More
    KreuArte pamorePashk Përvathi: Pikturoj më shumë se në rininë time, e çmoj kohën...

    Pashk Përvathi: Pikturoj më shumë se në rininë time, e çmoj kohën që ikën

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D.: Zotni Pashk, kjo bisedë imja me ju, vërtet e veçantë për mua. Jam rritur me rrëfime të tim eti për një hapësirë gjeografike diku afër Lezhës të quajtur Manati e tash, vite më vonë, lexoj për të, gjerë e gjatë në librin tuaj auobiografik, botuar para dy muajsh nga “Toena”. Gjatë leximit, plotësoj kujtimet e treguara prej tij dhe mendoj se sa i pasur mund të jetë një realitet aq i ngushtë dhe i kufizuar në hapësirë. Për tim atë, ashtu si për shumë të tjerë, gjithë historitë e fëmijërisë kanë shërbyer për të thurur rrëfenja që të vinin fëmijët e tyre në gjumë vite më vonë, ndërsa për ju, si piktor, cili ka qenë funksioni parësor i ngjarjeve dhe përjetimeve të fëmijërisë?

    P.P.: Andreas, sa i lumtur jam që kam mundësinë të bashkëbisedoj me djalin e shokut tim të femijërisë, Mikel Dushit. Gjyshërit tuaj mësues, Frani dhe Gjyljana erdhën nga Shkodra në Manati rreth viteve 50-të dhe aty jetuan deri në vitin 1969. Kur u larguan si familje për t’u kthyer në Shkodër, te ne mbeti një boshllëk i madh. I kemi dashur shumë, por vite më vonë kam vënë re se dashuria kishte qenë e ndërsjellë. Ata morën me vete në Shkodër një pjesë të historisë së Manatisë për ta ruajtur në një skutë të ndërgjegjes së tyre. 

    A.D.: Ndërsa ju, z. Pashk, pjesën tuaj të Manatisë e patët si pjesë të parë të udhës për në botën e pikturës…

    P.P.: Manatia është fshat me pozitë gjeografike të lakmueshme. Afër me qytetin, në fushë e rrëzë malit, përshkuar nga rruga automobilistike mespërmes. Nga ballkoni në katin e dytë të shtëpisë sime, shikoja diellin që “mbytej” buzë mbrëmjes në det. Në dimër, në Manati vinin zogjtë shtegtarë, patat dhe rosat e egra. Të gjithë ne, fëmijët “armatoseshim” me llastiqe. Kishim në fshat edhe disa rrënjë arrash shekullore që ktheheshin në lakminë tonë fëminore për t’i grabitur. Humori dhe fjalët e mençura kanë qenë gjithnjë tipari i burrave të fshatit. Autoktonë e të gjithë mirditorë, bëri që ato të rriteshin me vetëdijen se vinin nga një racë e mençur, besnike dhe e fortë. Kështu kam menduar edhe unë në fëmijërinë time, kur pata dëgjuar për herë të parë se në fshatin tonë patëm pasur edhe një dragua që kishte mbytur kuçedrën me zgjedhën e qeve, te burimi i Gurrë Keqes. Unë u rrita si fëmijë i lirë, duke provuar njëherazi edhe të gjitha vështirësitë e brezit tim. Ne merrnim pjesë në hallet e familjes, gjë që na kaliti qëndresën dhe na bëri më të fortë. Në rrugëtimin tim të jetës, mjaft të trazuar, me dështime dhe suksese, forcën për t’u ngritur e kam gjetur edhe në ato fillime të jetës sime në Manati.

    A.D.: Më ka bërë shumë përshtypje, zhvendosja e pikës së vështrimit nga Manatia në Lezhë, mandej në Tiranë e pas viteve ’90, jashtë Shqipërisë. Duket si një kalim i sinqertë ndër disa rrathë, kalim gjatë të cilit ka ndodhur kristalizimi i kredos tuaj artistike. Pak a shumë, secili realitet hapësinor i sipërpërmendur lidhet me një etapë në jetën tuaj. Si do ta përshkruanit secilën prej tyre?

    P.P.: Filli zë një ditë maji të vitit 1965, kur unë 6 vjeçar i pozova një piktori të panjohur që babai e solli në shtëpi për të realizuar portretin tim. Aty ka lindur pasioni dhe ëndrra për t’u bërë piktor. Mësuesi i vizatimit, Asim Kraja nga Shkodra u bë inkurajuesi im i madh. Në qytetin tonë nuk kishim asnjë eksperiencë e as traditë në fushën e artit figurativ. Studiova në shkollën e mesme të Kulturës në Tiranë. Në vitin 1979 mora pjesë në një ekspozitë të rëndësishme kombëtare. Isha vetëm 21 vjeç. Këtu fillon një kalvar i gjatë e plot vështirësi në ngjitjen time.  Dhjetë  vite mbas përfundimit të shkollës së mesme, shkova në Akademinë e Arteve për ta përfunduar atë në vitin 1990.  Unë 32 vjeçar, i martuar e me dy femijë, kisha realizuar ëndrrën e atij djalit 6 vjeçar që i pozoi dikur një piktori të panjohur. Ky ishte momenti i realizimit të ëndrrës. Mbas viteve 90-të u “zvogëlua” Shqipëria, por edhe bota. Unë kam punuar shumë për të tejkaluar kohën e humbur. Kam realizuar 44 ekspozita personale brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke hedhur në telajo bukuritë e vendit tim nga veriu në jug në çdo stinë të vitit. Kavaleta ime është vendosur edhe në vendet fqinje e kryesisht në Italinë e lakmueshme prej piktorëve anë e mbanë botës. Venezia, Firence, Roma, Cinque Terre e qytezat arbëreshe, imazhet e tyre ndodhen të gjitha në studion time.

    A.D.: Jo shumë kohë më parë, në një darkë me Rudolf Markun, kujtoj se ai po më tregonte për disa njerëz që njëlloj si ngjarjet e Manatisë, vinin nga historitë e harruara që më tregonin në fëmijëri, gjyshja atëherë. Dhe e pyeta me shumë sinqeritet Rudolfin nëse këto persona të vërtetë i kishin shërbyer si lëndë bazë për ndonjë personazh në letërsinë e tij. Te libri juaj, vërej se thuajse të gjithë i përshkruani jo vetëm në detaje karakteriale, por dhe fizike. Ndaj dua t’ju bëj dhe ju të njëjtën pyetje: në tablo ku ka disa persona që nuk janë dhe aq konkretë, që janë në “vijën e dytë” të subjektit të pikturës, nëse mund të themi kështu, keni pasur si imazh ndonjë prej atyre që përshkruani?

    P.P.: Jam i sigurtë se për çfarë ju ka treguar Rudolfi. Edhe shkrimtarët kanë qenë të  tërhequr mbas asaj figure të cilin e njoha në femijërinë time në Manati, që më vonë u bë edhe subjekt në një tablo të realizuar në vitin 1993. Bëhet fjalë për Marka Fanen, i cili  jetonte jetën  e tij jashtë kohës së të tjerëve. Kishte pavarësinë e tij në sjellje e veshje. Me një mjekër të gjatë, një trastë në krah dhe një thikë në brez, bridhte rrugëve të Manatisë e Lezhës duke e dëshmuar veten se ishte “Mbreti i Arabisë”.  Si fëmijë që ishim, e adhuronim kur për të tregoheshin histori deri në kufijtë e legjendës. Është i pakrahasueshëm gjesti i tij i udhëtimit dyditor, me nënën e vdekur në shpinë, për ta varrosur atë në vendin e origjinës, në Fan të Mirditës. Kjo për të ishte si plotësim i një amaneti. Kjo është skenë për subjekt filmi. Për tablonë time kushtuar kësaj figure, kam përdorur imagjinatën, por me erdhën në ndihmë edhe shtatë foto të tijat që ia kishte realizuar piktori Ramadan Karanxha në vitin 1968. Historitë për Marka Fanën tregohen gjithnjë në Lezhë e kryesisht në Manati ku pati jetuar e punuar argat në tokat e fshatarëve.

    A.D.: Natyra, me ngjyrat e saj të gjalla, në të katër stinët dhe nga të katër skajet e vendit, është një subjekt i shpeshtë te ju. Natyra thjesht si e tillë, pa ndërtesa, pa makina, pa rrugë, pa asgjë që ka bërë njeriu… Njeriu buron nga natyra, nga dheu; njeriu është i natyrës dhe jo natyra e njeriut. Këtë emocion më japin tablotë në fjalë. Nuk e di, është e njëjta qasje edhe te ju? Kjo ju shtyn t’i ktheheni përherë natyrës për ta pikturuar?

    P.P.: Dikur profesori im Hasan Nallbani më pati thënë: “Ti Pashk e zbukuron natyrën”. Me të qeshur i jam përgjigjur: Nuk di nëse e thua për mirë apo për keq, por mund të them se po më bën një kompliment të madh. Kjo tregon se unë mbaj qëndrim estetik ndaj asaj që shoh e pikturoj. Pra nuk e fotografoj natyrën. Në krijimtarinë time, kjo ka qenë aksiomë në gjithë realizimet që kam bërë ndër vite. Unë gjithnjë kam kërkuar të bukurën dhe e bukura në natyrën shqiptare është mjaft prezente. Mjaft të dish ta kërkosh. Unë shkoj gjithandej në kërkim të motiveve të reja, vendeve të pashkelura, atje ku njerëzit nuk e kanë dëmtuar atë. Nuk kam asnjë vend të natyrës shqiptare që nuk e kam pikturuar. Pëlqej më shumë vjeshtën, por edhe madhështinë e bjeshkëve të veriut. Impresionohem nga bregu i Jonit, por edhe nga transparenca e përrenjve malor. I dua në tablo lagunat në të katër stinët e vitit, por kohët e fundit po pikturoj edhe ndriçimin e hënës dhe perëndimin e diellit. Unë vazhdoj të pikturoj më shumë se në rininë time. Vlerësoj shumë kohën që ikën.

    A.D.: Më bëri përshtypje ajo çfarë thatë në fund të pyetjes së mëparshme, se e vlerësoni më shumë kohën që po ikën. Si piktor, ju e ndaloni kohën në tablotë tuaja. Ndryshe janë shkrimtarët, për shembull, kanë një rrëfim të vazhdueshëm i cili mund të shtrihet në vite apo shekuj, por në veprën tuaj jo, mbetet e ngrirë në çast. Ju frikëson fakti që koha po ikën? Ju duket se koha nuk do të mjaftojë? Po koha që do të vijë, ç’emocion ju ngjall? Cili është raporti juaj me kohën?

    P.P.: Po, më frikëson ikja e kohës. Jo në kuptimin e shkurtimit të jetëgjatësisë, por në atë që do të  vijë një ditë që s’do të mund të bëj vepra të reja me intensitetin e sotëm. Sot, nëse nuk pikturoj një ditë, me siguri që kam lënë një vepër të re pa e realizuar. Ndoshta një vepër të mirë. Prandaj pikturoj gjithnjë duke i lënë  më pak vend kënaqësive të tjera. Fundja, të pikturosh e të shohësh nga duart e tua lindjen e një vepre të re, është kënaqësi mbi kënaqësitë. Të pikturosh portret apo peisazh ke dhënë gjithashtu një kontribut njohjeje të një realiteti në një kohë të caktuar. Shpeshherë, realiteti i kaluar në filtrin artistik të autorit të veprës është më i plotë dhe më i bukur nga ana vizive. E dëgjojmë shpeshherë thënien për një peisazh: “E ka realizuar më bukur se sa ishte në natyrë”. Kjo pra është magjia e vetë artit, një privilegj të cilin  e pata në jetën time, duke ma zbukuruar atë, e duke më mundësuar të kem plot miq të mirë që e duan artin që unë realizoj.

    A.D.: Edhe portretet, kujtoj për shembull të Atë Zef Pllumit, por edhe shumë të tjerë, sigurisht, gjenden në ekspozitën imagjinare me të gjitha pikturat tuaja. Cili është ai tipar i fytyrës që ju tërheq më shumë te dikush kur vendosni t’i bëni një portret, ai tipar origjinal dhe i ndryshëm tek të gjithë, tipar që “s’bën asnjëherë kompromise”?

    P.P.: Ciganët dhe njerëzit e rrugës, janë të parët që u bënë motivet e mia të preferuara në gjininë e portretit. I kam trajtuar gjithnjë dhe vazhdoj ta bëj edhe në ditët e sotme. Të gjithë kanë një histori të tyren. Më tërheq dhimbja që shoh në sytë e tyre, drama e jetës që kanë kaluar e kalojnë përsëri.  Marrëdhënia koloristike mbetet gjithnjë parësore në motivet më ciganë. Te portretet kërkoj gjendjen momentale të tyre,  zbërthyer me penelata të shkrifta, pa kërkuar përsosmërinë e detajit. Përveç kësaj tematike, herë mbas here kam trajtuar edhe figura të rëndësishme si atë të Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Atë Gjergj Fishtës e Atë Zef Pllumit. Te ky i fundit flasin më shumë sytë. Sa për atë që thoni ju se për cilin tipar nuk bëni një kompromis, besoj se nuk e kam një përgjigje të plotë. Unë tërhiqem më shumë nga gjendja e përgjithshme që e karakterizon një portret në formë dhe  në anën koloristike të tij dhe jo nga një tipar i veçantë. Prandaj më pëlqejnë më shumë ciganët dhe njerëzit  bohemë të rrugës.

    A.D.: Jam shumë kureshtar ta di, si e zgjidhni objektin, personin, pamjen, pra atë që doni të pikturoni? Çfarë ju shtyn ta ktheni në pikturë diçka që shikoni?

    P.P.: Kur pikturoj në natyrë, zgjedh qoftë dhe një element të saj duke e zhvilluar me të tjerë përreth. Pikërisht këtu zë vend roli im krijues. Pra nuk e “fotografoj” atë, por e pasuroj duke mbajtur qëndrim krijues estetik. Unë kërkoj të bukurën në pikturën time. Gjithnjë i ri besnik i idesë se ajo gjendet kudo, biles edhe në subjektet e shëmtuara, mjaft të dish ta zbulosh atë.

    A.D.: Shpesh hapet e mbyllet, ndizet dhe fiket diskutimi për artin mes viteve ’45 –’90. Ka nga ato që thonë se duhet ruajtur i paprekur, të tjerë që duan ta zhbëjnë një pjesë të tij si dhe sigurisht, disa që duan ta anullojnë të tërin. Ju si e shihni dhe si e mendoni këtë çështje?

    P.P.: Edhe ato që do të them unë nuk janë shterruese. Janë thjesht mendimet e mia që  do të hasin në miratime dhe kundërshti. E gjithë ajo periudhë në artin figurativ ka brenda saj të gjitha medaljet. Ka realizime cilësore që mbeten edhe sot si të tilla. Unë jam që të ruhen veprat që kanë vlera piktorike pavarësisht se janë te prekura nga ideologjia e kohës. Një pjesë të ruhet në fond të rezervuar e një pjesë të gjejë dritën e ekspozimit. Koha  do të jetë vlerësuesi më i mirë. Autorë të rëndësishëm të periudhës së realizmit socialist, pa përmendur këtu emra, kanë realizuar tablo kompozicionale që për nga vlerat piktorike shërbejnë si modele ekzigjence artistike edhe sot. T’i hedhim poshtë ato? Në asnjë mënyrë jo, them unë. Të kuptohemi. Unë gjithnjë po flas për vepra që kanë vlera artistike në formë. Nëse ato nuk i kanë këto vlera, le të hidhen poshtë. Më pak e prekur ka qenë gjinia e peisazhit, ku është lejuar një lloj impresionizmi i lehtë në trajtimin e tij.

    A.D.: Me pikturën dhe vizatimet tuaja, keni shoqëruar disa nga ngjarjet më të rëndësishme në Shqipërinë e pas ’90. Kujtoj, për shembull, logon e gazetës Koha jonë e cila për shumë kohë qe shenja e gazetarisë cilësore kundër një pushteti që sa vinte e bëhej më i mbrapshtë. Por përtej kësaj, ju thatë se pikturoni pesiazhe nga skajet e Shqipërisë, pra pikturoni Shqipërinë. Si kanë ndikuar tek arti juaj dhe te ju vetë ndryshimet sociale të vendit? Kanë lënë gjurmë, për shembull ardhja e demokracisë, viti ’97 apo të tjerë çaste kur vërtet janë ndjerë ndryshime të kryekëputshme?

    P.P.: Po, e kam bërë logon e gazetës Koha Jonë, por e pranoj se nuk shquhem në këtë fushë. Ishte si një detyrim kontributi për gazetën që e ngritën disa djem kurajozë nga Lezha. Bëra një logo që të shquhej mes gazetave të tjera, paçka se isha i bindur se ishte në kontradiktë me pjesën tjetër të stilimit të germave në faqet e tjera të gazetës. Ishte e para dhe e fundit logo që kam realizuar. Nuk ishte e as është fusha ime. Periudha mbas viteve 90-të, për piktorët në përgjithësi, ka qenë një përiudhë kalimtare e përplasjeje konceptesh. Filluam të mendojmë se trajtimi i peisazhit duhej arkivuar si një e shkuar pa të ardhme. Edhe unë kam pasur mëdyshjet e mia. U deshën disa vite për të kuptuar se ishim gabuar duke e administruar gabim lirinë. Lindja e kolonive të artit, ka qenë konsolidimi i vetëdijes se gjinia e peisazhit ka të ardhme, por edhe mjeshtra që e realizojnë me kualitet artistik atë. Unë s’kam reshtur së realizuari peisazhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Në vitin 2017 kam realizuar një ekspozitë të titulluar :”Shqipëria vend i bukur”. E kam pasur bindje gjithnjë se natyra jonë është vend i bukur.

    A.D.: E thashë që në fillim, këtë vit botuat librin tuaj me kujtime “Rrugëtimi im”. Çfarë ju shtyu t’ja paraqisni pikërisht në këtë çast publikut jetën tuaj nëpërmjet një libri?

    P.P.: Shkrimi i librit, erdhi si një rrethanë diktuese për ta shkruar unë vetë atë.  Vite më parë, më është afruar një mik shkrimtar duke më propozuar të shkruante një libër për mua. E pata kundërshtuar menjëherë, duke arsyetuar se jam i ri akoma, por dhe i pamerituar që dikush të shkruante për mua një libër. Miku im u dorëzua, por problemi mbeti tek unë. Po sikur, vërtet dikush vite më vonë dhe në mungesen time do të merrte iniciativën të shkruante? Ky ishte problemi që filloi të më shqetësonte, duke menduar se të vërtetat e mia, sidomos ato artistike, do të ishin të plota të shkruara vetëm nga dora ime. Vetëm unë do të isha në gjendje t’i shkruaja ato ngrohtë e me detaje siç kishin ndodhur në jetën time krijuese. Nuk mora modele shkrimesh biografike se nuk desha të jem i ndikuar në formë. Sa për përmbajtjen, ajo ishte në dorën time, për ta treguar ashtu siç jeta ime kishte rrjedhur, e pasajuar e pa truke. Asnjëherë nuk pretendova se në libër do të gjendet penda e një shkrimtari, por ajo e një piktori, që një ditë u “çmend” e vendosi të shkruajë për jetën e tij. A jam i qetë tani që libri u botua? Sigurisht që po. Nëse dikush do të shkruajë një ditë, do të matet mirë para të vërtetave që janë në këtë libër. Ky jam unë.

    A.D.: Në libër, tregoni raste kur për shembull ju zinte shiu duke pikturuar dhe duhet të mblidhnit takëmet e pikturës e të iknit… Cilat janë kushtet tuaja ideale për procesin e punës? Duhet me patjetër dita, drita natyrale apo mund të pikturoni edhe natën?

    P.P.: Të gjitha momentet e ditës janë të përshtatshme për të pikturuar. Kjo bën që vepra jote të jetë e larmishme. Shiu bën përjashtim se të pengon në pikturim. Por nëse e ke një strehë pikturimi në një peisazh me arkitekturë, atëherë mund të krijosh forma piktorike e gamë koloristike që nuk i gjen as në kohën më të bukur me diell. Në peisazh duhet  kërkuar momenti piktorik për të realizuar veprën. Aty duhet të  ndjehet ajri, drita e mëngjesit apo zagushia e diellit të drekës. Impresionistët francezë e kthyen në shkollë këtë koncept pikturimi i cili ndiqet edhe sot nga peisazhistët e mbarë globit. Shqipëria ka pasur dhe ka peisazhistë të talentuar.

    A.D.: Dhe në fund, a ishte e vështirë për ju të kalonit, qoftë edhe fare përkohësisht, nga një gjini artistike, piktura, te një tjetër, shkrimësia?

    P.P.: I gjithë procesi i shkrimit të librit, u kthye në një përvojë që sa vinte e kristalizohej për mirë. Nëse në fillim isha më i ngathët në formulimin e frazave, me kalimin e kohës, shkrimet sikur mbaroheshin me një seancë si në pikturat e mia. Si një impresion. Ka pasur raste që një tregim të shkurtër nuk e kam marrë dy herë nëpër duar. Unë kam pasur një mik që në fillimet e mia më ka ndihmuar shumë me konsulencë. Ai është Ndue Dedaj nga Mirdita që duhet falenderuar shumë. Ai i ka lexuar shkrimet e mia të para duke më bërë vërejtjet e duhura dhe inkurajuar se isha në rrugën e duhur. Shkrimi ka plotësuar pikturën. Edhe kur kam shkruar, kam menduar gjithnjë se po pikturoja. Kështu e kam parë në tërësinë e tij librin tim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË