Vështrim mbi librin “Brenga” e Pashko R Camajt
Romani i dytë i Pashko R Camajt, “Brenga” (Camaj R. Pashko. Brenga, red. Kadia Dedja, Tiranë: Onufri, 2025), na kthen në një kapitull të errët të historisë së Shqipërisë dhe na përballë me pyetje që tejkalojnë fatet e personazheve: çfarë i bën sistemi totalitar njeriut, çfarë i bën mërgimi, ç’është miqësia e mbi të gjitha, a mund të çlirohet njeriu nga e kaluara përmes faljes? “Brenga” është një roman mbi fatin, fajin dhe peshën e së kaluarës, por edhe mbi mënyrën se si rrethanat dhe njerëzit që kemi pranë mund të përcaktojnë rrjedhën e jetës tonë. Në një botë ku mjafton të jesh në vendin e gabuar, të shohësh apo të dëgjosh diçka të ndaluar, lind pyetja thelbësore: sa është njeriu vërtet mjeshtër i fatit të vet?
Që në fillim, romani na paralajmëron se kemi të bëjmë me një histori të frymëzuar nga ngjarje të vërteta dhe kjo e ndryshon mënyrën se si e lexojmë. Nuk kemi përpara vetëm një rrëfim letrar fiktiv, por jehonën e një kohe që ka ekzistuar vërtet dhe që ka lënë plagë në jetën e shumë familjeve dhe brezave. Romani është ndërtuar në prolog dhe në nënkapituj që ndjekin paralelisht fatet e këtyre dy njerëzve. Pikërisht ky paralelizëm duket një nga shtyllat më të forta të veprës. Jemi në vitet e diktaturës, në një sistem ku, siç thuhet në libër, “liria ishte tkurrur në gjerësinë e vijës që bënte pena në letër. (f. 42).” Historia na çon në Iballë, pranë Pukës, dhe na njeh me dy figura qendrore: Toninin Mirakaj dhe Mark Ukën. Tonini vjen nga një familje punëtore, krenare dhe “pajtimtare” (f. 18), por në botën ku ai jeton “nderimi kthehet në rrënoja” (f. 23). Tonini ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç kur i burgosin të atin dhe familja dërgohet në internim. Këtu nis për të historia e hershme e dhimbjes. Një fëmijë detyrohet të kuptojë shumë shpejt se bota mund të jetë e padrejtë dhe se liria, në rrethana të caktuara, mund të mos jetë një e drejtë e vetëkuptueshme por diçka për të cilën duhet të luftosh. Në një nga formulimet më të spikatura të librit thuhet se “vetmia, edhe ajo është një lloj urie” (f. 36). Kjo fjali e përmbledh shumë mirë atmosferën e “Brengës” sepse në këtë roman nuk ka vetëm uri për bukë. Ka uri për liri, për familje, për drejtësi, për një jetë normale, për të vërtetën dhe në fund edhe për falje.
Një tjetër element shumë domethënës është profecia e nënës së Toninit, pamja e dy zogjve që nuk mund të fluturojnë bashkë. Njëri mund ta shohë qiellin, ndërsa tjetri do të mbetet jashtë, ose në kurth (f. 56). Kjo metaforë bëhet, në njëfarë mënyre, çelësi i fatit të Toninit dhe Markut. Dy miq rriten në të njëjtin vend, përjetojnë të njëjtën frikë, por historia i çon në dy drejtime të kundërta. Njëri do të provojë lirinë përtej kufirit; tjetri do të mbetet i kapur në kurthet e diktaturës. Tonini dhe familja e tij do të nisen “matanë kufirit”. Rruga e tyre kalon nëpër Jugosllavi, Kosovë, Kroaci, Itali, deri te “toka e ëndrrave”, Amerika (f.184). Por ikja e Toninit nuk është një histori e thjeshtë shpëtimi sepse për çdo njeri që largohet, dikush mund të mbetet pas, e ndonjëherë, dikush tjetër paguan çmimin. Këtu romani bëhet veçanërisht i dhimbshëm. Përderisa njëri niset drejt lirisë, tjetri niset drejt Burrelit dhe Spaçit. Këtu “Brenga” nuk flet më vetëm për diktaturën si sistem. Flet për atë që sistemi i bën një shoqërie, për frikën të futur në palcë, për heshtjen që ndëshkon, për presionin sistematik, për një shoqëri ku jo vetëm fjala, por edhe një takim, një miqësi apo një lidhje njerëzore mund të shndërrohej në provë faji.
Kryqi prej druri që Tonini i jep shokut të tij në çastin e ndarjes bëhet një nga simbolet më të fuqishme të romanit. Ai është njëkohësisht shenjë besimi, kujtese dhe barre që do ta mbartë Marku. “Dhimbja kishte emer- Toninin” (f. 152). Marku do të kalojë vite të gjata në burgjet e diktaturës, duke mbajtur, siç thuhet në libër, “barrën e padurueshme të mbijetesës” (f. 221). Dhe atëherë kuptojmë se burgu nuk është vetëm një hapësirë me mure të trasha dhe të errëta. Burgu mund të jetë edhe koha. Mund të jetë kujtesa. Mund të jetë pritja. Mund të jetë pyetja se çfarë ka mbetur nga ti si njeri, ndërkohë që të tjerët kanë vazhduar jetën.
Ndërsa Marku vuan, Tonini arrinë në Amerikë. Por as ai nuk është vërtet i lirë, sepse njeriu mund të largohet nga një vend, por nuk largohet lehtë nga ajo që ka lënë pas. Toninin e mundon ndjenja e fajit kundrejt Markut. Në këtë pikë, romani merr një dimension thellësisht njerëzor: dhimbja shndërrohet në pyetje morale.
Marku, përtej vuajtjeve fizike dhe pisiqike, është i dyzuar në një dyluftim të brendshëm, nga njëra anë për ti rezistuar fajësmit të Toninin dhe dëshirës për ta falur. Këtu qëndron një nga mesazhet më të bukura të librit: «Jo, ndjenja e dhimbjes dhe kërkimi i fajit nuk të bën të dobët […] të bën njeri.» (f. 210) dhe “Falja nuk është harresë, as mohim i dhimbjes […] është çlirim nga burgu i saj (f. 211).” Kjo nuk është më vetëm një fjali për mardhënien e Markut dhe Toninit, është një mendim për mënyrën se si ne duhet ta trajtojmë të kaluarën. Të falësh nuk do të thotë të mohosh atë që ka ndodhur as të fshish dhimbjen e as të heqësh përgjegjësinë. Përkundrazi, të falësh do të thotë ta pranosh dhimbjen, ta kujtosh, por mos të lejosh të jesh i burgosuri i saj përjetësisht.
Pas 28 vjetësh, Marku del nga burgu. Megjithatë, autori na kujton se “Liria nuk është kurrë e plotë” (f. 239), e as e thjeshtë. Ndoshta sepse liria e jashtme nuk mjafton. Njeriu duhet të çlirohet edhe nga frika, nga urrejtja dhe nga e kaluara. Markun e kaplon edhe frika se fshati mund të mos e kujtojë më. Por, siç duket, burgu nuk ka arritur t’ia marrë entuziazmin për jetën. Ai ndjehet i kënaqur që “ende ka jetën, që është gjallë dhe i lire” (f. 223) dhe “që ende di si duket qielli” (f. 260).
Në fund vjen edhe deri tek takimi i dy personazheve, pas plot 37 vitesh, Tonini kthehet nga Amerika në Iballë. Dy zogjtë, më në fund, kthehen në të njëjtin vend. Por ky nuk është thjesht takimi i dy shokëve të fëmijërisë. Është takimi i dy njerëzve që i ka ndryshuar jeta. Herën e fundit kur ishin parë kishin qenë djem të rinj; tani përballë njëri-tjetrit janë dy burra që mbartin mbi supe vite, plagë dhe kujtime secili në mënyren e vet. Këtu përsëri shfaqet simboli i kryqit, Marku i jep Toninit një rruzare dhe kryqin e babait të tij. Kryqi që dikur shoqëroi ndarjen, tani simbolizon ribashkimin. Ajo që dikur ishte dhënë në një çast ikjeje, tani kthehet në një shenjë kujtese dhe pajtimi. Dhe pikërisht këtu e kuptojmë më mirë edhe titullin e romanit. Brenga nuk është vetëm vuajtja e Markut, nuk është vetëm faji i Toninit, nuk është vetëm kujtesa e një kohe të errët. Brenga është ajo që mbetet brenda njeriut pasi ngjarja ka përfunduar jo ashtu siç do kishte dashur. Por libri nuk përfundon te brenga. Përfundon te mundësia për ta kapërcyer atë. Në fund mbetë më e shtrenjta – miqësia. Një nga mendimet që do të duhej të marrim me vete nga ky libër është se “besnikëria dhe miqësia nuk komandohen” (f. 209).
Prandaj “Brenga” nuk është vetëm një roman për diktaturën. Është një roman për dhimbjen dhe kujtesën, për fajin dhe faljen, për ikjen dhe kthimin, për lirinë dhe çmimin e saj. Por mbi të gjitha, është një roman për fuqinë e pashtershme të njeriut për të mbijetuar dhe për të ruajtur brenda vetes atë që një sistem sado që të përpiqet nuk mund t’ia marrë: dinjitetin, kujtesën, aftësinë për të dashur dhe më e vështira nga të gjitha, aftësinë për të falur.
Pikërisht për këtë arsye, historia e Toninit dhe Markut nuk mbetet vetëm historia e tyre. Ajo bëhet pjesë e kujtesës sonë koletive. Sepse ka histori që duhen treguar jo për të hapur plagët, por që plagët të marrin emër. Ka kujtime që duhen ruajtur jo për të jetuar në të kaluarën, por që e ardhmja të mos harrojë se çfarë mund t’i ndodhë njeriut kur liria ‘tkurret’.
Libri i Pashko R Camaj na tregon se përtej brengës është ende qielli.


