Përktheu e përgatiti: Armela Hysi
Katerina Gogu (Κατερίνα Γώγου 1Qershor 1940 – 3 Tetor 1993) qe një aktore dhe poete e shquar greke. Ka filluar aktrimin që në moshën parashkollore dhe u cilësua si një fëmijë gjeni, teksa më vonë veç skenës së teatrit dhe kinematografisë, shpalosi edhe talentin e saj në poezi. Si poete shkruante poezi moderne dhe vargje të lira ku vinte në dukje vetminë, padrejtësitë sociale dhe njerëzit e “padukshëm”, me karakter revolucionar në mjaft raste, kundër sitemit politik, me frymë simbolike ndaj përshkruhet si një shpirt anarshik që nuk gjente prehje. Në biografinë e saj cilësohet se karakteri i vet i papajtueshëm dhe gjendja e saj e lëkundur psikologjike e çuan nga abuzimet e ndryshme me substanca e alkool deri në vetëvrasjes në vitin 1993.
Si më vështron kështu
Si më vështron kështu
kjo copë e bardhë letre
si më vështron kështu hëna…
Si fëshfërin brenda meje
kjo hartë e akulluar thellësisë
si më vështron kështu hëna…
Së cilës kohe gishti i trishtuar
fshehur pas pyjesh e malesh
dëfton kudo e askund
çfarë dëshiron hëna…
Së cilit kalë të ndërkryer
hingëllima
përçon kaq fort jehonën brenda meje
sa bymen Egon time…
Së cilës hëne eklipsi
së cilës hëne venitja
së bashku shtijnë brenda meje
baticë e zbaticë motërza binjake
të mijat…
si më vështron…
Si përkulet kështu mbi gojën time
të shohë
në po marrë frymë ende, Kariotaki.*
*Kosta Kariotaki (Κώστας Καρυωτάκης, 1896–1928) poet i shquar grek me frymë ekzistencialiste.


