetrit: një bursë Guggenheim (1995), çmimi Lannan (1996), çmimi Pushcart (1997), një bursë MacArthur (2000) dhe çmimi Griffin për poezi (2001). Në vitin 2002, Carson u bë gruaja e parë që mori çmimin anglez T. S. Eliot për poezi, për librin “Bukuria e bashkëshortit: një ese trillimore në 29 tango”.

Prej disa vitesh, Carson po punon për një operë me tekst të recituar, për tri gra mistike: Afërditën, heretiken franceze të shekullit XIV Marguerite Porete dhe Simone Weil. Vitin e ardhshëm, Random House do të botojë “Çkrijimi”, që përfshin operën me të njëjtin titull, krahas poezive dhe eseve të reja.

Intervistën që vijon e nisëm menjëherë pas Krishtlindjeve të vitit 2002. E rraskapitur nga angazhimet e gëzueshme të festave, Carson u shtri në një divan të veshur me kadife të hollë portokalli dhe biseduam për disa orë, duke marrë fuqi nga filxhanët me çaj oolong.

INTERVISTUESI

Dua ta nis me poezinë tuaj “Strofa, sekse, joshje”. Ka një varg aty që më ndali në mes të leximit: “Poezia ime personale është një dështim.” Më bëri të pyesja veten për dy gjëra: Çfarë quani poezi personale? Dhe a e ndieni vërtet si dështim, apo është thjesht uni lirik i poezisë që flet?

CARSON

Epo, mendoj se në poezi të ndryshme ka shkallë të ndryshme të pranisë së unit. Disa më duken larg meje dhe disa shumë pranë, dhe ato që janë shumë pranë zakonisht nuk thonë atë që dua unë të thonë. Dhe kjo është e vërtetë për unin lirik të poezisë, por është e vërtetë edhe për mua vetë.

INTERVISTUESI

Kur i riktheheni “Esesë së qelqtë”, për shembull, a e konsideroni një poezi personale? A e shihni si dështim?

CARSON

E shoh si një lojë në sipërfaqe me gjëra që doja t’i kuptoja më në thellësi. Besoj vërtet se kam aftësinë të regjistroj fakte shqisore dhe emocionale — të ndërtoj një sipërfaqe bindëse të mënyrës si përjetohet jeta, si ajo fizike, ashtu edhe ajo emocionale. Por, kur shkrova “Esenë e qelqtë”, doja të bëja edhe diçka që do ta quaja të kuptuarit e mënyrës si përjetohet jeta, dhe nuk besoj se ia arrita.

Nuk e di as se ç’do të thoshte ta arrije këtë, por, kur lexon Virginia Woolf-in ose George Eliot-in, të mbetet një aromë të kuptuari — kjo erë në kokë nga diçka që e ke përjetuar dhe e ke kuptuar bashkë me personazhet e rrëfimit. Kur mendoj për atë që shkruaj unë, nuk e ndiej këtë.

INTERVISTUESI

A ndodh kjo sepse është ende pjesë e përvojës suaj personale, që vazhdoni ta jetoni?

CARSON

Epo, është e mundur. Por si mund t’i gjykojë vallë njeriu këto gjëra?

INTERVISTUESI

Apo mund të jetë një dështim për ju, por një sukses për këdo tjetër që e merr për ta lexuar?

CARSON

Besoj se po, sepse kjo kapje e sipërfaqes së faktit emocional u shërben të tjerëve, pasi i shkund dhe i shtyn të mendojnë, ta kryejnë vetë aktin e të kuptuarit. Por prapëseprapë nuk mendoj se e kam çuar mendimin deri në fund.

INTERVISTUESI

Ka edhe një varg tjetër te “Strofa, sekse, joshje” — “Dua të jem e padurueshme” — që më duket se shpreh me saktësi atë që jeni si shkrimtare.

CARSON

Më kujtohet si m’u sul ajo fjali në errësirë, si një akullnajë. Ndihesha si një anije që po shkonte drejt Polit të Jugut, kur befas nga errësira doli me vrull një akullnajë, dhe unë thjesht e hodha në letër. E pranoj se ajo e përshkruan saktë ndikimin që kam te njerëzit dhe që zgjedh të kem. Nuk e di saktësisht pse ndodh kështu.

INTERVISTUESI

Dikur keni thënë se e kishit fjalën për të qenët e padurueshme në kuptimin metafizik.

CARSON

Epo, po, s’mund të ishte në kuptimin fizik, apo jo? Veç po të sillesha vërdallë duke i rrahur njerëzit.

INTERVISTUESI

Ka edhe ditë të tilla.

CARSON

Me sende të mprehta. Është e vërtetë, prandaj shkoj në kurs boksi, që t’i mësoj këto shkathtësi. Por, natyrisht, ky është vetëm boks me hijen, siç i thonë.

INTERVISTUESI

Pra, nuk keni mundësi të goditni vërtet njeri?

CARSON

Nuk godet njeri, jo.

INTERVISTUESI

Por a mendoni shpesh të goditni dikë?

CARSON

Në kursin e boksit, po. Prandaj shkoj. Gjithnjë habitesh se kush të shfaqet në mendje për ta goditur. Zakonisht nuk janë ata që pret.

INTERVISTUESI

A ju nxit trajneri t’i thërrisni me zë të lartë emrat e atyre që keni në shënjestër?

CARSON

Jo, por do të ishte një ide e mirë.

INTERVISTUESI

Trajneri im e bënte këtë. Vetëm se unë isha në një grup të përbërë kryesisht nga gra, dhe ato bërtisnin “George”, “Fred”, “Tom”, kështu që edhe unë u futa në lojë dhe bërtita: “Pierre!” Pati një çast heshtjeje, pastaj gjithë të tjerët në grup bërtitën: “Pierre!” Dhe për një copë herë, të gjithë e morëm me grushte Pierre-in.

CARSON

Bukur. Të qenët e padurueshme thuajse nuk çon kurrë në atë lloj hareje në grup. Është një veprimtari më vetmitare. Në të vërtetë, nuk e di ç’do të thotë të jesh e padurueshme, por besoj se ndikimi që kam te njerëzit qëndron pjesërisht në vënien e gjithçkaje në teh, aty ku ata edhe magjepsen nga personi apo nga shkrimi, edhe tmerrohen krejt nga një zbulesë, ose nga pranimi i një zbulese, që thuajse po ndodh, por nuk ndodh kurrë plotësisht.

INTERVISTUESI

Një lloj drite verbuese.

CARSON

Po, një dritë verbuese që vjen nga pas dekorit të skenës ku qëndroj unë. Pra, po të jem një aktore e vogël në skenë, nga pas meje vjen kjo dritë e tmerrshme, verbuese. Dhe njerëzit e ndiejnë. Unë nuk e ndiej, por jam e vetëdijshme se më kalon përbri, dhe në fytyrat e tyre shoh tronditje të përzier me atë gjënë tjetër. Mendoj se prandaj nganjëherë u dukem e frikshme njerëzve. Sepse kjo dritë verbuese përzihet me një hijeshi fëmijërore që të çarmatos. Dhe atyre u duhet të përballen me të dyja.

INTERVISTUESI

Por çfarë është kjo dritë verbuese?

CARSON

Nuk e di. Është thjesht tmerr absolut. Është përplasja me faktin se vdes i vetëm. Mendon për këtë herë pas here gjatë gjithë jetës, dhe kjo vazhdon të mos ketë kuptim përballë gjithë përpjekjeve të vogla që bën për të qenë i lumtur, për të pasur miq e për të kaluar kohën.

INTERVISTUESI

A e mbart gjithkush me vete atë dritë verbuese? Mos është thjesht më e dukshme pas jush?

CARSON

Mendoj se të gjithë mund ta përjetojnë, vetëm se e maskojnë në mënyra të ndryshme. Unë, për ndonjë arsye, kam më pak mënyra për ta maskuar.

INTERVISTUESI

A mendoni se e keni pasur gjithmonë? Si ka qenë fëmijëria juaj? E di që jeni shpërngulur shpesh.

CARSON

Im atë ishte bankier dhe, në sistemin kanadez, të gjithë bankierët lëvizin nga një vend në tjetrin, sepse bankat e kanë si rregull t’i transferojnë drejtuesit çdo tre vjet. Për t’u dhënë përvojë me bashkësi të ndryshme dhe me lloje të ndryshme veprimtarie bankare. Është e vështirë për familjen, e mirë për bankën.

INTERVISTUESI

Pra, çdo tre vjet shkonit në një shkollë të re?

CARSON

Pak a shumë, po. Dhe besoj vërtet se kjo m’i zhvilloi aftësitë për të mbijetuar. Më kujtohet se ç’mendova një ditë, teksa po dilnim me makinë nga rrugica e shtëpisë dhe unë po u jepja lamtumirën me dorë miqve të mi më të mirë, të cilët nuk do t’i shihja më kurrë, më kujtohet se mendova: Epo, herën tjetër që të shkoj diku, thjesht nuk do të zë miqësi me njeri; vërtet nuk ka të ardhme kjo punë. Kështu që ndieja se po mbyllesha në vetvete, se po mbyllja porta.

INTERVISTUESI

Nuk zutë miqësi të reja në qytetin tjetër?

CARSON

Zura, por me kalimin e kohës, me pak më shumë kujdes. Të paktën gjysma e mendjes sate mendon gjithmonë: Do të iki; kjo nuk do të zgjasë. Është një qëndrim i mirë budist. Po të isha budiste, kjo do të më ndihmonte shumë. Kështu siç është puna, jam thjesht e trishtuar.

INTERVISTUESI

Po të ishit budiste, do të kishit përparuar mjaft në rrugën drejt ndriçimit.

CARSON

Përkundrazi, i jam shmangur ndriçimit me vendosmëri.

INTERVISTUESI

Dua të flasim pak për Greqinë e lashtë. A filluat ta studionit greqishten në shkollën e mesme?

CARSON

Po. Në klasën e trembëdhjetë.

INTERVISTUESI

A e kuptuat menjëherë se do t’jua ndryshonte jetën?

CARSON

Po, menjëherë. Zonja Cowan filloi të më mësonte greqisht — ishte mësuesja jonë e latinishtes në shkollën e mesme, në Port Hope — por dinte edhe greqisht, ndaj u ofrua të ma mësonte, meqë kishte marrë vesh se më interesonte. Mësimin e bënim gjatë pushimit të drekës.

INTERVISTUESI

Nuk kishte një klasë për greqishten?

CARSON

Jo. Askush nuk kishte interes përveç meje. Lexonim bashkë Safon dhe kjo ishte thjesht revolucionare. Nuk i njoh të gjitha gjuhët e botës — ndoshta, po të dija sanskritisht e kinezisht, do të mendoja ndryshe — por greqishtja ka diçka që duket se depërton më thellë në fjalë se çdo gjuhë moderne. Kështu, kur lexon greqisht, je thellë te rrënjët, aty ku fjalët bëjnë punën e tyre, ndërsa në anglisht jemi në majë të pemës, nëpër degë, duke u hedhur sa andej, sa këtej. Ishte mahnitëse për mua, një zbulesë. Dhe vazhdon të jetë mahnitëse, vazhdon të jetë si një liman që të mirëpret gjithmonë. I çuditshëm, por mikpritës.

INTERVISTUESI

Shumë njerëz thonë se grekët e lashtë janë në të vërtetë bashkëkohësit tanë. A jeni dakord?

CARSON

Nuk më duket se gjërat e lashta kanë ndonjë lidhje të madhe e të drejtpërdrejtë me ato të sotme. Në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë, kur po kryeja studimet dhe jepja mësim, ishte në frymën e kohës të pohohej se puna e një studiuesi të antikitetit ishte të gjente te lashtësia atë që vlente për të tashmen dhe të shpikte kurse që t’i bindnin studentët se, duke studiuar grekët e lashtë, mund të mësoje gjithçka që duhej të dije për jetën moderne. Epo, kjo është e çuditshme, për të mos thënë më shumë. Ajo që të magjeps te grekët është se të shfaqen tek-tuk ngjashmëri, të ngulitura në një tjetërsi të pabesueshme, në këtë peizazh të stërmadh bindjesh të çuditshme për botën dhe reagimesh ndaj jetës që nuk kanë kurrfarë kuptimi.

INTERVISTUESI

Pra, është kjo tjetërsi e dendur, që ti thjesht dëshiron ta njohësh. Nëse ka lidhje me të sotmen apo jo, kjo nuk ka rëndësi.

CARSON

Një gjë që vërtet e kuptoj te grekët është se edhe ata e kuptonin dhe e vlerësonin tjetërsinë. Këtë përfaqëson perëndia Dionis si parim — parimin e përballjes me diçka kaq tjetër, sa të flak jashtë vetes, në një vend ku, megjithatë, je ende brenda vetes; ka një lidhje me veten si me një tjetër. Është ajo që ata e quajnë ekstazë. Grekët e shpikën këtë koncept, por edhe e mishërojnë për ne, çka mund të jetë thjesht qasja jonë utilitariste ndaj tyre. Por kush e di. Ne do t’i vështrojmë gjithmonë grekët duke u përpjekur të kuptojmë se cilët janë ata në raport me atë që jemi ne. Nuk mund të dalim jashtë, të zëmë një pozicion të tretë dhe të gjykojmë si ata, ashtu edhe veten.

INTERVISTUESI

Nga një pozicion i rehatshëm e objektiv?

CARSON

Nuk ka pozicion objektiv.

INTERVISTUESI

Shumica e njerëzve nuk e dinë se, përveçse artiste e fjalës, jeni edhe artiste pamore. Ju krijoni libra — nga një libër të vetëm për çdo person. Më kujtohet se një herë po udhëtonim nëpër viset fshatare të Ontarios, gjithçka ishte e bardhë, dhe në një çast ju treguat me dorë diku në largësi dhe thatë: “Dikur kam jetuar atje.” Më duket se ishte Port Hope? Vështrova jashtë dhe mendova: Atje nuk ka jetuar njeri. Nuk kishte asgjë fare. Pastaj më zgjatët atë libër të bardhë që kishit bërë për vëllanë tuaj, Michael-in, pas vdekjes së tij.

CARSON

Kur shkoj me tren nga këtu për në Toronto, gjithmonë i druhem kalimit nëpër Port Hope, sepse është një vend ku familja ime jetoi gjashtë a shtatë vjet, prindërit e mi rreth pesëmbëdhjetë vjet dhe vëllai im herë pas here, ndaj libri, meqë flet për të, lidhet me atë vend. Por është një vend ku jeta e të gjithëve u shkatërrua. Kjo është shprehje tepër e fortë. Ishte një vend ku të gjithë ne, im vëlla dhe unë, u përballëm me fundin e adoleshencës. Pra, kjo është diçka me peshë.

INTERVISTUESI

Pra, e shkruat librin si një mënyrë për të mbajtur zi për vëllanë tuaj?

CARSON

Po, e shkrova librin sepse, kur vdiq im vëlla, kisha njëzet e dy vjet pa e parë. Ai ishte një enigmë për mua. Vdiq papritur në një vend tjetër dhe ndjeva nevojën t’i mblidhja copëzat e historisë së tij dhe ta shndërroja në diçka që mund të përmblidhej brenda një forme. Pra, është një vajtim në kuptimin e një përpjekjeje për ta përmbledhur brenda një forme një njeri, kur nuk mund ta arrish më.

INTERVISTUESI

Dhe mbështetej në një vajtim të lashtësisë klasike, apo jo?

CARSON

Mbështetet në një poezi të Katulit, poetit romak të shekullit I para erës sonë, të cilit i vdiq i vëllai në Trojë, ndërsa vetë Katuli jetonte në Itali. Katuli udhëtoi për në Trojë, në Azinë e Vogël, e varrosi të vëllanë dhe shkroi një poezi për të, që ka refrenin ave atque vale (mirupafshim e lamtumirë). Në librin tim e shtypa tekstin e poezisë dhe pastaj e zbërtheva. Sapo lexova një artikull ku citohet kjo thënie e T. S. Eliot-it: “Poezia është pikësim.” Pas saj vinte një citim nga Jacques Lacan-i: “Arsyeja pse i drejtohemi poezisë nuk është të gjejmë urtësi, por ta zbërthejmë urtësinë”, që m’u duk fantastik. Kështu, në këtë libër e zbërtheva poezinë e Katulit, nga një fjalë për faqe, dhe vendosa në anën e majtë fjalën latine me përkufizimin e saj leksikor, ndërsa në të djathtën një fragment nga një kujtim i jetës së tim vëllai, që lidhej me anën e majtë të faqes. Kur zëri i fjalorit nuk lidhej me kujtimin, e ndryshoja. Pra, futa kontrabandë edhe ca gjëra që nuk janë krejt autentike. Por kjo i lidh në një tërësi anën e majtë me të djathtën, kështu që e tëra rrëfen historinë e përkthimit të poezisë dhe njëkohësisht zbërthen kujtimin tim për jetën e tim vëllai.

INTERVISTUESI

Keni përdorur edhe fotografi familjare — por kryesisht vetëm sfondet. Përse?

CARSON

Vura re se planet e para të shumicës së fotografive tona familjare dukeshin krejt banale, ndërsa sfondet ishin të llahtarshme, të tmerrshme dhe plot përmbajtje. Kështu, i veçova sfondet duke i prerë, sidomos pjesët ku hijet e njerëzve në plan të parë binin në sfond në mënyra të mistershme. Sfondet janë plot të vërtetë.

Në anën e djathtë përdora edhe copëza teksti nga letrat e Michael-it, copa të vetë letrave, disa nga përgjigjet e sime mëje ndaj letrave të tij, bojë, plastikë, kapëse metalike dhe sende të tjera dekorative. U përpoqa gjithashtu t’i jepja librit, në anën e majtë, një patinë vjetërsie — meqë supozohet të jetë një poezi e vjetër romake — duke i njomur faqet në çaj, çka u dha një nuancë të mistershme në ngjyrë sepia.

INTERVISTUESI

Po mendoja për parapëlqimin tuaj për gjërat e vjetra e të dëmtuara.

CARSON

Kur bëhet fjalë për sipërfaqet, përsosmëria është më pak interesante. Për shembull, një faqe me një poezi është më pak tërheqëse se një faqe me një poezi dhe ca njolla çaji. Sepse njollat e çajit shtojnë pak histori. Është një qasje historike. Në fund të fundit, tekstet e grekëve të lashtë na mbërrijnë si rrënoja, dhe unë e admiroj këtë — shtresat e kohës që ke përpara kur vështron fletë papirusi të prodhuara në shekullin III para erës sonë, pastaj të kopjuara, pastaj të mbështjella rreth një mumjeje për nja dyqind vjet, pastaj të zbuluara e të vendosura në një muze, e të bashkuara copë pas cope nga nëntë zotërinj të ndryshëm, e të rikthyera në muze, e të nxjerra përsëri, e të fotografuara, e të përfshira në një libër. Të gjitha ato shtresa shtojnë gjithnjë e më shumë jetë. Mund të bësh diçka të ngjashme edhe në jetën tënde. Njollat në rroba.

INTERVISTUESI

A ju ndihmoi krijimi i librit ta kuptonit vëllanë tuaj?

CARSON

Jo. Nuk mendoj se pati kurrfarë ndikimi në të kuptuarit tim. Një tjetër dështim i personales, besoj. Në fund arrita në përfundimin se pikëllimi nuk ka të bëjë me të kuptuarit. As vajtimet. Ato kanë të bëjnë vetëm me krijimin e diçkaje të bukur nga kaosi i shëmtuar që të mbetet kur vdes dikush. Dëshiron ta shndërrosh në diçka të mirë. Dhe për mua, ta bësh të mirë do të thotë ta shndërrosh në një objekt që të emocionon dhe është i bukur për t’u parë.

INTERVISTUESI

Është interesante që thatë “objekt”. Sepse poezitë tuaja të japin më shumë ndjesinë e objekteve sesa të poezive. Duken të ndërtuara, si një pikturë.

CARSON

Po, brenda së cilës udhëton. Mendoj se këtë duhet të bëjnë poezitë, dhe mendoj se këtë kanë parasysh të lashtët kur flasin për imitimin. Kur flasin për poezinë, flasin për mimezën si për veprimin që poezia ushtron realisht mbi lexuesin. Disa mendojnë se kjo do të thotë që poeti fotografon një ngjarje dhe në faqe ke një regjistrim të përsosur të saj. Por nuk mendoj se është kështu; mendoj se një poezi, kur funksionon, është një veprim i mendjes i fiksuar në një faqe, dhe lexuesi, kur ndërvepron me të, duhet të hyjë në atë veprim. Mendja e tij e përsërit atë veprim dhe udhëton sërish përmes atij veprimi, por është vetja jote që lëviz përmes një mendimi, përmes një veprimtarie të të menduarit, kështu që, kur arrin në fund, je ndryshe nga ç’ishe në fillim dhe e ndien atë ndryshim.

INTERVISTUESI

Pra, është një veprim si për shkrimtarin, ashtu edhe për lexuesin.

CARSON

Po, pikërisht, dhe ata e ndajnë atë në mënyrë artificiale. Shkrimtari e ka kryer shumë kohë më parë, por ti prapëseprapë, kur je brenda tij, ndien se po lëviz me mendjen e dikujt tjetër përmes një veprimi.

INTERVISTUESI

A ju kujtohet kur e ndiet për herë të parë nevojën për ta kryer atë veprim — kur filluat të shkruanit?

CARSON

Më kujtohet një ditë në klasën e dytë, kur duhej të vizatonim një oborr ferme dhe mësuesja na tha se mund të shkruanim edhe një histori mbi vizatim, po të donim, për të shpjeguar oborrin tonë. Ai ishte vërtet një çast kthese. Të bashkoje historinë me vizatimin. Libri im i parë me poezi, “Biseda të shkurtra”, fillimisht ishte një varg vizatimesh vetëm me tituj. Pastaj i zgjerova pak titujt dhe më pas, dalëngadalë, kuptova se askujt nuk i interesonin vizatimet, kështu që thjesht i shkëputa titujt, dhe ata u bënë kokrriza të një ligjërate.

INTERVISTUESI

Pra, poezia për troftën fillimisht kishte edhe vizatime troftash?

CARSON

Poezia për troftën ka një vizatim të një peshkatari. Dorëshkrimin e kam në shtëpi, me të gjitha vizatimet. Vizatimet e mia nuk i kanë pëlqyer kurrë askujt. Nuk mendoj se isha aq e zonja. Ndoshta mund të isha bërë e zonja po të vizatoja aq sa shkruaja, por është më e frikshme të vizatosh. Të zbulon më shumë. Në vizatim nuk mund të maskohesh.

INTERVISTUESI

Gjithmonë kam menduar se, meqë shkrimi ishte veprimtaria juaj kryesore, vizatimin e kishit si një lloj çlodhjeje.

CARSON

Jo, nuk e bëj për këtë.

INTERVISTUESI

Shkrimi është çlodhje për ju?

CARSON

E dini, mund të renditja gjërat që kam vënë re, por nuk është kjo arsyeja pse i bashkova; ky do të ishte një shpjegim i mëvonshëm. I bashkova rastësisht. Dhe kjo është në rregull, më pëlqen t’i bëj gjërat rastësisht. Por ajo që më intereson është kjo: pasi të ketë ndodhur rastësia, pasi të më ketë qëlluar t’i kem Simonidin dhe Paul Celan-in bashkë mbi tryezë, çfarë bëj me lidhjen mes tyre? Ajo që bëj me të varet nga të gjitha mendimet që kam pasur gjatë jetës deri në atë çast dhe nga ajo që jam në atë çast. Mund të jenë Simonidi dhe selinoja, nuk ka rëndësi; ka rëndësi vetëm për aq sa unë do të krijoj prej kësaj një vepër arti. Nga njëra anë duket krejt arbitrare dhe, nga ana tjetër, krejt karakteristike për atë që jam si mendimtare.

INTERVISTUESI

Pra, njiheni mirë me njërën vepër e pastaj me tjetrën, derisa nisin të shfaqen këto lidhje, fillimisht të paformësuara?

CARSON

Po, pikërisht. Kam ndjesinë se po ndjek diçka, si një qen gjahu me hundën përdhe, por duke kërkuar jo thjesht një gjurmë ere, por një gjurmë formash. I përfytyroj idetë si diçka që ka formë dhe, kur ndiej se dy tekste apo dy shkrimtarë të ndryshëm kanë brenda tyre të njëjtat forma, e di se mund t’i bashkoj.

INTERVISTUESI

Pasi i keni krijuar ato lidhje, si vendosni nëse diçka do të jetë poezi apo prozë?

CARSON

Kjo është e pamundur të thuhet. Nuk do ta quaja vendim — është më tepër si ta gjesh rrugën me nuhatje.

INTERVISTUESI

“Autobiografia e së kuqes” në fillim mbante erë proze?

CARSON

Në fillim, një pjesë të saj e shtypa si prozë, por tingëllonte thjesht si një budallallëk — krejt e ngatërruar në vetvete. Më duket se ia dërgova Ben Sonnenberg-ut — atëherë ai drejtonte “Grand Street” — dhe më tha se duhej ta hidhja tutje.

INTERVISTUESI

Në librat tuaj, zëri që flet është nganjëherë ai i një burri ose i një djali homoseksual. Si te “Autobiografia e së kuqes”, ku Gerioni bie në dashuri me Herakliun. A mund të flisni pak për jetën tuaj si burrë homoseksual?

CARSON

Ka qenë një karrierë me ca ulje-ngritje. Nuk pata kurrë sukses të plotë. Mendoj se nisi në shkollën e mesme, kur u magjepsa nga Oscar Wilde-i. Disa nga miqtë e mi e ndanin këtë magjepsje, ndaj visheshim si Oscar Wilde-i, mësonim përmendsh aforizmat e tij dhe sajonim biseda në mensë, sikur të ishim Oscar Wilde-i dhe miqtë e tij.

Nuk e mbaj mend saktësisht pse u fiksova pas Oscar Wilde-it, por ndieja vërtet se kjo më edukonte ndjeshmërinë estetike dhe më jepte edhe një lloj ironie ndaj vetes, që më vlejti më vonë në jetë — një zhguall të qëndrueshëm ironie, që mendoj se shumë burra homoseksualë e krijojnë për të përballuar jetën shoqërore e personale dhe që më ka vlejtur edhe mua.

INTERVISTUESI

Është edhe zëri rrëfimtar tek “Antropo-logjia e ujit”, në “Ujë i thjeshtë”.

CARSON

Ah, ju mendoni se është burrë?

INTERVISTUESI

Diku në tekst e paraqitni veten si burrë.

CARSON

Ja edhe një gjë tjetër që lidhet me të qenët burrë homoseksual. Merr për model Oscar Wilde-in dhe pastaj vetëm gënjen gjithë kohën.

INTERVISTUESI

“Antropologjia e ujit” rrëfen një pele-grinazh në Santiago de Compostela. Ju e keni bërë vërtet atë pelegrinazh, apo jo?

CARSON

E përshkova vërtet Spanjën më këmbë. Është një rrugë prej 380 miljesh dhe duhen gjashtë javë për ta përshkuar. Kisha mbathur një palë atlete vrapimi Saucony dhjetëvjeçare — atletet më të mira të vrapimit në botë. Shkova me mikun tim, të cilin në libër e quajta El Cid.

INTERVISTUESI

A e dinit se donit ta shndërronit këtë përvojë në libër?

CARSON

Gjatë gjithë rrugës, mbrëmjeve, shkruaja në fletore të vogla. Që nga fillimi, për të njëjtat tema — vetë ecjen, konceptin e pendesës dhe marrëdhënien time me burrin që më shoqëronte. Ai përfaqëson llojin e burrave që shfaqen në jetën time.

INTERVISTUESI

Si burrat e sigurt në vetvete dhe të patundur në mendimet e tyre, që hasen në shumë prej shkrimeve tuaja?

CARSON

Po, burri me unin e fshehtë. Unin e paarritshëm.

INTERVISTUESI

Kur po lexoja “Antropologjinë e ujit”, mendova se fliste për ju — për udhëtimin tuaj me El Cid-in në Compostela — të paktën deri në çastin kur papritur thoni diçka që lë të kuptohet se jeni një djalë i ri.

CARSON

E kuptoj. Po, mund të jetë e vërtetë. Ka ca kohë që nuk e kam lexuar. Jam e sigurt se është e vërtetë. Besoj se nuk jam ndier kurrë plotësisht femër, por ndoshta këtë ndjesi e kanë edhe shumë njerëz të tjerë. Por mendoj se në periudha të ndryshme të jetës sime e kam vendosur veten në pika të ndryshme të spektrit gjinor dhe, për shumë vjet, nga mosha tridhjetë deri në dyzet vjeç, periudhë kur e bëra edhe atë pelegrinazh, nuk kisha asnjë lidhje me gjininë femërore. Nuk do të thosha se ndihesha tamam si burrë, por, kur flet për veten, ke vetëm këto dy mundësi. Nuk ka një fjalë për gjininë “pezull”, në të cilën të gjithë do të donim të preheshim. Gjinia asnjanëse përmendet në poezinë për të qenët e padurueshme, por as kjo nuk e shpreh tamam, sepse nuk ndihesh asnjanës, thjesht ndihesh i gabuar. I gabuar në raport me gjininë së cilës supozohet se i përket, i gabuar në raport me tjetrën, e atëherë çfarë je?

Historikisht, fjalën “burrë” e përdorim për njerëzit e çdo gjinie, sepse burrat fitojnë. Ndaj të hyn në punë ta bësh këtë kur të vënë me shpatulla pas murit.

INTERVISTUESI

Kur erdhët për herë të parë në Montreal, nuk kishit shumë interes për feminizmin. Por pastaj u bashkuat me një grup grash që mblidheshin dhe lexonin. Çfarë ndryshoi?

CARSON

E paskam bërë këtë? Qenkam treguar trime.

INTERVISTUESI

Në fillim ishit skeptike, madje armiqësore, sepse gratë e tjera ishin mjaft feministe. Por pastaj ndodhi diçka dhe, më pas, mora vesh se po shkruanit për gratë dhe ndyrësinë.

CARSON

Ah, po. Po, e vërtetë, gjërat ndoqën njëfarë rrjedhe. Epo, të shohim, si më duket kjo tani? Mendoj se për një kohë të gjatë isha thjesht solipsiste. Nuk është tamam se nuk isha feministe apo se nuk e kuptoja feminizmin — nuk e kuptoja as maskulinizmin — por thjesht nuk kuptoja ç’do të thoshte të ishe njeri. Është një problem i adoleshencës së zgjatur: nuk di si të jesh vetvetja duke qenë pjesë e një kategorie, kështu që të duhet të jesh vetvetja si një individ krejt i çuditshëm dhe të zmbrapsësh çdo përpjekje të të tjerëve për të të përkufizuar. Mendoj se shumica e njerëzve e kalojnë këtë fazë deri në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, por tek unë zgjati deri rreth moshës dyzetvjeçare. Deri vonë, nuk kisha miq pranë të cilëve të ndihesha e çlirët dhe të isha aq e çuditshme sa të doja. Tani kam — njerëz që nuk e ndërpresin marrëdhënien me mua ngaqë jam e çuditshme. Dhe përvoja ime me burrat është kjo: po nuk u pëlqeve, ata largohen.

INTERVISTUESI

A kishit këtë parasysh kur më thatë se e shihni veten si të ligë?

CARSON

Kjo mund të jetë një mënyrë tjetër, më melodramatike, për ta përshkruar. E liga dhe e mira janë terma që i përdor herë pas here, kur përpiqem ta shkund veten që të mendoj më mirë.

INTERVISTUESI

Te “Autobiografia e së kuqes” krijohet ndjesia se Gerioni është i lig, një përbindësh. Kjo është mënyra si ai e ndien veten, nuk i vjen nga askush tjetër. E njëjta gjë duket se vlen edhe për mënyrën si e konceptoni ju veten. Pyes veten nga vjen kjo. Natyrisht, një pjesë e përgjigjes shqyrtohet te “Ndyrësia dhe dëshira”. Është kjo ide se gratë janë—

CARSON

Të ndotura.

INTERVISTUESI

Të ndotura, të papërmbajtshme, rrjedhin mbi gjithçka, kanë vrima, duhet t’i mbash gjithmonë të mbyllura, përndryshe do të vërshojnë.

CARSON

Do të rrjedhin gjithandej.

INTERVISTUESI

Kjo është përgjigjja historike, por a ka edhe një përgjigje personale?

CARSON

Nuk e di. Historia e Gerionit më tërhoqi për shkak të natyrës së tij prej përbindëshi, ndonëse është disi klishe të thuash se të gjithë e mendojmë veten si përbindësha. Por kjo vërtet ka të bëjë me gjininë, edhe pse nuk e di se çfarë ka në përvojën e të rriturit si femër që të bën të mendosh: përbindësh.

INTERVISTUESI

A mund të flasim për Fragmentin 31 të Safos? Tek “Erosi i hidhur e i ëmbël” e përdorni për të ilustruar mungesën që e karakterizon Erosin. Pastaj, kur i riktheheni te “Çkrijimi”, kemi një lexim thuajse krejt të ri të poezisë, në terma shpirtërorë.

CARSON

Ah, kjo të huton. Të shohim. Dallimi mes dy leximeve buron nga lënia mënjanë ose marrja parasysh e vargut të fundit të poezisë në dorëshkrimin që kemi. Është një gjysmëvarg krejt enigmatik, që ka të bëjë me guximin dhe varfërinë, dhe kur vendosa të përpiqesha t’i gjeja kuptim te “Çkrijimi”, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë ishte në terma shpirtërorë. Deri në atë pikë, poezia merret me një trekëndësh erotik, por pastaj, në këtë gjysmëvarg, kalon në një vend të ri, të cilin zgjodha ta kuptoja si një vend përballë Zotit. Nuk e di se ku shkon realiteti shpirtëror për Safon — poezia nuk vazhdon pas atij gjysmëvargu — por te “Çkrijimi” po përpiqesha ta interpretoja si një hapësirë varfërie, në kuptimin mistik të asgjësimit të unit.

       INTERVISTUESI

Në poezi, a lind ekstaza nga asgjësimi i unit?

CARSON

Po. Në poezi, Safoja nuk e përdor fjalën ekstazë, por flet për veten teksa qëndron jashtë vetes dhe vëzhgon gjendjen e vet — çka përbën ekstazë, por përbën edhe atë që shumë mistikë përpiqen të arrijnë duke asgjësuar unin e tyre, që të mund të jenë enë të zbrazëta për Zotin. Nuk mendoj se Safoja e ka këtë ide si të tillë — do të ishte anakronizëm t’ia atribuonim — por besoj se përshkrimet që ajo u bën perëndive dhe marrëdhënies sonë me to kanë një përmbajtje të thellë shpirtërore (jo thjesht zbukuruese), që duhet marrë parasysh kur lexohet poezia e saj. Është një aspekt i asaj tjetërsie të grekëve për të cilën folëm më parë. Ata ishin njerëz thellësisht fetarë, kishin qindra perëndi, idetë fetare ua mbushnin jetën.

INTERVISTUESI

Te “Çkrijimi” është edhe ideja e llomotitjes në zbrazëti, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të folur me Zotin, ose për të shpresuar se do të arrish tek ai. Të rrish aty e thjesht të vjellësh fjalë.

CARSON

Jo, nuk do të thosha të vjellësh fjalë apo të llomotitësh. Në poezinë e Safos, thirrjet që ajo u drejton perëndive janë krijime poetike të rregullta, të përsosura, por mënyra — dhe këtu qëndron magjia e fragmenteve — mënyra se si ndërpritet ajo poezi të çon drejt një mendimi që nuk mund të rroket kurrë. Aty është hapësira ku do të ndodhej një mendim, të cilin nuk e kap dot. E dua atë hapësirë. Është arsyeja pse më pëlqen të merrem me fragmente. Sepse, cilido qoftë mendimi që do të dilte po të shtjellohej plotësisht, nuk do të ishte aq i mirë sa sugjerimi i një mendimi që të jep ajo hapësirë. Asgjë e shtjelluar plotësisht nuk mund të ishte kaq mbërthyese, kaq drithëruese.

INTERVISTUESI

Te “Çkrijimi”, personazhet Safo, Marguerite Porete dhe Simone Weil i përshkruani si shkrimtare, vepra e të cilave është një akt shprehjeje të unit, vetëreklamimi, por vëreni gjithashtu se të tria përpiqen t’i ikin unit. Kjo është një nyje që shfaqet edhe tek “Ekonomia e së pahumburës”. Diku thoni: “Uni zë tepër vend në shkrimet e mia.” A është larmia e punës suaj — poezia, esetë, opera, puna akademike, mësimdhënia — një mënyrë për të hapur me forcë dritare në muret e unit?

CARSON

Jo. Do të thosha se është më tepër një mënyrë për të mos pasur një un, duke kaluar nga një përkufizim i tij te tjetri. Për të mos mbetur e ngujuar në një identitet të vetëm, duke bërë shumë gjëra të ndryshme.

INTERVISTUESI

Ju bashkëpunoni shpesh me artistë të tjerë…

CARSON

“Çkrijimi” është realizuar në shumë versione të ndryshme — si instalacion, si performancë dhe si mjet pedagogjik — në Nju-Jork, Miçigan, San Francisko, Potsdam, Montreal, Angli dhe sërish në Miçigan.

INTERVISTUESI

Keni krijuar edhe libra me njerëz të tjerë.

CARSON

Një me artisten kaliforniane Kim Anno, që përmban një pjesë të libretit të “Çkrijimit”. Dhe gjithashtu, më së fundi, artistja njujorkeze Roni Horn më kërkoi të bashkëpunoja për një libër me tre persona të tjerë — Louise Bourgeois, Hélène Cixous dhe John Waters.

INTERVISTUESI

Si funksionojnë për ju këto bashkëpunime?

CARSON

Për mua funksionojnë për aq sa mund të qëndroj jashtë qendrës së veprës, cilado qoftë ajo. Pra, të mos jem unë ajo që e organizon apo e drejton, as pikëmbështetja e saj.

INTERVISTUESI

A ju lejon kjo ta shihni veprën ndryshe?

CARSON

Më lejon të mos jem në ankth, gjë që i hap rrugë shpikjes. Është një vend më i lirshëm se qendra.

INTERVISTUESI

Sikur t’ju duhet të ndesheni papritur me veprën tuaj?

CARSON

Pikërisht. Më duhet të futem kontrabandë në të.

INTERVISTUESI

Para nja dy vjetësh vutë në skenë “Çkrijimin” me studentë universiteti. Pse zgjodhët të punonit me njerëz krejt amatorë?

CARSON

Është dehëse t’i njohësh njerëzit me gjëra krejt të huaja për ta. Besoj se nuk do të isha marrë me mësimdhënie po të mos më pëlqente kjo në përgjithësi.

INTERVISTUESI

Çfarë ndikimi ka mësimdhënia në krijimtarinë tuaj?

CARSON

I jep jetës sime një strukturë dhe më ofron njerëz me të cilët të flas, duke më ndihmuar kështu të ruaj ekuilibrin mendor.

INTERVISTUESI

Tek “Ekonomia e së pahumburës” sugjeroni se puna akademike, në formën e saj më të mirë, është e çliruar nga uni. Por pastaj tërhiqeni nga ky qëndrim dhe pranoni se puna juaj më e mirë akademike priret të lindë nga dhoma e mbyllur estetike e unit.

CARSON

Më kanë mësuar se parashtrimi objektiv i çështjeve akademike është forma ideale që duhet të marrë puna studimore, por, kur u mora vetë me kërkim shkencor, nuk e pata kurrë të mundur një gjë të tillë. Nuk mund të mendoja kurrë pa menduar për veten teksa mendoja. Dhe nuk jam e sigurt nëse kjo është pasojë e të qenit unë apo e të qenit njeri, ndaj vendosa të supozoj se është kjo e dyta. Kështu, puna ime studimore, sido që të jetë, është thellësisht subjektive. Por, meqë jam e vetëdijshme se ky është një problem, përpiqem vazhdimisht të kapërcej hendekun mes atij uni subjektiv dhe lexuesit. Ndonëse është një vizion vetjak, herë pas here e përfshin edhe lexuesin në atë vizion.

INTERVISTUESI

A është katolicizmi për ju një mënyrë për të dalë jashtë vetes?

CARSON

Jo, krejt e kundërta. Nuk besoj se jam ndonjëherë aq e dorëzuar para vetes sa kur jam në kishë, duke u përpjekur të kuptoj pse jam në kishë. Rri ulur aty duke menduar për time më dhe për të gjitha herët kur kemi ndenjur bashkë në kishë. I vetmi kujtim i mirë që kam nga kisha është kur mbështetesha te palltoja e saj prej gëzofi artificial gjatë meshës. Më kujtohet era e asaj palltoje, sa ngushëllim më jepte në një ditë të ftohtë dimri. Por jo, nuk është aspak një mënyrë për të dalë jashtë vetes.

INTERVISTUESI

A e shihni veten si veçanërisht të devotshme?

CARSON

Jo. E shoh veten si veçanërisht të hutuar — nga njëra anë, nga gjithë çështja e Zotit dhe e marrëdhënies së njerëzve me Zotin, por, nga ana tjetër, ndoshta për shkak të hapësirave të shumta të zbrazëta në jetën time, jam e hapur të shqyrtoj se çfarë kuptimi mund të ketë kjo. Nuk shkoj në kishë duke pritur të gjej përmbushje apo ndriçim. Shkoj thjesht sepse kam shkuar, dhe shkonte ime më e shkonte edhe e ëma e saj. Aty zhvillohet një lloj të menduari që nuk zhvillohet askund tjetër. Sado pak tërheqëse të jetë shërbesa — dhe sot mesha, në përkthimin e saj modern, nuk është fort tërheqëse — sado i pamend të jetë predikimi, aty ka një hapësirë ku nuk ndodh asgjë tjetër, kështu që mund të mendosh për Zotin apo për çështjen e Zotit. Por asgjë nuk ndryshon, nuk fitoj ndonjë urtësi në këtë drejtim, nuk bëhem më e mirë nga ana etike apo më interesante. Jam thjesht po ajo.

INTERVISTUESI

Pra, në të vërtetë, kjo nuk ka ndonjë anë doktrinare.

CARSON

Nuk do të thosha se ana doktrinare e katolicizmit, për shembull, ka shumë kuptim për mua, qoftë në hollësitë, qoftë në historinë e saj. Ndaj jo, nuk e shoh mendimin katolik si udhërrëfyes për mënyrën se si ta jetoj jetën. Besoj se të merresh me çështjen e perëndive është një aspekt i të qenit njeri. Por është një rastësi historike që ime më më rriti si katolike dhe që atë e rriti po kështu e ëma. Kjo traditë që na mbart është thjesht një enë e rastësishme. Mund të kisha qenë myslimane e të isha po aq e hutuar, jam e sigurt.

INTERVISTUESI

A mendoni se keni një marrëdhënie me Zotin?

CARSON

Jo. Por kjo nuk është keq. Mendoj se këto vitet e fundit, qëkur kam nisur të punoj për “Çkrijimin” dhe të lexoj shumë mistikë, sidomos Simone Weil-in, kam arritur të kuptoj se më e mira që mund të shpresojë një njeri është të ketë një marrëdhënie me atë zbrazëti ku do të ishte Zoti, po të ishte i arritshëm, por Zoti nuk është. Pra, një fakt i trishtueshëm, por mësohu me të, sepse asgjë tjetër nuk ka për të ndodhur.

INTERVISTUESI

Nuk është i arritshëm sepse zgjedh të tërhiqet, apo nuk është i arritshëm sepse nuk ekziston?

CARSON

As njëra, as tjetra. Nuk është i arritshëm sepse nuk është një qenie e atij lloji që mund të hyjë brenda caqeve të asaj që ne mund të arrijmë. “I panjohshëm”, siç do të thoshin mistikët. Dhe njohja është ajo që besimtari dëshiron të marrë nga Zoti — ndjesia se është pjesë e një shkëmbimi njohjeje, se njeh dhe njihet. Është ajo që çdokush kërkon nga çdo marrëdhënie dashurie, dhe marrëdhënia me Zotin supozohet të jetë një marrëdhënie dashurie. Por nuk mendoj se mes njerëzve dhe perëndive do të lindë ndonjëherë ndonjë lloj njohjeje.

INTERVISTUESI

A e pengon këtë vetë natyra e gjërave?

CARSON

Dallimi mes dy rendeve të qenies. Po të ishte Zoti i njohshëm, pse do të besonim tek ai?

INTERVISTUESI

Pra, ai është si grekët e lashtë, “tjetri i panjohshëm”, prania e të cilit të magjeps dhe në njëfarë mënyre të ndriçon, por që nuk mund ta kuptosh vërtet?

CARSON

Po. Jo një mjet që e kemi në dispozicion për ato që na duhen apo që bëjmë. Çka nuk është e njëjta gjë si të thuash “nuk ekziston”.

INTERVISTUESI

E di që herë pas here keni punuar mbi sublimen. A ndërthuren aty Antonioni dhe aktorja Monica Vitti?

CARSON

Në disa pjesë po. Por mendoj se kam hequr dorë nga sublimja. Para ca kohësh vendosa të përpiqesha ta kuptoja. Për ndonjë arsye, ndieja se Monica Vitti e mishëronte sublimen, sidomos te “Shkretëtira e kuqe”. Kështu, e studiova “Shkretëtirën e kuqe”, shkrova ca gjëra për të dhe, hap pas hapi, hyra në teorinë e sublimes. Versionet e njerëzve të ndryshëm — të Edmund Burke-ut, të Kantit, të vetë Antonionit. Por është një temë tepër e madhe për mua, ndaj për ca kohë u enda nëpër të duke shkruar dhe pastaj dola jashtë saj për të parë nëse kishte aty ndonjë fill që mund ta shtjelloja e ta kapja, por ajo më ka mposhtur.

INTERVISTUESI

Kam parasysh sidomos atë poezi ku Antonioni shkon në çmendinë.

CARSON

Po, një histori e vërtetë. Shkoi të xhironte në një çmendinë. Ishte përpjekja e tij e parë për të bërë një film. I vuri pacientët të luanin për të.

INTERVISTUESI

A u tha pacientëve çfarë duhej të bënin?

CARSON

Nuk arriti deri aty. Shkoi në dhomën ku i kishin sjellë pacientët. I vendosi sipas njëfarë renditjeje dhe ndezi dritat që duheshin për xhirimin, dhe pacientët u çmendën. Nga dritat, ose të paktën kështu hamendësuan mjekët që ndodheshin aty.

INTERVISTUESI

Ju hamendësoni se pacientët nisin të rrokullisen nëpër dysheme si një dredhi, sepse zbulojnë se mund të puthen me njëri-tjetrin nën maskën e çmendurisë.

CARSON

Është një dredhi e ndërlikuar. Mendoj se kanë një dredhi të përbashkët që e përdorin si grup në çdo situatë që paralajmëron rrezik ose diçka të re. Kështu, hidhen në dysheme dhe nisin të rrokullisen, dhe pastaj disa prej tyre, që qëllon të kenë ndjenja për njëri-tjetrin, e shfrytëzojnë edhe si rast për t’u puthur. Kjo është disi anësore. Nuk është arsyeja kryesore e rrokullisjes. Në përshkrimet konvencionale të sublimes, si ai i Kantit, zakonisht ka një shkas që vjen nga bota e dukurive, një stuhi me bubullima apo një shkëmb i thepisur apo një natë e paanë me yje — marramendja e së pafundmes — përpara të cilit uni zmbrapset i llahtarisur apo i tmerruar. Tmerr që pasohet nga rifitimi i ndjenjës së zotërimit, nga një ndjesi lartësimi: Pa shihni këtë tmerr të pabesueshëm dhe si ngrihem mbi të me mendjen time njerëzore të mahnitshme!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË