Fragment nga romani
Ben Ami Brauner nuk kishte kapërdirë kurrë një drekë aq të ngjethshme. Ishin pothuaj të gjithë përreth tavolinës: e shoqja Dvora, bijat Azra e Kasia; në mes të atyre të dyjave edhe Dina Azankot, e fejuara e djalit të shtëpisë, Atzel. Ky i fundit duhet të kthehej nga një çast në tjetrin. Kushedi se ku ishte strukur bashkë me kushëririn e tij shqiptar, Amos Goldin.
I lauruar dhe specializuar me notat më të larta, nipi i Dvora Goldin Braunerit sapo kishte filluar të ushtronte profesionin e kardiokirurgut në Romë.
Pas vendosjes edhe në Itali të ligjeve raciale, sidoqoftë, s’mund bënte më mjekun. Si hebre i mirë që ishte, Ben Ami nuk ia kishte hedhur kurrë fajin të riut nga Vlora, edhe atë ditë të rëndësishme. Atzel, kohët e fundit, nuk ishte më ai i mëparshmi – djalë i përgjegjshëm dhe korrekt, pararendës i shumë nismave magjepsëse për të menaxhuar më së miri restorantin e tyre kosher.
Në atë lokal – më i miri në Merano – kishin pasur një tavolinë të rezervuar edhe për Stefan Cvajgun dhe Franc Kafkën. Eh, i madhi Franc! Në kohërat e tuberkulozit të tij ngjethës, ishte bërë edhe mik i ngushtë i familjes Brauner. Shpesh, në mbrëmjet e zgjatura në barin e tyre, nga një brokë birre në tjetrën, tregonte deri edhe bëmat e tij dashurore me Felis Bauer. Në një qoshe të restorantit të tyre ishin shkruar edhe më të flakëtat letra për Milena Jesenskën.
Sa larg dukeshin ato kohëra të bekuara! Atzel Brauner në ato vite kishte qenë vetëm një fëmijë. Tashmë, sidoqoftë, është burrë i pjekur, mendonte plaku Ben Ami. Edhe pse prej Kafkës ka lexuar gjithçka të mundshme, edhe pse e di përmendsh Metamorfozat, duket sikur në trurin e tij është fiksuar vetëm ana erotike e personalitetit të ndërlikuar të shkrimtarit.
Edhe Atzel, ashtu si Franc, kishte një dashnore të hershme, me gjak hebreu si ai, pikërisht Dina Azankotin, atë ulur ngjitur me Dvorën. Por gjuhët e liga merrnin nëpër gojë edhe bëma të tjera të djalit të tij. Ishte frymëzuar nga dashuria e Kafkës për Jesenskën?
Vështirë që Dina Azankot të mos dinte gjë për aventurat e të fejuarit të saj. Me sa dukej duronte gjithçka në heshtje. Ishte aq e nënshtruar dhe e thellë dashuria e asaj vajze për Atzelin. Ah, atë ditë edhe ajo qe duke e pritur për atë drekë të fundit në Merano.
Bëhej fjalë pikërisht për drekën e lamtumirës ndaj qytetit.
Në Merano, përgjithësisht, bizneset e familjes kishin shkuar me vela të fryra prej erës së fatit. Nuk mund të pohohej e njëjta gjë për kusurin e jetës së tyre. Fëmijët e familjes Brauner kishin lindur në Merano, por miqësitë e tyre kishin lulëzuar vetëm me pjella hebrenjsh.
Meranezët, në pjesën më të madhe të gjuhës mëmë gjermane, i kishin mbajtur në njëfarë largësie, ndoshta jo të një armiqësie të shpallur hapur, por sigurisht të një mirësjelljeje të akullt. Kjo gjë deri para ligjeve raciale në Gjermani, rreth të cilëve pjesa më e madhe e tyre ishte në dijeni; sidomos pas atij të mallkuarit 5 shtator të vitit 1938, kur largësia midis popullsisë së Meranos dhe Davidsternit pësoi një shkarje të befasishme drejt më të keqes.
Tashmë ata Juden ishin armiq të shpallur me ligj, të cilët duheshin hequr qafe sa më parë.
Familja e Dina Azankotit, gjithsesi, ishte vënë në rrugë drejt Palestinës. Ishin të shumtë ata që ishin larguar; kush drejt një drejtimi të panjohur, kush i internuar prej shtetit italian në lokalitete të tjera, për t’i mbajtur më mirë nën mbikëqyrje.
Hebrenjtë e mbetur në Merano ishin të pakët. Përveç familjes Brauner, flitej për një mjek dhe të shoqen që nuk kishin dashur të braktisnin pacientët në një sanatorium; pastaj ca të tjerë në moshë shumë të përparuar, të shpërndarë aty-këtu nëpër qytetin e lumit Pasirio. Ishte një konglomerat i përbërë në pjesën më të madhe nga skeptikë që nuk donin të braktisnin pronat. “Ç’të keqe kemi bërë,” thoshin mes tyre, “nuk ikim, vetëm po na shqitën me forcë!”
Ndonjë, prej atyre që kishin dashur t’ia mbathnin, gjendej akoma në Merano, pasi ishte vonuar me shitjen e shtëpive dhe të bizneseve. Hiqnin dorë prej atyre aktiviteteve fitimprurëse për pak para, në nxitim e sipër, pikërisht siç po bënin edhe ata të familjes Brauner.
Ben Ami pikërisht atë ditë kishte firmosur shitjen e restorantit të tyre të famshëm. Dhe për çfarë? Për një shifër mjerane që do të kishte mjaftuar vetëm për udhëtimin e tyre deri në Shqipëri.
Nipi Amos Goldin i kishte siguruar ata se në Vendin e Shqipeve ishin duke gjetur strehim hebrenj nga e gjithë Europa. Ai eksod ishte përshpejtuar kur mbreti shqiptar, Zogu i Parë, kishte deklaruar se do të mirëpriste në mbretërinë e tij të gjithë jahudinjtë që do të kishin pëlqyer atë rrugëzgjidhje. Sovrani i Shqipërisë, në një gran gala, kishte ftuar përfaqësuesit e familjeve më të mëdha hebraike; pastaj vetë ai kishte bërë një vizitë në shtëpitë e tyre, edhe në vilën e Goldinëve. Thuhej madje që edhe Albert Ajnshtajni kishte qenë mik në shtëpinë e Zogut, i cili e kishte pajisur me një pasaportë shqiptare.
“Ndërkaq mbretin tuaj e rrëzuan italianët,” i kishte thënë mosbesues Atzel.
“Nuk ka rëndësi,” i qe përgjigjur Amos Goldin. “Këtu bëhet fjalë për popullin shqiptar, jo për italianët.”
“Ç’thua, Amos,” e kishte ndërprerë kushëriri meranez. “Jemi në gjysmën e shtatorit të 1943-shit. Gjermanët tashmë ndoshta kontrollojnë të gjithë Shqipërinë. Gjermanë këtu – gjermanë atje, ç’ndryshim ka?”
“Ka, Atzel, ka,” i ishte përgjigjur Amos Goldin. “Në Shqipëri është popullsia që na ndihmon të fshihemi. Deri tani nuk ka ndodhur ndonjëherë që një hebre të bjerë në duart e pushtuesve. Ndërsa këtu nuk më duket se jeni të rrethuar nga gjithë ajo dashuri.”
Në ditët e mëparshme, gjatë vizitës së tij të fundit në Vendin e Shqipeve, Goldin ishte bërë copë për t’i ndihmuar. Kishte udhëtuar deri në Berat për t’u furnizuar me mallin e duhur për daljen jashtë Italisë të familjes Brauner. Një mik i Goldinëve, Hafëz Is’haku, – myfti i atij qyteti antik – e kishte furnizuar bujarisht me tre xhybe dhe katër nikab. Vetë Hafëzi u kishte gjetur shtatë pasaporta shqiptare, të modifikuara nga një falsifikues beratas me fotot e sjella nga Amos Goldin. Do t’i kishin shërbyer dhe familjes Brauner përgjatë udhëtimit deri në Vlorë. Kshin rënë dakord edhe me një anije-cisternë që nisej çdo dy ditë nga Brindizi për në Ujin e Ftohtë të Vlorës.
Ora e drekës kishte kaluar tashmë, megjithatë Atzel e Amos nuk po dukeshin akoma. U ka ndodhur gjëkafshë, pyeti veten Ben Ami Brauner, apo do të jetë faji i zakonit të keq të tim biri, që kohët e fundit, nuk kthehet kurrë në orar! Edhe sot duhet të vonohej, për drekën e fundit?
I pavetëdijshëm, shikimi i tij u vërvit mbi një drejtkëndësh të zbehur të murit përballë. Mbi atë zbehje, pak orë më parë, ishte varur një kuadër i çmuar, Darka e Fundit. Sipas ekspertëve, bëhej fjalë për një kuadër origjinal të Giotto-s, pararendës i afreskut për Capella degli Scrovegni, në Padova. Shumë miq të familjes Brauner, sidomos hebrenj, kishin varur buzët rreth pranisë së atij kuadri në një shtëpi hebraike por, sipas pronarit të atij thesari, ishin vetëm lloqe. Ata që flisnin ashtu ndoshta e kishin harruar se ajo Darkë e Fundit kishte qenë një vakt ritual për të festuar pikërisht Pesach-un, Pashkën Hebraike në përkujtim të eksodit të hebrenjve prej Egjiptit. Pastaj ai kuadër, duke qenë një Giotto, përbënte një rezervë të jashtëzakonshme parash në një rast fatkeqësie. Mungesa e tij në mur Ben Ami Braunerit i krijoi përshtypjen sikur edhe ai qe duke shkuar drejt kryqëzimit. Po, dhe përreth kishte apostujt e tij. Askush prej tyre, sidoqoftë, nuk kishte për të qenë Juda, për këtë ishte i sigurt.
Ndoshta Iskarioti po e priste jashtë. Mund të ishte ai i shtëpisë përballë? Apo tjetri që po nxitonte të kalonte urën, apo ndoshta ai që po pinte kafenë me ata të Sicherungs- und Ordnungsdienst! Ndoshta. Ndoshta prej atyre dyshimeve rreth Judëve të panjohur ishte duke ikur Ben Ami Brauner, ndoshta prej kësaj po hante me apostujt e tij drekën e fundit në Merano. E fundit për atë moment historik, sepse, po qe se do të kishte besuar megjithëmend që kishte për të qenë e fundit, do të kishte shitur edhe shtëpinë. Por nuk e bëri atë gafë, sepse një ditë kishte për t’u kthyer, patjetër. Një fillim të ri mund ta bënte edhe pa një Giotto, edhe pa një restorant, por si do t’ia bënte pa një shtëpi? Ta dhuronte edhe atë? Jooo, jo! Do ta kishte mbyllur. Ndoshta nuk do të kishin mjaftuar dryna dhe çelësa. Ndoshta do ta kishin bastisur, do ta kishin plaçkitur, por muret do të kishin mbetur, sido që të ishte. Edhe toka përreth.
Ben Ami Brauner kishte menduar t’ia linte çelësat një çifti miqsh, Ursus Kumer dhe Gea del Ben, por ata nuk dihej se ku ishin larguar; para se ndonjë të kujtohej se restoranti i tyre ishte trashëguar nga një hebre; para se ndokush të shkonte tek nazistët për t’u pëshpëritur rreth identitetit të vërtetë të djalit të tyre Dario Del Ben. I shkreti Dario! Kishte mbetur jetim pas vdekjes së babait të tij natyral Argos Kofler dhe të nënës ruse Daria Andreevna L’Vovna. Ishin të shumtë ata që tashmë e dinin historinë e fundit të trishtuar të atyre dy të rinjve nga Trentino. Në gjendjen civile mund të gjendej lehtësisht emri i plotë e djaloshit: Dario L’vovna Kofler Cumer Del Ben. Kryetari i familjes Brauner kishte arritur të mësonte se Dario Kofler, me të shoqen dhe të birin, pak muaj më parë ishte rregulluar në Bolzano. Për prindërit e tij adoptues, ndërkaq, nuk dihej asgjë. Ben Ami i kishte përshëndetur, ndërsa po largoheshin me valixhe në dorë. Edhe ata kishin lënë gjithçka mbyllur, duke mos dashur të mos ia besonin askujt.
“U ftoh fare supa, si t’ia bëjmë, presim edhe pak apo…?” pyeti të shoqen Ben Ami Brauner, më shumë për t’u shkëputur nga ato mendime sfilitëse.
“Ashtu është,” tha Dvora, “qoftet tashmë do të jenë bërë gur!”
Ajo supë thjerrëzash të Ezaut kishte për të qenë gatimi i fundit në atë shtëpi? Tani për tani, po, i kaloi nëpër mend të zonjës së shtëpisë Dvora Goldin Brauner. Por ajo nuk ndihej e rënë moralisht. Kishte një parandjenjë të zbehtë që gjërat kishin për të ndodhur sipas parashikimit të tyre. Do të kishin qenë në një vend të sigurt për disa muaj, derisa të mbaronte lufta, pastaj, me rikthimin e në Merano, edhe jeta e tyre do të riniste si më parë.
Ajo grua dukej e vetmja në familje me humor ende të mirë. Këndonte nën zë. Për darkë dhe për udhëtimin që i priste kishte përgatitur knishes me patate dhe spinaq. Ishin gati edhe pjata me rugelach për ngjarjen që ishin duke i lajmëruar djalit të tyre.
Ben Ami u ngrit dhe u vu pas perdes së dritares përballë. Urën mbi lumin Pasirio nuk kishte për ta parë për kushedi sa kohë. As edhe të magjishmin Kurhaus. Shumë njerëz paska vërdallë, e pazakontë për këtë orë.
Arriti më në fund edhe të shquante siluetën e të birit dhe të Amos Goldinit.
“Ah, po vijnë,” ia bëri dhe u ul përpara pjatës së tij.
Kur të dy djemtë hynë në shtëpi, Dvora Brauner qe duke hedhur supën nëpër pjata. Babai i shtëpisë nuk deshi të ngrejë sytë. Ishin shumë të trishtuar dhe qortues. Azra dhe Kasia nuk shprehnin ndonjë gjë të veçantë, ndërsa Dina dukej si e përhumbur.
Atzel kërkoi falje për vonesën. “Ishim me një mikun tim të vjetër italian. Tek ai i kemi fshehur dokumentet dhe veshjet islame.”
Do jetë ndonjë nga ato putanat e tua, deshi t’i thoshte Ben Ami, pastaj shtoi me një zë të pangjyrë: “Pas drekës duhet të flasim, prandaj mos i mbath si zakonisht.”
“Mirë,” tha Atzel dhe nisi të shijojë drekën. Stomakun e kishte plot tanimë, por duhej patjetër ta mbaronte supën, ndryshe kush i duronte qortimet. Të njëjtën gjë bëri edhe Amos Goldin.
Qe një drekë në të cilën nuk u dëgjuan as edhe lugët e pirunjtë. Secili prej të pranishmëve ripërtypte shqetësimet e tij, duke filluar nga më e vogla e familjes.
Kasia ishte akoma fëmijë, sapo kishte mbushur dhjetë vjeçe. Ajo as që iu tha prindërve se çfarë i kishte ndodhur atë mëngjes. Dikush nga bulot e lagjes, pak para se të hynte në shtëpi, i kishte futur në çantën e shkollës një copë letër. Kasia Brauner kish hyrë me vrap në dhomën e saj, kish nxjerrë me një frymë atë dhuratëzë të detyruar: Hebré, o judé/ kapelen flaké / se po kalon zotnia/ nesër cof si miza. Në fillim vogëlushja Kasia ishte tmerruar. Çfarë do të na bëjnë nesër? Na marrshin të keqen! Ne nesër nisemi për në Shqipëri dhe nuk mund të na bëjnë dot asgjë. Xhaxhi Amos na e ka premtuar, ai nuk thotë budallallëqe, është një djalë serioz. Prandaj nuk po i them asgjë as mamit, as babit, edhe pa këto gjëra kanë shumë probleme.
Azra, ndërkaq, përpiqej të mos mendonte hiçgjë. Tashmë ishte vendosur gjithçka. Ajo do të ishte kthyer për herë të fundit në sanatoriumin në të cilin shërbente si infermiere, do të kishte përshëndetur pacientët, koleget, mjekun dhe të shoqen, por nuk do t’i kishte thënë askujt tjetër që ishin duke u larguar nga Merano.
Dina Azankot, ndërkaq, nuk i tradhtonte emocionet e saj. Kërkonte me bishtin e syrit Atzelin, por ai shtirej sikur nuk e vinte re.
Me këtë gjendje shpirtërore katër femrat e shtëpisë u tërhoqën për herë të fundit në dhomën e prindërve për të kontrolluar edhe një herë valixhet e mbushura me gjërat më thelbësore: në përgjithësi të linjta dhe ndërresa veshjesh përgjatë udhëtimit. Asnjë foto apo send që lidhej me besimin e tyre fetar. Kishte për të qenë shumë e rrezikshme.
Ngaqë në sallën e ngrënies mbetën vetëm burrat, Ben Ami Brauner gjeti çastin e duhur për t’i folur të birit. “Ja, erdhi çasti për martesën tënde me Dinën. Nuk mund ta shtyjmë më. Si mund ta marrim me vete, pa qenë akoma gruaja jote?”
Atzel priste të ndodhte gjithçka atë ditë, por jo një propozim të tillë. “Pikërisht sot, papi?! E si mund ta bëjmë martesën pa një rabin!”
“E ka menduar sesi, o bir,” ia bëri Ben Ami, “kam aktin e martesës me firmën e rabinit.”
“Një akt të rremë?” “Pse të duket e çuditshme, tashmë të gjithë falsifikojnë gjithçka. Veshjet që na ka gjetur kushëriri yt Amos nuk janë të rreme? Po pasaportat shqiptare? Ne vetë nuk do të jemi të rremë për ca kohë? Dhe kushedi sa të tjerë. Ah, martesën duhet ta konsumoni sonte!”
“Epo mirë,” tha Atzel Brauner. Herët a vonë kishte për të ndodhur, prandaj asnjë lloj pendese.
“Në mbrëmje mos u vono, të paktën kësaj here,” shtoi i ati.
Djaloshi aprovoi me një të tundur koke. I bëri shenjë me sy Amos Goldinit dhe që të dy dolën prej shtëpie me nxitim.
Përveçse të merrnin veshjet për të udhëtuar tebdil si klerikë myslimanë dhe gra të Islamit, kishin edhe një arsye më shumë për të shkuar tek kontesha Kelerman: të festonin, sipas mënyrës së tyre, lamtumirën ndaj beqarisë të Atzelit.
Ivone Kelerman, austriake, por edhe meraneze e adoptuar prej qytetit të lumit Pasirio, ishte njohur në ambientet mondane si kontesha e kuqe, prej flokëve të saj ngjyrë rubini natyrale. E martuar me një milioner austriak, kalonte pjesën më të madhe të muajve në Merano. Thoshte se kishte nevojë për ajër të pastër. Nuk donte të binte edhe një herë tjetër në kthetrat e tuberkulozit. Ajo sëmundje tashmë nuk e kishte prekur më, por kishte lënë shenja të dukshme në sjelljet dhe në fytyrën e saj zbehtë.
Sapo ia mbërritën dy djelmoshat, ajo i ftoi në sallon. Në njërën nga poltronat, këmbë mbi këmbë, ishte ulur një zonjë tjetër që Ivone nxitoi ta prezantonte: “Mikesha ime Hilde Klundert, baroneshë gjermane,” tha dhe shtoi pastaj menjëherë duke buzëqeshur: “Ah, ka origjinë holandeze!”
Baronesha, me flokët në ngjyrë korbi, u ngrit pakëz. Nuk e fshehu tërheqjen e saj drejt djemve të porsahyrë. U dha dorën të dyve, që ia fshikën me buzë, pastaj i hodhi një vështrim mikeshës së saj sikur t’i thoshte: Cilin prej të dyve?
Për të mos krijuar keqkuptime, Ivone Kelerman u nxitua të fliste: “Ky këtu është Atzel, miku im. Tjetri është Amos Goldin, për të cilin të kam folur.”
“Sa djem të bukur! Dy bjonda të përkryer,” shprehu kënaqësinë e saj Hilde Klundert.
“Unë dhe Atzel ju përgatisim diçka për të pirë,” tha kontesha Kelerman dhe, duke e rrëmbyer prej krahu, e çoi Braunerin drejt qilarit. Zgjodhën verën më të mirë të mundshme. U kthyen nxitimthi, por nuk gjetën askënd. “Ah, duhet të jenë në dhomën e pritjes,” i bëri Ivone Kelerman. “E dija që Hildes nuk i pëlqejnë paraeliminaret por, me sa duket, edhe kushëriri yt qenka shumë praktik.”
Atzel Brauner nuk ia e ushqeu dialogun e porsanisur. Nuk ishte nga ata që flisnin shumë apo që qeshte për hiçgjë. “Ajo, baronesha Klundert, e di që jemi hebrenj?” pyeti me zë ftohtë Ivonen.
“Jo, në asnjë mënyrë. Nuk mund t’ia thosha. Burri i saj është një feldmareshall. Komandon trupat gjermane në Ballkan. Nuk e di se ku me saktësi, ndoshta në Greqi. Hilde më tha se kishte dëshirë të shkonte në shtrat me një bukurosh vendali dhe unë ia gjeta. Kaq. Ishte e gatshme ta paguante shtrenjtë këtë takim.”
“Amos nuk bën kurrë dashuri për para,” kundërshtoi Atzel Brauner.
“Ç’të keqe ka nëse i jep diçka prej floriri? Do t’ju duhet!”
“S’besoj se do ta pranojë,” tha duke tundur kokën Brauner dhe deshi të shtojë diçka.
“E rregulloj unë këtë punë,” ia preu hovin Ivone Kelerman. Duke ia mbyllur gojën me dorë, e kapi djaloshin prej qafe dhe, ndërsa e tërhiqte si një qengj, e futi në dhomën e saj të gjumit. Mbylli derën nga brenda me çelës, me një të shtyrë hodhi djaloshin mbi shtratin e madh dhe filloi menjëherë ta shijonte pa humbur asnjë çast. I puthi sytë e çelët, pastaj hundën e drejtë, pastaj buzët mishtore. Atzel Brauner ishte i ftohtë si një stalaktit prej akulli i saposhkëputur prej tavanit të një shpelle. Është duke menduar nusen e tij, tha me vete Ivone Kelerman. Tani ia marr shpirtin!
Nisi të kafshojë buzët e djaloshit si një hienë e uritur. Pastaj zbriti pak më poshtë, pak më poshtë, gjithmonë duke kafshuar deri në gjak, derisa nga goja e tjetrit nuk i ndie rënkimi i parë. Ata të dy pastaj u bënë një trup i vetëm, mish në mish, sy në sy, buzë në buzë, dhëmb në dhëmb. Kushedi për sa kohë do të kishin vazhduar të thëthinin njëri-tjetrin nëse, në çastin më të papërshtatshëm, dikush të mos kishte trokitur në portën e shtëpisë.
“Oh, jooo!” ia bëri kontesha Ivone Kelerman. E ngathët si një marmotë e zgjuar me zor nga letargjia, hodhi mbi shpatulla një robëdëshambër dhe u vu pas syrit magjik. “Kush është?”
“Hape, të lutem! Jam një mikeshë e familjes Brauner!” u dëgjua zëri i alarmuar i një gruaje.
Ivone Kelerman hapi portën për pak centimetra, por nuk e hoqi zinxhirin antivjedhje. Pas asaj gruaje vuri re edhe shpatullat e një tjetre. Ndërkaq Atzel Brauner ishte afruar. Ai depërtoi vështrimin në hapësirën e mbetur dhe i tha të dashurës: “Janë fqinjat tona. Lëri të hyjnë.”
Me sytë të kthyer pas, fqinjat e Braunerëve u futën nxitimthi. U mbahej fryma, sikur të kishin bërë një vrapim të gjatë.
“Kush ju tha që ndodhesha këtu?” pyeti plot dyshim djaloshi.
Pasi priti pak sa t’i qetësohej frymëmarrja, fqinja më e moshuar tha: “Janë të shumtë ata që e dinë.”
Atzel Brauner nisi të shqetësohej. “E pse gjithë ky alarm?”
“I morën të tutë, të gjithë!” “Kush i mori?” ia bëri djaloshi, duke e mbërthyer atë grua prej krahut.
“SS-ët, Schutzstaffel-ët, të shoqëruar nga vendalinjtë e Südtiroler Ordnungsdienst-it, domethënë të SOD-it!”
Atzel Brauner mezi po mbahej në këmbë. “E ku i kanë çuar?”
“Kush e di,” tha fqinja tjetër, ajo më e reja në moshë. “Erdhëm deri këtu për të të paralajmëruar. Nuk duhet aspak të kthehesh në shtëpi. Po të kërkojnë!”
“Po ikim tani,” ia bëri gruaja tjetër, “ndokujt mund t’i lindë ndonjë dyshim dhe do t’ju vinte në rrezik.”
Sapo u mbyll porta, Atzel Brauner u lëshua i pafuqishëm mbi njërën nga poltronat e sallonit. Ndërkaq kishin dalë nga dhoma e pritjes edhe Amos Goldin e Hilde Klundert. Djaloshi vlonjat dridhej i tëri, baronesha nuk po kuptonte asgjë.
“Jeni hebrenj?” tha ajo, duke i ngulur sytë Goldinit.
Ivone Kelerman u shndërrua në një nëpërkë. “Po, e pastaj?”
“Jo, jo, asgjë, edhe kjo na duhej. Nuk i kam përkrahur asnjëherë ligjet raciale, edhe pse im shoq…” tha Hilde Klundert, pastaj, duke u përpjekur t’i qetësonte sadopak të gjithë, shtoi: “Prej meje nuk ka për t’ju ardhur kurrë asgjë e keqe. Përkundrazi, thuamë nëse mund të bëj diçka për këta dy biondinë. E kush mund ta thoshte që qenkëshin hebrenj!”
“Më fal, Hilde, ndoshta reagova keq, por ndihma jote do të na duhet, sigurisht,” tha Ivone Kelerman.
“Jam gati,” e siguroi Hilde Klundert. “Ç’të të them, si të parën ndihmë, mund të shkosh tek zyrat e SOD-it, apo edhe të SS-ve, për të mbledhur ndonjë informacion rreth familjes Brauner. Ndoshta arrin të mësosh të paktën se ku i kanë çuar.”
“Sigurisht, sigurisht që mund ta bëj, ata e dinë kush është im shoq. Tjetër gjë?”
Sytë e Ivones ishin ngjyer me të kuq. “Bëj këtë fillimisht, të lutem, pastaj flasim prapë. Ne këtu do të përpiqemi ta mendojmë mirë se si duhet vazhduar më tej.”
Hilde Klundert doli menjëherë. Më mirë të shkoj tek SS-të, gjykoi aty për aty. Ata të SOD-it janë ca zagarë vendalinj në shërbim të padronit të ri. Dinë vetëm të spiunojnë. Më mirë të flas me padronin sesa me qentë e tij.
Kur e pa të trokiste në zyrën e tij, komandanti i SS-ëve u ngrit menjëherë në këmbë dhe bëri Hitlergrus-in, duke e shoqëruar, ndërsa përplaste takat e këpucëve, me të pamungueshmen Heil Hitler! Nuk e priste një vizitë të tillë, tamam prej gruas së njërit prej më të rëndësishmëve hierarkë gjermanë.


