Rreth librit të Arbër Ahmetaj “Gruaja e ambasadorit”, botoi RLBooks, Bruksel 2026
Në librin e tij më të ri, autori Arbër Ahmetaj sjell një hartë trashëgimie zakonore AD HONOREM të individit, të shoqërisë, të epokave kufitare në prag të përmbysjeve fatale të pushteteve që mendoheshin të pazhbëshme, që nga fundi i Perandorisë Otomane, nëpër mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe falimentimit të shtetit socialist.
Lënda letrare në të katër novelat e librit e fton lexuesin të njohë kohërat e mëparshme të historisë, si dhe psikën shqiptare, të cilën e trashëgojmë në nënvetëdije si traumë kolektive. Një galeri e pasur personazhesh, shqiptarë dhe joshqiptarë, bëjnë jetën e tyre në katër novelat.
Novela e parë “Letra e një vrasësi”
Novela me të cilën fillon libri, “Letra e një vrasësi”, mendoj se ka një peshë specifike në libër dhe në vetë krijimtarinë letrare të Arbër Ahmetajt, me një intensitet ngjarjesh dhe dilemash morale që përfshijnë të gjithë aktorët, qoftë vrasësit, qoftë të vrarët. Kështu ndodh.
Novela më kujtoi një paralele historike në jug, në fshatin Vranisht, që e sjell hulumtuesi i etnokulturës Gëzim Zilja, me këngën-vaj të Aishe Kalemit për tre gjermanët e vrarë në fshatin e tyre nga partizanët. Ushtria gjermane do të pushkatonte nga dhjetë burra të fshatit për secilin gjerman të vrarë. Komandanti gjerman i kompanisë dha urdhër për anulimin e pushkatimit të njëzet burrave të tjerë, pasi i përkthyen vajtimin e gruas. I njëjti popull, i njëjti kanun, e njëjta peshë universale e humanitetit që, edhe në kohë lufte, nuk e humb nderin, edhe kur përballë ka armikun. Vajtimi i Aishe Kalemit: “Biro, u bëre kërcu,/ç’deshe që erdhe këtu?/Vajti gjaku gjer në gju,/Gjak nga ne e gjak nga ju./O bir, o e zeza mëma, derëzeza./O gjerman, o djalë i ri,/mjerë mëma që të dha gji,/do t’i mbesë loti në sy./Unë qaj se jam vetë mëmë,/mëmave zemra u dhemb”.
Në novelën “Letra e një vrasësi” mund të nxirren mjaft skeda antropologjike për njeriun shqiptar, të ndrydhur nga pushtimi i fuqive ushtarake të huaja që shkojnë e vijnë, nga një liri e shtetit të vet që do t’i vijë si pushtet diktature, nga barra e dokeve zakonore që formësojnë karaktere njerëzore të padepërtueshme, si kreshtat e Alpeve të tyre. Por edhe i huaji që vjen veshur me uniformën ushtarake të pushtuesit, nën të cilën gjendet edhe një zemër njeriu, përfshihet në jetën që vazhdon pa kufij të qartë mes të mirës dhe të keqes, mes nderit dhe fajit, mes detyrës dhe shkeljes së ligjeve, mes pasqyrave ku njeriu nuk sheh më tjetrin, por veten.
Novela e dytë “Gruaja e ambasadorit”
Brenda një kornize të larzuar, kur Perandoria Otomane është në fundin e kohës së vet, shpërthen subjekti i novelës “Gruaja e ambasadorit”. Përfaqësia diplomatike perandorake në Paris drejtohet nga një shqiptar me origjinë nga Përmeti, Rifat Pasha.
Misteret, të themi që nga koha e piramidave, që mbartin shoqëritë sekrete apo rrjetet e agjentëve ndërkombëtarë në lobimet hartëformuese ballkanike në fillimshekullin XX, janë pjesë e intrigave në këtë novelë. Siç e përshkruajnë në veprën e tyre letrare edhe lojtarët e Shërbimit Inteligjent Britanik, shkrimtarët e njohur Graham Greene dhe John le Carré, këtë botë llagëmesh që e thyen vullnetin e njeriut duke krijuar humnera morale, faji, përbaltjeje e tradhtie, spiunët e të gjitha kohërave nuk mund të kenë dot moral të pastër, sepse morali i tyre është përherë i komprometuar. Edhe ambasadori në Paris, shqiptaro-osmani Rifat Pasha, i porsamartuar me zonjën e bukur Frida, bijë e rumunit të pasur që është kryeagjenti i Portës së Lartë, nuk mund të ketë fat më të mirë. Titullari i lartë i Perandorisë Osmane, që punon paralelisht për pavarësinë e popullit të tij të drobitur shqiptar, tipizon mjaft figura të mirënjohura të historisë shqiptare që kontribuuan për atdheun mëmë. Çmimi i kërkuar nga qeveritari më i lartë i shtetit të madh francez — gruaja e tij e bukur për një natë, në këmbim të pavarësisë së shtetit të ardhshëm amtar — nuk do të kishte zgjidhje tjetër veç fatalitetit. Autori thotë se ka dashur të tregojë se shpesh në fatet e popujve vendosin edhe rrethana ordinere, jo vetëm peshorja diplomatike e Fuqive të Antantës.
Në këtë novelë gëlojnë personazhe të larmishme ballkanike e më gjerë, para dekoresh të inskenuara në pritje të një ngjarjeje, “Shqipërisë së palindur akoma”, siç e quan autori.
Novela e tretë “Ereksioni i të vdekurit”
Bazuar në një prej faqeve më tronditëse të traumave të shkaktuara nga lufta civile që shoqëroi vendosjen e pushtetit pas Luftës së Dytë, është dënimi i Prek Calit, bajraktarit legjendar, kreshnik i gjallë i shek. XX, siç shfaqet dhe në fotografitë e Marubit e filmimet e arkivës italiane, i cili, në faqet e historisë shqiptare të një kohe të mëparshme, ktheu mbrapsht mushka të ngarkuara me thasë me flori nga Krajl Nikolla dhe nuk e shiti lirinë e trojeve të të parëve. Në novelën “Ereksioni i të vdekurit”, nëpërmjet personazhit të Prend Camës — Giga-Burri e quan atë autori A. Ahmetaj — është sjellë një personazh letrar krejt i ngjashëm me Burrin e Malësisë, edhe pa qenë ai vetë, Prek Cali.
E përbindshmja Zejnep do të marrë jetën e një figure malësore, racë gjigandësh në pamje e në bëma gjithashtu. Ajo e zhvesh nga kostumi kombëtar Giga-Burrin dhe i hedh një kapotë ushtarake gjermane, i pret flokët, mjekrën, mustaqet, jep urdhrin për pushkatim, e godet të vdekurin me plumbin e fundit në ballë nga dora e saj, vëren fenomenin e quajtur me termin latin “mors erectio” dhe e përfshin në raportin sekret. Komisari Memo gjykon me të folurin e brendshëm se ishte Zejnepi vetë një ereksion vdekjeje.
Veçanërisht për tre-katër faqet e fundit që përfundojnë këtë novelë, do t’i thosha shkrimtarit Arbër Ahmetaj, si Viktor Hugo Sharl Bodlerit për poezinë jashtëdimensionale “Shtatë pleqtë”, që i kushtohej vetë Hygoit: Miku im, ju i keni dhënë artit një rreze makabre, ju i keni shtuar botës një rrënqethje të re!
Novela e katërt “Qumështi armik”
Pas Bardhoshes, dhisë së Zotit Sëgen, në novelën e famshme të Alfons Dodesë, që arriti një rekord në qëndresën ndaj ujkut natën në pyll gjersa ai e mbyti në mëngjes, do të kemi dhe Bardhoshen e Arbër Ahmetajt në novelën e fundit “Qumështi armik”.
Në çdo klasë shkollarësh e më gjerë kishte nisur fushata e propagandës, që mbulonte gjithë Shqipërinë, në fakt. “U tha se prona private ndalohej me kushtetutë. Aty u ngrita si villak i njomë dhe kërkova leje të bëja një pyetje: – A është dhia ime pronë private?” Shpendët dhe kafshët e dashura të shtëpisë që na ushqenin ndalohej tanimë t’i mbanim nëpër oborret tona, sepse kjo nënkuptonte përfitime nga prona private dhe ne ishim shtet me ekonomi të përbashkët socialiste.
E kujtoj dhe unë atë kohë në Fier, që ka qenë rreth viteve 1976–1981; gjyshja ime u trondit që nuk do të na lejohej të mbanim më asnjë shpend a kafshë shtëpiake në kopshtet e shtëpisë. Meraku i saj më i madh ishte gjeli: si mund të ndalohej me ligj të mbaje të paktën një gjel fushe, i cili duhej të këndonte çdo mesnatë, sepse kënga e tij largonte hijet, gjë që e thotë dhe Shekspiri, si te “Makbethi” – fantazma e Bankos – ashtu edhe te “Hamleti”: hijet do të zhdukeshin sapo të këndonte gjeli i parë. “Njeriu duhej të kujdesej për çdo fjalë të folur e çdo hap të hedhur nga perëndimi i diellit gjer në mesnatë, sa të këndonte gjeli i parë, se mos e dëgjonin apo se mos shkelte hijet”, ishte porosia e gjyshes. Madje u betua se do ta lidhte për këmbë te krevati i saj, do ta ushqente brenda një torbe poshtë krevatit, sa për të mos i munguar shtëpisë kënga mbrojtëse e gjelit.
Fushata e dha rezultatin e pritur nga ideologjia komuniste. Mbaj mend që Vitin e Ri 1981 e kemi festuar me peshk, sepse nuk gjeje mish as në dyqan dhe as në shtëpi nuk kishim më shpendë. Kjo ndodhte dhe në Myzeqe, që konsiderohej hambar ushqimor, e ku gjeli i detit është tipik i zonës në festën e fundvitit! Dikush që nuk e ka jetuar vetë atë kohë nuk e kupton dot absurdin e kësaj fushate propagandistike, që varfëroi në ekstrem ushqimin e shqiptarëve.
Çfarë grotesku ngrihet nga autori në novelë për fatin e Bardhoshes! Ne jemi brezi që e kemi përjetuar në realitet. Ja, për gjëra si këto, Beckett shkruan: “Mbërthyer tek disa detaje të shkretëtirës, syri mbushet me lot”!
Dhia Bardhoshe në novelë tanimë nuk quhet as dhi, as Bardhoshe, por ka marrë emrin: pronë private që ushqehet nga gjethet e bisqet e pyllit, pronë e përbashkët, dhe duhet të tufëzohet në kooperativë për të dhënë qumësht si pronë e përbashkët socialiste. Pak rrënjë domate e bistakë rrushi në bahçe janë gjithashtu prona private që kërcënojnë besimin tek rendi socialist. Termat e kohës: çeta e pionierit, shalli i kuq i pionierit që simbolizon gjakun e dëshmorëve, fletërrufeja, janë instrumente të darës shtrënguese në ndjeshmërinë e fëmijës për kafshën e tij të dashur, Bardhoshen, që përfundon e therur mbi dëborë.
Skena e fundit i përket një kohe tjetër, ku personazhi kandidon për deputet i Partisë Liberale. Dikush ngrihet sërish t’ia tjetërsojë kuptimet e autokritikës së fëmijës me detyrim – përcaktim ndaj fletërrufesë, sepse ndërron vetëm terminologjia. Fushata mbetet fushatë edhe në pluralizëm. Autori, që e tregon historinë në vetën e parë, e mbyll novelëzën: “M’u qesh. Gjithçka e së kaluarës sime mund të përdorej kundër të ardhmes time. Sa herë kthehem në vendlindje, atje në pyjet me mjegulla, më duket se shoh trupin sa një lis të çobanit pararojë, duke i grahur jo një tufe dhish, por një kopeje njerëzish të mërdhirë pas një dimri të gjatë”.
Personazhet e vijës së dytë dhe ata episodikë në prozën e Arbër Ahmetajt, si Nik Mira i Franës; plaka Fazë me formulat e vjetra të shërimit në laboratorin e saj të magjisë, që plakat si ajo i praktikonin me sukses të plotë; dervishi që shpjegon ëndrrat edhe më saktësisht se Frojdi vetë; mirditori Orosh Mirko, ky spiun tipik shqiptar që shet informacione konfidenciale me para në dorë dhe nuk ka asnjë shef; komisari Memo, një tjetër xhelat i së njëjtës gijotinë, që kishte vrarë njerëz në shtëpinë e të cilëve kishte ngrënë, edhe pse vet stepet para të përbindshmes kolege Zejnep; e çdonjë tjetër personazh i tillë në novela, janë sjellë me profil të spikatur nga autori Arbër Ahmetaj, sa jo vetëm ndihmojnë, siç pranohet nga kritika letrare, në zhvillimin e ngjarjes me personazhet kryesore, por edhe, në miniaturë, qëndrojnë brenda historisë vetiake, si një tjetër ngjarje e pavarur brenda besueshmërisë antropologjike.
Në fund të leximit, novelat e këtij libri vijnë si mënyra të ndryshme për të dëshmuar të njëjtën gjë: historia e madhe përzihet tragjikisht në fatin e njerëzve. Ajo hyn në vatrën familjare të secilit, lë gjurmët e saj në ndërgjegje, në trup, në kujtesë. Personazhet, nën peshën e ngjarjeve, marrin vendime që përcaktojnë fatin e tyre, por siç na dëshmon leximi i këtij libri, para se të mbërrijë tragjedia, jeta ka ndodhur.


