KreuLetërsiShënime mbi libraElidor Mëhilli: Prilli i Kadaresë në Nju Jork

Elidor Mëhilli: Prilli i Kadaresë në Nju Jork

E hënë, 27 prill. Ndërtesa me adresën 53 Washington Square Park South ngrihet buzë parkut me të njëjtin emër, i cili sot, si çdo ditë me diell, është i stërmbushur me njerëz, kafshë, tregtarë ambulantë dhe muzikë.

Në katin e tretë ndodhet Qendra për Studime Evropiane dhe Mesdhetare e Universitetit të Nju Jorkut. Jashtë sallës është shtruar një banket. “Jemi munduar t’i afrohemi kuzhinës shqiptare me aq sa kishim mundësi” – më thotë asistentja e qendrës. “Po deshe të hash, merr që tani, para se të fillojë leksioni, se studentët tanë nuk të falin për ushqim mesdhetar”.

Larry Wolff, profesori që më ka ftuar të flas për Kadarenë me rastin e 90-vjetorit të lindjes, është një nga autoritetet më në zë të akademisë amerikane. Ai ka botuar një sërë librash, ndër të cilët Shpikja e Evropës Lindore: Harta e qytetërimit në mendjen e Iluminizmit (1994), që e rrëfen idenë e Evropës Lindore si një lloj ‘shpikjeje konceptuale’ të filozofëve, udhëtarëve dhe mendimtarëve evropiano-perëndimorë gjatë Iluminizmit të shekullit XVIII.

Është edhe admirues i Kadaresë.

Studentët pjesëmarrës, që vijnë nga gjithë bota, kanë lexuar Pasardhësin (2003), ndoshta edhe ngaqë Larry-t i kam folur për punën time me Vilën Nr. 31 në Tiranë, në ish-Bllokun aq misterioz për gjeneratën time. Vend po aq historik sa letrar, e, mbi të gjitha, fole urbane intrigash dhe teorish për pushtetin komunist pas vdekjes së numrit dy të pushtetit komunist në vitin 1981.

Si edhe gjetkë në universin kadarean, romani ndërtohet mbi prapaskenën (prapaskenat?) e një ngjarjeje madhore, por dhe të mistershme. Lexuesi përballet me teori rivale për ç’mund të ketë ndodhur, apo pse. Nën diktaturë e vërteta duket e paarritshme; në vend të njohjes së drejtpërdrejtë, njerëzve u mbetet të interpretojnë shenja, ogure, fragmente, dhe kode. E vërteta historike shqiptare mbetet shpesh pezull.

Ç’mund të thuash për të vërtetën sot? Sot, kur, në përgjithësi, e vërteta as ka përparësi, as tërheq vëmendje apo kokërdhokë në rrjetet sociale. Përkundrazi. Të përmendësh “të vërtetën” sot në universitetet amerikane, rrezikon të provokosh të qeshura. Jemi të ndërgjegjshëm se punojmë e jetojmë në një epokë post-të vërtete. Ka shumë të vërteta sot. Aq shumë, sa është marrëzi t’i numërosh. Secili ka të vërtetën e vet.

Te trupi letrar i Kadaresë rrugët e mundimshme drejt të vërtetës janë shpesh qorre e plot kurthe. E vërteta nuk përftohet domosdoshmërisht si çështje autoriteti të padiskutueshëm, madje as si mbajtje premtimi, por si çështje që hedh dritë mbi hijet e gjithsecilit prej nesh. Kështu që besoj ka ende ç’të na mësojë edhe sot—sidomos sot.

Si edhe tjetërkund, Pasardhësi mund të lexohet si një reflektim mbi barrën e madhe të së shkuarës te shqiptarët. Ç’të bëjnë me atë barrë? Të mundohen ta harrojnë? Janë munduar ta harrojnë, e harresa ka qenë madje e suksesshme. Mirëpo pikërisht kur barra e historisë duket sikur zbehet, e shkuara rishfaqet sërish dhe kërkon haraç.

Në sallën e Universitetit të Nju Jorkut u fol për këto, e për shumëçka tjetër: Gjirokastrën, Tiranën, Moskën, Parisin. U diskutua se si botëndërtues, Kadareja është një lloj ftese për të gjëmuar koordinata nga njëri libër te tjetri, nga fiksimi në fiksion, nga obsesioni në obsesion. Folëm edhe se si Pasardhësi është një lloj rikthimi te rrënjët makbethiane, por edhe rikthim te arkitektura si sferë përherë në marrëdhënie komplekse me pushtetin.

Folëm për përkthyesit. Kujtuam përkthyesin dhe studiuesin David Bellos, për shumë vite profesor në Universitetin Princeton, i cili vdiq vitin e kaluar, vetëm një vit pas Kadaresë. Falë Bellos-it, Pasardhësi erdhi në anglisht përmes frëngjishtes, dhe më duket se, kur e rilexoj, në disa zgjedhje e kthesa gjuhësore e njoh Bellos-in, me nënqeshjen e tij lozonjare. Edhe ai ka lënë gjurmë në mënyrën se si Kadareja hyri në botën anglofone, e kjo nuk është pak.

David Bellos, përkthyesi i romanit “Pasardhësi” të Kadaresë

Një profesore mori fjalën dhe tha se kishte marrë pjesë në një konferencë për letërsinë në gjuhën tamile (me 85 milionë folës në botë), ku autori sri-lankez Appadurai Muttulingam kishte përmendur pikërisht rastin e Kadaresë si një shembull se si letërsia e një vendi të vogël bëhet e njohur përmes përkthimit. (Gjendet këtu: https://livingtamillitfest.org/)

“Nga t’ia filloj me Kadarenë?”, më pyesin shpesh amerikanët. U them: “Fillo ku të duash, por mos mendo se e ke mbaruar udhëtimin me leximin e një libri të vetëm”. Tani që e shkrova këtë fjali, dyshoj edhe vetë. Kudo përballemi me leximin në rënie drastike, në Shqipëri si edhe në Amerikë. Edhe gazetat më prestigjioze amerikane nuk botojnë më recensione librash si dikur. Studentët po ua lënë leximin platformave të inteligjencës artificiale. Një agjent AI që do të vizatonte hartën e universit të Kadaresë do të ishte jashtëzakonisht interesant, por a mund të jepte të njëjtën kënaqësi që vjen përmes mundit të madh të zbulimit vetjak?

Takimi mbaron. Shkëmbejmë adresat elektronike. Muaji prill në Amerikë sinjalizon fundin e semestrit akademik. Pas udhëtimit në botën e Kadaresë, dalim jashtë dhe shpërndahemi drejt parkut. Na përpin Nju Jorku.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË