Në të ngrysurit e 17 korrikut të vitit 1959, apo si e quan në ndajnatën e jetës’, Kuteli i shkruan një letër Lasgushit nga spitali i Tiranës në spitalin e Vlorës.
Megjithëse e shkurtër letra ka konfigurimin e tragjedive greke me disa akte.
Akti i parë sjell trishtimet e sëmundjeve, ku Kuteli deshifron shkrimet e mjekëve me diagnoza latinisht, pra gjysmë të fshehta dhe parashikon çka e pret: vdekje e papritur dhe relativisht e shpejtë.
…Me të vërtetë, vdekja i erdhi nga një infarkt i miokardit. Dhe ashtu si parashikoi, e shoqëruan vetëm kambanat fantastike të gjakut, pasi vendin sapo e gremisën drejt revolucionarizimit, i cili mbylli e prishi kisha e xhami…
Në aktin e dytë shpalosen brengat a përbashkëta, që nga sakrificat e mërgimit të gjatë deri tek mosnjohja e kontributit që patën dhënë. Dhe në vendin e tyre nuk gjetën dot prehje, por të dyve u patën hedhur gurë…
Ashtu si nga fundi i vitit 1941, kur Kuteli ia doli mbanë të shpëtojë nga kulisat e luftës dhe e i dërgonte letër Lasgushit duke e bërë lexuesin e parë të poezisë së tij ‘Po të vdes në dhe të huaj..’, edhe në këtë rast i kujton Golgothanë e vet dhe e kulmon këtë me një poezi nga burgu (vendi me kukuvaja) drejtuar së shoqes…
Akti i tretë dhe i fundit i letrës është fort i shkurtër dhe moralist, ku detyra prindërore për rritjen e fëmijëve (e mbase jo vetëm), triumfon mbi dëshirën e fortë të brendshme për t’u harruar pas kësaj gjendje të cilën e quan vdekje civile.
Epilogu, edhe pse tingëllon si lajtmotiv i tërë letrës – ankim për shëndetin e humbur gjatë përpjekjeve për të latuar deri në përsosmëri fjalën shqipe, vjen nëpërmjet vargjeve të Emineskut – fill lidhës poetik i rinisë së tyre në Rumani.
Letra e padërguar, edhe pse në dukje personale, del përtej këtyre kufijve: është dokument i gjëmës që ju solli diktatura (sot me eufemizëm – koha), jo vetëm Mitrushit e Lasgushit, po mijëra intelektualëve të cilët në vend t’i shërbenin vendit me dijet e tyre perëndimore, u persekutuan, u munduan, u burgosën e torturuan dhe madje u pushkatuan si ‘armiq të popullit’, njollë absurde dhe fort e rëndë, e cila u prishte jetën pasardhësve të dy brezave dhe t’afërmve… Ky duhet të jetë edhe shkaku kryesor i mosdërgimit të letrës në kushte përndjekje dhe pasigurie të komunikimeve dhe mundësisë së interpretimit të mbrapshtë nga ndonjë censor. Pra le të gëzohemi që të paktën e pati ruajtur këtë letër.
Kuteli e shkroi letrën kur ishte gati 52 vjeç dhe i mbeteshin gati 8 vjet jetë; Lasgushi ishte 60 vjeç dhe i mbeteshin 27 vite të tjera.
Lasgushi vijoi me përkthime: Pushkin, Goethe, Heine, Lermontov, Mickiewicz, Hugo, Byron, Shelley, Burns, Brecht dhe na dhuroi poemat Mbi ta e Kamadeva..
Kuteli arriti t’i dhurojë shqipes dhe lexuesit shqiptar një mori shkrime e libra të vyer si Në një cep të Ilirisë poshtme, Natë Tetori, Xinxifilua, Tregimet e Moçme Shqiptare, poezi e tregime (botuar pas vdekjes), shqipërime nga Gogoli, Pushkini, Gorki, Eluar, Neruda, Shollohov…
Kur po ‘rihynte’ me modesti në rrethin e letrave (kujtojmë se deri ne vitet ’60 quhej i ‘përjashtuar nga lidhja e Shkrimtarëve), kryesisht me nxitjen dhe përkrahjen dashamire të Drejtorit të Shtëpisë Botuese Z. Drago Siliqi, e sidomos pas botimit të ‘Netë me prralla në fshatin e qepëve dhe kokarkave’, një mik i vjetër i pat thënë:
Mitrush, qënke gjallë! Të dinim të vdekur!
Dhe Kuteli ia pat me vargjet e Naimit:
Kur të shihni se jam tretur / mos pandehni se kam vdekur /Jam i gjallë e jam në jetë / Jam në dritën e vërtetë..
Ky portret Naimian i shkon fort për shtat Kutelit sot në këtë 13 shtator 2026, në përvjetorin e 119-të të lindjes.

Kuteli, Lasgushi dhe Qani Çollaku në ish turizmin e Pogradecit në vitet ‘60
Tiranë, 17 korrik 1959
-Spitali i P. Civil
I dashur Llazar,
Jam matur shumë herë të të shkruaj, që kur isha jashtë, po nga të thënët në të bërët shpesh herë qënka një udhë e gjatë. Dhe kjo udhë u zgjatka më shumë në këtë kohë gjysmë pleqërie e sëmundje. Më ka mbërthyer abulia1.
Por ja kësaj here, në të ngrysur, kur rrinë të mekura fletët e holla të sallkëmit2 japonez në ndajnatën kaltëroshe të korrikut, pas një dite vape, e kur gjoni dhe kukuvajka e padukur lëshojnë klithmën e kobës mbi pavijonet e spitalit e kur nisa të bluaj në mëndje po atë kazuistikë3 që më shtyp prej kaq e vjetesh, lashë mënjanë librin e vjershave të Tjutçevit dhe thashë: haj t’i shkruaj disa fjalë Llazarit nga spitali në spital. Pra nxora radhoin kinez që e mbaj nën dyshek, mora stilografin kinez. Stilografi s’ka bojë – siç e sheh – po i hodha pak ujë dhe nisa.
Jam shtruar për së dyti në spital (herën e parë në tetor-nëntor 1958) e po zhdëpem me polibromurë, valerianë, medinal, eufilin, rausedyl, luminal e sa e sa nostimadha4të tjera që ka krijuar e nakatosur shkenca e bekuar mjeko-farmaceutike për meremetimin e nervave, të zemrës e ku ta di unë sa të tjera – bashkë me hipertensionin arterial (“morbus hypertonicus”) i thonë doktorët tanë të rinj, duke e shoqëruar me hipertrofitë e ventrikulëve të zemrës, me aortat e zmadhuara, me “kuore” në formë ovoide e sa marifete të tjera që i zbulojnë me elektrokardiogramet dhe radioskopitë e tyre.
Ata flasin në gjuhë shkencore me “izma”, po unë i kuptoj ndryshe: jam kandidat paralize totale a parciale, ose, edhe më mirë, për pikë a damblla – si shumë para nesh a pas nesh. Pra do të vdes më këmbë a në karrigen e punës kur në veshët do të buçasin më fort kambanat fantastike të gjakut që gurgullon në aparatet e prishura. Këto do të jenë kambanat e vetme që do më përcjellin në një botë të cilën do ta braktis me gjith’ qejf, sepse, siç e di, më ka hedhur tej prej kohe. Dhe i them jetës: ti as ma fal mëshirën, po edhe unë as ta dua. Mi ne bari u rrit prej kohe, jemi të vdekur të pambuluar, të mirë vetëm për ndonjë shigjetë rituale që na lëshohet kur e kur.
Një ditë e pashë Periklinë5 (që të kish vizituar në Vlorë në “shtëpinë e dhembjeve”). Më foli për ty, më premtoi se do të vijë të më flasë më gjërë se si je e se si e mban Golgothanë e re, po s’ardhi. Pastaj mua më zunë disa spazma paralajmëronjëse dhe, për hatrin e atyre foshnjave që solla në jetë në ndajnatën e hidhur të jetës, hyra këtu për një meremetim të përkohëshëm. Siç e sheh e siç e di, vdekja sillet vërdallë e ne mundohemi t’i shqasim nga dora, si ajo lekna që i ruhet dorës së peshkatarit duke ja hedhur përmjet luspave të limuara. Pastaj— pastaj do të shkojmë me të shumtit. Nuk di në do të kemi fatin të shlodhemi atje ku duam, ku “balta është m’e ëmbël se mjalta” – unë pranë babajt të shkrumbosur, që s’e pashë dot në çastin e vdekjes, ti pranë babajt tënt që të vdiq kur ishe në mërgim për të shkruar ato vjershat për të cilat sot të bien me popla. Ndofta vetëm atje do të gjejmë pushimin e qetësinë që s’e gjetmë dot në të gjallë. Dikur ne shkulmë zemrën nga gjoksi, e muarmë në dorë (duke pandehur se bëjmë mirë) dhe ja zgjatmë së dashurës më të dashur: vendit tonë. Por … më von na ranë me gurë.
Dikur, në një vend tjetër, gjith me kukuvaja, i kam trilluar një vjershë lamtumire gruas, në çastet kur desha të shkoj atje ku do shkojmë të gjithë. Ndër të tjerat, aq sa më lejon të përmend amnezia, thesha:
Kaq afër jemi, po kaqe lark,
Të lutem mos më prit
Na ndajnë mure rreth e qark
Dhe asnjë yll nuk ndrit.
Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si mua
Kur di se emri im u shemb,
Dhe jeta u mbarua?
Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar
Dhe më harro këtu në varr
Të vdekur, pa mbuluar…
. . . . .
Se unë pres, përditë pres
Një rrugë fort të gjatë –
Pa një të martë në mëngjes
Do hidhem nëpër natë..
Nëpër një natë pambarim,
Me qetësi përjetë
Pushim, harrim, pushim, pushim,
Në shlodhjen e vërtetë…
Këtë pushim e grish në netët pa gjumë – bile edhe në këta net kaltëroshë të muajit korrik – kur sillet gjoni i padukshëm mbi pavijonet e spitalit.. Ah, them, sa mirë do të ish të zhdukesha në ujrat e kaltra të liqerit tonë të kaltër dhe të mos më mbetej nam e nishan… Por na mashtroi jeta, lëkundshmëria jonë, fëmijët e vegjël që suallmë në jetë e s’dimë se qysh do t’i mçojmë. Një gjë e di: mallkuar qoftë kush do të më kujtojë emrin (bile për të mirë!) pas vdekjes civile që më rrëmbeu. Nuk i kërkoj askujt gjësend veç harrimit:
Pushim, pushim, pushim, pushim
Në qoftë se më kanë mbetur disa vjet jete – për hatrin e foshnjave . dua të konsiderohem si i vdekur, i varrosur…


19 korrik 1959
E Djelë
Më fal se nuk ta vazhdova dot këtë letër dje dhe pardje.
Më pllakosi një pagjumësi e keqe – sepse desha të edukohem të fle pa ilaçe. S’fjeta dy net. Prita gjer në orën 1½ – 2 pastaj iu sula përsëri valerianës. S’ke ç’i bën: organet janë prishur. Nuk të kujtohet Eminesku i gjorë me atë vargun e tij
Ah, organele sînt rupte şi
maestrul e nebun?
(Ah, qenkan prishur organet.
Dhe mjeshtri është çmendur?
* * *
Sidoqoftë, po të dërgoj shumë të fala dhe riparim të shpejtë. Kur do dal nga spitali, do të shkoj me kalamanjtë në Poradec. Tani për tani më dridhen këmbët, kam një dhembje të madhe në kërbishte (tri unazat e fundit janë shtrembëruar) po do të mundohem ta zgjat jetën
Të fala gjithë atyre që do e që të duan
Me dashuri
Mitrush
___________________________
1 Abuli – mungesë vullneti
2 Sallkëm – akacie
3 Kazuistikë – tërësi e analizave, të fakteve a fenomeneve të ndryshme
4 Nostimadha – zbavitje, dëfrim (fjalë rumune e shqiptarizuar)
5 Perikli Jorgoni – poet, mik dhe fqinj i Kutelit tek rruga 4 Dëshmorët
6 Nga cikli i poezive të burgut


