Parathënia e romanit të Dostojevskit, “Bashkëshorti i përjetshëm”, “Trishtil”
Përktheu: Bujar Hudhri
Gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht, mund të thuhej se dallimi kryesor ndërmjet romanit të shekullit XIX dhe atij të shekullit XX qëndron te fushat e ndryshme ku shfaqet ndjenja e turpit. Romani i shekullit XIX ishte i druajtur deri në heshtjen më të plotë për çështjet e seksit dhe i paturpshëm deri në pacipësi për çështjet e ndjenjave; romani i shekullit XX, përkundrazi, është shumë i përmbajtur, për të mos thënë i heshtur, për ndjenjat, ndërsa për seksin shprehet fare hapur. Me fjalë të tjera, duke e lënë mënjanë seksin, vërejmë se në romanin e shekullit XX zhduket plotësisht patosi, domethënë paraqitja e drejtpërdrejtë dhe dramatike e ngjarjeve dhe personazheve që mund të ngjallin dhembshurinë, ndjenjën që na përfshin emocionalisht në kuptimin më të plotë të fjalës. Sipas nesh, arsyeja e kësaj zhdukjeje duhet kërkuar në faktin se romani modern është kritik: jo, megjithatë, në kuptimin e realizmit kritik të Lukács-it, që ka një natyrë tjetër, por, më thjesht, në kuptimin se ia nënshtron realitetin të njëjtit lloj vëmendjeje analitike të cilit kritiku ia nënshtron veprës së artit që ka marrë në shqyrtim. Rezultati i kësaj vëmendjeje është se romani modern, edhe kur rrëfen ngjarje tragjike, është, në thelb, komik. Domethënë, me zhdukjen e dhembshurisë dhe të së kundërtës së saj logjike, tmerrit (ndiejmë dhembshuri në atë masë që ndiejmë tmerr ndaj situatave ose njerëzve, viktimë e të cilëve është ai që na ngjall dhembshuri), vendin e tyre e zë paraqitja komike, që nuk ngjall medoemos të qeshur, por është pashmangshmërisht e distancuar dhe distancuese.
Kështu, patosi funksionon si vijë ndarëse ndërmjet romanit të shekullit XIX dhe atij të shekullit XX: i pari do të ishte “patetik”, i dyti “komik”. Por te disa autorë të shekullit XIX, që i paraprijnë kohës së tyre, mund të ndodhë që romani patetik të alternohet me romanin komik. Një shembull i mirë i kësaj ndërthurjeje është Bashkëshorti i përjetshëm i Dostojevskit.
Çfarë rrëfen ky roman me përmasa të vogla ose, më saktë, ky roman i shkurtër, i botuar më 1871, domethënë pesë vjet pas Krim dhe ndëshkim (datat janë të rëndësishme dhe së shpejti do të shihet përse)? Rrëfen krizën e të dyzetave të një pronari tokash të pasur, të ngeshëm e mondan, të quajtur Velçaninov. Dostojevski e paraqet kështu: “Në pamje, edhe tani dukej burrë i mbajtur. Ishte një djalë shtatlartë e trupngjeshur, me flokë gështenjë të çelët e të dendur, pa asnjë fije të thinjur as në kokë, as në mjekrën e gjatë, po gështenjë, që i zbriste pothuajse deri në mes të kraharorit; në vështrim të parë dukej disi i ngathët e i lënë pas dore; por, po ta këqyrnit më me vëmendje, do të dallonit menjëherë tek ai një zotëri me vetëpërmbajtje të përsosur, që dikur kishte marrë edukimin më të hollë të shoqërisë së lartë.” Velçaninovi, ndonëse është një “burrë i mbajtur”, po kalon një periudhë shqetësimi të thellë. Vuan nga pagjumësia, e mundon një ndjenjë e vagullt faji, madje ka halucinacione ose, të paktën, beson se ka të tilla. Një burrë me një shirit të zi zie në kapelë e ndjek, i vihet këmba-këmbës, e mban nën vëzhgim. Por befas Velçaninovi zbulon se nuk bëhet fjalë për një halucinacion, por për një njeri të vërtetë. Është Pavël Pavlloviçi, një nëpunës shtetëror province, e shoqja e të cilit, vite më parë, kishte qenë dashnorja e Velçaninovit. Ky Pavël Pavlloviç është një personazh tipik i repertorit dostojevskian; pak a shumë meskin, pak a shumë i lig, e ndeshim pothuajse në të gjitha romanet e Dostojevskit: është “borgjezi”, mishërimi i shumë gjërave që Dostojevski i urrente dhe që mund të përmblidhen me termin Perëndim ose, më saktë, me trajtën që merrte Perëndimi në adhurimin e verbër e të ngathët të imituesve të tij rusë. Por ky “borgjez”, te Bashkëshorti i përjetshëm, nuk ka tiparet e neveritshme të prototipit të tij, Luzhinit te Krim dhe ndëshkim. Është thjesht brinari i traditës letrare e teatrore, domethënë një personazh komik, komizmi i të cilit, megjithatë, buron më shumë nga reduktimi kritik për të cilin folëm më sipër sesa nga ana qesharake që lidhet tradicionalisht me brirët.
Sjellja e Pavël Pavlloviçit ngjall dyshime te Velçaninovi: ajo i ngjan sjelljes së dikujt që e di se tjetri nuk e di që ai e di dhe, për këtë arsye, luan me të si macja me miun. Por një shqyrtim i shpejtë e bind Velçaninovin se Pavël Pavlloviçi, bashkëshorti i përjetshëm, nuk mund ta dijë se e shoqja e ka tradhtuar me të. Por atëherë, përse gjithë kjo dykuptimësi? Kështu nis një marrëdhënie e çuditshme, e ngjashme me një duel që zhvillohet ndërmjet dy skermistëve të zotë e të paepur. Edhe këtu na vjen në ndihmë kujtimi i Krim dhe ndëshkim, kësaj miniere të madhe të të gjitha temave dostojevskiane: ndërmjet bashkëshortit të përjetshëm dhe dashnorit të përjetshëm (kështu do ta quajmë këtej e tutje Velçaninovin) ekziston po ajo marrëdhënie, pikërisht si ajo e maces me miun, që në romanin më të madh ekziston ndërmjet Raskolnikovit dhe gjykatësit Porfiri: është kryer një krim, domethënë janë vënë brirë, dhe bashkëshorti i përjetshëm kërkon ta shtyjë dashnorin e përjetshëm ta rrëfejë, të shpallë veten fajtor. Në këtë lojë mizore hyn Liza, vajza e vogël e Pavël Pavlloviçit, për të cilën Velçaninovi e di me siguri se është e bija e vet dhe të cilën Pavël Pavlloviçi duket se nga njëra anë e do si baba i vërtetë, e nga tjetra e urren si dëshmi të gjallë të tradhtisë. Romani vazhdon për njëfarë kohe me këtë treshe: bashkëshorti, dashnori dhe bija e mëkatit; pastaj situata, e ngarkuar me një dhunë të turbullt e të dykuptimtë, si një ditë e rëndë në prag të stuhisë, përkeqësohet befas: një natë, bashkëshorti i përjetshëm, i cili deri atëherë kishte shfaqur ndaj dashnorit të përjetshëm një përzemërsi të tepruar e prej palaçoje, përpiqet t’ia presë fytin në gjumë me një brisk rroje; pak ditë më vonë, Liza, e rraskapitur nga veremi, vdes; dhe Velçaninovi zbulon se Pavël Pavlloviçi dinte për lidhjen e fshehtë të së shoqes falë një letre të saj drejtuar Velçaninovit, të padërguar kurrë, në të cilën e njoftonte se kishte mbetur shtatzënë me të.
Ndërkohë, megjithatë, kriza e të dyzetave ka kaluar. Velçaninovi do ta mbajë në zemër plagën që i ka lënë vdekja e Lizës, një plagë të thellë që nuk do të mbyllet më kurrë, sepse Velçaninovi kishte shpresuar që, nëpërmjet dashurisë atërore, të përtërihej, të shëlbohej. Në vend të kësaj, do të vazhdojë të jetë dashnori i përjetshëm: mondan, i ngeshëm, magjepsës. Edhe bashkëshorti i përjetshëm do të vazhdojë të jetë bashkëshorti i përjetshëm. Disa vjet më vonë, Velçaninovi do ta takojë në një stacion, bashkë me të shoqen e re dhe me dashnorin e përjetshëm të radhës.
E kemi përmendur disa herë Krim dhe ndëshkim, kemi thënë se është miniera e madhe e temave dostojevskiane, por qëllimisht kemi lënë pa thënë se edhe Velçaninovi ka, si të thuash, prototipin e vet në atë roman të madh. Tani, megjithatë, ka ardhur çasti ta themi. Kush është Velçaninovi? Ai nuk është tjetër veçse Svidrigajllovi, deuteragonisti i Krim dhe ndëshkim. Ngjashmëria nis që te të dhënat e gjendjes civile: rreth pesëdhjetë vjeç, pronar tokash, beqar. Për më tepër, i ngeshëm, mondan e libertin. Ja edhe pamja fizike, e njëjtë me atë të Velçaninovit: “… një burrë që nuk është më i ri, trupfortë, me një mjekër të dendur e të çelët, pothuajse të bardhë”. Por, më shumë sesa përshkrimi i pamjes fizike, është tema që mishëron Svidrigajllovi ajo që e bën të ngjashëm me Velçaninovin. Për çfarë teme bëhet fjalë? Po ta themi me vetë fjalët e personazhit (“jam një njeri i shthurur e i ngeshëm”), bëhet fjalë për shthurjen që buron nga sensualiteti i ndërthurur me ngeshmërinë dhe paranë, domethënë për shthurjen që lind nga jetesa me renta. Në këtë pikë dikush do të thërrasë: “Por si mund të thuhet se Svidrigajllovi është i njëjti personazh me Velçaninovin? Svidrigajllovi është mishërimi i së keqes: ka helmuar të shoqen, ka përdhunuar një vajzë katërmbëdhjetëvjeçare, po përgatitet të martohet me një tjetër vajzë ende fëmijë, të cilën, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ua ka blerë prindërve! Me një fjalë, është një erotoman cinik, mizor e i dhunshëm. Kurse Velçaninovi është njeri melankolik, i ndjeshëm e zemërgjerë; ka një ndjenjë të fortë faji; e do vajzën e vet me një dashuri atërore të pakufishme. Për më tepër, në fund nuk e ndëshkon veten me vetëvrasje si Svidrigajllovi; pasi e kapërcen krizën, vazhdon të jetojë si më parë…”
Po, e gjithë kjo është e vërtetë, por nuk kemi mbajtur parasysh se ndërmjet Krim dhe ndëshkim dhe Bashkëshortit të përjetshëm kalojnë pesë vjet jashtëzakonisht të rëndësishëm. Te Krim dhe ndëshkim, roman i llojit “patetik”, Dostojevski e ka vështruar Svidrigajllovin me urrejtjen e ish-revolucionarit ndaj të ashtuquajturit armik të klasës, domethënë si një përbindësh, përbindshmëria e të cilit buron vetëm nga pozita e tij shoqërore; te Bashkëshorti i përjetshëm, roman i llojit “kritik-komik”, e ka parë Velçaninovin si një personazh që duhet paraqitur “kritikisht”, domethënë “komikisht”. Kështu, ndërsa te Krim dhe ndëshkim Svidrigajllovi është një keqbërës, te Bashkëshorti i përjetshëm shndërrohet në dashnorin e përjetshëm. Çfarë ka ndodhur gjatë atyre pesë vjetëve? Ka ndodhur që, ndonëse mbetet shkrimtari i madh “ekstrem” që ka qenë gjithmonë, Dostojevski në politikë është bërë një konservator i tipit sllavofil dhe prandaj nuk mund të vendosë më një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet karakterit të personazhit Svidrigajllov dhe pozitës së tij të privilegjuar shoqërore. Ky konservatorizëm do të shfaqet haptazi te Vëllezërit Karamazov. Ligësia e Stavroginit është demonike, por pa asnjë lidhje të shprehur qartë me klasën së cilës ai i përket.
Por kundërshtari im imagjinar në këtë pikë do të thotë: “Mirë, megjithatë Svidrigajllovi përdhunon vajza të vogla, ndërsa Velçaninovi, përkundrazi, e do të bijën me dashuri atërore. Si shpjegohet kjo?”
Shpjegimi është ky. Liza, vajza e vogël e Velçaninovit, në përfytyrimin e Dostojevskit nuk është tjetër veçse vajza e vogël e përshkruar kështu te Krim dhe ndëshkim: “E mbuluar e tëra me lule, në arkivol dergjej një vajzë e vogël me fustan të bardhë tyli, me duart e bashkuara e të shtrënguara mbi kraharor, si të gdhendura prej mermeri. […] Ajo vajzë kishte vrarë veten — ishte mbytur në ujë. Ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeçe, por tashmë ishte një zemër e thyer, dhe ajo zemër e kishte vrarë veten, e lënduar nga një poshtërim që e kishte tmerruar e habitur atë vetëdije të njomë fëmijërore, kishte përmbytur me turp të pamerituar shpirtin e saj engjëllisht të pastër dhe i kishte shkulur klithmën e fundit të dëshpërimit […]”. (Citimi nga “Krim dhe ndëshkim” është përkthyer drejtpërdrejt nga origjinali rus, pjesa VI, kreu VI)
Natyrisht, Velçaninovi është “edhe” një personazh origjinal, i ndryshëm nga Svidrigajllovi; por është i tillë, si të thuash, nga ajo që i mungon, domethënë sepse Dostojevski, tashmë “i moderuar”, nuk ka më nevojë ta bëjë të përdhunojë vajza të vogla për të na bërë të kuptojmë se kush është. Por prania e Lizës së vogël përkrah tij i ngjan disi pranisë së këmbëve të atrofizuara në trupin e balenës: kjo prani na tregon se Velçaninovi është i njëjti personazh me Svidrigajllovin. Me një fjalë, kemi përpara të njëjtin pronar tokash dhe të njëjtën vajzë të vogël; ai që ka ndryshuar është Dostojevski dhe kalimi nga paraqitja “patetike” te Krim dhe ndëshkim tek ajo “kritik-komike” te Bashkëshorti i përjetshëm është rezultat i këtij ndryshimi.
Shenjën e ndryshimit të Dostojevskit e jep fakti se Velçaninovi nuk përkufizohet më nëpërmjet asaj që bën, por nëpërmjet asaj që thotë. Dostojevski, i cili e kishte përkufizuar Svidrigajllovin nga “jashtë”, përmes pozitës së tij klasore, Velçaninovin e përkufizon, përkundrazi, nga brenda, nëpërmjet gjuhës. Jo ndryshe nga Prusti, një romancier pa dyshim jo “patetik”, por “kritik-komik”, Dostojevski imiton me tallje ligjërimin e protagonistit, duke vënë në thonjëza frazat e gatshme, klishetë dhe banalitetet e tjera mondane e të salloneve, me të cilat personazhi përpiqet t’ia përkufizojë vetes krizën e vet. Por, duke lënë mënjanë klasën për t’u përqendruar te gjuha, Dostojevski në të vërtetë e “fal” prototipin Svidrigajllov; dhe rezultati i kësaj “faljeje” është Velçaninovi.
Pasojat e “faljes” janë të shumta. Para së gjithash, “patosi” i Lizës nuk është aq i mirëfilltë sa patosi i Marmeladovëve, familjes fatkeqe të Sonjës te Krim dhe ndëshkim. Përse nuk është aq i mirëfilltë? Sepse ndiejmë se, në përfytyrimin e Dostojevskit, marrëdhënia ndërmjet Velçaninovit dhe Lizës është, në thelb, strukturalisht dhe pavetëdijshëm, e njëjta marrëdhënie që ekziston ndërmjet Svidrigajllovit dhe vajzave të mitura që ai ka përdhunuar ose po përgatitet të përdhunojë. Me fjalë të tjera, Velçaninovi vazhdon të jetë ende pak si tepër Svidrigajllov dhe pak rëndësi ka që nuk e përdhunon të bijën: vajza e vogël është aty dhe na tregon se të dy personazhet janë, si të thuash, dy trupa me një shpirt të vetëm.
Thamë “strukturalisht”. Kjo sepse, për ne, personazhet dhe situatat nuk janë tjetër veçse struktura rrëfimore, të cilat duhen gjykuar si të tilla, pa asnjë referim moral ose, aq më keq, moralizues. Por këto struktura kanë rëndësi të madhe për të kuptuar llojin e ndjeshmërisë që shprehet nëpërmjet tyre.
Pas gjithë kësaj, Bashkëshorti i përjetshëm, roman kritik-komik dhe, pikërisht për këtë, më modern se Krim dhe ndëshkim, përmban disa pjesë të Dostojevskit më të pastër. Për shembull, e gjithë marrëdhënia “macja-miu” ndërmjet bashkëshortit të përjetshëm dhe dashnorit të përjetshëm. Një mace që ndihet më e ulët se miu; që herë e do dhe herë e urren; që do të dëshironte që miu të vazhdonte të flinte me gratë e saj.
Por gjëja më e mirë e romanit mbetet, si edhe te Krim dhe ndëshkim, prania e heshtur dhe kërcënuese e qytetit të madh të Peterburgut. Që më parë, André Gide, duke folur për Idiotin, kishte përmendur magjinë e disa shtëpive të Dostojevskit. Te Bashkëshorti i përjetshëm nuk mund ta harrojmë shtëpinë e beqarit Velçaninov, atë shtëpi ku autori vë në skenë një nga episodet më të fuqishme të gjithë veprës së vet: përpjekjen e Pavël Pavlloviçit, deri atëherë aq të përzemërt, për ta vrarë Velçaninovin.


