Ishte si shenjë nga lart: kur e fotografova për herë të parë, e kapa nga një kënd perfekt. Drita e diellit i derdhej mbi flokët si vegim rrezëllitës, fytyra e kthyer kah ne, me sy të mëdhenj të ngulitur fiks në objektiv të fotoaparatit, sikur e dinte saktë se ç’po ndodhte. Sikur na kish pikasur. Po të them, a: si shenjë nga lart. Ishte mot i ngrohtë me diell, një prej atyre ditëve kur vera shtrëngohet fort pas Tiranës, sikur s’do t’i shqitet kurrë. Brohoritjet nga rruga ishin shurdhuese. Rama n’burg, Berisha n’burg. Protestuesit ishin mbledhur me orë në sheshin Skënderbej, mandej kishin marshuar kah jugu duke bllokuar qëllimshëm rrugën Dëshmorët e Kombit, e ishin dyndur me qindra para pallatit të kryeministrisë. Ajo shquhej në rresht të parë, si ikonë. Si engjëll. Sa vjeç mund t’i ketë patur? Tetëmbëdhjetë? Nëntëmbëdhjetë? S’e di, për besë, as sot e kësaj dite. Por mosha s’ia fashiste dritën.
Urdhërat ishin të qartë. Ligji për tubimet, neni 21 pika 3, na jep të drejtë që të monitorojmë dhe të dokumentojmë hapësirën publike me mjete audiovizuale për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Edi, komandanti i masave, ishte i prerë. Ju të sektorit të hetimeve, të kapni pikat e caktuara rreth kryeministrisë, e të dokumentoni secilin që prish rendin. E dija se ç’na kërkohej. Për shefin, të gjithë protestuesit që kishin ndërprerë trafikun në rrugën Dëshmorët e Kombit ishin automatikisht në prishje të rendit. Ndaj dokumentoja të gjithë që tuboheshin poshtë kryeministrisë. Të gjithë, pa dallim. Burra. Gra. Pleq. Fëmijë. Kush merr fëmijë në protesta, pash Zotin? Fanatikë, të krisur. Por ajo, ajo shkëlqente. Dua të them, diçka brenda meje u këput sa e pashë. Ndoshta ishte qeshja e saj, ngazëllimi që përçonte te shoqet e veta. S’kisha parë kurrë ngazëllim të tillë. Ato e adhuronin, vërehej kjo. Fotografitë e shfaqin të gjitha në shkëmbim të qeshur me dikë në rresht të parë.
Punonim nga pika të larta, me operatorët e dronëve nga antiterrori, e lëndën tonë ua nisnim përditë atyre të policisë gjyqësore. Ata të ngratët e bënin këqyrjen dhe analizën, punë e lodhshme që po vazhdonte tash sa javë në tri turne, ditë e natë, në zyra pa dritë. Mirëpo, ata e kishin në dorë edhe të përpilonin dosjet, e t’i nisnin në prokurori. Dufin e nxirrnin duke fryrë lëndët. Kishe brohoritur para kryeministrisë? Quhej thirrje për dhunë! Grushtat lart? Sulm në tentativë! E vaj halli po gjuajte diçka në oborr të kryeministrisë. Prishje e pronës publike, me kërkesë astronomike për zhdëmtim. Sidomos mjekroshët, e gratë e mbuluara, ishin në shënjestër. Revolucion flamingo, kështu emërtoheshin protestat nga gazetarë leshko, pse kishin nisur si protestë gjoja ambientale; jo po do të mbrojmë ca si lejlekë diku në skaj të botës. Lejlekë kari. Urdhëri ynë ishte që të dëshmonim se protestat po frymëzoheshin nga aktorë të jashtëm. Antifa. Islamistë. E ajo dhe shoqet e saj, na e shkërdhenin narrativin.
Mjekroshët, e ato bushtrat e mbuluara, ishin gola të lehtë. Penallti. Veçse s’ishin aq të numërt, aty problemi. Të rinjtë e maskuar ishin pak edhe ata, teoria Antifa nuk mbante dot. Shefi po pëlciste. Kishim javë që po punonim me orar të shtuar, ishim me nerva të gjithë, të lodhur nga turnet e gjata, të irrituar nga idiotët që ulërinin atje poshtë. Rama n’burg, Berisha n’burg. Ça karin?! S’arrij dot t’i kuptoj as sot. Ç’u thonte mendja, athua. Më acaronin më fort edhe ca bablokë naivë, të cilët po u bashkoheshin gjithnjë e më shumë radikaleve në shesh, asaj dhe shoqeve të saj. Pensionistë. Burrë e grua, dorë për dore, sikur po dilnin në park. Bah. Njerëz familjarë me kalamaj. E si t’i bësh kalamajtë islamistë e Antifa? Fëmijë në protesta, imagjino! Kush merr fëmijë në protesta! Ndërsa ne, po binim copë për të ruajtur rendin.
E ajo, ajo bënte gjithçka për t’i mbajtur kalamajtë në shesh. Shkrihej për ta. Endej si flutur, nga një stacion në tjetrin, këtu duke vizatuar me ta, aty duke u kënduar, drugëz e hareshme drite që endte një si pëlhurë të padukshme të mirëqenies e të rehatisë në rreshtat e tyre të parë. S’di si ta shpjegoj efektin e saj. S’e gjen dot asnjë figurë të mrrolur në fotot ku ndodhet ajo. Duken të gjithë si në piknik. Sa largoheshin ajo dhe shoqet e saj, për arsye të ndryshme, gjindja ktheheshin gradualisht në natyrën e vet të vërtetë. Brohoritjet bëheshin ulërima. Grushtat gjuanin gurë. Nisnin grabitjet. Super a, perfekt për ne. Dosjet mbusheshin me islamistë e Antifa. Sheshi me lotsjellës. Më jep o vëlla ulërimë, më jep gurë, grabitje e molotovë, më jep dhunë. S’na thonë kot policë: ne ato dimë t’i menaxhojmë.
Por ajo kthehej prapë, prej kush e di se ku, bashkë me shoqet e veta. Bah. E gjakrat qetësoheshin. Ulërimët bëheshin prapë brohoritje, grabitjet reshtnin. Grushtat lëshonin gurët. E ruaj një foto të saj, të shkrepur në rrëmujën e atyre ditëve, ku ajo e qetëson buzagaz një djalë të vogël të përlotur në mes të katrahurës. S’di si më duket. Është si metaforë e saj, e Tiranës së atyre ditëve. Shefi shante e pështynte sa e pikaste në distancë. E kuptoja. Vërtet që na ishin premtuar 2.500 euro shtesë për këtë detyrë, por hej, ka një kufi gjithçka. Kemi edhe ne familje, kalamaj. Sa kohë që ajo vajzë dhe shoqet e saj të qëndronin në shesh, plani ynë operativ do të ngelte i tillë. Thjesht plan.
Diçka duhej bërë. Ta them të drejtën, me shefin s’pata nevojë të flas. Ai na e kish dhënë detyrën një herë. Ne do të dëshmonim se protestat po frymëzoheshin nga aktorë të jashtëm. Antifa. Islamistë. Pra ajo me shoqet, që po na e shkërdhenin narrativin me themel, duheshin neutralizuar. Logjike. Ç’ka të paqartë këtu?
E ke parasysh, kisha punuar tash sa javë në tri turne. Ditë e natë. Në kushte rraskapitëse. Ishim me nerva të gjithë, të lodhur nga turnet e gjata, të irrituar nga idiotët që ulërinin atje poshtë. Rama n’burg, Berisha n’burg. Ça karin?! Dakord që qeveri e opozitë ishin Ali Babë me dyzet hajdutë, pse të rrejmë, po kështu u ndërruaka një qeveri?! Prapë me rrëmujë në rrugë e sheshe, si në kohë të kobures?
Këtë do të kisha dashur t’ia thoja edhe asaj, engjëllit llastar që shkonte e vinte gjithë dritë, sa andej, sa këtej, në radhët e para të protestit. Hej ti, esmere, a qenke kundra hajdutëve? A dashke shtet ligjor? Po bëja moj gocë si në shtet ligjor, prit afatin e zgjedhjeve, e voto! Ja shiko në Amerikë, fituan në zgjedhje mbi presidentin Trump – e kush është ai, hej! Pse s’e bën ti? Këtë do të kisha dashur vërtet t’ia them. Hej ti, engjëll i hutuar, që sa paske shkelë në tokë. Si është vendi bëhet kuvendi. Ky vend s’është parajsa jote. Këtu s’bëhet si mendon ti.
Kur nisa të diskutoj me kolegët, e pashë menjëherë që s’isha i vetmi me këtë mendje. Me pak fjalë, s’e pata hiç zor që të gjeja kolegë të cilët ndanin të njëjtin frustrim. Shumë prej nesh kishim familje, kalamaj; sa më gjatë që të zgjaste kjo status quo, aq më shumë rrezik që edhe kalamajtë tanë të fotografoheshin në shesh. E pastaj, e di ti vetë. Puthi në ballë 2.500 evrot. Thuaj falë me shëndet karrierës. E atëhere, si do të mbaheshim me bukë? Se këta 40 hajdutët e Ali Babës, s’është se ta falin.
Dikur u mblodhëm në një restorant të vogël, për të diskutuar një herë shtruar planin tonë, planin tonë të vogël pra brenda planit të madh të shtetit. Që nga ai moment, për ne s’kish më kthim prapa. Vetë ai takim dhe diskutim ishin inkriminues, në fakt. Po të mos vepronim shpejt e shpejt, dikush do të fliste herdokur. E pastaj, e di ti vetë. Kështu që unë votova Pro. Të gjithë votuam Pro. Pse, kush do të votonte Kundër në atë mes?
Unë e mora përsipër vetë që të mirresha me atë, engjëllin e hutuar, esmeren llastare që kishte pikuar gabim në kohë e hapësirë. E rregulloj unë atë, thashë. Kolegët i ulën sytë. E kishin një dyshim se ç’do të bëja. E dinin që m’ishte bërë fiksacion, tash sa kohë. Kur u ndamë, secili në punë të vet, por marrëveshja ishte që ato gocat s’do të dilnin më në shesh. Pa shpjegime, pa hollësi inkriminuese që do të mund t’ia venin dikujt lakun në fyt. Pse të komplikosh pa nevojë. Vetëm kaq: ato s’do të dilnin më në shesh.
Më kujtohet si sot çasti kur më hasi, aty te qoshku i rrugës. Aty s’kish as ndriçim, as dëshmitarë. Banonte një një lagje të rënë, aspak të denjë për të: engjëll i degdisur nga një Zot mizor e i pashpirt. S’u përgjigj kur i bëra zë. Vajzat e mbara s’u përgjigjen burrave të panjohur; ose do të ketë patur mbase një parandjenjë, ku ta dish. Por ky s’është një nga ato tregimet amerikane, me happy end Disneland. Është rrëfim Tirane. Kjo që s’u përgjigj ishte justifikim perfekt. Iu qasa vrullshëm, e ia plasa një mu në fytyrë. Ta kishe parë, or byrazer. Hunda e thyer, sy të shqyer nga shoku. As që tentoi të ikte. Kish ngelur si e ngrirë në vend. E hodha sipër krahut, si të ishte thes, dhe e plasa në fund të furgonit. Aty u kujtua të bërtiste. Tepër vonë, esmere e vogël, tepër vonë.
Të nesërmen dola pak më vonë në punë, por shefi s’më tha gjë. Ishte në formë. Protestuesit kishin plotësuar çdo normë të pritshmërive. Gjindja ishin në element, brohoritjet ishin bërë ulërima. Gurë, grabitje, zjarre. Perfekt për ne. Dosjet e asaj dite ishin plot me islamistë e me Antifa. Sheshi, mbytur me lotsjellës.
Ajo dhe shoqet e saj s’u panë më në shesh. Protestat gradualisht u shuan. Më jep o vëlla ulërimë. Më jep gurë, grabitje e molotovë, më jep zjarr e dhunë. S’na thonë kot policë: ne ato dimë t’i menaxhojmë. Engjëj jo, engjëj s’dimë të menaxhojmë. Ose i menaxhojmë, por në mënyrën tonë: duke i përlyer. Se asnjeri s’t’i jep 2.500 euro thjesht ashtu, kot.
Sot që s’ka më protesta, gjërat janë kthyer drejt normales. Njerëzit janë më të përmbajtur. Më normalë. Kush ka mundësi ik, por ne të tjerët që s’ikim dot e kemi ngulur thembrën këtu, si djalli thundrën. Nganjëherë, kur jam vetëm në shtëpi, i shfletoj sërish portretet e vjetra. Kur e fotografova për herë të parë, e kapa nga një kënd perfekt: drita e diellit i derdhej mbi flokët si vegim rrezëllitës. Sa vjeç mund t’i ketë patur? Tetëmbëdhjetë? Nëntëmbëdhjetë? S’e di, as sot e kësaj dite. Por fytyrën e kishte të kthyer kah unë. Sy të mëdhenj të ngulitur fiks në objektiv të fotoaparatit: sikur e dinte se ç’do ta gjente. Shquhej, si ikonë, si engjëll. Ku ta dish? Mund të ketë qenë vërtet një engjëll, i pikuar mbi këtë qytet djajsh të egër. Mundet. E pra, dihet se ç’ndodh me engjëjt që humbin rrugën.


