Në studimet e deritanishme që janë bërë për metrikën e epikës sonë legjendare, vihet re se në to ka disa pasaktësi dhe mungesa.
Së pari, nga këto studime të krijohet përshtypja sikur formën e sotme të kësaj epike autorët e tyre e konsiderojnë si një gjendje të dhënë njëherë e përgjithmonë, të ngrirë, të pandryshueshme, sikur këngët tona kreshnike të ishin ruajtur ashtu siç kanë qenë në krye të herës, pa pësuar modifikime gjatë shekujve që ato kanë vazhduar të qarkullojnë në hapësirën shqiptare. Një studiues shkruan: “Por edhe populli shqyptar gjithmonë ka përdorë tetrrokshin nder kangë të veta kreshnike e heroike, në daç të “moçme” të jenë në daç të reja: si mundet me u vërtetue prej botimesh folklorike kombëtare sona ktej e andej ujit e detit – nder italo – shqyptarë, Gegë e Toskë të jenë.”[1]
Ky qëndrim është në kundërshtim të plotë me pikëpamjen e Roman Jakobsonit, i cili thotë se poetika historike duhet të konceptohet si një superstrukturë, e ndërtuar mbi një seri përshkrimesh sinkronike të njëpasnjëshme. Duke folur për poetikën sinkronike, ai shton se në çdo epokë dallohen forma konservative dhe forma novatore.[2] Edhe studiuesi amerikan Gregory Nagy, nxënësi i oralistëve të njohur M.Pary e A. B. Lordes, është i mendimit se metri grek është produkti final i një serie të gjatë rregullimesh në modelet formale të shprehjes poetike tradicionale.[3]
Sidoqoftë edhe midis studiuesve tanë ka pasur ndonjë zë që në mënyrë të tërthortë e ka kundërshtuar poetikën statike: “Vargu i këngëve të kreshnikëve na paraqitet kështu, në thelb, si një varg tonik, që ndodhet në një fazë kalimtare drejt formave më të reja të sistemit silabotonik.”[4]
Duke pranuar se gjendja e tanishme e epikës sonë legjendare është një fazë evoluimi, rrjedhojë e një transformimi të gjatë, nga ky proces nuk mund të përjashtojmë edhe metrikën. Nga kjo del se faza e tanishme është vazhdim i një apo i disa fazave më të hershme, të cilat, ndonëse nuk janë dokumentuar në tekste të mbledhura disa shekuj më parë, prapëseprapë ato kanë lënë gjurmë, veç të tjerash edhe në sistemin metrik.
Botimet e derisotme dhe materialet arkivore na japin mundësi të hetojmë ndonjë gjurmë të hershme, siç është rasti i teksteve ku ka vargje, të cilat ndryshojnë fare pak nga proza, madje fare lehtë mund të strukturohen si prozë:
Hasani e Hiseni ni babë e kishin pasë,
se shum t’voxhël baba i kish lanë.
Na i kish pasë baba zagarë e langoj,
xhith në bjeshkë, tha kish pas najtë,
xhith në bjeshkë, tha, tuj xhatue,
dit për dit baba ish kan shitue,
çatje n’bjeshkë baba ish kanë metë.”[5]
Me pak ndryshime sintaktike, vargjet e mësipërme mund të prozifikohen kështu: “Hasani e Hiseni kishin pasë një babë. Baba i kish lanë shumë t’voxhël. Baba kish pasë zagarë e langoj. Kish pas najtë xhith në bjeshkë tuj xhatue. (Një) dit prej dit(ësh) baba ish kanë shitue. Baba kish metë çatje n’bjeshkë.”
Në ndonjë tekst tjetër të epikës sonë legjendare hasim dukurinë e kundërt, kur fjalitë e prozës ritmike, të ndara me cezura të qarta, fare lehtë mund të strukturohen si vargje:
“Ishte kanë Arrnaut Osmani, ni gjalë nana ma pat për mall, ene nusen ja kishte marrë. Erdhën shokët për m’e thjerrë, për me dal, tha me shatejtë. Nanën e vet, tha, ma ka pëjtë:/”Kan’ ardhë shokët për me m’thejrrë, a me dalë, nanë, – tha – me shatëjtë?”[6]
Pa bërë asnjë ndryshim sintaktik, këtë fragment proze mund ta renditim në vargje si më poshtë:
“Ishte kanë Arrnaut Osmani,
ni gjalë nana ma pat për mall,
ene nusen ja kishte marrë.
Erdhën shokët për me thjerrë,
për me dal, tha me shatëjtë.
Nanën e vet, tha, ma ka pajtë:
Kan’ ardh shokët, për me thëjrrë,
A me dalë, nanë, – tha – me shatëjtë?”
Në epikën tonë legjendare ka edhe ndonjë tekst në prozë, i cili mund të strukturohet në vargje ku mund të jetë e pranishme edhe rima. I tillë është bie fjala ky fragment i shkëputur nga teksti Në shpellë të kreshnikëve: “Ato tri shpata pikshin gjak. “O Halil, tha, more vlla, po ça janë kto shpata çi pikin xhak?” Foli Muja, i tha, “ore budallë, kto janë shpata tue u shpërla. Kur të lahen shpatat krejt, prap dynjenë do ta bajmë fet.”[7]
Përsëri pa bërë asnjë ndryshim sintaktik, ja si mund të strukturohet në vargje fragmenti i sapocituar:
“Ato tri shpata pikshin gjak.
– O Halil, tha more vlla,
Po ça janë kto shpata çi pikin xhak?
Foli Muja, i tha: – Ore budallë,
Kto janë shpata tue u shpërla.
Kur të lahen shpatat krejt,
prap dynjenë do ta bajmë fet.”
Jam i mendimit se shembujt e mësipërm janë gjurmë të një faze të lashtë, ndoshta mesjetare, kur poezia dhe proza ritmike nuk ishin të ndara me thikë, kur kishte tekste që ndodheshin në kapërcyell midis njërës dhe tjetrës formë letrare.
Për dallimin midis vargut dhe prozës, oralisti Paul Zumthor shprehet kështu: “Në traditën oksidentale, ekzistenca e koncepteve të dallueshme varg dhe prozë është pjesë e trashëgimisë greko-latine dhe ka të bëjë më shumë me idenë metrum-it sesa me një fakt natyror.”[8] Për këtë çështje, studiuesi i larpërmendur i referohet Marcel Jousse-it, i cili qysh në vitin 1925 kishte hedhur poshtë çdo dallim midis prozës dhe vargut. Sipas tij ky dallim kishte kuptim vetëm në tekstet e shkruara.[9]
Më tej, Zumthor-i shton se ritmi nuk mund të identifikohet me vargun, siç e tregon shembulli i gjuhëve europiane moderne ku pasuria ritmike e stileve të tyre letrare është indiferente ndaj vjershërimit konvencional. Sipas Zumthor-it, pyetja se ku kalon kufiri midis vargut e prozës, pothuaj e humbet kuptimin kur ndërhyn kënga: një tekst i hartuar pa strukturim ritmik të veçantë, në qoftë se këndohet, gjatë performancës merr ritmin e melodisë…[10]
Vërejtja e dytë që mund t’u bëhet një pjese të studimeve për metrikën e epikës sonë legjendare është pasaktësia lidhur me llojshmërinë e vargjeve të përdorura në të. Kjo e metë vihet re qysh në titujt e studimeve ku fjala varg përdoret në njëjës, sikur epika jonë legjendare të ishte hartuar me një varg të vetëm, cilidoqoftë ai.[11] Ky paragjykim teorik që nuk i përgjigjet të vërtetës, duhet ta ketë burimin te njohja e pamjaftueshme e traditës sonë epike. Ndonjë autor që është thelluar më shumë te kjo traditë, ka pohuar se në të hasen edhe vargje të tjera: “Pra, vargje nëndërrokëshe me pesë arse (ngritje) e vargje tetërrokëshe e shtatërrokëshe me katër arse. Ka, përveç këtyre, edhe vargje të shkurtra, gjashtë rrokëshe, me tri arse: nana qi m’paditi. – – – -.”[12] Veis Sejko përmend shkarazi se me vargjet e rregullta me 10 rrokje përzihen edhe vargje me 8 dhe 7 rrokje.[13] Megjithatë nuk kanë munguar edhe studiuesit që janë ngjitur mbi kufirin e 10 rrokjeve, që ka thënë se në epikën tonë legjendare janë përdorur edhe vargje me 14 me 16 rrokje.[14] Praktika krijuese dëshmon se në këngët tona kreshnike ndeshen vargje të tilla, por edhe vargje më të gjata, sado të rralla që mund të jenë ato.
Nga një shqyrtim i hollësishëm i botimeve të derisotme dhe i materialeve arkivore, del se, me një shpeshtësi (frekuencë) të ndryshme, e cila ende nuk është llogaritur statistikisht, epikën tonë legjendare janë përdorur këto vargje:
Vargu tetëmbëdhjetërrokësh
E
vërteta është se ky varg është shumë i rrallë, por pikërisht rrallësia e tij na shtyn të mendojmë se ai është mbetje e një vjershërimi të hershëm:
“Krajl i Kotorrit po i ep Krajlit Moskovit vashën Engjelinë,
e Krajl’ i Moskovit Krajlit Kotorrit Llatin Kanebardhën.”[15]
Për të treguar se një varg i tillë nuk është aspak një meteorit i rënë nga qielli, le të përmendim faktin se ai është i pranishëm edhe në poezinë gojore të Shqipërisë së jugut:
“Atij i shkonte e zeza mendje se kishte pallaska të argjenda.”[16]
“Po i shkonte e zeza mendje se kishte fustanellë me treqind kinda.”[17]
“Fshatrave kur dilte, copra buke mblidhte, qentë ç’i godiste.”[18]
Vargu pesëmbëdhjetërrokësh
K
y varg që haset në këngët kreshnike të mbledhura në Shqipëri dhe në Kosovë, është më i shpeshtë sesa vargu tetëmbëdhjetërrokësh:
“Bajlozin e madh, Harambashin, qafet ta kâ hjekë.”[19]
“mehyrin florinit e kite gurin xhevahirit.”[20]
“Edhe krushqit kan’ zhdriq’ tu Plake Jemin Aga, pra.”[21]
“E, he, po, udha e marë, he, po vllaznive po u thotë.”[22]
Vargu pesëmbëdhjetërrokësh përdoret edhe në poezinë gojore të popujve të tjerë, siç është rasti i poezisë demotike greke: “Veç të tjerash, vazhdimësinë midis poezisë së lashtë dhe poezisë moderne e tregon fakti se vargu jambik 15-rrokësh, i njohur me emrin “varg politik”, i cili është vargu më i përdorur në poezinë moderne, është rezultat i evolucionit të tetrametrit të lashtë katalektik.”[23] Sipas Stavro Skëndit, vargu me pesëmbëdhjetë ose gjashtëmbëdhjetë rrokje ka qenë pranuar si vargu tipik i bugarshticave…[24]
Vargu katërmbëdhjetërrokësh
K
y varg ka një shtrirje më të gjerë dhe një përdorim më të dendur sesa dy vargjet e mëparshme:
“…e probatim e kish Mujën Maliq Bylykbashi.”[25]
“Ty mos t’kosha fal, balozo, maxharri po i thotë…”[26]
“A s’p’e shef, or gjok qi jesir po dojm’ me na nxanë.”[27]
“Ej, Shishman Mefmet Aga, ne, shoum nji djalë azgan-e…”[28]
Ky varg haset edhe në epikën historike të Shqipërisë së Jugut, siç e dëshmon një këngë e mbledhur në Konispol-Sarandë:
“seç u mbush bogazi i Koskës plot me suvari,
në qafë të Smartes, more, t’e prinë pusi…”[29]
Vargu trembëdhjetërrokësh
K
y varg tek ndeshet në këngë të mbedhura në viset e ndryshme të hapësirës shqiptare.
“Nji rrogtar tjetër mbrapa krajlit ja ka vu.”[30]
“Sa fort hatrin Halili nanës ja ki pasë!”[31]
“…tash në e dijsha se un kryet aty kam me e lanë.”[32]
“…i kan nxan’ shteqet maxharrit, i kan’ nxan’ pritat.”[33]
“…pa nafak’, ishalla, kurrnjiher’ s’na ka lanë.”[34]
“…ani, qe ‘i motmot, more, po n’burgje t’kam shti…”[35]
“Ani, ku m’je ti, more Sokole, lum baci…”[36]
“Ani, me na dhan, more, dorin e mejdanit.”[37]
Vargu dymbëdhjetërrokësh
V
argu i gjatë dymbëdhjetërrokësh është një nga vargjet më të parapëlqyera të poezisë sonë gojore. Ai mund të jetë një gjashtërrokësh i dyzuar ose mund të mos jetë i tillë.
“Me shtjelma e me topuz po m’ja rrahë…”[38]
“…i ep zjermin kullës, e ban rrafsh për tokë.”[39]
“Furk prej sermit e fell prej arit me m’i prua…”[40]
“…e he, loti lotin, he çikës s’ja pret…”[41]
“A, lum e lum, more, lum bafshim për Zotin!”[42]
“ato kurrnja s’u gjinshin (n’) t’shkretën Shqipni.”[43]
“E, po, n’sob po i hi, he, Mitat Harambashit…”[44]
“E un ma ngusht vedin si sot kurr s’e dij.”[45]
Përveç epikës legjendare, dymbëdhjetërrokëshi përdoret shpesh që këngët historike të mbledhura në Shqipërinë e Jugut. Ky fakt dëshmon se vargjet e gjata kanë qenë të pranishme edhe në këtë zonë, por përdorimi i tyre ka ardhur duke u rrudhur për shkak të modifikimeve metrike që kanë sjellë me vete kohët e reja.
“Nexhip Gostivisht surratrrumbullak,[46]
Në kinda t’fustanit dy-tri pika gjak…
”N’penxhere të qoshkut iu ngjinë me shkallë,
Nexhip Gostivishti theri kajmekamë…”[47]
“Sipër mi Pëllumbat varret radhë-radhë,
kapedan Shahini, kapedan, o djalë…”[48]
”Ndë mes të Kolonjës, ndë një Psar të shkretë,
fshehur Myftar Lapi me tetëmbëdhjetë.”[49]
[1] Fishta, Estetikë dhe kritikë, Tiranë, 1999, f. 179
[2] Roman Jakobson, Essais de linguistique générale, 1963, f. 212
[3] Gregory Nagy, Le meilleur des Achéens, Paris, 1994, f.25
[4] Gjergj Zheji, Çështje të folklorit shqiptar, 2, Tiranë, 1986, f.377
[5] Shefqet Hoxha, Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983, f.289
[6] Po aty, f. 184
[7] AIKP, Fondi i Qemal Haxhihasani, vëll. 70, f.164
[8] Paul Zumthor, Introduction á la poésie orale, Paris, 1983, f. 170
[9] Po aty, f. 170
[10] Po aty, f. 170
[11] Çështje të folklorit shqiptar, 2, T. 1986 (Më tej ÇFSH, 2), f.375, 385, 392
[12] Çështje të folklorit shqiptar, 6, Tiranë, 1998, f.78. (Më tej ÇFSH, 6)
[13] Veis Sejko, Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate, Tiranë, 2002, f. 111-112
[14] Alfred Uçi, ÇFSH, 2, f.33; Ramadan Sokoli, Çështje të folklorit shqiptar, 3, Tiranë, 1987, f.51
[15] Epika legjendare, vëllimi i parë, Tiranë, 1966, f.384 (Më tej EL,I)
[16] Pano Tase, Ç’u këput një yll, Tiranë, 2001, f.92
[17] Po aty, f.93
[18] Po aty, f.95
[19] Këngë popullore legjendare, Tiranë, 1955, f.205 (Më tej KP Legj.)
[20] EL,I, f.371
[21] Epika legjendare, vëllimi i dytë, Tiranë, 1983, f.133 (Më tej EL,II)
[22] Këngë kreshnike, II, Prishtinë, 1991, f.109 (Më tej KK,II)
[23] Anthologie de la poésie neohellonique, Paris, 1983, f.3
[24] Stavro Skëndi, Poezia epike e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut, Tiranë, 2007, f.235-236
[25] EL, I, f. 483
[26] EL, II, f. 131
[27] Po aty, f.132
[28] Dr. Qemal Murati, Këngë të moçme kërçarore, Tetovë, 2000, f.109
[29] Epika historike, 2, Tiranë, 1981, f.602 (Më tej EH, 2)
[30] EL, I, f. 277
[31] Po aty, f. 301
[32] Po aty, f. 435
[33] EL, II, f. 131
[34] Po aty, f.198
[35] KK, II, f.112
[36] Po aty, f. 463
[37] Zymer Ujkan Neziri, Epika legjendare e Rugovës, V, Prishtinë, 1997, f. 343
[38] EL, I, f. 259
[39] Po aty, f. 383
[40] EL, II, f. 151
[41] KK, II, f.114
[42] Po aty, f.161
[43] Këngë kreshnike, III, Prishtinë, 1993, f.15 (Më tej, KK, III)
[44] Z.U.Neziri, vep. E cit., f.288
[45] KPLegj., f.269
[46] Këngë popullore historike, Tiranë, 1956, f.195
[47] EH, 2, f. 575
[48] Po aty, f.592
[49] Po aty, f.628


