More
    KreuArte pamoreOltsen Gripshi: Antroposemiotika e morfologjisë të së padukshmes (Shënime për ekspozitën e...

    Oltsen Gripshi: Antroposemiotika e morfologjisë të së padukshmes (Shënime për ekspozitën e piktorit Bujar Luca)

    Shenja është gjesti identifikues i individualitetit të gjithkujt prej nesh, përballë së cilës e dukshmja dhe e padukshmja ka një rol thelbësor në këtë proces njohës. Shenjat në shumësinë e tyre shpërfaqin të pathënat dhe të padukshmet që flejnë në thellësi të nënvetëdijes tonë si qenie njerëzore. Janë pikërisht këto shenja, që zhvendosën ndjeshmërinë e artistit Bujar Luca nga konkretizimi i të figurshmes, që Realizmi Socialist i diktonte atij para viteve ’90, tek abstragimi i realitetit bashkëkohës nëpërmjet antroposemiotikës së morfologjisë të së padukshmes, gjuhës së shpirtit.

    Një kalim, i cili e udhëhoqi piktorin Luca drejt përmasës së një surrealizmi hibrid për nga përmbajtja e artit të tij. Zhvendosja në këtë përmasë është për piktorin rigjetja e një gjuhe pamore krejtësisht vetjake dhe rizbulimi i vetvetes, për sa i përket qasjes së tij në raport me mikro-makro antropologjinë urbane, pjesë e të cilës është edhe vetë ai. Kjo, pasi gjesti i tij krijues nuk është më mjeti për të shëmbëllyer realitetin me realizëm, por shndërrimin e tij nëpërmjet fuqisë së shenjës grafike, duke e personifikuar atë me shenjën dhe përmes shenjës.

    Në thelb fuqia e shenjës është realiteti i kodifikuar në përfaqësimin e brendisë shpirtërore të piktorit Bujar Luca. Shenja “akrobatike” zëvendëson të perceptueshme me të papërcaktueshmen, ku imitimi i të vërtetës i lenë vend metaforës simbolike si shkallë sipërore e interpretimit semiotik. Shpejtësia e ekzekutimit e bën sipërfaqen e pikturës ndërvepruese mes piktorit dhe vëzhguesve, nga ku lexohet qartë një shfaqje instinktive e atij automatizmi të pastër psikik, që Breton besonte se ishte mjeti më i drejpërdrejt për të shprehur fuqinë e mendimit.

    Në këtë këndvështrim është e kotë të mendojmë se në pikturën e Lucës do të gjejmë ndonjë referencë me realitetin, në aspektin e figurshëm të tij. Kjo, sepse piktori tashmë realitetin nuk e hulumton më nëpërmjet njohjes ontologjike, të përbërjes së materies fizike sesa përmasës metafizike që e rrethon vetë atë. Përmes dëgjimit të një tingulli në horizont të horizontit të qiellit të mendjes, që e fton artistin të depërtoj membranën e kohës së bashkëkohësisë në të cilën ai jeton.

    Antroposemiotika e shenjës është për artistin Luca impuls, poezi, gjë, e cila shpërfaq më shumë instinktin sesa racionalitetin e tij si krijues i një imazhi të ri pamor, brenda të cilit nuk gjejmë asgjë të ngjashme me jetën njerëzore në tokë. Antroposemiotika në pikturën e Bujar Lucës është zhbërja, mohimi i antropologjisë urbane njerëzore dhe rikompozimi i saj nëpërmjet semiotikës; shenjës si dëshmi e gjurmës së ekzistencës së artistit në të tashmen, por edhe për të shkuarën e largët për brezat e së ardhmes dhe qasjes së tij konceptuale në raport me realen fizike.  Janë imazhe brenda të cilave mungon tërësisht dhimbja, zhgënjimi, varfëria, sëmundjet, viruset vdekjeprurëse, shfarosja, intrigat, ligësitë, zilia, smira, refuzimet racore, përbuzja, amoraliteti, përdhunimet, luftërat ideologjike e fetare dhe gjithçka ka të bëjë me mëkatin zanafillor të Adamit dhe Evës në Kopshtin e Edenit.

    Antroposemiotika në imazhin e ri të Bujar Lucës na shpien për të depërtuar konceptin e hapësirës, në përmasa të pa mata të kohës, ku shenja merr një fuqi simbolike të përbotshme, duke u shndërruar në Kurorë Gjembash të Jezu Krishtit si për të thënë dhe për të demonstruar se ai sheh përtej të dukshmes. Falë zgjedhës përmbajtësore surrealkonceptuale, artisti na zbulon të padukshmen e tij, të vërtetën e tij midis tokësores dhe hyjnores. Jemi në brendësi të një pikture, ku horizonti është pa horizont, pa qiell, pa re, pa shira, pa erëra, pa dëborë e pa breshër, pa vetëtima, pa diell, pa yje, pa natë dhe pa ditë, pa zogj dhe pa kafshë, pa bimësi dhe pa peizazh, përballë tyre qendron vetëm heshtja. – Heshtja e një artisti, e cila flet me semiotikën e shenjës për zbrazjen e imazheve që ai krijon pa asnjë analogji të ngjashme me realen që ne të gjithë njohim. Brujar Luca vërtitet përmes shenjës në një orbitë tjetër, paralele me token; është hapësira e një universi të mbërritshëm vetëm nga ai, por falë veprave të tij na bën të mbërrijmë edhe ne “virtualisht” në brendësi të saj.

    Artisti i ekzekuton imazhet me një larmi të pakrahasueshme formash, nga njëra tek tjetra, duke i dhënë tingull ndjeshmërive të atij çasti krijues. Shenjat janë tërësisht abstrakte, me një morfologji hermafrodite, plotësisht kozmike dhe surrealkonceptuale, gjithashtu krejtësisht të shkëputura nga çdo referencë ndaj figuracioneve paraekzistuese, qofshin ato të natyrës natyraliste apo shqisore psikike.

    Megjithatë, përcaktimi se çfarë është dhe se çfarë përkufizon antroposemiotika për shenjën në pikturën e Bujar Lucës është një detyrë e ndërlikuar, por jo e pamundur. Përballja me të është të zhyturit në “Galaktikën e Gjestit”, të rikrijimit të universit në zanafillë. Gjesti si veprim dhe veprimi si konkretizim i shenjës është aq i ndërlikuar sa rrezikon edhe vetë artistin të humbasë përgjatë procesit krijues. Pavarësisht gjithçkaje procesi njohës brenda vetëdijes së artistit as nuk detyron dhe as nuk kërkon pëlqimin paraprak të vëzhguesit kundrejtë veprës së tij.

    Artisti Luca shkëputet me vetëdije nga realiteti fizik, si mënyra e vetme për t’i shpëtuar ndikimit të mendësisë së masës shoqërore që e rrethon, duke u strehuar brenda mureve të tij të mishta për krijimin e alfabetit antroposemiotik, të pakufizuar në forma, që i përket vetëm atij dhe që buron nga thellësia e nënvetëdijes së ndjenjave që e formësojnë atë si materie frymore. Alfabeti antroposemiotik i Bujar Lucës është i përbërë nga emocionet, ndjesitë dhe përvojat e jetës së jetuar, që në realitet janë thelbi i morfologjisë të së padukshmes për sa i përket ekzistencës së tij si qenie njerëzore.

    Në këtë këndvështrim shenja e “rizbuluar” dhe e interpretuar nga artisti nuk i përgjigjet një shijeje të caktuar sesa një arsyejeje, e cila e bën shenjën të barasvlefshme me konceptin e ​​lirisë në hapësirë. E gjitha kjo ngre një marrëdhënie funksionesh shqisore të cilat përfshijnë gjithmonë diçka të papërshkrueshme me fjalë, që i përket vetëm sferës më intime të artistit, por në të njëjtën kohë është në gjendje t’u përcjellë vëzhguesve të veprës së tij një përjetim, që merr formën e një shenje dhe përmbajtjen e një materjeje të mbinatyrshme.

    Kur flasim për të mbinatyrshmen në pikturën e Bujar Lucës kemi parasysh marrëdhënien e pashmangshme midis subjektives dhe objektives, të dukshmes dhe të padukshmes. Ndaj, përkthimi i objektives në shenjë bën që shenja të jetë njëherazi çelësi i çkodimit të koordinatave ndjesore të së padukshmes që ekziston brenda artistit.  E mbinatyrshmja është pararendësja e poezisë së shenjës në krijimtarinë e Lucës, ashtu si Joan Miró, i cili zgjodhi si paradigmë të pikturës së tij format e harkuara surreale, sepse ato mbartin në përbërjen e tyre lakime ndjeshmërishë të vërteta dhe të thella.

    Në ikonografinë e pikturës së Bujar Lucës është e dukshme nevoja për të shprehur të padukshmen, që gjendet brenda hapësirë së tij të atrofizuar nga erozioni i përjetimeve​: për të shenja është një mënyrë për të shprehur një shtypje dhe një shtytje të fortë emocionale, një tendojse ekstaze muskulare, një mënyrë për të ndjerë realitetin pa iu referuar domosdoshmërisht me referenca konkrete. Hapësira në ndërveprim me shenjën për Lucën, nuk është vetëm ajo që ai prek dhe percepton në natyrë. Hapësira në pikturën e tij përkon me hapësirën ​​si koncept shqisor të cilës ai i mbivendos shenjën, që është thelbi i thelbit të imazhit të ri pamor. Të një imazhi, që i referohet sferës së të perceptueshmes si përfytyrim i të padukshmes onirike. Shumësia dhe ngërthimi i shenjave mes tyre dhe hapësirës janë për artistin Luca mjeti për të shprehur tensionet, emocionet, ankthet, harmonitë, ekuilibrat, çekuilibrat, pajtueshmërinë dhe papajtueshmërinë me fenomenologjinë bashkëkohore të një shoqërie apatike.

    Piktura e Bujar Lucës ka kuptime apokrife. Është e vështirë të thellohesh në zbërthimin grafemave[1] të Lucës, sepse ai zgjedh me zgjuarësi e deri diku me “dinakëri”, të na ftoi brenda labirintit të imazheve të tij, në dukje të ngatërruara e surrealkonceptuale, por që në të vërtetë mbartin thjeshtësinë e zanafillës së jetës. Në veprat e artistit Bujar Luca shenjat shtrihet mbi sfonde grafike njëngjyrëshe, herë mbi të bardhën verkuese si simbol i pastërtisë absolute puritane, herë mbi të kaltërtën hyjnore, herë mbi të zezën ankthndjellëse misitike e herë mbi të purpurtën  ëndërrimtare. Të gjitha këto gama njëngjyrëshe pa vëllim të cilave artisti u mbivendos shenjagrafemat ekspresive krijojnë një skenë të atillë narrative me një ngarkesë poetike të jashtëzakonshme.   

    Antroposemiotika e morfologjisë të së padukshmes është një qasje që synon të krijojë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me vëzhguesin: për artistin është e rëndësishme që publiku ta vëzhgojë pikturën e tij, duke depërtuar në të, si mënyra e vetme për të bashkëndarë të gjithë materien e tij si artist në krijimin e shenjagrafemave të tij. Është një pikturë që lind nga ndjesia dhe që ushqehet nga emocioni.


    [1]  Grafema – Termi grafemë tregon shenjën elementare të sistemeve të shkrimit. Grafema është një shenjë abstrakte kaligrafike dhe e ndryshme nga një alfabet në tjetrin. P.sh. germa A në alfabetin latin dhe germa A në alfabetin armen Ա.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË