KreuOpinionMetamodernizmi: një përgjigje ndaj modernizmit dhe postmodernizmit - Rikthim te bota e...

Metamodernizmi: një përgjigje ndaj modernizmit dhe postmodernizmit – Rikthim te bota e brendshme e njeriut

Nga Greg Dember
Shkrimtar, studiues i pavarur dhe bashkëredaktor, së bashku
me Linda Ceriellon, i vëllimit “What Is Metamodern”?

Kritika që postmodernizmi i ka bërë gjithçkaje, nga e vërteta deri tek arti, na ka lënë në një shkretëtirë intelektuale. Greg Dember argumenton se metamodernizmi — një lëvizje ende në formim, e cila e mbron përvojën subjektive nga distanca ironike e postmodernizmit, ndërkohë që hedh poshtë reduksionizmin shkencor të modernizmit — është përgjigjja ndaj nevojës sonë për një «-izëm» të ri.

Metamodernizmi, si kategori konceptuale, është ende aq i ri në procesin e përhapjes dhe të pranimit të tij, saqë, kur shkruan për të për një publik të gjerë, duhet të paraqesësh fillimisht nocionet themelore, përpara se të thuash diçka të re ose më të posaçme. Për më tepër, meqenëse metamodernizmi kuptohet gjithmonë në njëfarë raporti me modernizmin dhe postmodernizmin, duhet sqaruar edhe kuptimi në të cilin përdoren këto terma. Prandaj, le t’i sqarojmë qysh në fillim të gjitha këto.

Në përgjithësi, metamodernizmi kuptohet njëkohësisht si emërtimi i një periudhe kulturore dhe si termi që përshkruan ndjeshmërinë e lindur gjatë kësaj periudhe. Periudha në fjalë filloi afërsisht disa vjet përpara ndërrimit të mijëvjeçarit dhe vazhdon deri në ditët tona. Ajo vjen pas postmodernizmit; në njëfarë kuptimi, është reagim ndaj tij dhe, po në njëfarë kuptimi, varet prej postmodernizmit që të mund të kuptohet.

Një marrëdhënie të ngjashme, për sa i përket periodizimit, ka edhe postmodernizmi me modernizmin. Secila prej këtyre periudhave reagon ndaj periudhës epistemike pararendëse, ndërtohet mbi të dhe/ose e kundërshton atë. Prandaj, do të filloj duke përshkruar modernizmin, do të kaloj më pas te postmodernizmi dhe do të rikthehem te metamodernizmi. Në fund, do të parashtroj disa mendime për mënyrën se si po shfaqet metamodernizmi në vitin 2023 dhe do të bëj disa hamendësime për zhvillimet e ardhshme.

Meqenëse «modernja», «moderniteti» dhe «modernizmi» mund të përkufizohen në mënyra të shumta, nganjëherë edhe kundërthënëse, le ta dallojmë shkurtimisht modernizmin nga moderniteti. (Dallimet kategoriale që po bëj këtu nuk janë universale, por do të vlejnë, të paktën, brenda këtij shkrimi, në mënyrë që lexuesi ta kuptojë më saktë se çfarë kam parasysh.)

Moderniteti është termi që përdoret shpesh për periudhën e gjatë historike që nisi me Iluminizmin në shekullin XVII. E thënë shumë shkurt, moderniteti lidhet me përpjekjen e njerëzimit për të fituar pavarësi nga natyra dhe nga e shkuara e vet: me kërkimin e mënyrave të reja e më të mira për t’i bërë gjërat dhe me besimin se një përpjekje e tillë është e mundur.

Ndërkaq, modernizmi — që nisi shumë më vonë, në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX, dhe vazhdoi deri diku nga mesi i shekullit XX — shihet shpesh si një intensifikim i idealeve të modernitetit dhe si shprehja e tyre e përqendruar në art, letërsi, arkitekturë dhe filozofi. Thirrja mobilizuese e Ezra Pound-it për modernizmin në letërsi dhe në arte ishte: «Bëjeni të re».

Në përgjithësi, qoftë në arkitekturë dhe në arte, qoftë në filozofi e në shkencë, modernistët kërkonin, në mënyrë të figurshme, të zhvishnin sipërfaqen e gjërave nga mbeturinat e grumbulluara mbi të dhe të zbulonin të vërtetat më të thella e më themelore që fshiheshin poshtë saj. Modernizmi synonte në mënyrë idealiste universalet, por shpesh përpiqej të mbërrinte tek ato përmes copëzimit të realitetit në njësitë e tij më të vogla.

Në përgjithësi, kur njerëzit e artit dhe të shkencave humane flasin për postmodernizmin ose metamodernizmin, është modernizmi — periudha më e shkurtër dhe më e vonshme — ai që vihet përballë tyre, shumë më tepër sesa moderniteti, periudha më e hershme dhe shumë më e gjatë.

Postmodernizmi është mosbesim ndaj rrëfimeve të universalizuara dhe përqendrim te konteksti, marrëdhëniet dhe sistemet.

Sidoqoftë, diku nga mesi i shekullit XX, një ndjeshmëri postmoderne nisi të shfaqej në arte të ndryshme dhe në fusha të ndryshme të kulturës. Sot shumë njerëz — gabimisht, do të thosha — e identifikojnë postmodernizmin posaçërisht me lëvizjet e drejtësisë shoqërore me orientim të majtë, të cilat mbrojnë të drejtat e njerëzve të margjinalizuar. Interesi për zërat e përfaqësuar pamjaftueshëm është vërtet pjesë e postmodernizmit, por është vetëm një pjesë e tij.

Në përgjithësi, postmodernizmi karakterizohet nga mosbesimi ndaj rrëfimeve të universalizuara dhe nga përqendrimi te konteksti, marrëdhëniet dhe sistemet. Ndërsa modernizmi kërkonte «faktet» përmes shqyrtimit të hollësishëm të objekteve të veçanta, qasja postmoderne përqendrohej te konteksti që i lidhte këto objekte me njëri-tjetrin.

Në rastin e veprave postmoderne të artit, një rëndësi e veçantë i jepej faktit që shikuesit, lexuesit ose publikut t’i kujtohej se ajo që po përjetonte ishte, në të vërtetë, një vepër arti. Në këtë mënyrë nxitej, pa u shprehur haptazi, një shqyrtim refleksiv i marrëdhënieve ndërmjet veprës së artit, krijuesit, publikut dhe shoqërisë.

Megjithëse interesi për kontekstin, i shoqëruar me mosvënien në qendër të asaj që është «dominuese», çon shpesh te mbrojtja e të drejtave të grave, të njerëzve jo të bardhë dhe të pakicave seksuale — domethënë të grupeve që zakonisht mbështeten nga e Majta — ekziston edhe një e Djathtë postmoderne dhe, ndoshta në formën më të përhapur, një postmodernizëm apolitik.

Artistët dhe publiku i tyre ishin lodhur nga shumë prej atyre gjërave që postmodernizmi kishte sjellë me vete.

Diku rreth vitit 2000, sipas shumë studiuesve, u shfaq një ndjeshmëri tjetër — ajo që e quajmë metamodernizëm. Artistët dhe publiku i tyre ishin lodhur nga shumë prej dukurive që kishin ardhur së bashku me postmodernizmin: prirja thuajse e vetëkuptueshme për t’u ndier në siklet përballë sinqeritetit të hapur ose cenueshmërisë, një lloj mohimi i botës së brendshme personale dhe një ngurrim i tepruar për t’u përkushtuar ndaj vlerave dhe sistemeve të besimit.

Në vitin 2010, duke hedhur vështrimin pas mbi dhjetëvjeçarin pararendës, studiuesit Timotheus Vermeulen dhe Robin van den Akker vunë re shprehje kulturore që nuk dukej se mund të përshkruheshin me modelet postmoderne mbizotëruese në botën akademike. Në pikturë, film, letërsi, muzikë dhe arkitekturë, ata dalluan vepra që përcillnin një ndjeshmëri e cila «…lëkundet ndërmjet entuziazmit modern dhe ironisë postmoderne, ndërmjet shpresës dhe melankolisë, naivitetit dhe vetëdijes, empatisë dhe apatisë, unitetit dhe shumësisë, tërësisë dhe fragmentimit, pastërtisë dhe dykuptimësisë».

Në esenë e tyre të botuar në Journal of Aesthetics & Culture, ata e quajtën këtë ndjeshmëri metamodernizëm. Ndonëse të tjerë e kishin përdorur më parë këtë term, kjo ishte hera e parë që ai fitoi përhapje dhe nxiti një ligjërim të mirëfilltë, fillimisht në botën akademike dhe më pas edhe jashtë saj. Studiues nga fusha të ndryshme, si edhe gazetarë të artit, filluan ta përdornin konceptin e metamodernizmit të Vermeulen-it dhe van den Akker-it për të shpjeguar ndryshimet estetike në shumë fusha të kulturës bashkëkohore.

Disa shembuj të krijimeve kulturore metamoderne janë: në televizion, Buffy the Vampire Slayer, Community, Fleabag dhe Atlanta; në film, Me and You and Everyone We Know i Miranda July-t, e gjithë krijimtaria e Wes Anderson-it dhe, fare së fundmi, Barbie e Greta Gerwig-ut; në prozën artistike, A Heartbreaking Work of Staggering Genius i Dave Eggers-it, një pjesë e madhe e veprës së Zadie Smith-it dhe e Jennifer Egan-it; ndërsa në muzikën popullore, artistë si Elliott Smith, Childish Gambino dhe Billie Eilish.

Për mua, ajo që i bashkon të gjitha këto është se përforcojnë idenë se bota e brendshme e njeriut ka rëndësi. Zakonisht këtë nuk e bëjnë përmes ndonjë argumenti intelektual, por duke ngjallur një ndjesi po aq të ndërlikuar: një gërshetim të ironisë lozonjare ose eksperimentimit me kënaqësinë e shprehur pa ndrojtje për ndërlikimet e të qenit njeri.

Modernizmi ishte i përqendruar te shtytja e njerëzimit përpara përmes kërkimit të të vërtetave objektive e universale, ndërsa postmodernizmi te nxjerrja në pah e asaj që i mungonte modernizmit: vetëdija për kontekstin dhe marrëdhëniet.

Mund të thuhet se modernizmi ishte i përqendruar te shtytja e njerëzimit përpara përmes kërkimit të të vërtetave objektive e universale, ndërsa postmodernizmi te nxjerrja në pah e asaj që i mungonte modernizmit: vetëdija për kontekstin dhe marrëdhëniet. Prandaj, shqetësimi qendror i metamodernizmit është t’i rikthejë vendin botës së brendshme ose përvojës së përjetuar, pas «efekteve anësore» që e gërryen kuptimin, të shkaktuara nga relativizmi i postmodernizmit dhe reduksionizmi i modernizmit. Një përmbledhje shembujsh të ndjeshmërisë metamoderne, të marrë nga artet dhe kultura popullore, mund të gjendet në faqen What Is Metamodern?, të cilën e bashkëredaktoj.

Disa mund të pyesin: përse është e nevojshme që mangësive të postmodernizmit t’u përgjigjemi duke shpikur një «-izëm» të ri? Përse të mos i rikthehemi thjesht modernizmit? Një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është të vëmë në dukje se askush nuk e «drejton» atë që bën shoqëria si tërësi. A do të kishte qenë më mirë që shoqëria t’u rikthehej thjesht rrëfimeve dhe estetikës së drejtpërdrejtë moderniste, në vend që të kalonte te diçka që lëviz ndërmjet modernizmit dhe postmodernizmit në një mënyrë të re? Ndoshta, por shoqëria nuk duket se ka vepruar kështu. Ashtu si studimet mbi postmodernizmin, edhe studimet mbi metamodernizmin përqendrohen te vëzhgimi, përshkrimi dhe ndërtimi i teorive për kulturën, jo te dhënia e rekomandimeve.

Por ndoshta kjo përgjigje ngre një pyetje tjetër: ç’arsye kanë artistët dhe publiku që të duan të largohen nga postmodernizmi, pa iu rikthyer drejtpërdrejt modernizmit? Përse vepruan kështu? E pra, ashtu si postmodernizmi mund të ketë pasur nevojë për një korrigjim drejtimi, duke frymëzuar kështu metamodernizmin, duhet të kujtojmë se edhe vetë postmodernizmi u frymëzua nga mangësitë e modernizmit. Prandaj, në vend që të shihet si një pikëpamje ose botëkuptim i gabuar, që nuk duhej të kishte lindur kurrë, postmodernizmi duket se ka qenë një përgjigje e domosdoshme ndaj tejkalimeve arrogante dhe pikave të verbra të modernizmit. Një përgjigje që ka papërsosmëritë e veta; prej këtej edhe metamodernizmi.

Ja edhe një pyetje tjetër që mund të shtrohet me të drejtë: nëse metamodernizmi u shfaq në fund të viteve nëntëdhjetë si reagim ndaj teprimeve të postmodernizmit, a është ende aktuale ndjeshmëria metamoderne në vitin 2023? Nëse postmodernizmi i përket së shkuarës, përse vazhdon të ketë nevojë për një përgjigje? Edhe kësaj here, përgjigjja ka dy pjesë.

Postmodernizmi, ashtu si modernizmi përpara tij, nuk u zhduk kurrë plotësisht. Si estetikë dhe si mënyrë të menduari, ai gjendet ende në «ajrin» që thithim dhe vazhdon të shfaqet në artin dhe në kulturën tonë popullore. Prandaj, ka të ngjarë që në mbarë kulturën të vazhdojmë të vërejmë një përgjigje metamoderne ndaj tij.

Dhe, ndoshta më interesantja, gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit, bota ku jetojmë ka mishëruar gjithnjë e më shumë — në forma që i përjetojmë në jetën e përditshme — ndjeshmëri që më parë shfaqeshin kryesisht vetëm në art. Në një botë ku realiteti copëzohet përmes thjerrëzave kaleidoskopike të internetit, «të vërtetave» konkurruese e lehtësisht të manipulueshme dhe përparimeve të rrufeshme të teknologjisë — sidomos shpërthimit të kohëve të fundit të inteligjencës artificiale — ndoshta sot kemi edhe më shumë nevojë për filma, këngë dhe forma të panumërta kulturore që të na tregojnë rrugën drejt pranimit të mistereve, rrëmujës dhe veçorive të çuditshme që janë pjesë e pandashme e të qenit njerëzor në një hiperrealitet, të cilin nuk mund ta zhbëjmë vetëm duke dëshiruar.

Filmi i vitit 2022 Everything Everywhere All at Once, fitues i shumë çmimeve, është një shembull i njohur i filmit metamodern. Ai eksploron një multivers që sfidon mendjen — metaforë e natyrës së copëzuar të realiteteve të sotme të përjetuara — por në fund arrin në përfundimin se mirësia dhe lidhjet familjare janë mbi gjithçka. Edhe filmat e fundit të serisë Spider-Verse trajtojnë një terren të ngjashëm. Muzika e Billie Eilish-it përcjell një ndjeshmëri metamoderne të përtërirë, e cila përfshin ashpërsinë e zhveshur dhe shpesh agresive të teknos, pa sakrifikuar cenueshmërinë dhe entuziazmin fëmijëror. Mendoj se do të vazhdojmë të shohim gjithnjë e më shumë shembuj ku estetika metamoderne ndërthuret me ndjeshmëri hiperreale, ndërsa artistë dhe autorë më klasikisht metamodernë, si Wes Anderson-i dhe grupi Wilco, do të vazhdojnë të krijojnë vepra që ruajnë vazhdimësinë estetike me krijimtarinë e tyre të mëparshme.

Një drejtim tjetër ku shoh hapësirë për zgjerimin e metamodernizmit është zhvillimi i pikëmbështetjeve filozofike. Deri më tani, metamodernizmi është vërejtur kryesisht në forma estetike dhe kulturore, si edhe në teorizimin rreth këtyre formave. Ashtu si modernizmi u shty përpara nga mendimtarë të tillë si Marksi, Nietzsche-ja, Frojdi dhe Ajnshtajni, ndërsa ndër filozofët kryesorë të postmodernizmit përfshihen, për shembull, Foucault-ja, Derrida-ja, Lyotard-i, Baudrillard-i dhe Deleuze-i, mund të thuhet se edhe metamodernizmi ka nisur tashmë të zhvillohet në planin filozofik.

Një kandidat i tillë, i shfaqur gjatë viteve 2000, është Ontologjia e Orientuar nga Objekti (Object-Oriented Ontology — OOO), përfaqësuesit kryesorë të së cilës janë Graham Harman-i dhe Timothy Morton-i. Kjo qasje ontologjike nuk vendos në qendër njerëzit, por objektet, të cilat i përkufizon si entitete që i kundërvihen si «reduktimit nga poshtë» modernist — pra zbërthimit të tyre në pjesët përbërëse — ashtu edhe «reduktimit nga lart» postmodern, që i trajton ato si produkte të konteksteve dhe të ndikimeve.

Edhe pse mund të mendohet se përqendrimi te objektet, në vend të njerëzve, bie ndesh me theksin që metamodernizmi vë mbi botën e brendshme të individit, unë e shoh atë si një zgjerim të vatrës së veprueshmërisë, duke përfshirë më shumë entitete si veprues të mundshëm.

Projekti i Storm-it është të propozojë një qasje të re ndaj kërkimit shkencor dhe prodhimit të dijes, e cila i kapërcen debatet ndërmjet modernizmit dhe postmodernizmit, duke mbërritur tek ajo që ai e quan «dije e përulur».

Në vitet e ardhshme, do të dëshiroja të shihja që Ontologjia e Orientuar nga Objekti dhe, ndoshta, edhe lëvizje të tjera filozofike ekzistuese të shekullit XXI të shqyrtoheshin si shembuj të mundshëm të metamodernizmit. Kjo nuk është e thënë të jetë punë e vetë filozofëve që i kanë themeluar këto rryma; më shumë gjasa ka të jetë punë e studiuesve të tjerë, të cilët, duke përdorur optikën e metamodernizmit, do t’i vendosnin në kontekst zhvillime të tilla filozofike.

Megjithatë, duhet thënë se në filozofi është shfaqur edhe një zhvillim që e quan veten shprehimisht metamodern. Në vitin 2021, Jason Ananda Josephson Storm botoi librin Metamodernism: The Future of Theory. Projekti i Storm-it është të propozojë një qasje të re ndaj kërkimit shkencor dhe prodhimit të dijes, e cila i kapërcen debatet ndërmjet modernizmit dhe postmodernizmit, duke mbërritur tek ajo që ai e quan «dije e përulur» — një formë dijeje që lejon të bëhen pohime të mbështetura në kategori të përcaktuara në mënyrë të përafërt, por të besueshme. Storm-i shpreson që propozimet e tij të ushtrojnë një ndikim të gjerë në studimet humanistike dhe në shkencat shoqërore.

Në librin tim të ardhshëm, i cili synon të ofrojë një udhëtim të udhëzuar nëpër metamodernizmin e kulturës popullore, përmes leximeve të hollësishme të shembujve përfaqësues, unë rrëfej një histori për llojet e historive që njerëzit tregojnë shpesh në ditët tona: histori që i japin përparësi botës së brendshme të njeriut përballë reduksionizmit modernist, relativizimit postmodern dhe fragmentimit hipermodern.

Ka të ngjarë që të shohim të lindin edhe më shumë histori të tilla dhe — në punën e studiuesve dhe të gazetarëve — edhe më shumë rrëfime rreth tyre. Duket se pikërisht për këtë kemi nevojë tani.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË