KreuLetërsiBibliotekëAleksandër Bardhi: Po le çelësin e hënës në mur të mëkatit (cikël...

Aleksandër Bardhi: Po le çelësin e hënës në mur të mëkatit (cikël poetik)

LULËKUQJA NË MUZG.

Se ku më çon nëpër terr të vjeshtës
Ky pikëllimi im, i veshur si murg.
Ndizet e fiket xixëllonja nën gjeth
Hapet e mbyllet lulëkuqja në muzg

Do bëj, si do bëj, do mbahem, sdo bie.
Më mbaj ti moj vjeshtë, mu hap ti muzg!
Ç’të më ketë vallë ky shpirt, si flutur e
djegur
Që do t’më mbyllet, si lulëkuqja në muzg?!..

ZOTI QË SAJUAM

Ndahet meshë
Në kishën e muzgut,
Ndriçuar tejpërtej
Me sy qyqesh.

Pritet që të zbres
Zoti që sajuam.

Them të shkoj edhe unë
Të ndez një qiri,
E copën time të meshës
Me qyqet ta ndaj.

MERSINA

Mbrëmë,
erdhi e më thirri Mersina.

Më donte shpirtin, ta gdhinim
lart ndër vreshta.

Të pres – më tha – në gjumin e parë,

Ku Zoti s’të prek,
E s’na gjen dot, as vdekja.

NGA TREGIMET E NËNËS

Kapelja që më hodhi
M’u bë cati mbi kokë.

Me brinjën e dhuruar
Ndërrova trarin e molitur.

Një pjatë prej balte,
Dy lugë mbretërie.

Dhe një shtrat me xunkth
dhe lingota dashurie.

TERITORE

Fiken dritat ngadalë
në Katedralen e vogël.

Fle gjaku i maleve, medet, medet !

Fle Cubi hënor te Lugjet e Zeza
si ëngjëll i paqtë
poshtë kryqit të vet.

IN MEMORIAM PËR POETET PETRIT RUKA DHE QAZIM SHEME

Pyeta për ju
miqtë e mi të zemrës,
rrugë më rrugë,
cep më cep qytetit.

E të gjthë më thanë
se netëve të vona
poshtë në shtrat të Vjosës,

Ca gurë të fshehtë argjëndi
bëheshin pëllumba,

E niseshin tufë-tufë
Për në sofrën e hënës.

HERONJ DHE MARREZI

E desh Zoti, miku im,
të isha ende gjallë,
E shpesh të udhëtoja
në kohë të të tjerëve.

Dhe kuptova se luftrat,
medaljet dhe bustet
Nuk i njihte më askush.

E krejt pa të keq më thonin,
se heronjtë dhe marrëzitë,
Kish’ kohë që jetonin
diku lart në male.

DO TA PUTH XHELATIN TIM

Ky është Purgatori i dashurive të mia.

Sdi t’ju them, në qesh në ferr a parajsë.
……….
Po le çelësin e hënës, në mur të mëkatit
E në shoh xhelatin, do ta puth në ballë.

SKICË

Krejt i vetëm, i kalon netët në verandë,
Me dritaren e burgut hapur nga lufta.

Vonë, ndaj të gdhirë,
ndodh ta mund gjumi.

Kapelja e hirnosur rrëzuar mbi fytyrë
Dhe një pendëz e përgjakur agu mbi vetull.

VIZATIM

Lumi i kuq.
Pylli i kuq.
Hëna e kuqe.

Harta e zgjimit,
Me të kuqen
e gjakut.

Hija ime bregut
Këndon Let it Be.

SKENË KRIMI

Ndoshta asnjëherë s’do e kisha menduar
Se një ditë dhe unë do të gjëndesha në krim.
Thika që dikur, kish vrarë demonin tënd,
Do të gjëndej e përgjakur, në gjumin tim.

Po kurrësesi
s’do mund ta kisha ditur,
Se demoni yt
kish qënë dhe Krishti im.

KORBNAJE

Eja mik, ta përzemë
Këtë korbnajë, si re të dendur,
Pa le t’na quajnë dhe provincial,
Ndofta pak, edhe të cmendur.

Ti degdisim nga kjo arë
Ku zverdhon shkronjë e farës,
Ku këndon e qan shqip,
Bujku profetik i fjalës.

Eja, ejani o miqtë e mi
N’dash t’na quajnë edhe barbar.
Dhe i vetëm, jam këtu
Si rrezja që mbrun në farë.

ORA KUR KËNDOJNË SHPIRTËRAT E GJAKUT

Rrugë e vjetër shiu
Që nga Zanafilla,
Ndan terrin në mes
Si pyll me lulëkuqe

Prej këtej
erdhëm një ditë,
E prapë prej këtej
Na duhet të shkojmë.

Babai lëron tokën
Tek Arat e Zeza.

Nëna shtron sofrën
Te Pusi me hënë.

Rrugë e vjetër shiu
Që nga Zanafilla.

Prej këtej
Erdhëm një ditë,
E prap prej këtej
Na duhet të shkojmë.

Është ora,
Kur këndojnë
Shpirtërat e gjakut.
Hauzet e errëta
Vlojnë nga yjet.

TRISHTIL

Plot gjurmëza meteorësh
ky qiell’ i tetorit,
Si trishtim’ i djelmoshave
që vera s’u dha nuse.

Lauresha në muzg
shteroi vajin e verës
Brënda një hije të vogël perëndimi:
Pastaj ngjeu pendëzën
në trëndafilinë e hollë,
Dhe shkroi në ajër
një tjetër këngë trishtimi.

BLASFEMI

baladë

Te kodra e vogël
Me hënë dashurie,
Më pret vdekja
Dhe e bukura Marie.

Shkoj me dëshirë
Të ve kokën te pragu,
Te pragu i kishës
Prej mishi dhe gjaku.

Dhe gjaku këndon
Shkulma marrëzie.
Zot, bekoma vdekjen,
Bekoma dhe Marien!

ARDENICË

Mbrëmje që nuk erren.

40 kryqe dashurish
digjen në muzg!

VENË E ÇARË

Vura buzën,
në venën tënde
të çarë

-moj e shtrënjta ime-

Dhe gjith’ drit’ e Botës
m’u bë shuk
në zemër.

KY BREG

Veç ky breg më ka mbetur në jetë
Ku kthej ndonjë gotë, me trishtime tetori.
Pulëbardha e hëntë, rreh krahët mbi ujëra
Si fletorkëz, e humbur shënjtori.

Dhe zë e krijoj një fytyrë ikone,
Ndoshta s’qe kurrë, a dikush ma mori…
Pulëbardha e hëntë, rreh krahët mbi ujra
Si fletorkëz, me kujtime shënjtori.

OXHAKËT E MUZAVE TË SHUARA

Ca shpendë tymi,

të hirtë, të larmë,

Muzgjesh të lagur,

pyjesh të djegura,

Ikin për vaje,

si vranësira dimri

Diku mbi varre,

gjinkallash të vdekura.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË