Tolstoi dhe Gorki, Rilke dhe Ajnshtajni, Rubinshtejni dhe Skrjabini, – të gjithë pozuan për të. Njihej si një portretist i shkëlqyer dhe mjeshtër i ilustrimit. Pikturat e tij ruhen në muzetë më të mëdhenj të botës dhe në qindra koleksione private. Megjithatë, për shumë dekada, emri i Leonid Pasternakut mbeti në harresë. Ndoshta hija e gjeniut, birit të tij, poeti Boris Pasternak, ia zbehu famën të atit.
Përktheu nga rusishtja: Bujar Hudhri

Boris Pasternaku shkruante për të atin:
“Baba! Por ky është një det me lot, janë net pa gjumë dhe po të shkruhej – do të dilnin volume, volume, volume. Habia për përsosmërinë e mjeshtërisë dhe dhuntisë së tij, për lehtësinë me të cilën punonte (duke luajtur e duke u zbavitur, si Moxarti), për shumësinë dhe rëndësinë e veprave që ka bërë – saqë çdo krahasim, në çdo pikë, më poshtëron dhe më përul. I kam shkruar, që të mos ndihet i fyer, sepse meritat e tij gjigante s’janë vlerësuar as në një të qindtën pjesë, ndërkohë më duhet të skuqem nga turpi kur fryjnë në mënyrë monstruoze dhe e teprojnë rolin tim… I kam shkruar babait… se, në fund të fundit, është ai që triumfon – ai, që jetoi një jetë aq të vërtetë, të paqëllimshme, tërheqëse, të gjallë, të pasur – pjesërisht në shekullin e tij të bekuar XIX, pjesërisht në besnikëri ndaj atij shekulli, e jo ndaj të njëzetit, të egër, të shkretuar, të rreme dhe mashtrues…”
Leonid Pasternaku lindi në prill të vitit 1862, në Odesë. Ishte fëmija më i vogël në një familje të madhe hebraike. Siç duket, nga dashuria e tyre e madhe, prindërit i vunë menjëherë dy emra – Abram dhe Isak. Megjithatë, në shtëpi e thërrisnin vetëm Leonid. Për këtë arsye, artistit iu desh disa herë të jepte shpjegime në institucionet zyrtare. Për më tepër, mbiemri fillimisht nuk ishte Pasternak, por Posternak.
Posternaku i vjetër kishte një han për udhëtarët, ndërsa nëna kujdesej për shtëpinë – ishte analfabete, por grua e mençur dhe me vullnet të hekurt. Familja Pasternak e konsideronte veten pasardhëse të Abarbanelëve – një nga familjet më të vjetra dhe më të nderuara hebraike, që rrjedh prej mbretit David.
Roja i oborrit – meceni i parë
Prindërit ëndërronin që djali i tyre të bëhej “farmacist, a mjek, ose, në rastin më të keq, ‘ndërmjetës për punë gjyqi’”, siç do të kujtonte më vonë vetë piktori. Por më shumë se gjithçka tjetër, djali i vogël dëshironte të vizatonte – gjë që i duhej ta bënte fshehurazi nga babai dhe nëna. Mjeti më i thjeshtë dhe më i kapshëm për të ishte qymyri.
Suksesi i parë dhe porosia e parë erdhën kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Roja e oborrit i kërkoi djaloshit të talentuar të vizatonte me qymyr disa skena me temë gjuetie. Për çdo vizatim i paguante pesë kopekë dhe me to zbukuroi dhomën e tij të punës. Më vonë, Leonid Pasternaku do ta quante këtë rojë të thjeshtë “Lorenzo Mediçi im”. Meqë ra fjala, dashuria për vizatimin me qymyr dhe laps do ta shoqëronte Leonid Pasternakun gjatë gjithë jetës.
Nxënësi i dashur i Von Herterich
Prindërit e Leonid Pasternakut shpresonin ta shihnin të birin si mjek apo jurist. Ai u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Moskës. Këtu do ta kishte pasur zili edhe vetë Mikelanxheloja. Por ajo që e tërhiqte skulptorin e madh – salla e anatomisë – e neveriste heroin tonë. Leonid Pasternaku nuk mundi të kapërcente ndjesinë e neverisë ndaj kufomave; megjithatë, pjesën e anatomisë që i duhej një artisti, ai e mësoi. Më pas, u transferua në Fakultetin e Jurisprudencës, fillimisht në Universitetin e Moskës dhe më vonë në atë të Odesës (Universitetin e Novorosisë), i cili ishte i vetmi në perandori që u jepte studentëve të drejtën të studionin jashtë shtetit.
Pasternaku e përdori këtë të drejtë dhe shkoi të aplikonte në Akademinë Mbretërore të Munihut. Zuri vendin e parë! Ai u pranua në klasën e mjeshtrit të shquar të vizatimit, Ludwig von Herterich.
Eksperimentet e tij në vizatim ishin aq të arrira, saqë profesori nuk i korrigjonte fare dhe i lejonte t’i merrte në shtëpi. Në Moskë, punët e tij u përhapën menjëherë mes koleksionistëve. Akademinë e Arteve në Munih Leonid Pasternaku e përfundoi me medalje të artë dhe po atë vit, mori edhe diplomën e juristit – si student i jashtëm.
Muza e ushtrisë
Etapa e radhës në jetën e artistit të ri ishte shërbimi ushtarak. Një vit. Kanavaca e parë e madhe u krijua nën përshtypjet e kësaj përvoje. Piktura Letër nga atdheu, ende e papërfunduar, u ble drejtpërdrejt nga vetë Pavel Mihajlloviç Tretiakov për galerinë e tij të famshme.
Fëmijët do të ushqejnë prindërit
Leonid Pasternaku u martua me pianisten e famshme Roza Kaufman. Çifti i ri u vendos në Moskë dhe pas një viti, erdhi në jetë fëmija i tyre i parë – shkrimtari i ardhshëm, laureat i çmimit “Nobel”, Boris Pasternaku. Më pas lindën edhe djali Aleksandër dhe dy vajzat, Zhozefina dhe Lidia.
Portretet familjare dhe vizatimet nga përditshmëria u bënë tema e dashur e Leonid Pasternakut. Ato përcillnin atmosferën e ngrohtësisë dhe të qetësisë që mbretëronte në familjen e tij – dhe për më tepër, shiteshin shumë mirë. Madje bëhej edhe shaka: thuhej se “fëmijët e Leonid Pasternakut ushqenin prindërit”.

Impresionisti i parë rus
Leonid Pasternaku ishte i pari ndër artistët rusë që e quajti veten impresionist. Siç vëren studiuesja e artit Elizaveta Plavinska, ai nuk kishte frikë nga qëndrimi i ftohtë që kishin ndaj impresionizmit “Peredvizhniki” – lëvizje kjo që, sipas programit të saj, vlerësonte më shumë të vërtetën sesa bukurinë. “Ai ishte më modernist se ata dhe madje se vetë Rjepini. Ai nuk nguronte të përdorte skicime të shpejta dhe vija të buta, të paqarta, në frymë impresioniste hollandeze, si dhe kalime të guximshme nga vija në njolla – diçka që Rjepini, i cili nuk e njihte shkollën e Munihut, nuk mund ta arrinte. Ndërkohë, ndaj kolegëve të tij gjermanë Pasternaku nuk mbetej prapa as për sa i përket mjeshtërisë së koloritit: ai dinte të krijonte ndriçim të butë dhe të shumëngjyrshëm në ambientin e brendshëm, si impresionistët, por edhe dritë dramatike në stilin e karavaxhizmit, që të gjithë e kishin harruar”, – shkruan Plavinska. Meqë ra fjala, shoqëria e artistëve “Peredvizhniki” në Moskë nuk e pranoi Pasternakun në radhët e saj.
Ilustruesi i dashur i Tolstoit
Megjithatë, pikërisht në një ekspozitë të “Peredvizhnikëve” në vitin 1893 ndodhi një takim domethënës. Lev Tolstoi u ndal pranë pikturës Debutantja të Pasternakut dhe aty iu prezantua autori. “Po, po, e njoh këtë emër. E ndjek punën e tij”, – tha Tolstoi. Familja Pasternak u bë mysafire e shpeshtë e Tolstoit, si në Moskë, ashtu edhe në Yasnaja Poljana.
Nga kjo miqësi lindi një seri portretesh të shkrimtarit të madh dhe për më tepër, Leonid Pasternaku u bë një nga ilustruesit më të shquar të veprave të L. N. Tolstoit. Ilustrimet e tij për romanin Ringjallja u ekspozuan në vitin 1900 në Pavijonin Rus të Ekspozitës Botërore në Paris, ku u nderuan me medalje. Shumë skica nga “seria tolstoiane” përfunduan në Galerinë “Tretiakov”.
Pasternaku shpesh është quajtur “pasqyra” e Lev Tolstoit. Për të theksuar: në Muzeun “Tolstoi” ruhen 200 vepra të Leonid Pasternakut, përfshirë 36 portrete të shkrimtarit dhe ilustrime të shumta të veprave të tij.


Rusi i parë në Muzeun e Luksemburgut
Piktura Studentët e Pasternakut u ble nga Muzeu i Luksemburgut në Paris. “Një ngjarje e shënuar”, – shkruante shtypi odesean. – “Luksemburgu është një nga muzetë më të rëndësishëm të artit në botë. Aty mund të hyjë vetëm një artist i madh – dhe zakonisht vetëm nëse është francez. Veprat e huaja janë shumë të rralla, dhe nuk ka asnjë pikturë ruse”.
Kështu, Studentët e Leonid Pasternakut u bë piktura e parë ruse në këtë muze të famshëm.
Albert Ajnshtajni si model

Leonid Osipoviç Pasternaku realizoi një seri portretesh të Albert Ajnshtajnit. Ata u njohën në Berlin, në ambasadën sovjetike – një vend ku njerëzit mblidheshin për të dëgjuar një koncert, një ligjëratë, një pjesë të shkurtër teatrore apo për të marrë pjesë në biseda të lira miqësore.
Një ditë, Roza Pasternaku po luante në piano, kur dikush e pyeti nëse mund të shoqëronte në muzikë vetë Ajnshtajnin. Por Ajnshtajni kundërshtoi me mirësjellje. “Unë nuk guxoj të dal pas një artisteje kaq të shkëlqyer!” – tha ai. “Megjithatë, nëna e bindi”, – kujtonte Lidia, vajza e Pasternakut. – “Dhe ai vërtet luajti në violinë, ndërsa ajo e shoqëroi në piano. Ndërkohë, babai e skicoi atë çast. Kështu lindi skica e famshme ku Ajnshtajni është vizatuar duke luajtur violinë”.
Ajnshtajni dhe Pasternaku ruajtën lidhje për shumë vite. Fryt i kësaj miqësie u bë një seri portretesh të shkencëtarit të madh.
Rembrandti, Pasternaku dhe hebraizmi
Në vitin 1921, Leonid Pasternaku, bashkë me gruan dhe vajzat, u nis për në Gjermani – sipas versionit zyrtar, për arsye shëndetësore. Por me humor thuhej se, pasi kishte portretizuar disa nga udhëheqësit e revolucionit, kishte vendosur të rrinte larg tyre. Në Gjermani punoi shumë. Në vitin 1923 botoi esenë Rembrandti dhe hebraizmi në veprën e tij, dhe pasuan përsëri dhjetëra portrete të reja.
Megjithatë, në vitin 1938, për shkak të fashizmit, iu desh të arratisej nga Gjermania. Gati i gjithë tirazhi i librit të tij – që përfshinte edhe kujtime për Tolstoin – u dogj nga nazistët. Ekspozita për përvjetorin e tij u ndalua. Leonid Osipoviçi kishte ndër mend të kthehej në Moskë, por më parë vendosi të vizitonte vajzën më të vogël, Lidian, e cila jetonte në Oksford. Lufta e pengoi të kthehej dhe ai mbeti në Angli. Më 31 maj 1945, vdiq në Oksford.
Më 2 maj 1999, në shtëpinë ku kishte jetuar piktori rus, në veri të Oksfordit, u hap Muzeu i Leonid Pasternakut.