KreuLetërsiShënime mbi libraAndreas Dushi: Një raport i Injac Zamputit (1947) mbi bibliotekat jezuite, françeskane,...

Andreas Dushi: Një raport i Injac Zamputit (1947) mbi bibliotekat jezuite, françeskane, argjipeshkvnore dhe famullitare të Shkodrës

Jo shumë kohë më parë, kur punoja në Fondin e Librit të Rrallë të Bibliotekës Kombëtare, shihja i mahnitur disa libra me nënshkrimin e Atë Gjergj Fishtës. Pastaj m’u ngarkua detyra e rijetëzimit të asaj që deri atëherë njihej si Biblioteka e Vjetër, godina përballë lulishtes 1 Maji e cila tani mban emrin e bibliofilit Sotir Kolea. Në ambientet e sallës Italiane, e para në të majtë, pashë gjithë ato libra me vulën e Misionit Shëtitës të Jezuitëve.

Prej atëherë, gjithnjë e kam pyetur veten, si duhet të kenë qenë këto biblioteka para se të sekuestroheshin? Nga materialet që i përbënin, deri te arkitektura: Si ishin konceptuar sallat e leximit a të punës? Teksa lexoja klasifikimet që këto libra kishin marrë kur ishin bërë pjesë e Bibliotekës Kombëtare, përpiqesha t’i rikrijoja ashtu sikurse kishin qenë vendosur ndër raftat e kuvendeve të dikurshme: sipas përmbajtjes apo sipas autorit? Si orientohej, fjala bie, asistenti i Fishtës në fotografinë e famshme kur Frati i Madh i kërkonte diçka?

Në këtë projekt rikrijimi që më po më jep shumë kënaqësi, më ka ardhur në ndihmë edhe Rrno për me tregue, paçka se aty flitet më së shumti për dhunimin e Bibliotekës dhe kompleksit kulturor të françeskanëve ku bënin pjesë edhe Arkivi bashkë me Muzeun e Odën Muze të Fishtës. Tregohet me detaje se si Biblioteka u kthye në hetuesi, kurse përpjekja për ta mbrojtur atë, në akuzë.

Megjithatë, gjatë kërkimeve, rashë në gjurmët e një raporti të përgatitur prej dr. Injac Zamputit i cili i përgjigjej një shkrese të vitit 1947 ku i kërkohej Për t’u informue mbi gjendjen e Bibliotekave ish-Jezuite, Fretënve, Argjipeshkvnore, Famulliteare etj. të Shkodrës.[1] Këtë detyrë, ai e kreu nga data 29 nëntor – 3 dhjetor 1947 dhe raportoi si më poshtë:

BIBLJOTEKA ISH-FRANÇESKANE

Librat janë mbajtun në dhomën e Bibljotekës në katin përdhesë.

Librat ndër rafta janë vendue në rregull dhe të siguruem nga keqpërdorja dhe shiu, etj.

Nëpër shtroje të dhomës janë volume me mija të lëshuom mbarë e mbrapshtë, jo të Bibljotekës, por t’ardhun nga dhomat e ndryshme të kuvendit. (Ketë materjal këshillova ta grumbullojnë provizorisht dhe të mos shkelet nëpër ‘të.)

Kanë punue për rregjistrimin e libravet të Bibljotekës dhe inventari asht krye. Dy shoqnuesat – Përgjegjësi dhe nën përgjegjësi i Bibljotekës së Qytetit, Tof Krroqi e Nikë Draga – më thanë se nuk kanë ndeshë kund në materjal dokumentar as dorëshkrime as në skedarët e Bibljotekës. (Përveç njëj dorëshkrimi të vogël të Fishtës që e kishin vendue në një libër dhe që aty për aty nuk e gjetën). Volume të ndryshme ka aty përmbi 6.000. (tituj librash që janë edhe dopjonë).

Në përgjithsi, si më pohuene dy shoqnuesat që kishin procedue n’inventar[izim], ka aty libra Theologjije, Filosofije në shumicë; ka histori, letersi etj. Shumica janë në gjuhën germanishte, latinishte. Ka edhe italisht, frengjisht e slavisht.

Ka një raft tri serish me libra shqip.

Prej libravet që më ranë në sy: veprat e Goethes, Schillerit, Shakespearit etj., dhe Poetët Grekë të Romagnolit etj.

Në përgjithsi librat janë n’edicione të mira dhe të lidhun bukur.

Dy shoqnuesat që kanë edhe çelsat e kësaj dhome, më pohuene se nuk e kanë marrë në dorëzim Bibljotekën me ndonjë proces-verbal, por vetëm sa me punue n’inventarin e saj.

Këta e kanë fillue punën qysh në shtatorin e kaluem dhe inventarin e kanë krye në gjysë të nandorit. Marr vesh se aty kanë ndihmue arësimtarë etj.

Dy përgjegjësat pohuene seqë se i ka marrë Seksjoni i Kulturës në dorëzim çelsat nga Arësimi (Shtator 1947) nuk ka dalë ndonjë materjal nga këjo Bibljotekë, përveç Enciklopedisë “Treccani” që asht dërgue në Tiranë.

Me një të hedhme syni, materjali i venduem ndër rafta nuk paraqet boshllëqe të dukëshme.

BIBLJOTEKA ISH-JEZUITE

Edhe kësaj dhome çelsat ja ka marrë në dorëzim Seksjoni i Kulturës nga aj i Arësimit në shtatorin e kaluem.

Janë fillue dy heresh punimet e rregjistrimit të materjalit, pse të parën ishte një gabim. Puna nuk asht krye ende. (Shoqnuesat më pohuen se me 1946 ishte kenë bamë inventari, por nuk gjindet kund).

Raftat janë me libra, por aty-këtu hetohen boshllëqe.

Enciklopedija “Treccani” edhe këndej asht terheqë dhe dërgue në Tiranë.

Rafti që ka koleksjonin e revistës “Civilta Cattolica” asht po thuej i paprekun.

Përveç Enciklopedisë së thanun, qysh se çelsat i ka marrë Seksjonit i Kulturës, nuk asht terheqë materjal nga këjo dhomë.

Në këtë dhomë nuk asht ndeshë materjal dokumentar.

Ka libra theologjije, filosofije, enciklopedina të moçme, histori (Hammer etj) dhe letersi.

Rafti i Skedarëvet ka vetëm skedat e libravet mbas auktorit.

Gjendja e dhomës dhe e libravet asht e mirë.

Dhoma e Albanologjisë etj.

Dhoma e bibljotekës së “Albanologjisë” (çelsat e së cilës i ka Z. Malo Beci) asht mbushë me libra të venduem ndër rafta. Shumica e këtyne librave nuk bajshin pjesë në këtë Bibljotekë. Shoqnuesat nuk dijnë me më kallxue kah ka ardhë ky materjal. Librat në fjalë nuk e kanë ndonjë vulë të bibljotekave të ndryshme të jezuitve. Të gjithë këta libra janë edicionesh të mira dhe të lidhun mirë në kartuq.

Ka disa albume fotografinash.

Ka një raft mbushë me letra e fletore të shkrueme që duhen këqyrë; por janë kaq të shrregullueme saqë asht e pamundun me punue as me prekë në ‘to në një kohë të shkurtën.

Ka materjal nëpër tokë.

Inventari asht i bamë për librat e do t’ i dergohet Komitetit të Kulturës.

Ka një raft me skedarë të përziem e në të cilin duhet të punojsh.

Një ditë ma parë, Z. Malo Beci më pohoj se materjali i Albanologjisë asht terheqë nga Komiteti i Kulturës në Tiranë. Proces verbalet nuk i gjeta.

Një dhomë edhe një rruginë

Tue dalë nga dhoma e bibljotekës Albanologjike, aty afer në të djathtën, gjendet një dhomë edhe një rruginë të mbushuna me libra edhe revista që s’dihet nga cilat dhoma kanë ardhë.

Materjali asht i shpërndamë keq nëpër dhomë, kush hyn, asht i shternguem të heci nëpër libra, të cilët pjesërisht janë edhe të shgatrruem.

Nuk dihet çfarë materjali mundet me qenë aty. Tofë Krroqi, që kishte punue n’të 4 ditë, më pohoj se nuk ka gjetë veçse pak libra të vlefshëm.

I këshillova me mujtë me i grumbullue së paku ndër qoshet e dhomës që mos të shkelen në kalim.

Edhe çelsat e kësaj dhome i ka Z. Malo Beci.

————-

ISH – ARGJIPESHKVIORE

Për të vizitue bibljotekën e ish-Argjipeshkvisë, m’u desht me i u drejtue zyres së Pasunisë Shtetnore që e ka në dorëzim.

Më shoqnuen me një shoqe të zyres.

Lokalet janë të banueme.

Dhoma e Bibljotekës asht e kyçun dhe e vulosun, as nuk mujtëm me hym mbrendë, mbasi nuk u dinte kush e ka çelsin as kush e kishte vulosë (Së paku nuk dijti të më tregojë shoqnuesja).

Një derë tjetër asht e vulosun prej Pasunisë së Shtetit. Aty, përveç materjalit tjetër, ka, më si pohoj oficeri që na shoqnonte e që banonte n’atë shtëpi, edhe rafta me libra.

Shoku oficer më pohoi se në një dhomë tjetër ka libra fetarë, por çelsat nuk i kishte aj.

Gjithashtu aj më pohoj se nga një dhomë, për ta lirue, ishin qitë jashtë dhe dorëzue D .Ernestos, libra. Ky materjal i qitun jashtë, asht depozitue në shumicë në sagrestinë e majtë të kishës së Madhe, nalt edhe poshtë. Aty ishin dy o ma grumbuj librash të parregull shpërndamë nëpër tavolina të ndryshme. Nalt ishin dy rafta me rregjistra të mëdhaj, të lidhun në pergamenë, që bajnë tituj të ndryshëm aktesh zyrtare t’ Argjipeshkvisë me data të vjetra.

ISH-FAMULLITARE

Kyçat e njëj dhome ku mbahen dy rafta të mëdhaj me libra, i kishte çupçija i shtëpisë.

Ndër këta rafta mbahen libra edhe fletore. Raftet janë të kyçun dhe çelsat i ka Pasunija e Shtetit.

Pyeta në se ka vende tjera ku mbahet materjal, dhe më pohuen se jo.

——–

Nga një pohim i Pergjegjsit të Bibljotekës së Qytetit marr vesht se zyra e Pasunisë së Shtetit ka, ndër vende të ndryshme, edhe materjal tjetër bibljotekash së privatëvet të rekuizuem, si Tef Curani etj., megjithse pergjegjsi i Zyres së Pasunisë së Shtetit pohoj se materjalet [e] tjera ja ka dorëzue Bibljotekës.

———-

Të gjitha këto konstatime ja parashtrova Kryetarit të Këshillit të Komitetit Eksekutiv të Qytetit, Z. Qamil Gavoçi, i cili i ndëgjoi me interesim dhe qe i mendimit të ngarkohet Përgjegjësi i Seksionit të Kulturës për marrjen në dorëzim të çelsavet që gjenden ndër duer të ndryshme, për rojen e për organizimin e gjith këtij materiali.

Për këtë arësye i dhashë të gjitha shenimet e duhuna Përgjegjsit të Seksionit të Kulturës i cili ka për t’u marrë me këtë punë.

——————

Tiranë, 5 dhetuer 1947

Dr. Injac Zamputti

Të gjitha këto biblioteka janë ringritur, sigurisht të pjesshme. Për bibliotekën Françeskane, kontributin e parë e dha Atë Zef Pllumi. Falë tij u rimor edhe tradita e njohur editoriale e kësaj kongregate dhe u rifilloi botimi i Hyllit të Dritës e po ashtu, edhe ribotimi i veprave të françeskanëve bashkë me botimin e kërkimeve më të reja në histori e filologji, vijim i natyrshëm i botimeve të mëhershmeve.

Biblioteka e Jezuitëve u ringrit paralelisht në dy institucione, edhe në gjimnazin jezuit “Atë Pjetër Meshkalla”, edhe në seminarin ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku punën më të madhe, sidomos për të rilidhur fillin historik me sallën e Albanologjisë së shpjeguar nga Zamputi, e kreu Willy Kamsi. Ky mbase qe kontributi i tij i fundit për rrjetin bibliotekar, përveç atij që qe testamenti i tij: Dhurimi i tërë bibliotekës personale, ku përfshihej edhe ajo e Gjon Kamsit, atit të Willyt, në bibliotekën e Françeskanëve.

Biblioteka e Argjipeshkvisë nuk përfundoi së ringrituri, pasi një pjesë e madhe e fondit të saj ku përfshihej edhe gjithë biblioteka personale e dy vëllezërve meshtarë, imzot Zef Simonit dhe dom Gjergj Simonit, iu dhurua bibliotekës së famullisë “Zoja e Shkodrës” në ringritjen e së cilës kam pasur fatin të kontriboj edhe unë përkrah Gjovalin Çunit. E ndërtuar kryesisht me donacione nga qytetarët e Shkodrës, kjo bibliotekë u çel në vitin 2019 dhe prej asaj kohe, ka mbështetur disa botime me rëndësi në fushën e albanologjisë si dhe ka organizuar, për dy vite radhazi tanimë, panairin e vetëm të librit në Shkodër, “Libri të ban të lirë”.


[1]  AQSH, F. 507, V. 1947, D. 2, “Raport i Institutit të Studimeve mbi gjendjen e përgjithshme të bibliotekave françeskane, jezuite, të arqipeshkvive dhe famulltare”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË