KreuLetërsiShënime mbi libraProf. As. Dr. Natasha Shuteriqi Poroçani: Koha si përvojë filozofike dhe si...

Prof. As. Dr. Natasha Shuteriqi Poroçani: Koha si përvojë filozofike dhe si shenjë gjuhësore në vëllimin me tregime “E vërteta, vdekja…”, të Rei F. Hodos

Koha si problem qendror i botës narative

Në filozofinë e rrëfimit të një prej mendimtarëve më të rëndësishëm të shek. XX, të njohur veçanërisht për interpretimin e teksteve (hermenutikën), veçanërisht të marrëdhënies mes kohës dhe rrëfimit, Paul Ricœu, koha nuk është thjesht një vijimësi kronologjike ngjarjesh, por një përvojë njerëzore që merr kuptim përmes organizimit narrativ. Rrëfimi e shndërron kohën e jetuar në një strukturë ku ndërthuren kujtesa, pritshmëria dhe interpretimi i të kaluarës. Për këtë arsye, analiza e kohës narrative duhet të shqyrtojë jo vetëm kur ndodhin ngjarjet, por edhe mënyrën se si personazhet përjetojnë kohën dhe kuptimin që ajo merr në ndërgjegjen e tyre.

Një tjetër këndvështrim është ai i Mikhail Bakhatin[1], i cili e trajton kohën dhe hapësirën si kategori të pandashme të organizmit artistik të rrëfimit. Përmes konceptit të kronotopit[2], ai shpjegon se koha në letërsi bëhet e perceptueshme nëpërmjet hapësirave, situatave dhe veprimeve konkrete, ndërsa hapësira merr kuptim nga koha dhe zhvillimi i ngjarjeve.

Kështu, koha nuk është vetëm një element i jashtëm i rrëfimit, pot një parim që ndikon në strukturën e tij, në zhvillimin e personazheve dhe në krijimin e atmosferës filozofike. Koha përbën një kategori themelore të ndërtimit të botës narrative, sepse përcakton jo vetëm rendin e ngjarjeve, por edhe mënyrën se si përvoja njerëzore shndërrohet në kuptim letrar. Në këndvështrimin e Ricoeur, rrëfimi i jep formë përvojës së kohës, duke ndërthurur përjetimin subjektiv, kujtesën dhe pritshmërinë. Ndërsa koncepti i kronotopit te Bakhtin mundëson shqyrtimin e marrëdhënies së pandashme midis kohës, hapësirës dhe zhvillimit të ngjarjeve.

Të dyja qasjet krijojnë bazë teorike strukturore për analizën e këtij vëllimi me tregime, ku koha shfaqet në disa nivele: si kohë e matur, si përjetim psikologjik, si rikthim i kujtesës dhe si reflektim mbi vdekjen e përjetësinë.

Në vëllimin që ne po shqyrtojmë, koha nuk funksionon thjesht si kornizë kronologjike ku vendosen ngjarjet. Ajo është një nga substancat themelore të prozës: matet, prishet, ngadalësohet, humbet, përsëritet, kujtohet, projektohet dhe mbi të gjitha, përjetohet. Kjo veçori është vënë re që në parathënie të vëllimit, ku studiuesi Jozef Radi flet për “mungesën e kohës dhe të konkretes” dhe për një prozë që e nxjerr lexuesin nga e përditshmja. Paradoksi është domethënës: tregimet janë të mbushura me sekonda, minuta, orë, agime, mbrëmje, ditë e net, por pikërisht kjo dendësi e shenjave matëse nuk prodhon domosdoshmërisht një kohë të qëndrueshme. Përkundrazi, sa më shumë matet koha, aq më shumë ajo bëhet problem filozofik.

Analiza jonë ndjek dy drejtime të lidhura: së pari, shqyrton shtresëzimet filozofike të kohës: kohën kronometrike, kohën subjektive, kohën e kujtesës, kohën ciklike, kohën e vdekjes, kohën e pritjes, kohën e ikjes dhe kohën e përjetësisë; së dyti, ndalet te simbolika dhe historia kuptimore e fjalëve që ndërtojnë këtë univers: kohë, orë, çast, minutë, sekondë, mesnatë, agim, nesër, kthim, pritje, amëshim/përjetësi.

Qëllimi nuk është t’i imponohen tekstit sisteme filozofike nga jashtë, por të shihet se si vetë gjuha narrative e prodhon filozofinë e kohës.

Analiza e shtresëzimeve filozofike të kohës

Koha kronometrike dhe koha e jetuar: dy sisteme që përplasen

Tek tregimi “Mallkimi i duarve”, koha shfaqet fillimisht si disiplinë. Pritja është caktuar në orën nëntë; ora katër pas dreke shënon jo vetëm mbarimin zyrtar të punës, por edhe largimin zyrtar të personazhit nga godina; automobili pritet “ekzaktësisht” në 07:59. Këto shifra nuk janë dekor realist. Ato përfaqësojnë një botë ku njeriu kërkohet të sillet si mekanizëm. Madje gishti i personazhit godet krahun e kolltukut “në fraksion të sekondës”, si i kurdisur nga “sistemi qendror”; menjëherë loja gjuhësore e kthen sistemin qendror në “komitetin qendror”. Kështu koha mekanike lidhet drejtpërdrejt me kohën politike: saktësia nuk është vetëm matje, por kontroll.

Përballë kësaj kohe të administruar del një fjali që përmbledh një filozofi tjetër: “Secili ka kohën e tij. Edhe ne, edhe ora. Ora na tregon kohën, ne e jetojmë atë; edhe vetë ora jeton kohën e saj…”. Këtu ndahet koha e treguar nga koha e jetuar: ora mund të masë nëntë goditje, por nuk mund të masë ankthin, frikën, lirinë apo ndjenjën e humbjes. Instrumenti që duhet të jetë zot i matjes relativizohet: edhe ai plaket, “lodhet”, ka kohën e vet. Objekti matës bëhet metaforë e qenies së fundme. Konflikti përsëritet kur personazhi thotë se “ora e madhe mbërriti”. Këtu “ora” nuk është më njësi prej gjashtëdhjetë minutash, por moment vendimtar. E njëjta fjalë kalon nga kronometria në fat. Pikërisht ky kalim është karakteristik për gjithë vëllimin: koha objektive përmendet me saktësi, por në pikat e krizës ajo shpërthen në kuptim ekzistencial.

“Pesëdhjetë e shtatë minuta me Mil K.” koha e kufizuar që hap pafundësinë

Vetë titulli “Pesëdhjetë e shtatë minuta me Mil K.” e bën kohën njësi kompozicionale. Një interval i vogël premton kufizim, por tregimi e përdor pikërisht këtë kufi për të hapur pyetje të pakufishme: nga vjen qenia, çfarë ka pas jetës, çfarë do të thotë arratisje, a është mbijetesa më e vlefshme se jetesa? Tregimi nis me “Ra mesnatë” dhe menjëherë e përkthen kohën në jetë: “Tre minuta jetë. Frymë, po aq.” Minuta nuk është më njësi abstrakte; është sasi ekzistence.

Mesnata është prag. Ajo nuk i përket plotësisht as ditës që mbaroi, as ditës që sapo lind. Prandaj është çasti i përshtatshëm për një dialog ku qenia kërkon të dalë nga vetja dhe nga e përditshmja. Kur thuhet “Arratisu nga jeta” dhe pyetet “Ç’ka pas jetës?”, koha ndahet në këtë jetë dhe një “tjetër jetë”. Por teksti nuk e zgjidh metafizikën; e mban në gjendje dialogu. Kjo është e rëndësishme kritikisht: Hodo nuk ndërton tezë filozofike sistematike, por dramatizon nevojën e qenies për ta pyetur kohën për kufirin e vet.

Ritmi i mesnatës ndërthuret edhe me trupin. Personazhi femëror numëron jo minutat, por “çdo ditë, çdo natë, çdo mëngjes, çdo mbrëmje, çdo lindje dielli, çdo perëndim” si mundësi dashurie. Kjo seri e kthen kalendarin në ritëm trupor. Në fund, “mesnata tjetër më gjen diku larg”: e ardhmja përfytyrohet jo si datë, por si zhvendosje. Koha është lëvizje dhe lëvizja është një nga emrat e jetës.

Koha si mall për veten: e tashmja që kërkon identitetin në të shkuarën

Në “Me mallin për veten ika” koha hapet me mungesën: “ish bërë kohë e gjatë”. Personazhi ka humbur edhe “numërimin e ditëve”. Kjo humbje nuk është thjesht pakujdesi kalendarike; tregon shkëputjen e subjektit nga vijimësia e zakonshme e jetës. Kur dita nuk numërohet më, identiteti duhet kërkuar në një tjetër sistem matjeje: në mall, në kujtesë, në vetëpërballje.

Teksti formulon një nga idetë më të forta të vëllimit: “është vetë njeriu apo hera-herës edhe vetë dita ajo që i jep materien qenies së saj”. Pra dita nuk është enë bosh ku futet jeta; ajo merr “materie” nga njeriu. Koha dhe qenia krijojnë njëra-tjetrën. Pak më tej, “mprehu shikim nga e sotmja” e bën të sotmen objekt shikimi, pothuaj hapësirë përballë personazhit. E sotmja nuk kalohet automatikisht; ajo duhet parë.

Edhe struktura narrative e përmbys vijën kronologjike me shenjuesin “Disa orë më parë…”. E tashmja hap një xhep retrospektiv. Kështu teksti e demonstron atë që thotë: pas çdo sekonde apo minute fshihet një tjetër ndodhi. Çdo njësi kohe ka një “pas” dhe një “para”, dhe identiteti i personazhit përbëhet nga këto shtresa. Veçanërisht domethënëse është fjalia se fragmentet iluzionale ndodhin në fraksione aq të shpejta “sa edhe vetë koha e vë në dyshim qartësinë konjitive të kohës, të vetes së saj”. Koha këtu personifikohet deri në vetëdyshim: nuk është më vetëm problem i njeriut; bëhet problem i vetvetes.

Koha e kujtesës në “Ëndrra e detarit”: kthimi që nuk rikthen të njëjtën botë

“Ëndrra e detarit” ndërtohet mbi një kohë të thellë kujtese. Detari “pat jetuar që në vogëli me detin”; prindërit kanë vdekur, por fytyrat e tyre rikthehen në dallgë. E shkuara nuk është e mbyllur: babai shfaqet në sipërfaqen e detit dhe dialogu me të ndodh sikur distanca mes të gjallit dhe të vdekurit të ishte kapërcyer. “Është bërë kohë që nga hera e fundit” dhe “kishte ardhur koha që të kthehej” tregojnë se koha këtu matet me shfaqje, mungesa dhe kthime, jo vetëm me data.

Moli, i lidhur me fëmijërinë, i duket si “fundi i jetës”. Mbërritja në breg, që normalisht do të ishte përfundim i udhëtimit, bëhet pezullim i jetës; deti, përkundrazi, është vazhdimësi. Babai “ish kthyer përjetësi”: folja “kthehem”, zakonisht hapësinore, bashkohet me përjetësinë dhe vdekjen. Kështu kthimi merr dy kuptime të kundërta: kthim në shtëpi dhe kthim jashtë kohës së zakonshme.

Në fjalët e babait, “Fjalët e mia me kohë i ke lënë që era t’i marrë”, shprehja “me kohë” shënon largësi të grumbulluar, por kujtesa e zhbën atë largësi. Përfundimi “Gjuetia e jetës zgjat përgjithnjë!” e kthen përvojën individuale në cikël të hapur. “Përgjithnjë” nuk duhet lexuar si pohim metafizik i mirëfilltë; në ekonomi të tregimit është figura e vazhdimit të mësimit, kujtesës dhe kërkimit për të mbetur njeri.

Koha ciklike dhe koha-mekanizëm në “Qorrsokake rreshtash”

Në “Qorrsokake rreshtash” ora “frymonte në murin përballë” dhe vazhdonte “ritmin e zemrës prej zemberekësh”. Ky është një bashkim i jashtëzakonshëm i organikes me mekaniken: ora ka frymë e zemër, por zemra është prej zemberekësh. Koha mekanike merr trup; trupi, nga ana tjetër, rrezikon të mekanizohet. Në një vëllim ku vdekja dhe jeta maten shpesh me rrahje, minuta e akrepa, kjo figurë bëhet nyje simbolike e rëndësishme.

Titulli “Qorrsokake” sugjeron rrugë pa dalje. Në plan kohor, kjo mund të lexohet si figurë e përsëritjes: lëvizje që nuk prodhon domosdoshmërisht dalje. Ritmi i orës vazhdon pavarësisht krizave të personazheve. Kështu koha është njëkohësisht ecje dhe qorrsokak: ajo shkon përpara kronologjikisht, ndërsa ndërgjegjja mund të mbetet e bllokuar në të njëjtin konflikt.

Koha e pritjes dhe relikja e pakohë në “Fjalë prej hyu”

“Fjalë prej hyu” hapet me një mendim që përsëritet prej ditësh dhe me një stinë në prag: Kishte qenë prag dimri, vjeshta ishte në të perënduar. Stina nuk jep vetëm sfond; perëndimi i vjeshtës përgatit semantikisht fundin, kalimin, ftohjen. Në fund, zarfi mbetet si një relikë e pakohë, pa strukturë, pa ndonjë të shkuar. Fjala pakohë është thelbësore: objekti del nga rendi i zakonshëm shkak-pasojë dhe nga biografia e vet. Ai është aty, por sikur të mos i përkasë një kohe të përcaktueshme.

Kjo pakohësi nuk është e njëjtë me përjetësinë. Përjetësia është tejzgjatje ose dalje nga fundi; pakohë është mungesë e koordinatës kohore. Zarfi bëhet i frikshëm pikërisht sepse nuk ka histori të lexueshme. Në një vëllim ku personazhet kërkojnë vazhdimisht fillimin, fundin, nesërmen dhe kthimin, objekti pa të shkuar krijon boshllëk ontologjik.

Koha e vdekjes në tregimin “E vërteta, vdekja…”

Tregimi titullor e çon konfliktin e kohës në pikën më të skajshme: vdekja. Lajmi Nuk jeton më! Ka vdekur! e ndan biografinë në para dhe pas. Personazhi pyet Pse duhet të vdiste?, sikur shkaku biologjik të mund të shpjegonte edhe domethënien ekzistenciale. Përgjigjja mjekësore vendos një matje tronditëse: Në një distancë kohore prej tetë minutash zemra e saj u lind dhe ndërroi jetë tri herë. Tetë minuta bëhen një hapësirë ku jeta dhe vdekja ndërrojnë vend tri herë. Koha biologjike nuk është më vijë e qartë; është prag i përsëritur.

Më pas narratori vëren se një situatë prej “disa minutash” duket e tejzgjatur, një gjë pa mbarim. Kjo është formula më e qartë e relativitetit psikologjik të kohës në vëllim. Matja e jashtme thotë minuta; dhimbja thotë pafundësi. Prandaj seria vdiq! U shua! Ndërroi jetë! Iku! U amëshua! nuk është vetëm grumbull sinonimesh. Secila folje e vendos vdekjen në një regjim tjetër kohor: vdiq emërton fundin biologjik; u shua e figurizon si fikje; ndërroi jetë e paraqet si kalim; iku si largim; u amëshua si hyrje në një kohë pa fund.

Aristidh Trungu përpiqet më pas ta rindërtojë kohën përmes rutinës: ora 20:00, ora 20:07, 21:00, nata, gjumi, dita tjetër. Por pikërisht rutina çrregullohet nga kujtesa. Ai humbet tri ditë brenda një përvoje që i duket si ëndërr. Pyetja Unë që kurrë… nuk kam parë asnjë ëndërr papritur u gjenda tre ditë brenda saj? e bën kohën e zisë një kohë jo të besueshme. Në fund, ai mendon se mesi i kohës që natyra i kishte caktuar natës dhe errësirës duhej të ishte në kapërcyell. Koha natyrore bëhet masë e vetme kur ora nuk mjafton më.

Shtresëzimi i përgjithshëm: linear, ciklik, subjektiv, politik dhe metafizik

Në tërësinë e vëllimit dallohen disa shtresa që bashkëjetojnë. Koha lineare është ajo e orarit, trenit, pritjes dhe akrepave. Koha ciklike shfaqet te dita/nata, lindja/perëndimi, stinët, kthimet. Koha subjektive zgjatet ose shkurtohet sipas ankthit, dashurisë, mallit dhe vdekjes. Koha politike organizon trupin dhe sjelljen në “Mallkimi i duarve”. Koha e kujtesës i bën të vdekurit bashkëbisedues në “Ëndrra e detarit”. Koha metafizike shfaqet në fjalë si përjetësi, amshim, amëshua, pas jetës. Vlera estetike e prozës qëndron pikërisht në mosndarjen e këtyre niveleve: një orë muri mund të bëhet zemër; një minutë mund të bëhet jetë; një mesnatë mund të bëhet prag ontologjik; një kthim mund të bëhet përjetësi.

Simbolika dhe etimologjia e fjalëve të lidhura me kohën

Në këtë pjesë, etimologjia përdoret me kujdes: jo si provë se autori ka pasur domosdoshmërisht parasysh historinë e çdo fjale, por si mënyrë për të parë se si kuptimi i trashëguar i fjalëve aktivizohet simbolikisht në tekst. Për fjalët shqipe me histori të debatueshme nuk imponohet një prejardhje e pasigurt; analiza mbështetet kryesisht te formimi i dukshëm, historia semantike dhe marrëdhëniet brenda sistemit të shqipes.

Kohë: nga matja te kushti i qenies

“Kohë” është fjala më e gjerë e këtij sistemi. Në shqip ajo shënon si vazhdimësinë, ashtu edhe një periudhë të caktuar, një rast, një epokë ose motin atmosferik në përdorime të caktuara. Pikërisht ky elasticitet semantik shfrytëzohet në tregime. Ish bërë kohë e gjatë shënon largësi; kishte ardhur koha që të kthehej shënon pjekurinë e një vendimi; në kohë të tilla shënon rrethanë; secili ka kohën e tij shënon pjesën individuale të ekzistencës.

Simbolikisht, koha te Hodo nuk është një lumë homogjen. Ajo individualizohet. Te  “Mallkimi i duarve”, edhe njeriu edhe ora kanë kohën e tyre; në “Me mallin për veten ika”, vetë koha dyshon për veten; në tregimin titullor natyra i cakton kohë natës dhe errësirës. Foljet që e shoqërojnë e bëjnë kohën pothuaj personazh.

Orë: instrument, interval dhe çast i fatit

Fjala “orë” në shqip ka një histori të pasur kulturore dhe semantike: ajo shënon njësinë e kohës dhe instrumentin që e mat, por gjithashtu, në traditën shqiptare “Ora” lidhet edhe me qenien mitologjike të fatit. Pa pretenduar se çdo përdorim i Hodos synon drejtpërdrejt mitologjinë, ky sfond e bën veçanërisht të fuqishme shprehjen “Ora e madhe mbërriti!”. Aty ora nuk është më thjesht 60 minuta: është çasti vendimtar, thuajse një takim me fatin.

Në “Qorrsokake rreshtash”, ora frymon dhe ka zemër prej zemberekësh; në “Mallkimi i duarve” mekanizmi i orës lodhet nga vitet; në “E vërteta, vdekja…” ora 20:07 përplaset me një përvojë që nuk mund të matet. Pra ora migron nga objekti te subjekti, nga mekanizmi te fati, nga saktësia te pamjaftueshmëria e saktësisë.

Minutë dhe sekondë: huazime të matjes që bëhen njësi ekzistence

“Minutë” lidhet historikisht me latinishten minuta, “e zvogëluar, pjesë e vogël”, ndërsa “sekondë” me idenë e ndarjes së dytë të orës. Në tekst, pikërisht vogëlsia e tyre bëhet paradoksalisht e madhe. Titulli “Pesëdhjetë e shtatë minuta…” e ngre një interval të vogël në hapësirë të plotë narrative. Tre minuta jetë. Frymë, po aq e barazon njësinë e matjes me njësinë e frymës.

Sekonda ka të njëjtën ngarkesë. Në “Me mallin për veten ika”, një dallgë tymi ia turbullon shikimin veç një grimë sekonde, por pas çdo sekonde apo minute fshihet një tjetër ndodhi. Sekonda është grimcë dhe portë njëkohësisht. Në “Mallkimi i duarve”, gishti lëviz me saktësi në fraksion të sekondës: këtu sekonda është simbol i disiplinimit. Kështu e njëjta njësi shërben për dy filozofi të kundërta: mekanizim dhe hapje të së resë.

Çast dhe moment: koha e ndërprerjes

“Çast” në përdorimin letrar shqiptar është një pikë e shkurtër e rrjedhës, ndërsa “moment”, me prejardhje latine, lidhet historikisht me lëvizjen dhe peshën e një shtyse. Në tregime, këto fjalë dalin zakonisht aty ku vazhdimësia çahet: personazhi trembet një çast; mendimi shfaqet në moment; vdekja shpallet në këtë moment. Çasti është i vogël kronologjikisht, por i madh ontologjikisht. Ai mund të ndajë jetën në para/pas.

Mesnatë: mesi që është edhe fund edhe fillim

“Mesnatë” është fjalëformim transparent: mes + natë. Por simbolika e saj buron pikërisht nga ky “mes”. Mesi zakonisht sugjeron qendër, ndërsa mesnata është njëkohësisht fund i një dite dhe fillim i tjetrës. Në “Pesëdhjetë e shtatë minuta me Mil K.” ajo përsëritet si pikë orientimi: Ra mesnatë, Kishin kaluar disa minuta që prej mesnatës, Mesnata kishte kaluar, mesnata tjetër më gjen diku larg. Çdo përsëritje e lëviz personazhin nga një gjendje në tjetrën.

Mesnata është edhe kohë e intimitetit dhe e filozofimit. Në të njëjtën hapësirë hyjnë pyetja për një tjetër jetë dhe pyetja për dashurinë mesnatave. Kjo bashkëvendosje nuk është rastësore: trupi dhe metafizika dalin nga rutina ditore në të njëjtin prag. Mesnata i çliron personazhet nga kalendari social dhe i fut në kohën e vetes.

Agim, mëngjes, mbrëmje: cikli natyror si gjuhë e gjendjeve

Këto fjalë ndërtojnë një orë natyrore përballë orës mekanike. Agimi në “Mallkimi i duarve” mund të jetë i plagët; mëngjesi mund të jetë i mjegullt e i zemëruar; nata mund të ketë “mitrën” e saj prej së cilës del agimi; në tregimin titullor nata dhe errësira kanë një kohë të caktuar nga natyra. Kështu cikli ditor antropomorfizohet.

Veçanërisht e rëndësishme është kundërvënia dritë/errësirë. Në “Me mallin për veten ika”, citimi i Khalil Gibranit e lidh errësirën me zbulimin e “dritës qiellore” dhe ditën me botën e kohës dhe hapësinës. Brenda tregimit kjo ndërton dy kohë: kohën e dukshme të ditës dhe një kohë të brendshme, të hapur drejt amshimit. Teksti nuk e zgjidh kundërvënien; e përdor për të rritur tensionin midis përditshmërisë dhe transcendencës.

Sot, nesër, e nesërmja: gramatika e shpresës dhe pasigurisë

Nesër është një fjalë e vogël me funksion të madh simbolik. Në “Mallkimi i duarve” dialogu Nesër. – Nesër? e ngarkon të ardhmen me frikë. Më pas thuhet: E nesërmja me siguri do të ishte ndryshe. Gjithmonë ka diçka që të bën të shohësh përtej. Nesërmja është hapësira e mundësisë, por jo domosdoshmërisht e shpëtimit. Ajo mund të sjellë kthimin në “Thertishtë” po aq sa mund të hapë një rrugë tjetër.

Në “Me mallin për veten ika”, e sotmja është diçka drejt së cilës mprehet shikimi, ndërsa një peng mund të shndërrohet në fuqinë e të nesërmes. Kjo triadë – e shkuara si peng, e sotmja si përballje, e nesërmja si fuqi – përmbledh një model të rëndësishëm të kohës në libër: njeriu nuk është i mbyllur në kronologji, por negocion vazhdimisht me të.

Pritje: kohë e pezulluar dhe kohë e projektuar

“Pritje” në shqip vjen nga folja pres, e cila ka një polisemi domethënëse: të presësh mund të nënkuptojë të qëndrosh derisa të vijë diçka, por pres në një tjetër kuptim do të thotë edhe të ndash, të këputësh. Pa i barazuar historikisht domosdoshmërisht këto kuptime, teksti e bën pritjen vërtet një lloj prerjeje në rrjedhën e zakonshme. Në “Mallkimi i duarve”, pritja diplomatike është ritual i përsëritshëm, por urdhri e shndërron në interval ankthi. Në stacion, shtatë orët e pritjes para trenit bëhen boshllëk ku vendimi mund të ndryshojë.

Pritja është koha kur ngjarja ende nuk ka ndodhur, por e ardhmja tashmë ushtron presion mbi të tashmen. Prandaj ajo është një nga format më filozofike të kohës në vëllim: personazhi jeton diçka që ende nuk ekziston.

Kthim: hapësirë që bëhet kohë

“Kthim” është emër veprimi nga kthej/kthehem dhe në tregime bart një semantikë shumë më të gjerë se lëvizja gjeografike. Kanë diçka melankolike udhët e kthimit, thuhet në “Mallkimi i duarve”, ku përmendet Odiseu dhe Itaka. Kthimi është gjithmonë edhe ballafaqim me kohën që ka kaluar. Nuk kthehesh vetëm në një vend; kthehesh te një version i mëparshëm i vetes, i cili mund të mos ekzistojë më.

Në “Ëndrra e detarit”, kthimi në mol është fundi i jetës, ndërsa babai është kthyer përjetësi. Kjo lojë e bën kthimin një figurë kufitare: mund të jetë rikthim në shtëpi, rikthim në kujtesë ose kalim përfundimtar jashtë kohës. Odiseu, Itaka dhe deti krijojnë kështu një arketip të kohës së kthimit, por Hodo e përdor për të theksuar pamundësinë e kthimit identik.

Përjetësi, amshim, amëshim: emrat e kohës pa fund

Përjetësi ndërtohet mbi idenë e jetës/vazhdimit përtej kufirit të zakonshëm; amshim/amëshim i përket leksikut të kohës së pakufishme dhe në përdorimin kulturor lidhet shpesh me përtejjetën. Në vëllim këto fjalë dalin pikërisht kur kronometria dështon. Babai i detarit ish kthyer përjetësi; në tregimin titullor e vdekura u amëshua; te Gibrani shikimi hapet drejt amëshimit. Këto nuk janë sinonime të thjeshta të vdiq. Ato ndryshojnë drejtimin e figurës: nga ndërprerja drejt vazhdimit.

Seria vdiq – u shua – ndërroi jetë – iku – u amëshua është shembulli më i mirë për simbolikën e leksikut kohor. Një fakt i vetëm biologjik prodhon pesë mënyra gjuhësore për ta konceptuar kohën pas tij. Gjuha nuk e anulon vdekjen, por tregon se njeriu nuk mund ta mendojë fundin vetëm si zero kronologjike; ai krijon metafora kalimi, largimi dhe amshimi.

Pakohë: mohimi që krijon një kategori të re

Fjala pakohë është formuar me parashtesën mohuese pa- + kohë. Në “Fjalë prej hyu” zarfi quhet relikë e pakohë. Ky formim është veçanërisht i fuqishëm sepse nuk thotë i vjetër, i përjetshëm apo i harruar: thotë se objekti është pa kohë. Mohimi nuk e varfëron kuptimin, por krijon një kategori të tretë përtej së shkuarës dhe së tashmes. Relikja është e pranishme fizikisht, por e papozicionueshme historikisht.

Vlerësim kritik: çfarë fiton dhe ku rrezikon kjo poetikë e kohës?

Forca kryesore e vëllimit është se koha nuk mbetet temë e deklaruar; ajo hyn në strukturë, sintaksë, tituj, ritëm dhe figuracion. Titulli me pesëdhjetë e shtatë minuta, shënuesi Disa orë më parë…, oraret e sakta, mesnata e përsëritur, tri ditët e humbura, tetë minutat e zemrës, udhëtimet e kthimit dhe stinët krijojnë një rrjet ku çdo tregim prodhon variantin e vet të temporalitetit. Koha është një nga fijet që e mban vëllimin si tërësi.

Një forcë e dytë është përplasja e matjes me përjetimin. Teksti e di se ora mat, por nuk e absolutizon orën. Disa minuta mund të duken pa mbarim; një sekondë mund të fshehë një ndodhi të re; një jetë mund të ngjeshet në tri minuta; një zemër mund të lindë dhe ndërrojë jetë tri herë në tetë minuta. Ky disproporcion krijon filozofinë më bindëse të librit: koha njerëzore nuk është identike me kohën e mekanizmit.

Por ka edhe një rrezik estetik. Ai shfaqet aty ku abstraksioni verbal bëhet tepër i dendur. Personifikimet e kohës, jetës, natës, të vërtetës, lirisë dhe qenies ndonjëherë grumbullohen aq shumë sa veprimi narrativ mbetet në hije  pas konceptit. Kjo nuk dobësi mund edhe të jetë zgjedhja stilistike që parathënia e identifikon si mungesë të kohës dhe të konkretes. Nuk jemi të sigurt se sa ky stilim e bën të prekshëm konceptin filozofik të kohës, sepse në momentet më të ngarkuara, koncepti rrezikon të rishpjegojë atë që figura tashmë e ka thënë.

Te Hodo koha lidhet vazhdimisht me lirinë.

Mallkimi i duarve – rregulli politik kërkon orar, kornizë dhe kontroll.

Bukaeshka – lidhet me ajrin e lirë.

Pesëdhjetë e shtatë minuta – arratisja është lëvizje.

Me mallin për veten ika – e nesërmja lind nga metamorfoza e pengut.

Ëndrra e detarit – deti është hapësirë ku kujtesa dhe e tashmja bashkëjetojnë.

Koha e lirë nuk është koha pa orë, por koha ku subjekti mund t’i japë vetë kuptim kalimit.

Në këtë vëlliim, koha mund të quhet një personazh i padukshëm i vëllimit. Ajo herë vjen me zhurmën e orës, herë me heshtjen e pritjes; herë me mesnatën, herë me agimin; herë me trenin që duhet të niset, herë me kujtimin që kthehet; herë me tetë minuta biologjike, herë me një përjetim që duket pa mbarim. Tregimet nuk japin një përkufizim të vetëm të kohës. Ato e shtresëzojnë atë: kohë fizike, psikologjike, politike, narrative, trupore, memoriale dhe metafizike.

Po aq e rëndësishme është puna me fjalën. Tërësia e fjalëve që ne përdorëm, analizuam dhe listuam, nuk janë vetëm tregues temporalë. Janë shenja që e zhvendosin leximin nga pyetja kur ndodhi? te pyetjet si jetohet koha?, çfarë bën koha me njeriun? dhe çfarë mbetet kur koha e matshme nuk mjafton më?

Kjo është pika ku proza e Hodos merr karakterin e saj filozofik: jo sepse jep përgjigje përfundimtare, por sepse e bën vetë kohën objekt të vetëdijes dhe të dyshimit.

Shënim mbi bazën tekstuale

Interpretimet etimologjike janë përdorur si ndihmë semantike e simbolike dhe jo si pretendim për qëllimin e vetëdijshëm etimologjik të autorit në çdo rast.


[1]  Bakhatin, M. M (1981). Forms of time and of the chronotope in the novel: Notes toward a historical poetics. In The dialogic imagination: Four essays (C. Emerson & M. Holquist, Trans., pp 84-258). University of Texas Press.

[2]  Në kuptimin bakhtinian, kronotopi përbën një kategori të organizimit artistic të rrëfimit, përmes së cilës koha dhe hapësira shfaqen në një marrëdhënie të ndërsjellë. Hapësira fiton kuptim nëpërmjet kohës së përjetuar nga personazhet, ndërsa koha bëhet e perceptueshme përmes vendeve, situatave dhe veprimeve narrative. Në këtë këndvështrim, analiza e tregimeve të Rei F. Hodos do të shqyrtojë mënyrën se si ora, deti, mesnata dhe hapësirat e kujtesës marrin funksionin simbolik dhe kontribuojnë në ndërtimin e botës filozofike të veprës.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË