KreuArte pamoreDhurata Hamzai: Piktura e Mimoza Arapit, një urë mistike e kalimit nga...

Dhurata Hamzai: Piktura e Mimoza Arapit, një urë mistike e kalimit nga vëzhgimi i epërm në interpretim

Ka ardhur koha që rrugëtimi artistik i piktores Mimoza Arapi mjafton të shkruhet me pak fjalë, sepse tashmë gjurmët e këtij rrugëtimi janë të shënjuara në veprat e saj. Ajo është një piktore shqiptare me mbi 30 vite karrierë artistike, që e ka zhvilluar në pjesën më të madhe jashtë Shqipërisë, kryesisht në Greqi dhe në vende të tjera të Europës. E diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë dhe për letërsi, Mimoza Arapi ka krijuar një profil të dyfishtë artistik – vizual dhe poetik.

Veprat e saj janë ekspozuar në një numër të madh galerish ndërkombëtare, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-të, Italinë, Greqinë, Austrinë e më gjerë.

Më herët jam njohur me dhjetëra vepra të Mimoza Arapit, por ekspozita që çeli në Vjenë, Austri (2025), ishte një ftesë e mirëfilltë për një lexim më artistik të veprave, të cilat krijojnë një rezonancë të ngrohtë në syrin e vizitorit, me shpërthimin e lirë të ngjyrës dhe emocionit, ku forma nuk është e imponuar, por lind nga energjia e brendshme e aktit krijues.

Në këtë ekspozitë Mimoza Arapi u paraqit me një univers vlerash artistike, ku ngjyra çlirohet nga çdo kufizim formal dhe shndërrohet në një gjuhë të pavarur shprehjeje. Në këto vepra, abstraksioni nuk është një largim nga realiteti, por një zhytje më e thellë në emocion, në kujtesë dhe në ndjesi. Gjestet e lira të pikturimit, shtresëzimet e guximshme dhe kontrastet e forta krijojnë një tension harmonik, ku kaosi organizohet në një rend të brendshëm estetik.

Aty shfaqet një cikël veprash që ngjizen nga fërgëllima e shqisave, lëvizjeve të buta e të lirshme të penelit, për të prodhuar më pas kontraste të forta ekskluzive me blunë, të verdhën, të kuqen, rozën, shpesh me ngjyra të derdhura.

Ngjyra në pikturën e Arapit nuk ilustron, por rrëfen, duke u shndërruar në subjekt që lëviz, rrjedh, merr frymë; ajo është gjendje, impuls dhe narrativë njëkohësisht.

Në tablotë e saj vihet re transparenca dhe shtresëzimet medituese që krijojnë një urë mistike të kalimit nga vëzhgimi në interpretim, në ndjesi, duke u zhytur më tej në thelbin e saj estetik.

Edhe pse veprat janë abstrakte, ato janë paraprirë nga ndjesia e një peizazhi të brendshëm të autores, që pasi “rrëmbejnë” dritë në telajo sugjerojnë figura në transformim, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për interpretim emocional. Në procesin e interpretimit magjeps edhe teknika e përdorur me spërkatjet e ngjyrave, derdhjet me delikatesë të bojës, gjurmët e shpejta të furçës.

Piktura e Mimoza Arapit ka një energji shumë të afërt me frymën e ekspresionizmit abstrakt, ku akti i pikturimit është edhe më i rëndësishëm sesa rezultati. E gjithë tabloja ndërtohet përmes një procesi intuitiv, duke u bërë një refuzim formave të tepruara akademike. Ky gjest krijues e përafron me artin e veprimit (action painting).

Arapi tashmë ka një dorë të stërvitur, ku arrin të kontrollojë të pakontrollueshmen. Megjithëse në pamje të parë veprat duken si përjetim kaotik dhe krijime spontane, ato ruajnë një gravitet vizual dhe një balancë mes zonave të dendura dhe boshllëkut, dhe sidomos një ritëm të brendshëm që e mban syrin në lëvizje.

Në të njëjtën kohë, arti i saj kapërcen kufijtë e telajos, duke u shndërruar në element dizajni, siç dëshmojnë edhe aplikimet e saj të përzgjedhura më herët nga industri të modës, ku piktura bëhet pjesë e jetës së përditshme. Ngjyrat dhe veprat e Mimoza Arapit janë bërë prej shumë vitesh pjesë e industrisë së veshjes VIDA. Bashkëpunimi me këtë kompani nisi pas një ekspozite në Londër, ku veprat e saj u kërkuan për t’u transformuar në një dimension tjetër artistik, duke u shfaqur në veshje si krijime origjinale të një artisteje shqiptare.

Ndryshe nga brishtësia e shfaqjes së karakterit të artistes, fshihet brenda veprave të saj një konstrukt ekzistencial, i cili formohet pikërisht në çastin kur ai zhvendoset përtej dimensioneve të njohura, duke marrë si bazë një lidhje të fshehtë poetiko-metafizike të njeriut me versionin e tij më të përkryer.

Në këtë mënyrë, konkretizimi kozmologjik i objektit shfaqet nga një lloj energjie krijuese e cila e sfumon imazhin dhe e mbush veprën me një temperament poetiko-muzikor. Është kjo energji e akumuluar, që hap rrugën për një organizim shprehës figurativ intuitiv, thuajse “jashtë ligjeve”, përtej kanuneve të formës klasike, duke krijuar një tipologji të re të figuraracionit abstrakt.

Në këtë nivel, vepra artistike vëzhgohet sipas një mënyre të re bashkëpunimi me shikuesin. Në prizmin analitik, ajo zbërthen një “bërthamë” ku rrezatimet e ngjyrave marrin nuanca të holla kuptimore, shpesh në kufirin e të prekshmes dhe të paprekshmes, duke krijuar një tension të vazhdueshëm perceptiv.

Vizionet e artistes Mimoza Arapi transformojnë të pazakonshmen dhe irrealen në një realitet të mirëfilltë artistik. Nëpërmjet një procesi të pandërprerë transformimi, dinamizmi unifikues i substancës ngjyruese shndërrohet në kërkim të vazhdueshëm, duke marrë trajtat e një simbolizmi të thellë dhe misterioz.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË