KreuOpinionNdrek Gjini: Pjetër Arbnori, Lordi Bethel dhe spiuni Kim Philby

Ndrek Gjini: Pjetër Arbnori, Lordi Bethel dhe spiuni Kim Philby

Në vitin 1994, Pjetër Arbnori i shkroi një letër njërit prej lordëve më të shquar të Britanisë së Madhe, Nicholas Bethell.

Duke marrë shkas nga kjo letër, Lordi Bethell më 6 shtator 1994 botoi një shkrim të gjatë në gazetën Independent, një nga gazetat më prestigjioze të Mbretërisë së Bashkuar.

Pjetër Arbnori, në rolin e tij si Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, i kërkoi Lordit Bethell që të përdorte autoritetin e tij për të bindur drejtuesit e Sotheby’s që përfitimet e disa shitjeve me ankand t’u jepeshin disa të persekutuarve politikë në Shqipëri.

Sotheby’s është një nga korporatat më të mëdha në botë që shet me ankand sende dhe objekte me vlera historike.

Në korrik të vitit 1994, vetëm gjashtë vjet pas vdekjes së spiunit të famshëm Kim Philby, korporata Sotheby’s, pasi kishte blerë në Moskë apartamentin dhe të gjitha objektet e tij, vendosi t’i shesë ato me ankand dhe paratë e grumbulluara t’i japë për bamirësi.

Pjetër Arbnori, sapo e mësoi këtë lajm, vendosi menjëherë t’i shkruante një letër mikut të tij, Lordit Bethell. Përmes kësaj letre, ai i kërkoi që të ndërhynte tek drejtuesit e Sotheby’s, që paratë e grumbulluara nga këto shitje të mos u jepeshin shoqatave bamirëse në Londër, por viktimave ose familjarëve të viktimave shqiptare që u vranë apo u burgosën si pasojë e spiunimit për llogari të KGB-së dhe organeve të Sigurimit Shqiptar nga ky dyfishtë agjent.

Lordi Bethell, sapo e mori këtë letër, me përgjegjësinë e një politikani karriere dhe të një historiani dinjitoz, u ul dhe shkroi një artikull të gjatë rreth kësaj çështjeje. Artikulli i tij ishte i detajuar dhe me mjaft informacion të rëndësishëm rreth rolit të Philbyt dhe viktimave shqiptare që kishte shkaktuar veprimtaria e tij spiunuese për llogari të KGB-së dhe organeve të Sigurimit Shqiptar.

Historia që i lidh këta tre persona me njëri-tjetrin

Para se të flasim për historinë që i lidh këta tre persona me njëri-tjetrin, e shoh me vend të shpjegoj shkurt se kush ishin ata:

Pjetër Arbnori (18 janar 1935 – 8 korrik 2006) ishte një shkrimtar dhe politikan shqiptar. Ai është quajtur “Mandela i Ballkanit” për shkak të kohës së gjatë, plot 28 vjet, që kaloi në burgjet e diktaturës komuniste. Ai ishte bashkëthemelues i degës së Partisë Demokratike në Shkodër. Prej vitit 1991 deri më 2001 ishte deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa prej vitit 1992 deri më 1997 ishte Kryetar i Parlamentit Shqiptar.

Lord Nicholas William Bethell (19 korrik 1938 – 8 shtator 2007) ka qenë politikan britanik dhe historian për Europën Qendrore dhe Lindore. Bethell ka qenë anëtar i Dhomës së Lordëve si konservator nga viti 1967 deri më 1999. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Parlamentit Europian nga viti 1979 deri më 1994, dhe përsëri nga viti 1999 deri më 2003. Ndër librat që botoi ishte edhe The Great Betrayal, ku flet për rolin e agjentit Kim Philby.

Kim Philby (1912–1988) ishte një spiun sovjetik. Në vitin 1963, qeveria britanike pranoi se ish-diplomati i saj, Harold Adrian Russell Kim Philby, kishte vepruar si agjent sovjetik. Dezertimi i tij në Bashkimin Sovjetik në janar 1963 ishte një prej momenteve më dramatike të Luftës së Ftohtë. Në kohën kur ishte me detyrë në Washington, në fillim të viteve 1950, si ndërmjetës mes shërbimeve sekrete britanike dhe atyre amerikane, Philby tradhtoi operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur në vendin e tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës. Pas përjashtimit nga shërbimi i zbulimit britanik MI6, ai u arratis në Moskë dhe vdiq në vitin 1988, në moshën 76-vjeçare.

Rrethanat e letrës

Në korrik të vitit 1994, vetëm gjashtë vjet pas vdekjes së Kim Philbyt, Sotheby’s vendosi t’i shesë me ankand sendet dhe objektet e tij të sjella nga Moska dhe t’i përdorë të ardhurat për bamirësi.

Pjetër Arbnori, sapo e mësoi këtë lajm, i shkroi menjëherë Lordit Bethell. Ai i kërkoi që të ndërhynte pranë drejtuesve të Sotheby’s, në mënyrë që paratë e grumbulluara të mos shkonin për shoqata bamirëse në Londër, por për viktimat shqiptare që kishin vuajtur pasojat e veprimtarisë së këtij agjenti.

Lordi Bethell e trajtoi këtë çështje me seriozitetin e një politikani karriere dhe të një historiani të formuar. Ai e botoi artikullin në Independent dhe, në hyrje, iu referua drejtpërdrejt letrës që kishte marrë nga kryetari i Parlamentit Shqiptar, si edhe propozimit të tij për destinacionin e parave të mbledhura nga ankandi.

Në përmbyllje të artikullit, Bethell shkruan se shpërblimet e fituara nga Kim Philby ishin të pamerituara, sepse veprimtaria e tij anti-ligjore shkaktoi qindra viktima dhe shkatërroi mijëra jetë shqiptarësh. Ai thekson se paratë e fituara nga objektet e shitura janë fitime që burojnë nga akte tradhtie dhe se nuk duhet të përfitojnë as familja Philby, as Sotheby’s.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË