E përktheu Granit Zela
Një anketë me më shumë se njëqind shkrimtarë dhe kritikë, e zhvilluar disa vite më parë nga revista amerikane Oxford American, e shpalli Absalom, Absalom! të Uiljam Folknerit “romanin më të madh të Jugut amerikan të shkruar ndonjëherë”, me një epërsi të padiskutueshme ndaj kandidatëve të tjerë. Duke qenë se anketa përfshinte një shekull letërsie amerikane, gjatë të cilit një numër joproporcional i kryeveprave kanë ardhur nga Jugu, mund të thuhet se ky është një roman që nuk ka nevojë për hyrje; ai flet vetë.
Sigurisht, është pikërisht ai lloj libri që kushdo do ta rendiste në vend të parë në një anketë të tillë. Duke votuar për të, mund të ndihesh pothuajse i sigurt se askush nuk e njeh aq mirë sa të vërë seriozisht në dyshim madhështinë e tij. Një roman me ambicie të vetëdijshme artistike dhe me një strukturë jashtëzakonisht të ndërlikuar (madje, për disa lexues, edhe të padepërtueshme), Absalom, Absalom! krijon atë që kritiku Irving Howe e quajti “një përshtypje të frikshme”, atë lloj përshtypjeje që lind “kur një shkrimtar e çon vizionin e vet deri në skaj”.
Ndoshta është romani që i është afruar më shumë krijimit, në letërsinë amerikane, të një vepre që mund të qëndrojë përballë Uliksit. Ndikimi i romanit të Xhojsit te Folkneri është i pamohueshëm: secili, në mënyrën e vet, është një roman modernist me frymë provinciale, që ndjek një të ri në përpjekjen e tij për t’u zgjuar nga historia. Dhe, njësoj si Uliksi, edhe Absalom, Absalom! mbetet një libër shumë më i lavdëruar sesa i lexuar, shumë më i admiruar sesa i shijuar si përvojë leximi.
Por shkrimtarët e mëdhenj nuk shkruajnë për t’u bërë përshtypje lexuesve të tyre; në rastin më të mirë, kjo është vetëm një pasojë dytësore. Edhe “madhështia” mund ta izolojë një libër, pothuajse njësoj siç mund të izolohet një qenie njerëzore. (Një arsye pse kaq shumë lexues janë larguar nga Uliksi gjatë gati një shekulli është se nuk arrijnë ta lexojnë pa ndier peshën dërrmuese të rëndësisë së tij kulturore dhe detyrimin për t’iu përgjigjur asaj, gjë që është për të ardhur keq, po të mendosh se sa shpesh Xhojsi synonte, mbi të gjitha, të ishte zbavitës.) Një shkrimtar i mirë nuk kërkon prej nesh më shumë sesa inteligjencë, mirëbesim dhe kohë. Prandaj pyetja e vërtetë është kjo: çfarë ndodh me Absalom, Absalom! nëse i lëmë mënjanë dafinat që e rrethojnë dhe i qasemi vetëm me këto tri cilësi? Çfarë na ka lënë, në të vërtetë, Folkneri?
Së pari, është vetë proza, me gjallërinë e saj të jashtëzakonshme. Mjaftojnë disa pasazhe nga faqet e para për ta kuptuar këtë. Janë si shenja paralajmëruese që në hyrje: shpërthime të papritura grumbujsh të dendur mbiemrash. Pasditja e shtatorit, me të cilën hapet romani, në një dhomë “të errët, të nxehtë, të paajrosur”, përshkruhet si “e gjatë”, “e heshtur”, “e nxehtë”, “kapitëse” dhe “e vdekur”. Nëse keni ndjekur ndonjëherë një seminar të shkrimit krijues, me siguri ju kanë këshilluar të mos bëni kurrë një gjë të tillë: të mos grumbulloni mbiemra, të mos ndërfutni shtresa përshkrimi mes imagjinatës së lexuesit dhe skenës. Por këtu ndodh diçka tjetër. Zgjedhjet e Folknerit janë aq të sakta dhe mënyra se si ai i vendos fjalët pranë njëra-tjetrës është aq e menduar, saqë ai nuk e zgjidh këtë problem; ai e kapërcen krejtësisht. Harabelat që kalojnë pranë njërës dritare ia behin me një zhurmë “të thatë, të gjallë e pluhurore”, secila rrokje një notë në akordin që ai po ndërton. Fantazmat e Luftës Civile që përndjekin dhomën janë “fjalamane, të mllefosura, të çoroditura”.
Rregullat që Folkneri nuk i shpërfill në këtë roman, ai priret t’i zhdukë. Merrni, për shembull, subjektin. Në njëfarë kuptimi, nuk ka fare subjekt. Që në faqen e tretë (madje me shkronja të pjerrëta), ai na zbulon pothuajse gjithçka që do të ndodhë në planin e ngjarjeve. Nëse ndonjëherë ndiheni të humbur, mund t’i ktheheni atij paragrafi – që mezi mund të quhet paragraf – i cili fillon me fjalët: “Duket sikur ky demoni ‒ quhej Satpen (kolonel Satpen), kolonel Satpeni. Një ligj themelor i rrëfimit është fshehja e informacionit. Siç ka thënë shkrimtari Paul Metcalf: “E vetmja punë e vërtetë në krijim është të mos lejosh që gjërat të bashkohen shumë shpejt”. Megjithatë, ndërsa përparojmë në labirintin e romanit, zbulojmë se Folkneri nuk ka zbuluar asgjë nga ajo që ka më shumë rëndësi për të. Ai nuk përpiqet të na mbajë pezull për atë që do të ndodhë, por të na mbajë të përfshirë ndërsa gërmon gjithnjë e më thellë nën ngjarjet dhe ndjek jehonën e tyre përtej vdekjes. Një nga figurat që e mishëron më mirë këtë është krimbi që del në sipërfaqe: “Moti ishte i bukur, ndonëse i ftohtë, dhe atyre iu desh të përdornin kazma për të çarë tokën për varrin, megjithatë në njërën prej copave më të thella të dheut pashë një krimb të kuq, pa dyshim i gjallë kur u shkëput ajo copë dheu, ndonëse deri pasdite ai ishte ngrirë përsëri”. Makthi i së kaluarës së Jugut nuk është drama e romanit; ai është pikënisja e tij. Drama e vërtetë qëndron në përpjekjen për të depërtuar në natyrën e kësaj tragjedie. Pikërisht për këtë arsye mund ta tregojmë pa drojë vijën kryesore të rrëfimit, pa pasur frikë se po i prishim lexuesit ndonjë të papritur.
Në vitin 1909, një djalë jugor me emrin Kuentin shkon në Harvard. Është një i ri melankolik dhe i mbyllur në vetvete. Po ta kishin lexuar lexuesit Absalom, Absalom! në vitin 1936, kur romani u botua, do ta dinin tashmë se Kuentini është i destinuar të vrasë veten, sepse kjo ngjarje ndodh në Zhurma dhe tërbimi, botuar disa vite më parë. Në njëfarë kuptimi, ai është tashmë një fantazmë, një narrator që flet nga hija e fatit të vet. Megjithatë, për momentin mbetet ende gjallë. Ose, të paktën, aq gjallë sa mund të jetë dikush në universin e trillimit, ku personazhet nuk u binden gjithmonë ligjeve të zakonshme të kohës.
Shoku i tij i dhomës është një kanadez me emrin Shriv – jo një janki amerikan, të cilit Jugu mund t’i ngjallte përçmim ose, edhe më keq, romantizëm, por një i huaj i vërtetë, për të cilin gjithçka është e pazakontë. Për Shrivin, e gjithë Amerika është një lloj Jugu. Në këtë kuptim, ai është si ne: ka nevojë që dikush t’ia shpjegojë gjërat. “Si është atje?” – e pyet ai Kuentinin për Jugun. “A ka diçka me të cilën jetoni dhe e thithni si ajrin?” Në një varg bisedash të ndërprera, Kuentini përpiqet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke folur jo vetëm për Jugun, por edhe për atë që ai u bën njerëzve. “Jam njëzet vjeç”, thotë ai, ”dhe më i vjetër se shumë të tjerë që tashmë kanë vdekur”.
Kuentini i tregon Shrivit një histori nga qyteti i tij i lindjes në Misisipi, që nis me një vizitë që ai i bën, në fillim të atij viti, një gruaje të moshuar të njohur si zonjusha Roza. Ajo, nga ana e saj, i kishte treguar – ose më saktë, e kishte thirrur për t’ia besuar – një histori tjetër, të ndodhur shumë kohë më parë, para Luftës Civile. Ja pra forma e romanit: një kornizë e lëvizshme – mendja e Kuentinit, që po shpërbëhet – brenda së cilës zhvillohet një roman historik, i rrëfyer nga zëra me shkallë të ndryshme besueshmërie dhe me kapërcime kronologjike që, megjithëse të shpeshta, nuk duken kurrë të dhunshme.
Kuentini i ka mbledhur copëzat e kësaj historie nga i ati, nga gjyshi, nga letra dhe nga thashethemet e qytezës. Gradualisht kuptojmë se pikërisht këto rrëfenja përbëjnë identitetin e tij, por edhe vetë identitetin jugor: një ndërthurje e pandërprerë historish, të nxjerra ose, më shpesh, të trashëguara nga kaosi i së kaluarës, të mbartura nga një ndjenjë mallkimi dhe nga një nostalgji që shpesh afrohet me neverinë. Pikërisht kjo marrëdhënie e pazakontë me të kaluarën e dallon Jugun nga çdo rajon tjetër; ajo është mënyra se si ai e përfytyron vetveten. Te Kuentini, kjo gjendje ka marrë përmasat e një patologjie.
Historia e zonjushë Rozës, të cilën ajo e ka mbajtur të ndrydhur për pjesën më të madhe të jetës, ka në qendër një burrë të quajtur Tomas Satpen, një virxhinias i lindur në një kasolle, i cili shfaqet në qarkun e tyre në vitin 1833, blen me forcë një sipërfaqe të madhe toke dhe nis të vërë në jetë projektin e tij për të krijuar një dinasti plantatorësh. Disa interpretime të Absalom, Absalom! e konsiderojnë Satpenin personazhin kryesor të romanit, por kjo nuk është plotësisht e saktë. Madje nuk është krejt e saktë as ta quash personazh. Personazhi është Kuentini, sepse ai është ai që ndodhet në konflikt. Historia që ai përpiqet të rindërtojë për Satpenin është ajo që do të na përthithë. Vetë Satpeni e banon romanin si një figurë në një sixhade egjiptiane me motive të ndërlikuara. Mjekra e tij duket më reale sesa mendja apo zemra e tij. Ai nuk ka motive – ose, më saktë, ka vetëm një: ambicien në gjendjen e saj më të kulluar. Romani flet për “pafajësinë” e tij, jo në kuptimin e mungesës së mëkatit, por të një qenieje që njeh vetëm lakminë fëmijërore për të pasur gjithnjë e më shumë dhe për të qenë gjithmonë i pari. Është ai lloj pafajësie që sjell shkatërrim.
Folkneri bën një sërë zgjedhjesh domethënëse kur rindërton të kaluarën e Satpenit. Ai na thotë se një nga paraardhësit e tij ka të ngjarë të ketë zbarkuar në Xhejmstaun me një anije që transportonte të dënuar; se Satpeni u rrit në një kasolle në atë që më vonë do të bëhej Virxhinia Perëndimore; dhe se kaloi një pjesë të rinisë në Haiti. Këto hollësi na çojnë pas, drejt Jugut më të hershëm: kolonive bregdetare angleze, të cilat qenë, në shumë drejtime, një zgjatim i botës së Indive Perëndimore. (Shumë nga banorët e parë të Virxhinias dhe Karolinës nuk kishin lindur në Evropë, por në ishujt e Karaibeve.) Satpeni mbërrin me një grup skllevërish afrikanë “të egër”, shumica e të cilëve nuk flasin asnjë gjuhë evropiane, por një kreole. Kur blen tokën që do ta quajë ”Qindshi i Satpenit” – një emër që në vetvete dëshmon prirjen kolonizuese – ai nuk negocion me një të bardhë, por me një prijës vendas çiksou.
Nga kjo shumësi referencash historike, Folkneri fiton ndjesinë e cikleve që përsëriten, të një historie që vazhdon pa ndërprerje. Ndërsa kufiri jugor shtyhet drejt Perëndimit gjatë shekujve XVII dhe XVIII – një fazë e historisë amerikane që pothuajse është zhdukur nga kujtesa kombëtare, por që këtu rikthehet në plan të parë – rajoni vazhdon të prodhojë Satpenë të rinj, duke ripërsëritur të njëjtat tema: dëbimin e indianëve, pakënaqësinë klasore, etjen për tokë dhe një urrejtje kokëfortë racore që bashkëjeton çuditërisht me një intimitet të madh mes racave. Folkner-it i duhej që historia e Satpenit të ishte jo vetëm e besueshme, por thelbësisht jugore; jo aq një simbol, sesa mishërimi i vetë parimit jugor. Vetëm atëherë Satpeni bëhet një figurë aq e fuqishme, sa mund ta pushtojë mendjen e Kuentinit dhe ta çojë drejt obsesionit.
Asnjë libër që përpiqet të depërtojë në psikikën e Jugut nuk mund ta shmangë obsesionin e tij themelor: përzierjen racore. Pikërisht këtu arrijmë në shqetësimin më të thellë të romanit, në pikën e palëvizshme rreth së cilës rrotullohet e gjithë stuhia e gjuhës së tij. Kur ishte ende i ri, Satpeni iku në Haiti – pasi një përvojë poshtëruese e fëmijërisë, kur një skllav me ngjyrë i tha të hynte nga dera e pasme e një shtëpie të madhe (sepse nuk ishte mjaftueshëm i denjë të hynte nga dera kryesore), kishte lënë tek ai një plagë që e shtyu të largohej. Atje u martua me një grua dhe pati një djalë me të. Por shumë shpejt zbuloi se ajo kishte prejardhje afrikane dhe se djali i tij ishte me gjak të përzier; ndaj i braktisi të dy. Pastaj u kthye në Jug për t’u bërë plantator. Një zgjedhje krejt e besueshme për një burrë të bardhë jugor në fillim të shekullit XIX. Ajo që Folkneri nuk harron – dhe nuk na lejon ta harrojmë as ne – është amoraliteti rrënjësor i këtij veprimi. Për hir të një abstraksioni thjesht shoqëror, Satpeni mohon fëmijën e vet, djalin e tij të parëlindur.
Më pas ai martohet sërish në Misisipi, me motrën e madhe të zonjushë Rozës. Ata kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Tani Satpeni ka tokë, një shtëpi madhështore dhe trashëgimtarë. Është pothuajse aty ku kishte ëndërruar të arrinte, pothuajse një baron. Nuk është aspak e sforcuar të mendosh këtu për Getsbin. Një nga vëzhgimet më depërtuese të bëra vitet e fundit për Absalom, Absalom! i përket studiuesit Fred C. Hobson, i cili në vitin 2003 tha diçka që në pamje të parë duket e thjeshtë, por është një nga pohimet më befasuese që mund të bëhen për këtë roman: se ai është “një roman për ëndrrën amerikane”.
Si në çdo roman të madh, e kaluara e përndjek Satpenin dhe më në fund e arrin. I biri, Henri, shkon në Universitetin e sapokrijuar të Misisipit, ku lidhet ngushtë me një student tjetër, Çarls Bonin. Gjatë një vizite në Qindshin e Satpenit, Boni takon motrën e Henrit, Xhuditën, dhe bie në dashuri me të – ose vendos ta bëjë të tijën. As Henri, as Xhudita nuk e dinë se Boni është djali që Satpeni kishte braktisur në Haiti, i ardhur në Misisipi përmes Nju Orlinsit, me sa duket i shtyrë nga një kërkim gjysmë i vetëdijshëm, pothuajse somnambul, për të gjetur të atin. Kështu, Çarls Boni është njëkohësisht gjysmë me ngjyrë dhe gjysmëvëllai i Xhuditës.
Henri e kupton, në mënyrë të pashmangshme, të vërtetën: ai nuk mund të lejojë që Boni të martohet me motrën e tij. Por, në të njëjtën kohë, ai e do Bonin; mes tyre ekziston një lidhje gjaku në më shumë se një kuptim. Kur shpërthen Lufta Civile, të dy regjistrohen në ushtri dhe luftojnë krah për krah. Megjithatë, gjatë gjithë luftës, Boni vazhdon të mendojë për Xhuditën. Kur më në fund kthehen në Misisipi, Henri e kupton se çasti i vendimit ka ardhur.
Atëherë ndodh ajo që pa dyshim përbën kulmin e romanit, ndonëse rëndësinë e kësaj skene e kemi ndier prej kohësh. Kuentini ia rrëfen Shrivit në Harvard, pothuajse gjysmë shekulli më vonë. Të dy përjetojnë një lloj transubstancimi: nuk janë më vetvetja, por Henri dhe Boni.
– Ti nuk do ta bësh, – i thotë Henri Bonit. – Nuk do të martohesh me motrën time.
– Kush do të më ndalojë, Henri?
– Jo, – thotë Henri. – Jo. Jo. Jo.
Tani Boni e vështron Henrin. Ai sheh përsëri të bardhën e syve të tij, ndërsa buzëqesh me atë shprehje që mezi mund të quhet buzëqeshje. Dora i zhduket nën batanije dhe rishfaqet duke mbajtur koburen nga tyta, me qytën të zgjatur drejt Henrit.
Ky është një roman ku fjala “negër” përsëritet vazhdimisht. Do të ishte e pandershme të flisnim për të sot pa u ndalur te ky fakt. Aq më tepër që shembulli që sapo citova është, në të vërtetë, një nga përdorimet më pak fyese të saj: Boni, ai që e shqipton, është vetë pjesërisht me ngjyrë dhe e përdor me një ironi therëse. Më shpesh, fjala del nga goja e personazheve të bardhë ose nga vetë narratori, me një ngarkesë shumë më të rëndë.
Nuk është e vërtetë, me pak fjalë, se kështu flitej thjesht “atëherë”. Që nga mesi i viteve tridhjetë – madje shumë më herët – termi perceptohej tashmë si fyes. Një i bardhë nuk do ta përdorte ndaj një personi me ngjyrë, përveçse po të synonte ta poshtëronte, të shfaqte epërsi, ose, ndonjëherë, në kontekstin e një humori të ulët mes të ngjashmëve.
Me të drejtë, Absalom, Absalom! është cilësuar si përpjekja më serioze e një shkrimtari të bardhë për t’u përballur me çështjen e racës në Amerikë. Vendimi i Folknerit për ta prekur këtë plagë ishte një akt guximi. Ai e dinte se kjo përpjekje do ta detyronte të nxirrte në dritë edhe anët më të errëta të mendjes së vet. Mund të thuhet se të shkruaje një roman të tillë, duke lënë jashtë idiomën raciste të Jugut, do të ishte një akt falsiteti. Sigurisht, askush nuk do të dëshironte t’ia hiqte Bonit atë fjalë në skenën e pyllit, një nga çastet më të jashtëzakonshme të letërsisë jugore.
Një burrë i bardhë dhe një burrë me ngjyrë shohin njëri-tjetrin dhe e quajnë njëri-tjetrin vëlla. Të paktën, njëri prej tyre e bën. Papritur, në një çast tronditës, e gjithë ndërtesa shoqërore mbi të cilën është ngritur romani fillon të shembet. Henri nuk ka për të bërë asgjë tjetër veçse ta përsërisë atë fjalë. Thuaje sërish, mendon lexuesi. Thuaj: “Jo, ti je vëllai im”. Atëherë gjithçka do të mund të shpëtohej, ose të paktën do të kishte mundësi të shpëtohej. Farsa gotike e ëndrrës së Satpenit do të shpengohej me ato pak fjalë dhe do të shndërrohej në një histori njerëzore plot shpresë, ose të paktën në një histori që nuk e përjashton shpresën. Çarls Boni do të jetonte. Xhudita do të bëhej gruaja e tij. Satpeni do të kishte pasardhës. Dhe, së bashku, ata mund të fillonin ta rindërtonin Jugun mbi një themel tjetër.
Sigurisht, Boni do të martohej me gjysmëmotrën e vet, por kjo, siç e tregon vetë romani, nuk është ajo që e mundon më shumë Henrin. Jeta, në fund të fundit, rrallëherë është e përsosur. Asgjë nuk e pengon Henrin ta thotë atë fjali, t’ia shtrijë dorën vëllait të tij me ngjyrë; asgjë, përveç peshës së së kaluarës, frikës nga turpi dhe dobësisë së vet. Por në vend të dorës, Henri nxjerr koburen.
Kjo është një nga skenat e fundit për të cilat flasin Kuentini dhe Shrivi, pak përpara përfundimit të romanit, përpara se Kuentini të tregojë historinë e fundit: ditën kur fati i tij u kryqëzua me atë të Satpenit. E shihni? Nuk jua kam treguar ende gjithçka. As Folknerinuk e ka bërë. Edhe kur duket se jua ka treguar gjithçka, nuk mund t’i besoni plotësisht. Ndoshta nuk ka shenjë më të sigurt të madhështisë së një libri sesa çasti kur ai riorganizohet para syve tanë dhe merr një kuptim të ri pikërisht atëherë kur besojmë se e kemi kuptuar. Këto mure lëvizëse paqartësie janë ndërtuar me vetëdije nga Folkneri. Ato i japin romanit një cilësi të rrjedhshme, një ndjenjë gjallërie, sikur ai të mund të vazhdojë të ndryshojë bashkë me historinë.
Më dukej magjepsëse ta lexoja këtë roman në një kohë kur në Shtëpinë e Bardhë ndodhej një president bir i një martese ndër-racore dhe kur sapo ishte bërë publike statistika sipas së cilës, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, lindjet e fëmijëve jo të bardhë kishin tejkaluar ato të fëmijëve të bardhë. Papritur, disa prej miteve prej të cilave romani ndërton vizionin e vet tronditës duken krejt ndryshe, si të kaloje pranë një pikture të njohur dhe të zbuloje se dikush e ka ndryshuar. Është një kohë e çuditshme për të jetuar në Amerikë. Mbyll njërin sy dhe duket sikur po shkojmë drejt një shoqërie pasracore; mbyll tjetrin dhe shfaqet një vend më i përçarë racialisht se kurrë. Racizmi mbetet ende çmenduria jonë. Dhe sa më gjatë të vazhdojë të jetë kështu, aq më i domosdoshëm bëhet ky roman, sepse Folkneriështë një nga eksploruesit më të mëdhenj të asaj çmendurie.
Por romani arrin edhe më larg se kaq. Ai bën diçka që, sa di unë, nuk ishte provuar më parë në letërsi dhe nuk është arritur më pas në një formë kaq të kulluar: dramatizon vetë ndërgjegjen historike. Jo vetëm jetën njerëzore, por pyllin e kohës brenda të cilit vetë ideja e jetës njerëzore përpiqet të gjejë kuptimin e saj. Të mos dështosh në një ndërmarrje të tillë është, në vetvete, një triumf. Në këtë roman, Jugu çlirohet nga vetvetja dhe bëhet universal.


