KreuPanairGranit Zela: “Libri të ban të lirë” në Shkodër ku libri ka...

Granit Zela: “Libri të ban të lirë” në Shkodër ku libri ka shtëpinë e vet

Edicioni i dytë i Panairit të Librit “Libri të ban të lirë” më riktheu në Shkodër bashkë me kujtimet e viteve 1992–1994, kur, krejt i ri, isha nxënës i shkollës së mesme “Shejnaze Juka”. Shkodra e atyre viteve ishte e trazuar, por unë kisha mbërritur në të me nxitjen e tim eti, i cili na kishte rritur me një lloj adhurimi për këtë qytet, si kryeqendër e letërsisë dhe e njerëzve të mëdhenj të dijes. Ai mbart ende në kujtesë vitet e shkollës pedagogjike, 1984–1986, dhe më përmend me respekt e nostalgji emra si Shaban Arra, Shefik Osmani, Lutfi Hoxha, Luigj Franga, Drita Garuci, Terezina Testallari Gjyli, Eqerem Rushi, Shaban Abdullahi, Fadil Hoxha, Safet Spahiu, Safet Hoxha e Dhora Lloi. Vetëm disa prej tyre i kam dëgjuar, por Shkodra ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e tim ati, edhe pse sot ai është shtatëdhjetë e shtatë vjeç. Ky është një tipar identitar i këtij qyteti: nëse një pjesë e jetës tënde pikëtakohet me Shkodrën, atëherë ti shkodranizohesh një herë e përgjithmonë.

Ajo që më befasoi në Panairin “Libri të ban të lirë” ishte para së gjithash vendi ku zhvillohej ky aktivitet. Hapësira në oborrin e Katedrales, ai Odeon i hapur me pemë dhe gjelbërim, me karrige për rreth njëqind pjesëmarrës, krijonte një skenografi natyrore dhe një kontrast të fortë me mjediset e zakonshme të panaireve të librit që zhvillohen në qendra kongresesh apo pallate ekspozitash. Përveç Odeonit, Biblioteka “Zoja e Shkodrës”, Muzeu Dioqezan dhe salla “Kardinal Mikel Koliqi” ofronin hapësira të qeta e mikpritëse, të mbushura me simbolikën e librave dhe të një trashëgimie kulturore që vazhdon të frymëzojë.

“Libri të ban të lirë” mblodhi autorë, studiues, përkthyes dhe personalitete të jetës kulturore shqiptare e ndërkombëtare. Gjatë tri ditëve të aktivitetit, publiku pati mundësinë të dëgjonte dhe të takonte nga afër emra të rëndësishëm të letërsisë shqipe si Visar Zhiti, Ridvan Dibra, Stefan Çapaliku, Andreas Dushi, Gazmend Krasniqi, Fabio M. Rocchi, Primo Shllaku, Ledia Dushi, Lulzim Haziri, Vlora Konushevci, Durim Taçi, Rozafa Shpuza, Arben Shala e shumë të tjerë. Panairi u pasurua gjithashtu nga prania e studiuesve dhe personaliteteve ndërkombëtare si Matteo Mandalà dhe Zuzane Finger, ndërsa ceremonia e hapjes u përshëndet nga Arqipeshkvi Mons. Giovanni Peragine, botuesja Anna Shkreli dhe vetë Mandalàs.

Programi dëshmoi një larmi të admirueshme temash dhe qasjesh. Krahas promovimeve të romaneve, përmbledhjeve poetike, studimeve dhe përkthimeve, vëmendje të veçantë morën diskutimet mbi përkthimin si urë kulturore mes Shqipërisë dhe botës, praninë e letërsisë shqipe në gjuhë të huaja, zhvillimet e poezisë bashkëkohore, raportin ndërmjet kujtesës historike dhe letërsisë, trashëgiminë arbëreshe, si dhe rolin e bibliotekave në shoqërinë e sotme. Ligjëratat dhe panelet trajtuan tema që shkonin nga ikonografia dhe tradita letrare e Shkodrës te studimet mbi Luftën e Parë Botërore, nga marrëdhënia mes besimit dhe politikës te sfidat e narrativës bashkëkohore shqiptare.

Ky panair pati vazhdimisht auditorë të mbushur, por më mbresëlënësi ndër ta ishte Odeoni i hapur, ku publiku mblidhej çdo mbrëmje për të dëgjuar me vëmendje dhe respekt ligjëratat e Visar Zhitit dhe Matteo Mandalàs, si edhe diskutimet rreth librave të Zuzane Finger, Ardian Ndrecës, Romeo Gurakuqit, Fabio Rocchit dhe autorëve të tjerë pjesëmarrës. Po aq domethënëse ishin radhët e lexuesve që prisnin pas promovimeve për një autograf, një shtrëngim duarsh, një fotografi apo disa fjalë me autorët. Në ato tri ditë, ajo që ndihej më fort nuk ishte thjesht atmosfera e një aktiviteti kulturor, por një frymë që buronte nga fjalët, librat dhe takimet njerëzore; një dialog i gjallë mes trashëgimisë dhe bashkëkohësisë, mes autorëve dhe lexuesve, mes kujtesës dhe së ardhmes.

Një nga veçoritë më të spikatura të këtij edicioni ishte dendësia dhe larmia e aktiviteteve. Programi nisi me takimin e shkrimtarit Xhahid Bushati me nxënës të shkollave të qytetit, duke vendosur që në fillim një urë komunikimi mes autorëve dhe brezit të ri të lexuesve. Paralelisht, rreth njëzet shtëpi botuese ngritën stendat e tyre pranë Katedrales së Shën Shtjefnit, ndërsa në mjediset e Bibliotekës “Zoja e Shkodrës”, Muzeut Dioqezan dhe sallës “Kardinal Mikel Koliqi” u zhvilluan promovime librash, ligjërata, tryeza diskutimi, punëtori krijuese dhe seanca leximesh.

Përmasa e aktivitetit u reflektua edhe në shifrat e pjesëmarrjes. Rreth njëzet shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ekspozuan afro një mijë tituj, ndërsa gjatë tri ditëve panairi u vizitua nga rreth dy mijë lexues e dashamirës të librit. Programi përfshiu njëzet e katër takime mes autorëve dhe publikut, si dhe mbrëmje leximesh ku morën pjesë poetë dhe shkrimtarë nga trevat shqiptare, duke e shndërruar panairin në një nga ngjarjet më të gjalla letrare të sezonit kulturor.

Promovimet sollën para publikut vepra të rëndësishme të letërsisë dhe studimeve shqiptare, nga “Droja” e Andreas Dushit, “Belle Époque” e Gazmend Krasniqit dhe “Triumfi i Dytë i Gjergj Elez Alisë” i Ridvan Dibrës, te “Në kohën e brimës” i Visar Zhitit, “101 tregime të shkurtra” i Stefan Çapalikut, “Shqipëria në Luftën e Madhe, 1914–1918” i Romeo Gurakuqit dhe “Martesa, valixhet dhe ngarkesa të tjera” i Vlora Konushevcit. Krahas tyre, përkthimi zuri një vend të rëndësishëm përmes prezantimit të romanit “Lojë dritash” të Daniel Kehlmann, sjellë në shqip nga Anna Kove, si dhe përmes diskutimeve kushtuar rolit të përkthyesit në komunikimin ndërkulturor.

Po aq të rëndësishme ishin ligjëratat dhe panelet tematike. Visar Zhiti solli një reflektim mbresëlënës mbi raportin mes ikonës, letërsisë dhe përvojës së dënimit, Matteo Mandalà ndriçoi lidhjet mes Martin Camajt dhe botës arbëreshe, Zuzane Finger trajtoi praninë e letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, ndërsa Ardian Ndreca hapi një debat të thellë mbi marrëdhëniet ndërmjet besimit fetar dhe politikës. Në të njëjtën frymë, paneli “Poezia bashkëkohore shqipe” mblodhi poetë dhe studiues për të diskutuar zhvillimet dhe sfidat e poezisë shqiptare sot.

Një nga të ftuarit më të rëndësishëm të këtij edicioni ishte Visar Zhiti, i cili jo vetëm promovoi romanin e tij më të ri, “Në kohën e britmës”, por mbajti edhe ligjëratën “Ikona dhe letërsi nga Shkodra – absurdi i dënimit”. Në të, ai ndaloi te roli i Shkodrës dhe i klerit katolik në historinë e letërsisë shqipe, duke sjellë në vëmendje atë pjesë të trashëgimisë sonë letrare që ai e ka cilësuar si “realizëm i dënuar”, krijimtari e lindur në kushtet e përndjekjes, burgut dhe censurës. Prania e tij në qytet u shoqërua edhe me një vizitë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ku u prit nga rektori Tonin Gjuraj. Në shënimet e tij të publikuara gjatë qëndrimit në Shkodër, Zhiti rikthehej te vitet e studimeve universitare dhe te kujtesa e një brezi që e kishte jetuar qytetin në rrethana krejt të tjera historike, duke e kthyer këtë vizitë në një takim domethënës mes kujtesës personale, historisë së institucionit dhe jetës kulturore të sotme.

Një kontribut të veçantë në dimensionin ndërkombëtar të panairit solli përkthyesja dhe studiuesja gjermane Zuzane Finger, një nga njohëset dhe promovueset më të rëndësishme të letërsisë shqipe në hapësirën gjermanofolëse. Në ligjëratën e saj kushtuar pranisë së letërsisë shqipe në gjermanisht, ajo ndau përvojën e gjatë të punës me autorët shqiptarë dhe sfidat e ndërmjetësimit kulturor ndërmjet dy gjuhëve e dy traditave letrare. Prania e saj në Shkodër ishte një kujtesë e rëndësishme se letërsia shqipe vazhdon të gjejë lexues përtej kufijve kombëtarë falë punës së përkthyesve, të cilët shpesh janë ambasadorët më të përkushtuar të kulturës sonë në botë. Në këtë kuptim, ligjërata e Zuzane Finger ishte një dëshmi konkrete e dialogut që letërsia shqipe ka ndërtuar me kulturat europiane dhe e mundësive që ajo ka për të zgjeruar më tej praninë e saj ndërkombëtare.

Jehona e këtyre ligjëratave nuk mbeti e kufizuar në auditorët e panairit. Gjatë ditëve të aktivitetit, temat e trajtuara në diskutime e kumtesa frymëzuan edhe reflektime të botuara në media dhe rrjete sociale nga studiues e autorë të ndryshëm, çka dëshmonte se panairi kishte arritur të krijonte një hapësirë të vërtetë dialogu kulturor. Jehona e këtyre ligjëratave nuk mbeti e kufizuar në auditorët e panairit. Temat e trajtuara frymëzuan reflektime edhe në media e rrjete sociale, ndër to edhe një ese të Luan Ramës kushtuar Shkodrës si vatër kulture dhe kontributit shkencor të Matteo Mandalàs.

Një nga meritat më të mëdha të panairit ishte se arriti të bashkonte në të njëjtën hapësirë krijimtarinë artistike, mendimin kritik dhe dialogun kulturor. Në të njëjtat mjedise ku ligjëronin emra të njohur të kulturës shqiptare dhe arbëreshe, të rinjtë merrnin pjesë në punëtori krijuese dhe takime me autorë, duke krijuar një vazhdimësi të natyrshme ndërmjet traditës dhe së ardhmes së letërsisë shqipe.

Megjithatë, mes atmosferës festive dhe pasurisë së aktiviteteve, panairi solli në vëmendje edhe disa shqetësime që lidhen me jetën e librit në qytet. Në fjalën e hapjes, shkrimtari dhe studiuesi Stefan Çapaliku tërhoqi vëmendjen ndaj paradoksit të një Shkodre që zë një vend të veçantë në historinë e kulturës shqiptare, që ka njohur libraritë dhe bibliotekat e para të vendit, por që sot nuk disponon një librari publike ku lexuesit të mund të njihen me botimet e reja.

Në të njëjtën frymë, Dom Vlash Palaj kujtoi se qytetet, ashtu si vetë jeta, kanë nevojë për përmbajtje më shumë sesa për fasada, duke e paraqitur librin dhe leximin si pjesë të domosdoshme të jetës shpirtërore dhe kulturore të komunitetit.

Ndërsa Andreas Dushi, një nga ideatorët e panairit, e cilësoi “Libri të ban të lirë” si një panair të vetë qytetit të Shkodrës, një nismë që synon të bashkojë autorë, botues dhe lexues përtej çdo kufizimi institucional apo formal. Këto tre këndvështrime, të shprehura që në ceremoninë e hapjes, përbënin në një farë mënyre boshtin ideor të gjithë aktivitetit: nevojën për më shumë hapësira kushtuar librit, për më shumë përmbajtje kulturore në jetën publike dhe për një komunitet lexuesish që e sheh librin si pjesë të identitetit të vet qytetar.

Një nga momentet kulmore të edicionit të dytë ishte ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare. Në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”, panairi mori një mbyllje dinjitoze përmes vlerësimit të autorëve dhe veprave më të spikatura. Çmimi për romanin më të mirë iu dha Ridvan Dibrës për veprën “Triumfi i Dytë i Gjergj Elez Alisë”, çmimi për studimin më të mirë historianit Romeo Gurakuqi për librin “Shqipëria në Luftën e Madhe”, ndërsa çmimi për përkthimin më të mirë shkoi për Durim Taçin për përkthimin e romanit “Portokall me kurdisje” të Anthony Burgess. Me një çmim mirënjohjeje u nderua gjithashtu Luçia Zorba për librin “Veç drita s’paska mbarim”. Nuk ishte rastësi që një panair i cili gjatë tri ditëve kishte vënë në qendër dialogun mes krijimit, studimit dhe përkthimit u mbyll pikërisht me vlerësimin e një romani, një vepre studimore dhe një përkthimi. Kjo treshe çmimesh pasqyronte në mënyrë simbolike tri shtyllat mbi të cilat mbështetet jeta e librit: imagjinatën krijuese, kërkimin intelektual dhe komunikimin mes kulturave.

Pas programit të pasur dhe atmosferës së ngrohtë të panairit qëndronte edhe puna e qetë e dhjetëra organizatorëve, bashkëpunëtorëve dhe vullnetarëve. Prania e tyre ndihej në çdo detaj të aktivitetit, nga mikpritja e autorëve dhe koordinimi i promovimeve deri te funksionimi i përditshëm i hapësirave që pritën lexuesit gjatë tri ditëve.

Në qendër të kësaj përpjekjeje qëndronte një bashkëpunim i gjerë ndërmjet institucioneve, organizatorëve dhe komunitetit kulturor të qytetit. Merita për realizimin e këtij edicioni i takon Famullisë “Zoja e Shkodrës”, Dom Vlash Palajt, Stefan Çapalikut, Andreas Dushit, Gjovalin Çunit, Jozefina Gurit dhe shumë bashkëpunëtorëve e vullnetarëve që kontribuan në organizimin e aktivitetit. Një pjesëmarrje të gjerë pati edhe Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forum 26, me autorë dhe përkthyes të përfshirë në promovime, ligjërata, panele dhe seanca leximesh gjatë gjithë programit. Panairi dëshmoi se kur energjitë individuale dhe institucionale bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, libri mund të kthehet sërish në qendër të jetës publike.

Në fund të fundit, ajo që e dallonte këtë panair nga shumë aktivitete të tjera kulturore ishte mënyra se si libri u rikthye për tri ditë në qendër të jetës qytetare. Në oborrin e Katedrales, në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës”, në Muzeun Dioqezan dhe në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”, libri nuk ishte vetëm objekt promovimi apo shitjeje, por pikënisje e bisedave, debateve dhe reflektimeve mbi kulturën, historinë dhe të ardhmen. Në këtë kuptim, “Libri të ban të lirë” dëshmoi se edhe në kohën e rrjeteve sociale dhe komunikimit të shpejtë, libri vazhdon të mbetet një nga format më të qëndrueshme të dialogut publik.

Ndoshta vlera më e madhe e këtij panairi nuk matet vetëm me numrin e aktiviteteve, të pjesëmarrësve apo të librave të promovuar. Ajo që e bën të veçantë është modeli kulturor që propozon: një panair ku libri nuk mbetet mall i ekspozuar në stenda, por bëhet qendër e një bashkëbisedimi të vazhdueshëm mes shkrimtarëve, studiuesve, përkthyesve dhe lexuesve.

Kur u largova nga Shkodra pas përfundimit të panairit, më erdhën sërish ndër mend rrëfimet e tim eti për qytetin që kishte njohur në rininë e tij. Ndër vite kanë ndryshuar njerëzit, rrugët, ndërtesat dhe brezat, por mbetet e pandryshuar ajo që e ka bërë gjithmonë Shkodrën të veçantë: besimi se libri, dija dhe kultura janë pjesë e identitetit të qytetit. Ndoshta për këtë arsye, edhe pas tri ditësh të mbushura me takime, ligjërata, promovime dhe biseda, ndjesia që mbetet nuk është ajo e një aktiviteti të mbyllur, por e një bisede që vazhdon.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË