KreuLetërsiShënime mbi libraNaum Caushi: Rrëfime plot ngrohtësi të brishtë, të krijuara nga Helena Kadare

Naum Caushi: Rrëfime plot ngrohtësi të brishtë, të krijuara nga Helena Kadare

Të gjithë e pranuan magjinë e krijimit të saj kur patën në duar KOHE E PAMJAFTUESHME. Por kur të gjithë e quajtën të mbyllur ligjëratën e saj, pas largimit natyral të IS-së, ajo lëshon sërisht një shkëndijë po aq të bukur rreth portretit të të dashurit IS. Tani na vjen ndër duar dhe qëndron në komodinat pranë shtretërve tanë GRUAJA E LIRË e saj. Duhet pak qetësi dhe pak dhëmbshuri, për të shijuar perlat e saj në këtë gjerdan të beftë. Janë përmbledhur në këtë libërth nëntëmbëdhjetë (edhe numuri 19 jep një lloj atmosfere mistike) rrëfime të buta plot ngrohtësi të brishtë, të krijuara nga Helena e viteve të ndryshme: 69, 71, 73, 79, 80 për të mbërritur tek 2024, 25. Me gjithë shtrirjen e madhe kohore, ajo është po ajo, e njëjta Helenë, që na jep mësime aq të bukura si ta shohim dhe jetojmë jetën. Jeta e saj pranë sfinksit IS ishte e mbushur me ditë betejash rrezikplota të mbuluara me buzëqeshje e shtrëngime duarsh, që mund të përfundonin lehtazi në vendosje prangash. Por prarimi i saj i lindur nuk u venit. Edhe kur ajo la mbas shpine tërë dashuritë për Tiranën dhe familjet, ajo përtëriti atje tutje atë që duhej të dukej që tej larg – dinjitetin e vëndit të saj të vogël dhe hallemadh, por plot me mistere jo lehtas të shpjegueshme, por që Ai, sfinksi i saj, i ngjizi me magji në letrat që la pas për ne të gjithë, përfshi edhe shkruesit e korridoreve.

Thjesht, për një pasqyrim të vagullt, le të shohim se çfarë na sjell Helena në tregimin NE BANORËT E PLANETIT TJETËR. Ajo na çon në Kanë, ku rrjedh festivali i famshëm, në 1992. Aty është pjestare jurie edhe Marina Vladi, Shtriga që ne kemi admiruar në vitet 60 në Kino 17 Nëntori apo Partizani dhe një aktore “yll”, fare e re ruse. Dy gratë nga vëndet e Lindjes mirëkuptohen thellësisht vetëm me njëra tjetën lidhur me gjëndjen në atdheun e tyre përkatës:

Janë një mijë gjëra të tjera këtu, që dashur ose padashur më bëjnë të mendoj për vendin tim…. Është për të ardhur vërtet keq që tamam kur, për gëzimin e të gjithëve, këta popuj po dilnin më në fund nga diktaturat, atyre po u shfaqej një mallkim i ri: anarkia…..!! Edhe atëherë, kur ti kujtoje se ua kishe shpjeguar të gjitha, me gjuhën e tharë nga mundimi, dhe u ishe mirënjohës që të kishin dëgjuar me vëmëndje, nga sytë e mpirë të bashkëfolësve ti e ndjeje sakaq se ata s’të kishin kuptuar….. Dhe ky, me sa duket, ka për të qënë moskuptimi më i gjatë mes nesh…

Ndala një çast hapat dhe hodha sytë për të fundit herë andej nga dukej deti. Farfurimi i tij i argjentë të merrte sytë…. Atë po shihja edhe unë – tha ajo me një zë që mua mu duk në prag të ngashërimit. – Është kaq bukur! Po përse nuk gëzohemi dot… neve…?

Ndësa në rrëfenjën TË MUND TË RUASH NJË ËNDËRR, që përshkruan një takim mikeshash të hershme, lexojmë:

Atë çast, kushedi pse më erdhi në mëndje një thënie e një libri të lexuar diku. “Mënyra më e mirë për të ruajtur një ëndërr është të mos e realizosh kurrë atë” por nuk e thashë, nga frika se mos e lëndonja.

Por libri i tashëm i Helenës, i tëri, është një lundrim i këndshëm në jetët dhe ditët tona interesante, por që më të shumtët nga ne, të rrëmbyer nga rutinat tona mediokre, nuk i shijojmë ashtu si ato do meritonin. Duhet që herë pas here të marrim “syzet rozë” të Helenës.

Kjo është arsyeja e atij prarimi që suaza Helenë i shton portretit të sfinskit Ismail. Mblidhuni katër-pesë miq dhe blini vetëm një libër, (si dikur kur kishim aq pak para’). Kalojeni dorë më dorë tek shoku tjetër. Ju siguroj dhe besoj se më pas, seicili do të dojë ta ketë në bibliotekën e tij. Mua të paktën, kështu më ndodhi.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË