Hana Diabi, një aventurier sirian i shekullit XVIII, krijoi një nga rrëfenjat më të njohura në botë, Aladini ose llamba e mrekullueshme, duke u frymëzuar nga episode të vërteta të jetës së tij. E megjithatë, për tre shekuj me radhë, Diabi mbeti i panjohur dhe i lënë në harresë. Zbulimet e fundit arkivore dhe hulumtimet e reja shkencore na lejojnë tani ta njohim me siguri Hanën si krijuesin e parë të Aladinit, një histori e thurur me magji dhe fat, prej së cilës kanë lindur legjenda të qëndrueshme, vepra arti, letërsie e muzike, si edhe pantomima shumë të dashura për publikun, përshtatje që e kanë shndërruar rrënjësisht dhe filma me sukses të jashtëzakonshëm, në gjuhë të panumërta.
Historia e jetës së Hanës përshkon Mesdheun tej e mbanë: nga pazaret dhe kafenetë plot gjallëri të Alepos te një depo e mbyllur prapa stacionit hekurudhor të Kembrixhit, nga luksi i Versajës dhe i Operës së Parisit te oborret jehuese brenda Vatikanit. Ai u mbijeton stuhive dhe mbytjes së anijes pranë brigjeve të Libisë. Përballet me kusarë korsikanë, matrapazë egjiptianë, vrasës me petka të qëndisura në mëndafsh në Liban dhe berberë me brisqe të mprehta në Itali. Në fillim të udhëtimeve të tij, eksploron një varr-shpellë të futur në shpatin shkëmbor të një kodre në Sirinë veriore, ku gjenden një unazë dhe një llambë.
Aladini nuk është aq i lashtë sa mund të mendojnë shumëkush. Mjaft nga rrëfenjat e Netëve arabe — titulli i saktë i të cilave është Një mijë e një net — e kanë zanafillën një mijë vjet më parë, në mos edhe më herët. Por disa prej historive më të famshme, veçanërisht Ali Baba dhe dyzet hajdutët dhe Aladini, u shfaqën për herë të parë në fillim të shekullit XVIII. Ato u shtuan nga Antuan Galani, një dijetar i oborrit të Luigjit XIV, i cili ua bëri të njohura për herë të parë Netët lexuesve europianë.
Botimi frëngjisht i Galanit, i mbështetur në një dorëshkrim të paplotë arabisht dhe i nxjerrë pjesë-pjesë duke filluar nga viti 1704, pati një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe, brenda pak vjetësh, u përkthye në anglisht, gjermanisht, italisht e në dhjetëra gjuhë të tjera. Mirëpo, pas shtatë vëllimesh, Galani e kishte shteruar lëndën e dorëshkrimit. Nuk i kishte mbetur më asgjë për të përkthyer. Për fat të mirë, falë një rastësie të jashtëzakonshme, ndihma nuk vonoi të mbërrinte.
Në Alepo, qytetin e madh tregtar të Sirisë, Hana Diabi ishte rritur duke kryer porosi për tregtarët europianë që merreshin me mëndafshe dhe mallra të tjera luksi. Kur ishte tetëmbëdhjetë vjeç, rastisi të takonte Pol Lykasin, një eksplorues karizmatik, të dërguar nga Luigji XIV për të mbledhur objekte të lashtësisë nga Lindja e Mesme. I joshur nga mundësia për të punuar në Francë, Hana iu bashkua Lykasit si udhërrëfyes dhe ndihmës. Aventurat e këtij çifti të pazakontë i çuan nga ai varr-shpellë shkëmbor — të cilit do t’i kthehemi pas pak — përmes Egjiptit e Afrikës së Veriut dhe, së fundi, në Paris.
Përkrah Lykasit, të cilin e kishin thirrur për t’ia dorëzuar zbulimet e tij Mbretit Diell, Hana u magjeps nga shkëlqimi i pallatit të Luigjit në Versajë — dhe nga vëmendja e princeshave të familjes mbretërore, të cilat nuk ngopeshin së ndenjuri me aventurierin e ri e të pashëm sirian.
Por fama është kalimtare dhe Hana mbeti në pritje. Ndërsa asnjë mundësi e re nuk po shfaqej, takoi një plak që punonte në Bibliotekën Mbretërore të Parisit dhe merrej me përkthimin nga arabishtja të Një mijë e një netëve. Përkthyesit të moshuar i kishin mbaruar rrëfenjat. Mos dinte Hana ndonjë? Gjatë një vargu takimesh më 1709, Hana i rrëfeu Antuan Galanit histori pas historie, mes tyre edhe atë të një djali të varfër nga një vend i largët, të cilin një magjistar karizmatik e merr nën krah dhe e çon në një shpellë të mistershme, ku një unazë dhe një llambë ia ndryshojnë fatin, duke e çuar drejt takimeve me mbretër e princesha në pallatet më madhështore që mund të përfytyrohen.
Galani e mori historinë dhe e botoi frëngjisht, mes vlerësimit të përgjithshëm. Rrëfenjat e Hanës mbushën katër vëllime të tjera të Netëve, por në asnjërin prej tyre Galani nuk e përmendi burimin e vet. Hana e mori vesh këtë mungesë vetëm shumë më vonë. Ndërkaq, Lykasi nuk i gjeti kurrë një vend pune ndihmësit të tij të ri. Kështu, me shpresat e zhgënjyera, Hana u largua nga Parisi dhe u kthye në Alepo, ku u martua, krijoi familje dhe kaloi një jetë të gjatë duke tregtuar pëlhura në pazar. Lavdet për Galanin si autor të këtyre rrëfenjave të reja arabe veçse shtoheshin. As zbulimi, më 1887, i ditarëve të tij të shkruar me dorë, ku shënon se e kishte dëgjuar “historinë e llambës” nga një sirian i ri me emrin Hana, nuk e përmbysi versionin mbizotërues. Vetëm zbulimi i mëvonshëm, një shekull më pas, i një dorëshkrimi në Bibliotekën e Vatikanit, të regjistruar gabimisht në katalog si anonim, bëri që më në fund të lindnin pikëpyetje. Ai vëllim i hollë, me faqe të grisura, doli se përmbante kujtimet e vetë Hana Diabit për rininë e tij.
*
Hana parapëlqente gjallërinë e jetës qytetëse. Zhurma dhe turmat e bënin të ndihej në elementin e vet. Qetësia e një shpati kodre, me tinguj këmborësh delesh, nuk ishte fort për të. Megjithatë, dielli ngrohte dhe ajri mbante aromën që lë shiu pas një rrebeshi. Dimri nuk ngurronte më të largohej. Përpara e prisnin të papritura emocionuese, ndonëse nuk e kishte fort të qartë se çfarë pritej prej tij atë ditë.
Punëdhënësi i tij i ri, Pol Lykasi, paksa i djersitur nga udhëtimi dhe i zhytur në skicat e shënimet e veta, po këshillohej me atë Mikolon dhe një armen pranë një të çare në shkëmb. Hana rrinte mënjanë, i vetëdijshëm se detyrat e tij kishin të bënin me hamejtë dhe punëtorët. Rojet që kishin marrë me vete nga Kaftini për të mbajtur larg kusarët ishin mjaft miqësore, por të qeshurat e tyre të forta linin të kuptohej se ende nuk e merrnin seriozisht djaloshin tetëmbëdhjetëvjeçar të qytetit, që hiqej si dragoman. Sidoqoftë, ai ishte lidhur me këtë të huaj autoritar dhe, hëpërhë, kishte zgjedhur të punonte nën hijen e tij.
Lykasi u shkëput nga të tjerët dhe i bëri shenjë Hanës të afrohej. E ngarkoi të gjente dikë aq të vogël në trup sa të mund të rrëshqiste përmes së çarës në varrin-shpellë prapa saj, një nga të shumtët përgjatë shpatit, dhe të nxirrte çfarëdo që të kishte brenda. Hana pohoi me kokë. Hyrja ishte e ngushtë; duhej dikush me trup të hollë si të një fëmije, i shkathët dhe i zhdërvjellët.
Ua shpjegoi detyrën fshatarëve që ishin mbledhur për të parë të huajt mes atyre ndërtimeve pjesërisht të rrënuara. Ata ngurruan, duke shtyrë njëri-tjetrin. Pastaj një djalë bari që rrinte anash — më i ri se Hana, ndonëse jo shumë — bëri sikur donte të tërhiqej, por fshatarët e shtynë përpara.
Lykasi drejtoi gishtin dhe urdhëroi:
– Zbrit në atë varr, djalë, dhe nxirr çfarëdo që të gjesh!
Djali ngriu në vend, duke parë herë Lykasin në sy, herë fytyrat e rrepta të të tjerëve. Hana e kuptoi menjëherë se duhej të përkthente.
– Im zot po të kërkon të hysh në këtë shpellë dhe të nxjerrësh çfarë ka brenda; po t’i jep udhëzimet frëngjisht.
Nga shprehja e fytyrës së djalit, Hana e kuptoi se ai e kishte marrë vesh arabishten e tij, por ende nuk lëvizte. Dy të rinjtë shkëmbyen një vështrim. Hana lëvizi pak nga vendi.
– Zotëri, – tha në një frëngjishte me theks të fortë, – ky djalë kërkon ta shpërbleni për punën që do të bëjë.
*
Brenda shpellës, djali nisi të nxirrte sende përmes hapjes së ngushtë. Së pari dolën eshtra — copa të nxira nga zjarri e të thyera, pa dyshim njerëzore, ndonëse me përmasa më të mëdha se të zakonshmet. Lykasi dhe atë Mikolo shkëmbyen vështrime, duke mërmëritur për Tokën biblike të Gjigantëve dhe Ogun, mbretin vigan të Dhiatës së Vjetër. U shfaq një copë nofulle. Lykasi shkuli një dhëmb prej saj dhe e futi në xhep.
Pastaj dolën xhingla. Hanës i zuri syri një unazë — të thjeshtë në punim, prej një metali tashmë të gërryer. Lykasi e shqyrtoi, e rrotulloi sa nga njëra anë në tjetrën dhe e fërkoi për të zbuluar ndonjë mbishkrim, por nuk doli asgjë në pah. Megjithatë, e mbajti. Pastaj djali bari nxori një llambë të vjetër vaji, metalike, të shtypur vendevende dhe që kishte nevojë të lustrohej. Duke qëndruar pak më larg, siç e kërkonte respekti, Hana pyeste veten pse Lykasi e çmonte një send të tillë: atij i ngjante me llambat që përdoreshin përditë në Alepo. Sidoqoftë, edhe ajo iu shtua koleksionit të Lykasit.
Pasi e zbrazi varrin, djali u përvodh sërish përmes së çarës, me sytë të zgurdulluar, por tashmë me një siguri të re përpara atyre që e shikonin. Hana i dha monedhën që i kishte premtuar Lykasi dhe djali u largua, i kënaqur me shpërblimin.
Teksa vizitorët po bëheshin gati të largoheshin, Lykasi i tha Hanës t’i pyeste fshatarët nëse kishin ndonjë gjë tjetër për të shitur. Njëri ofroi një palë zare të gdhendur në një gur të gjelbërremë, me pikat të punuara me ar të ngulitur në gur. Lykasi i shqyrtoi zaret, i futi në thesin e vet, pagoi disa monedha dhe vazhdoi rrugën.
*
Le ta themi qartë: duke pasur parasysh Aladinin dhe gjithçka që vjen më pas në këtë rrëfim, ngjarja e shpellës me unazën dhe llambën ka ndodhur vërtet. Ajo ndodhi në javën e fundit të marsit 1707, pranë Kaftinit, pak në perëndim të Alepos, në Sirinë veriore. Hana Diabi ishte aty, përkrah një të huaji urdhërues, që dukej se zotëronte dije të fshehta për misteret e lashtësisë, dhe e pa me sytë e vet gjithë ngjarjen.


