KreuLetërsiShënime mbi libraZylfi Tola: Me Visar Zhitin, një natë të magjishme në vilën e...

Zylfi Tola: Me Visar Zhitin, një natë të magjishme në vilën e largët mes maleve të Lumës

Pas atij udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, gjithnjë në këmbë e shkopin në dorë mes katundeve Pralisht dhe Gurrë të Kalisit futem në “mbretëtrinë “ e Vilës së njohur e të largët të Lumës. Të shkruash për këto shpate, hone, lugina e pyje pa mbarim, vërtetë është diçka befasuese, por edhe e veçantë se vizitori, apo gazetari, nuk din të dallojë se cila pjesë është e para dhe e veçantë e cila do lënë pas.

Gushti i asaj vjeshte të begatë të 1977 i kishte të gjitha. Pemët me ngjyrat e arta, të sa e sa llojeve, e kishin veshur dhe stolisur natyrën tamam si një nuse ditën e dasmës duke udhëtuar mbi kal përtej maleve. Arrijë në Vilë, ende kur dielli s`kishte kaluar mbi masivet e Gjinetës së moçme, ku arushat dhe ujqërit edhe në mes të ditës të dalin kryq e tërthorë në rrugë. Në dyqanin e Vilës, ku shërbente Enver Hasa, një pjesë edhe si klub me tre tavolina e karrike pak më shumë, duke qenë se po mbyllej edhe një ditë pune e zakonshme, takohem me shumë malësorë. Disa nga ata  edhe më njihnin, por të gjithë më japin dorën, e aty në krye më lëshojnë një karrike, më mbajnë shkopin, si dikur pushkën, dhe ulem pranë tyre plotë djersë e pluhur. Këpuca në këmbën e djathtë më është hapur  si dikur ato  të Lulit në epokën e Migjenit të paharruar. Duke biseduar me të pranishmit që më pritën me respekt, vijnë pranë nesh edhe mësuesit Shefqet Billa i matematikës dhe mësuesi i letërsisë Visar Zhiti. Që të dy nuk kisha nevojë të m`i prezantonin e t`i pyesja për emrat, se i njhja me kohë. Gjithsesi  me Visarin kisha diçka më shumë. Ai  pati shok të ngushtë por edhe të gjanë e të çmuar Zija Çelën, tashmë, që të dy nga penat e mprehta të letërsisë sonë. Kur Visari zbriste nga Vila për në Lushnje, herë në këmbë mbi 5 orë, e rrallë me makinë, vinte në Kukës të dielave, e festave patjetër e vazhdimisht do të rrinin e bisedonin me Zijain, kuptohet më shumë për letrat e shkrimet e tyre. Unë me Zijain punova pesë vite në gazetën “Kukësi i Ri”, por edhe banor në qytetin tonë. Mes tyre unë isha tamam si lojtar rezervë. Kishte raste kur e kishim pranë Visarin dhe në kohë të lirë dhe të dielave, mblidheshim gati e gjithë redaksia, Zijai, poeti Bajazit Cahani, kritiku Xhezair Abazi, kryeredaktori Mustaf Hoxha, Ruzhdi Jata, Violeta Haxhiu e paharruara Zenepe Çekrezi që e rrëmbeu para kohe “Korona” tragjike etj. Disa nga këto fragmente ua tregova edhe atyre që ishin pranë meje në klubin e Vilës atë natë që po pinim kafe. Të gjithë donin të dinin se nga kisha “fluturuar” e ardhë atë natë, pasi udhëtimi në ato vite këtyre anëve ishte tepër i lodhshëm dhe i vështirë, ndonëse rrugët që vinin nga Lusna e Skavica qenë hapur, por makinat dhe linjat e rregullta të qarkullimit mungonin. U tregoj se stacioni i fundit qe Zallë Dardha e Dibrës dhe pastaj varg njeri pas tjetrit katundet e komunës së Kalisit. Nuk harroj t`u them se në krah e pranë kam pas edhe Mazllum Fetahun nga Gështenja dhe kur përmenda këtë emër filluan të qeshnin dhe njeri aty nga tavolina e fundit u shpreh: -Udhën e paske kaluar me muhabet e anekdota, se Mazllumi i ka të shumta dhe pa kandar. Qeshëm të gjithë  edhe ata që nuk e njihnin burrin e dëgjuar të këtyre viseve. Tani mbrëmja ka trokitur e plotë në fshat. Bagëtia është sistemuar  nëpër pojata dhe bujqit në shtëpitë e tyre. Asnjë nga ata që ishin në klub nuk u largua pa më ftuar në familjet e tyre, me ato kushte që kishin. Një traditë e veçantë, por e hershme  e zakonshme dhe me vlera që ka Luma dhe viset e saj. Gjithashtu Shefqeti me shumë dëshirë nguli këmbë, që së bashku me Visarin të shkonim tek familja e tij. Ndër të tjera Shefqetit i them, se këtë natë në Vilë, do të bujë e do ta kaloj me mësuesin tuaj Visar Zhitin, që e ka shok të rrallë Zija Çelën. Përshëndetem me të gjithë, por edhe me shitësin, pa harruar dhe shkopin e drunjtë. Së bashku me Visarin, pasi kalojmë atë prroin e vockël duke lënë në krah të majtë lagjen Dragjosh, tashmë jemi në oborrin e shkollës. Ndonëse ende s`ka nis viti shkollor, por Visari është i pari nga mësuesit që ka ardhë dhe do të punojë edhe disa kohë në këto anë. Duke qenë se vetë kam qenë mësues dhe drejtor, vështroj me kujdes dhe vëmendje gjithçka rreth e rrotull shkollës. Oborri shkëlqen nga pastërtia edhe një letër dhe krane s`e sheh përqark. Visari ndahet prej meje dhe me vrap shkon e kontrollon dhe mbyll të gjitha dritaret e dyert e klasave dhe kryesoren me çelës. Atë natë praninë time ai e priti me shumë gëzim e respekt. Këtë e dalloja kur më fliste, më tregonte diçka nga ato që po përjetonte në këto rrethina dhe fshatin Vilë. Unë kisha vite që këtu në Vilë dhe shkollën e saj, me mësuesit e ciklit të ulët të krahinës së Bushtricës pata zhvilluar një seminar, ose siç quhej atëhere “rreth metodik”. Sa e sa ndryshime ishin bërë, që i pash me sy e i mësova qoftë nga Visari dhe shoku i tij i ngushtë i afërt, Shefqeti. Tani errësira ka zbrit e plotë e ka pushtuar gjithçka. Dallojmë nga larg yjet futur thellë në horizont, majën e malit të Korabit, bjeshkët e lëndinat e Çajës, masivet e Lurës, të Gramës e vargmalet e Veriut. Jemi në bujtinën e praruar të mësuesëve, por edhe të Visar Zhitit. Janë tre krevat, për mësuesit jabanxhi, që ende dy prej tyre nuk kanë ardhur për vitin e ri mësimor. Ulemi pranë njeri tjetrit dhe Visari më thotë zgjidhe vetë krevatin ku do të flesh, si të duash edhe timin që është ai në skaj. Zgjodha atë më afër dritarës me vështrim të largët edhe përtej maleve të Arrnit e Surroit e luginës së madhe të Drinit të Zi. Visari, ende pa u shtruar së bashku darka, më vendosi përpara meje një tas me arra, lajthi, thana, kumbulla shumë  të pastra e të ëmbëla si mjalti, që bletët e mbledhin këndej nektarin nga lulet e bjeshkëve. Më thotë se kumbullat dhe kajsitë, që tani janë gati në mbarim, i kemi prej kopshtit të shkollës, i cili është model për gjithë zonën. Ai është gjithnjë në lëvizje dhe kërkon të më pres sa më mirë, sa më këndshëm. Ka marrë  të gjitha masat për darkën që është vetëm me produkte “Bio” të gjeografisë, natyrës, tokës, ujit e ajrit të Vilës. Shefqeti posa kishte arrit në shtëpi, me dy nxënës të shpejtë si era, na kish dërguar djath, kos, vezë, qepë, speca, pa harruar gjithashtu edhe një pjatë flijë, pasi lumjanët e kanë si ushqim të parë për miq të rrallë e të veçantë. Bukën e misrit të norme të këndëshme e të shijshme ja gatuante një familje në lagje, pastaj ca kutia me sardele “made in Vlora” dhe rakinë, që kjo e fundit ka “udhëtuar” së bashku me Visarin nga Lushnja, janë gjithashtu pjesë e tavolinës  sonë. Tani jemi pranë njeri tjetrit, në një atmosferë të gëzuar, por edhe të virgjër e të paharruar.Visari, ashtu siç kishte botën e vetë, i qetë, e herë herë, i thellë në mendime, më tregon se si e filloi detyrën në këtë nahije, si e  mendonte kur i thanë se je emruar në Vilë, pak larg e përtej maleve, por një katund me emër, me zakone  e adetet e veta, të veçanta në shtatë bajraqet e Lumës. Ai ka shumë ngjarje e ndodhi për të më treguar, që nga viti 1974 e në vazhdim që kur u ngjit për të parën herë në këto troje mes nxënsve  të dashur dhe malësorëve të njohur të Vilës së largët e të bukur. Tani Visari është ambientuar me gjithçka. Ka mësuar mes banorëve vendas, shokëve, të dhëna të tjera nga ato që kanë shkruar, studiues e hulumtues për historinë e fshatit, duke nënvizuar veç të tjerave se dikur Vila ka qënë një qytet i madh rreth e rreth Lakut të Erës e deri poshtë në brigjet e drinit, luftën që kanë bërë burrat dhe gratë trima ndër vite e shekuj të Vilës, në kohën e Turqisë së vjetër, sidomos kundër gjeneralit të ashpër dhe vandal Kukli Beu me origjinë nga Opoja e Prizrenit dhe hordhive serbe. Në një betejë dhe luftë me sopata, hanxharë, sfurqe e thika, ku nuk mbeti në këmbë edhe një lis i vetëm pylli dhe  vilasit  jo vetëm nuk u mposhtën dhe nuk u dorëzuan, por shkruan edhe faqen më të ndritur dhe të lavdishme të historisë së krahinës së tyre.

Visari këtu në shkollën e katundit është mësues i gjuhës shqipe në klasat e larta të 8- vjeçares. Edhe gjatë asaj mbrëmje të virgjër e hyjnore, veçoi se nxënsit dhe prindërit e tyre janë shumë të interesuar për të arrit rezultate sa më të mira në mësime, nuk mbaj mend që të më vij një nxënës i vetëm  pa bërë detyrat, pa mësuar hollësisht temën e mësimet. Kur jam para klasës, shprehet ai, e ndjej veten të lumtur e optimist, kur ato malsorë të vegjël si pëllumba, vijnë të pastër, një  fjalë nuk thonë pa leje, një zënkë apo diçka të pakëndshme nuk e dëgjonë e sheh mes tyre. Për ne mësuesit kanë respekt të gjithë e s`dij si ta shpreh me fjalë . Mësuesi për ta është prind, edukator, njeri dhe personalitet i veçantë, dijetar dhe filozof. Të gjithë arsimtarët, veçanërisht ato jabanxhi e njohin në detaje dhe hollësisht rrugën e zhvillimin e arsimit në “kontinentin” e Vilës. Shkolla fillore këtu u hap për të parën herë në 1946 dhe mësimet i vijonin  edhe fëmijët e Barruçit dhe të Mëzhuzhit, që tani ky i fundit quhet katundi  Shpat. Më vonë kur nisi shkolla 7-vjeçare, nxënësit e Barruçit dhe të Shpatit vinin në 7-vjeçare, ndërsa atje u hapën fillore me klasë kolektive. Me këtë formulë e vazhdoi rrugën e vetë arsimi në Vilë. Shkolla u rrit, por edhe katundi Visari, gjithçka e dinte në imtësi, atë vit shkolla kishte mbi 150 nxënës dhe 13 mësues, nga të cilët tre ishin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Sot në 2026 që po hedhim këto shënime e kujtime shkolla e Vilës, siç e mësova në zyrën e arsimit të Kukësit, ka vetëm 3 nxënës, dy në klasën e dytë dhe një në të katërt. Në Barruç dhe Shpat kanë disa vite që nuk përmenden dhe është harruar emri shkollë, nxënës dhe mësues. Në Vilën e tanishme, arsimtare e vetme është Mereme Billa, bija e nderuar dhe nuse e këtyre anëve. Këtu në Nahijen e Epër, kur situatat janë zgrip, të pakëndshme, herë herë edhe befasuese përdoret një anekdotë “Bir Selmani i nënës kë të qaj më parë”. Të tjerat le ti mendoj  vetë lexuesi.

Visar Zhiti, mësues i aftë dhe me emër, por edhe shkrimtar me pendë të ndritur

Në atë natë të brishtë dhe të praruar me Visarin ecëm, kërkuam dhe diskutuam edhe shumë probleme të tjera, veçanërisht tani gjithçka më shumë për personazhin tim të këtyre radhëve. U ndalëm pak edhe për të ardhmen e Visarit, një cucë e nuse e këtyre maleve, nuk do të ishte për të diçka befasuese. Nahija e Epër kishte vajza me arsim të mesëm, por edhe të lartë, mësuese, mjeke, ushtarake, etj. Duke vënë buzën në gaz, Visari më tha: – “Për mua këtu gjithçka është e mrekullueshme, sidomos tani që jetova mes tyre, por nuk mund të largohem nga Lushnja, pastaj kam shumë shoqe me të cilat kam mbaruar arsimin e lartë”. Me këto mendime lamë pas trevën e Kalasë së Dode dhe të Lumës.

Gjatë tre viteve mes malësorëve, nxënësve dhe kolektivit Visar Zhiti ishte një nga mësuesit më të mirë, i aftë në detyrën e tij, me horizont, i hapur, plotë energji e një djalë xhevahir, por me punë e përkushtim ai fitoi respekt dhe autoritet të padiskutueshëm. E donin shumë nxënësit, prindët, me të cilët takohej jo vetëm në mbledhjet e klasës, por edhe atje ku punonin në ara, livadhe, në tufat me dele, në dasma, festa e ngjarje të dhimbëshme e të tjera që përjetonte fshati. Visari shumë nga malsorët i dinte me emra edhe ku banonin, kushtet ekonomike etj. Mësuesi Visar Zhiti i njihte i mirë, por kishte si në pëllëmb të dorës edhe pozicionin e toponimeve që e rrethonin gjeografinë e Vilës, Lakun e Erës, masivet e Gjinetës, Kodrën e Hollë, arat e Bare, çdo rrugë, burim e breg. Tani ai ishte tamam si një voc që ka lindur e rrit në Vilë. Mësuesit gjithnjë e shtrinë veprimtarinë e tyre edhe jashtë klasës e shkollës. E pasuruan me materiale arkeologjike dhe dokumenta të reja muzeumin në qendër të Vilës, ndërsa atë të shkollës e krijuan të ri. Gjithashtu edhe historikun e  të tre fshatrave, që s`ishte i saktë, pas konsultimeve me burrat e vjetër, e shkruan përsëri të plotë e me vërtetësi për brezat e ardhshëm.

    Visari ishte në hapat e parë dhe premtues, në rrugën e letërsisë dhe artit. Më tregoi se shkruan poezi, diçka më shumë edhe prozë, ka në horizont e mendon  më tej ti futet me guxim e më gjërësisht  shkrimësisë. Folëm po atë natë edhe për shumë shkrimtarë e botimet e tyre, për mësuesin tim të letërsisë, trim e rebel Petro Marko e romanin e tij të veçantë “Hasta La Vista”, pa harruar gjithashtu edhe shokun tonë të çmuar dhe brilant Zija Çela. Duke kërkuar valët e Radio Kukësit, na doli rastësisht “Zëri i Amerikës “ dhe një lajm i saj, veçoi demostratën e studentëve të Moskës, me kaq e mbyllëm këtë stacion të huaj por pa koment. Visar Zhiti, por edhe shokët e tij Besim Katroshi e Fiqiret Sota nga Kavaja, Ylli Xhaferi nga rrogozhina dhe Hamza Sollaku nga Shijaku, por edhe të tjerë më pas, punuan me shumë devotshmëri dhe përkushtim në kushte të vështira, si në këto anë e vise të largëta, duke mbetur përjetësisht shtegtarë të dijes e të zhvillimit. Gjithësesi, ashtu si për Visarin, por edhe për arsimtarët e të tjerë të ardhur nga të gjitha fshatrat e anët e Kukësit e të Shqipërisë, malsorët e kësaj treve kanë shprehur vlerësimet e konsideratat më të larta, duke mbetur ato pjesë në historinë e zhvillimin e arsimit në Lumë e anë e mbanë Kukësit.

Në këtë natë të mrekullueshme bisedë pas bisede, ne u ndalëm edhe në jetën e malsorëve të Vilës. Pak vite pati formimi i kooperativës bujqësore. Gjendja ekonomike në fshat ishte tepër e dobët, filloi tufëzimi i bagëtive, zvogëlimi i dylimit të tokës, dita e punës zbriti në vlerën 10 lekë etj. Vërtetë Vila kishte tokë, ara, livadhe  e pyje të begatë, por mungonte mekanika bujqësore, përvoja, drejtimi e organizimi në brigada dhe në të gjitha hallkat e kësaj ekonomie fshati. Mësuesit duke jetuar ditë e natë në fshat e njihnin në detaje gjithçka dhe u vinte keq për këtë situatë dhe kritikonin, flisnin haptas e shprehnin mendimet e tyre në mbledhje e takime. Ata e donin fshatin, nxxënësit dhe shkollën e tyre dhe e quanin veten pjestarë  të Vilës. Këtu edhe Visari, mësuesi  i letërsisë me arsim të lartë dhe kulturë të gjërë, i hapur, i ndershëm dhe i çiltër, debatonte, shprehte haptas mendimet e tij, me zemër të pastër dhe ballë për ballë të gjithëve.

Vila në Nahijen e Epër e në Kala të Dodës e më tej është dalluar gjithmonë për burra të zgjuar, bujarë, trima, puntorë e mikëpritës, por siç thotë populli “nuk ka pyll pa derra”, e pse jo edhe këndej kishte ndonjë njeri të paformuar, tinzar, shpifës, hileqar, hafije, dembel e llafazanë, që mblidhte natë e ditë fjalë, shprehje e debate pa vlerë, që i servisnin tek spiunët dhe punonjësit e sigurimit famkeq, pasi në atë kohë ata ishin të shumtë e pa adresë. Në këtë korsi të ligë qe futur edhe emri i mësuesit Visar Zhiti, pasi sigurimi e ndiqte çdo ditë, ku vinte këmbën e fliste dy fjalë. Kështu në 1978 e arrestojnë dhe e dënojnë 13 vite burg për poezitë e tija të guximshme dhe per agjitacion e propagandë, ku kreu të plota 7 vite në Spaç, Qafë Bari. etj

Gjthësesi edhe unë para operativit të zonës dhe hetuesisë së Kukësit jam pyetur e dhënë llogari, aq ashpër me përgjegjësi e me trishtim  që edhe sot pas 50 vitesh edhe një fjali të vetme se harroj. Në çdo rrethanë e presion, me trimëri e guxim unë kam deponuar të vërtetat pa i deformuar ato për gjithçka biseduam në atë natë hyjnore, të magjishme dhe të paharruar me Visar Zhitin, në trevën e Vilës së largët e mes maleve të Lumës.

Arrestimi dhe burgosja e mësuesit Visar Zhiti në befasi, në nahijen e Anës së Epër e kudo në Kukës  e më tej, u prit me habi të madhe, si një ngjarje e pabesueshme, e jashtëzakonshme, tragjike dhe e rrallë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË