Ata shtrinin mbi një tezgë kafshët e vrara, lepuj, thëllëza, derra, kaproj. Më pas, me disa thika të mprehta u rripnin lëkurën dhe i çanin mes përmes, për t’i pastruar zorrëve. Një duhmë gjaku, mizash, pluhuri dhe vape më zinte frymën, ndërsa e lehura e langonjve më kujtonte, që duhej t’u mbushja katruvet me ujë. Im atë e urrente faktin që unë hutohesha, sa herë ata ktheheshin gjahut. Për të zbutur sadopak zemërimin e tij, rendja pas çdo pune që s’kishte të bënte me gjuetinë. Ndihmoja nënën në vjeljen e misrit, hapja themele avllish, stivoja drutë dhe kujdesesha për suvanë e shembur, në muret e jashtme të shtëpisë. Por asgjë nuk e zbuste zemërimin e tim ati. E xhindoste tmerrësisht ideja, pse unë s’i gëzohesha stinës së gjahut. Nga dëshira e tij e ethshme që unë të doja gjahun, më urdhëronte të pastroja bashkë me të armët. Dhe, çuditërisht, askush më mirë se unë nuk dinte ta bënte këtë punë. Kur ndaja mes përmes tytat e çiftes me një kind të vajosur, vëreja më vëmendje çdo cifël të saj. Nga tyta dhe deri në pjesën e drunjtë kishte forma të çuditshme vragash. Në formë kafke, goje, bunkeri, valixheje, kryqi, kishe, varri etj. Im atë acarohej përsëri nga hutimi im dhe me urdhëronte një zë të vrazhdë: «Vazhdo me thikat». Me thikat mbaroja punë më shpejt. Duhej t’i mprihja lehtë pa ngatërruar lëvizjet, majtas, djathtas, mbi një formë rrethore lime. Më pas, as vetë nuk e dija se pse, duhej t’i zhysja në gjirmë. Nuk merrja kurrë guximin ta pyesja tim atë përse. Por kisha dëgjuar nënën se nëse thikat zhyten në gjirmë, gjahu do na ecte më shumë. Pikëllohesha kur i zhysja në hi, duke numëruar në heshtje gjurmët mbi to. Thikat s’kishin gjurmë vragash, ua hiqte lima, por unë i fiksoja të gjitha. Mbi to dalloja gojë të hapura, si gojë vajtojcash. Mbaroja punë me pastrimin e armëve dhe dilja dhome i mpirë. Nga divanhania shikoja lëkurat e ndehura të kafshëve mbi murin e avllisë, këmbët e tyre në degë pemësh, i hanim me fasule dimrit. Ndërsa në dy trarët e portës së madhe, im atë kishte balsamosur kokat e dy drerëve. Përlotesha.
Një ditë, pas zallamahisë së kthimit të gjahtarëve, një e bërtitur e ashpër e tim ati m’i preu gjunjët frike.
«Kape nga këmba», më urdhëroi dhe nisi të rripte vrulltas këmbën e një kaprolli. Një si turmë merimangash nisën të më lëvrinin lëkurës, po dridhesha. Doja ta mposhtja atë makth, por ishte e pamundur. Kjo e acaroi edhe më shumë atë dhe duke shtrënguar fort nofullat më urdhëroi përsëri: – «Ngulja thonjtë në sy», po i rripte kokën. Të dridhurat m’u shpeshtuan dhe gjunjët m’u këputën. Pas pak çastesh ndjeva rrobat e lagura në trup. Dy kova ujë dhe ulërimat e nënës më zgjuan prej të fiktit. Nëna e përlotur mallkonte nën zë tim atë, ndërsa mërmëriste afër kokës time lutje, në një gjuhë që nuk e kuptoja. Që nga ajo ditë, jeta ime do të ishte një ferr i vërtetë. Im atë, nga mllefi i mospajtimit tim me gjahun, më urdhëronte për punë të rënda. Qëllonte që nuk i bëja dot dhe ai i gëzohej dëshpërimit tim nga dështimi. Më e keqja ishte se kur nuk bëja dot punët që më urdhëronte, turrej në haurin e kalit, e tërhiqte me forcë frerëve, e lidhte në mes të oborrit dhe duke m’u hakërryer se isha një dështak, e rrihte egër me kamxhik. Sa herë kamxhiku fshikullonte shpinën e kalit, unë tkurrja shpatullat, duke ngashëryer, zhytur në një dhimbje që po më shkatërronte. Të nesërmen, rrija me orë të tëra pranë kalit të dërmuar, duke qarë. Dhimbja për të po më kthehej në një përbindësh të tmerrshëm. Një ditë, duke qenë i bindur që nuk do ta ngrija dot një lëndë të madhe ahu, nën vështrimin e tmerrshëm të tim ati, mora guximin dhe i thashë: «S’e ngre dot, por të lutem më rrih mua, jo kalin». S’kisha guxuar ndonjëherë t’i ktheja fjalën dhe për më tepër me një zë idhnak. Ai ngrysi vetullat, pa nga kali dhe m’u afrua duke më parë thellë në sy. Një ndjesi e brendshme gëzimi m’u përpëlit si pupël lëkurës. Mendova se tim atë e kisha prekur ne zemër. Fundja ai duhej të kishte pak dashuri për mua. Vura buzën në gaz, por atë çast një dhimbje e ethshme më përshkoi trupin. Filloi të më qëllonte me kamxhik, me forcë dhe pa dhimbje. Atë natë askush s’qe në shtëpi, që ta ndalonin. Qaja prej dhimbjeve, por s’e di pse thellë-thellë mendoja se e meritoja. Pas pak ditësh nga një gulçim i pashpjegueshëm, ngjesha armët e gjahut dhe i shkova tim ati tek dhoma. Ai ende flinte. Kur u përmend, më pa me një vështrim që më kishte munguar prej vitesh. Ndryshe nga herët e tjera nuk hëngri asgjë, por dha urdhër të niseshim menjëherë për gjah. Nuk i besoja vetes, iu ngjita së përpjetës gjithë vrull dhe i qetë. Langojtë lihnin deri në ulërima, ndërsa bri xhades tufa turtujsh shpërthenin frike në gëmusha pemësh. Ecja pas tim ati i sigurt. S’doja të përtypja në shpirtin e lodhur dhimbjen për kafshët. Përkundrazi, doja të nxisja brenda vetes dëshirën që të vrisja sa më shumë. Kur u err, kishim vrarë jo pak; dy derra, gjashtë lepuj dhe disa thëllëza. Por im atë nuk ngopej. Dy-tri herë qëlluam mbi një dre, që herë na dilte majtas dhe herë djathtas, por s’e kapte asnjë plumb. «Më mirë kthehemi», tha vëllai i madh, por im atë nuk tundej. Atë ditë turfullonte gëzimit. Unë i isha bashkuar gjuetisë dhe për më tepër, pa ma bërë syri tërr kisha vrarë jo pak. Ndihesha çuditshëm. Kishte kohë që nuk shijoja asnjë ndjesi, ndaj s’e kuptoja se ç’po ndodhte me mua. Një mjegull u fashit trungjeve të pishave, ndërsa cicërima e zogjve më bënte të ndihesha fajtor. Im atë ma bëri më shenjë, do i dilte drerit nga ana e pasme. Ndërsa unë do ta prisja përpara, pas një rrafshine pa pisha. E lehura e langonjve u shpeshtua. Vura re se edhe vëllezërit zunë pritë, pas rreshtit të fundit të pishave, në kufi me rrafshinën bosh. Anën perëndimore e mbuloja unë. Mora nishan dhe prita urdhrin e tim eti. «Qëllo”, – dëgjova zërin e tij, si një urdhër të prerë, por mbështjellë në një tis lutje. Qëllova menjëherë drejt shkurrnajës. Langojtë na ndollën për triumfin. Megjithëse u kuptua që drerin e kisha vrarë unë, vëllezërit u turrën para meje drejt presë. Pas pak, tek shtrëngoja një lepur brezit, u shemba përbrenda. Një klithmë çau ajrin. Vëllezërit bërtitën në një të qarë, që më palosi në dysh si me shpatë. Unë pa dashje kisha vrarë tim atë. Nuk mbaj mend më shumë. Kisha kaluar disa herë gjendje ataku prej panikut. Mbaj mend që vëllezërit më kthyen disa herë frymën, rrugës së kthimit. Plandosur si një ari i egër, gjaku i tim ati përskuqi trupin e një pele të bardhë, për të cilën qe kujdesur që i vogël. Gjëmë e vaj si pas çdo vdekjeje drodhën dhe degët e pemëve në oborr, por për fat im atë shpëtoi. Katër saçme i kishin depërtuar në fundshpinë. Udhëtimi i tyre në trupin e tij të pamposhtur kurrë nga asnjë sëmundje, do e linte sakat gjithë jetën. Këtu fillon dhe rritja ime. Përpiqesha t’i jepja kuptim gjithçkaje. Nga pamundësia e dritësimit të atij terri që më mbështillte, bëja vetëm punë. Duke u lodhur fizikisht më zinte një gjumë vdekjeje. Përpos punëve, pastrimit të armëve, thikave dhe gjithçkaje që kishte të bënte më punë të rënda, kujdesesha dhe për tim atë. Në fillim nuk pranoi që t’i shërbeja, megjithëse e dinte fort mirë që unë e kisha qëlluar pa dashje. Por më pas iu dorëzua gjendjes së mjerueshme dhe mezi priste t’i shkoja në dhomë. E laja, e qethja, i hiqja mjekrën, e mëkoja, megjithëse duart i lëvizte fort mirë. E nxirrja duke mbledhur të gjitha fuqitë në divanhanen e drunjtë dhe e ulja në një postiqe të zezë dashi. I bëja më dëshirë këto gjëra. Përpos çdo makthi që kisha kaluar me të, ai ishte im atë. Por ajo që më sfiliste ishte se, edhe pse ngeli sakat prej atij dreq gjahu, mezi priste muzgun të shihte vëllezërit që ktheheshin tij.
Vjeshtën që im atë u ligështua për vdekje, ra një shi i tmerrshëm. Katër herë rrënimi na mbuloi me gurë e drurë oborrin. Një ditë, teksa po i hiqja mjekrën, më shtyu me mllef krahët dhe me atë zërin e tmerrshëm të dikurshëm, më urdhëroi që të nisja të hapja një pus, krejt i vetëm. Një zë më lëvrinte kokës, thellë, si nga një guvë qyqesh dhe më nxiste ta kundërshtoja, ndërsa e tëra ime e njëmendtë pranonte çdo urdhër të tij. Nisa të hap pusin. Kur kisha hapur metrin e parë, një virrmë e çuditshme erdhi nga dhoma e tij. U turra me vrap. Ishte e tmerrshme. Im atë ishte shndërruar në një ari. Në ato çaste nuk mund të mendoja asgjë, isha mpirë. Im atë hungëriu disa herë, duke futur turirin në një të çarë të xhamit të dritares, ra rrotull dhomës dhe më vështroi me një vështrim kafshe, që lutet të dali atij terreni. Kisha shtangur. Ajo që po shihja nuk ishte makth, as ëndërr. Bile, dy herë nëna u fut në dhomë dhe i lëshoi një vështrim përbuzës kafshës. Doja të bëja diçka, por këmbët nuk i komandoja dot. As zëri nuk më dilte. Veç kësaj, asnjë prej vëllezërve nuk ishte në shtëpi. Ariu, domethënë im atë, i ra rrotull edhe dy herë dhomës. Më pas, desh më ra të fikët frike. E pashë duke u shndërruar në forma të tjetra kafshësh. Transformimi nga një trajtë në tjetrën ndodhte në intervale kohe të shkurtra. Shqyeja sytë i shtangur… I bërtita me të madhe nënës: «Nënë, o jam çmendur unë, ose ti! Ç’po ndodh?» Ajo krejt e qetë u ul në anën e djathtë të gjirmës, ku unë zhysja thikat e mprehura dhe më tha:
«Ai po vdes». Vërtet trajta e fundit e tim ati qe një urith, që u fut vrulltas në hirin e gjurmës dhe s’u shfaq më.
Isha mpirë. Syzgurdulluar nuk flisja fare, vetëm shihja i tulatur të tjerët, që qanin mbi trupin e tij të shtrirë. Vetëm nëna më shihte thellë në sy, duke më miratuar në heshtje çdo gjë. Unë nuk isha çmendur.
Mbushur me mllef, me pakuptimësi, me revoltë, iu turra pusit. Rrëmoja çdo ditë me forcë, me nerv dhe pas disa muajsh, unë kisha hapur një pus krejt i vetëm. Por e gjitha me dukej tragjike dhe qesharake, e pakuptimtë. Duke parë drejt grykës së pusit, nisa të qaj me të madhe. Në ato çaste ndjeva se gurë dhe përrenj të vegjël vërshuan mureve të tij. Një shi duhej t’i ishte vërsulur tokës, sikur donte të më gjente atje thellë e të më mbyste. U mbulova i tëri me baltë. Po zhytesha i gjallë në pus. Litarin e kisha afër, vetëm me një të kapur mund të ngjitesha dhe të shpëtoja, por e dëshiroja atë fund. Si brenda pusit, si jashtë tij, e tëra më dukej një pus i errët, që po më merrte frymën. Në ato çaste një hingëllimë kali më oshtiu veshëve. Ngre kokën lart dhe shtang. Kali im shihte poshtë pusit, herë duke ngritur kokën lart, herë duke parë poshtë. I njihja ato hingëllima. Iu vërsula litarit dhe u ngjita lart. S’e duroja dot vuajtjen e tij. Pikëllimi i tij më largonte nga vetë vdekja. Ia mora kokën në duar duke e puthur dhe hipa mbi të. Një stuhi e tmerrshme kishte mbështjellë rrethinat, ndaj nuk shihja asgjë. Kali ia dha vrapit, duke u ngritur herë pas herë në dy këmbët e pasme. S’dija se ku do t’më shpinte, por as që doja ta dija. Anash shihja vetëm hije kodrinash që i lija pas, njëra pas tjetrës. Kur stuhia pushoi dhe një mjegull e bardhë iu fashit malit, vura re se kisha mbërritur në tokat e Perëndimit. Përdëllimi i një kërshërie të hershme i la vendin ndjesisë së gëzimit. Ndihesha i lodhur, por i lehtësuar. “Erërat e ngrohta të jugut më përkëdhelnin lëkurën, ndërsa koka e kalit më është mbështetur në prehër si një bukë e madhe e ngrohtë. Psherëtij. Kujtoj nënën, e vetmja që më ka besuar. Por unë s’mund të jetoja më në shtëpi, ku do më duhej të pastroja armët, thikat e vëllezërve. Sepse në momentin kur do më duhej që t’i zhysja në gjirmë, do më duhej të vrisja tim atë, trajtën e fundit të tij, urithin. Por unë kurrsesi, s’mund të jem vrasësi i tim eti.


