More
    KreuIntervistaShkrimtari Ag Apolloni bisedon me Robert Wilton, përkthyesin e tij në anglisht:...

    Shkrimtari Ag Apolloni bisedon me Robert Wilton, përkthyesin e tij në anglisht: Përkthimi është aleat i letërsisë në betejën me gjuhën

    Ag Apolloni është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe të dalluar të brezit të tij. Robert Wilton është shkrimtar dhe diplomat, i lindur dhe rritur në Angli. Është nderuar nga shoqata “Kurora e Shoqatës së Shkrimtarëve të Historisë” për romaneve te tij historike.

    Ag Apolloni është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm dhe të dalluar të brezit të tij, që shkruajnë në gjuhën shqipe, i admiruar për prozën bashkëkohore dhe elegante, për larminë e pasur të referencave që ajo ka. Romanet e tij të mirënjohura – Ulërima e ujkut, Zazen, Kësulëkuqja: përrallë për të rritur – janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe kanë fituar shumë çmime. Profesor në Universitetin e Prishtinës, Agu është gjithashtu autor i dramave, poezive dhe shkrimeve kritike, si dhe redaktor i revistës letrare Symbol. Romani i tij dokumentar për ankthin e luftës dhe amësisë, Një fije shprese, një fije shkrepëse, (tani në anglisht me titullin Glimmer of Hope, Glimmer of Flame) u shpall Romani i Vitit në Kosovë në vitin 2020 – dhe sapo është bërë i pari nga veprat e tij që do të botohen në anglisht (në formate të ndryshme në Amazon). 

    Përktheu Granit Zela


    Çfarë rëndësie ka për ju të botoheni në anglisht?

    Të botohesh në anglisht – në gjuhën e të gjithëve, si gjuhë ndërkombëtare – është një mënyrë e mirë për të zgjeruar rrjetin e lexuesve; por edhe një provë e fortë nëse letërsia, në këtë rast romani, mund të ketë lexues edhe kur shkulet nga gjuha në të cilën është shkruar. Për shkak se gjuha mbetet e lidhur me kombin, ndërsa letërsia përpiqet të kapërcejë kufizimet kombëtare të gjuhës, mendoj se çdo përkthim është një aleat i letërsisë në betejën e saj me gjuhën. Autorët e gjuhëve më të vogla kanë nevojë për përkthyes që t’ua mundësojnë këtë. Kështu që unë e shoh përkthimin në anglisht si një ndihmesë të madhe për të kapërcyer disa pengesa jo të vogla. Më befason më tepër fakti që një shkrimtar si unë, i rritur dhe i formuar duke lexuar autorë në gjuhën angleze, si klasikë ashtu edhe modernë, herë në gjuhën e tyre dhe herë në timen, tani u flet lexuesve në gjuhën angleze, në gjuhën e tyre. Kaq shumë autorë të mëdhenj kanë shkruar dhe po shkruajnë në anglisht, saqë ndihem mjaft i përulur në paraqitjen e ofertës time për lexuesit që kanë një larmi të tillë zgjedhjesh. Nuk mund të hyj – nuk guxoj të hyj – në një bashkësi të tillë të denjë pa ndihmën e një përkthyesi. Në këtë mënyrë, frika e autorit të përkthyer zvogëlohet nga siguria që ofron përkthyesi. 

    Romani juaj i sapo përkthyer përshkruan dy histori të vërteta dhe të dhimbshme nga Lufta e Kosovës dhe se si ato i bëjnë jehonë tragjedisë klasike. Çfarë ju shtyu ta hulumtoni këtë temë dhe në këtë mënyrë?

    Po, romani paraqet dy nëna tragjike shqiptare të Kosovës që kanë humbur fëmijët në luftë. Njëra prej tyre, Ferdonija, ka humbur katër djem dhe bashkëshortin, po gjen ende edhe sot forcën – duke u kapur pas një fije shprese – për të jetuar në pritje të kthimit të paktën të njërit prej fëmijëve të humbur – ose të paktën forcën për të vazhduar për të treguar historinë e tyre. Tjetrës, Pashkës, iu kthyen eshtrat e dy djemve të zhdukur dhe pas kësaj bëri një gjest të fuqishëm dhe tragjik, duke i vënë vetes flakën me një fije shkrepëse. Kësisoj, këto dy gra mua më duken si dy figura sublime të tragjedisë së Kosovës: njëra simbol i qëndresës, tjetra simbol i revoltës. 

    Për sa i përket stilit: dy vjet para këtij libri kam shkruar një dramë me titull Skënderbeu – Manuskripti i Marlout, në parathënie të së cilës kam thënë se e kisha përkthyer nga anglishtja. Më shumë se disa lexues më lavdëruan për përkthimin. Në fakt nuk e kisha përkthyer, por e kisha krijuar në stilin e Kristofer Marlout duke u mbështetur në disa referenca që kisha gjetur se ky bashkëkohës i Shekspirit kishte shkruar një dramë, tashmë të humbur, për heroin tonë kombëtar shqiptar. Pasi krijova atë dramë, doja të “zbuloja” diçka tjetër nga Eskili, babai i tragjedisë. Ndër dramat e tij të humbura është ajo e Niobës, e cila pasi i vriten të gjithë fëmijët, e mbytur nga pikëllimi i madh i lutet ditë e natë Zeusit që të tregohet “i mëshirshëm” dhe ta kthejë atë në gur. Edhe pasi është kthyer në gur, ajo vazhdon të vajtojë. Pra, është tragjedia e një nëne që humbet gjithçka me një goditje nga fati. Kjo më kujtoi aq shumë nëna kosovare që humbën fëmijët – ndonjëherë të gjitha familjet e tyre – në një luftë që u shkaktoi një dhimbje që nuk është lehtësuar as tani. Lufta dhe pasojat e luftës janë kapituj të ndryshëm të së njëjtës tragjedi. Në një farë mënyre, lufta është fizike dhe pasojat e saj janë psikologjike. Në romanin tim doja të trajtoja pasojat; mund të titullohej edhe Krim dhe mosndëshkim.

    Duket se ka një interes të ripërtërirë për luftën dhe pasojat e saj në romane, në skenë dhe në ekran. Pse mendoni se po ndodh kjo?

    Është një thirrje e vetëdijshme që viktimat të mos harrohen. Interesi ndryshon natyrshëm me kalimin e kohës nga lufta. Veprat më të mira për luftën zakonisht krijohen pasi të jetë krijuar një hendek i tillë. Një vepër e kënaqshme për luftën, një roman i madh, nuk mund të shkruhet menjëherë më pas nga dikush që e ka përjetuar, sepse ata ende nuk janë çliruar nga urrejtja, trauma dhe qasja “patetike”. Lufta është një katastrofë dhe duhen vite për të rimarrë veten pas një goditjeje të tillë. Mund të themi se vitet e fundit kemi filluar të rimarrim veten.

    Romanet tuaja priren të mbështeten në perspektiva personale (kërkime për luftën, për jetën e një shkrimtari, vdekja e një miku); a mund të flitet për një letërsi dallueshëm të veçantë kosovare? – apo shqiptare?

    Një fije shprese, një fije shkrepëse është roman dokumentar dhe romani im i mëvonshëm, Kësulëkuqja: përrallë për të rritur, është roman gjysmë dokumentar. Në të dyja rastet kjo nënkupton një lloj shkrimi që heton dhe përzgjedh faktet me shumë kujdes. Për shkak se romanet e mia lidhin auto-fiksionin me dokumentaren, ato varen në mënyrë të pashmangshme nga përvojat dhe dëshmitë e mia personale. Besoj se në kuadrin e shkrimit në gjuhën shqipe mund të flitet për një letërsi të vërtetë kosovare, e cila ruan një marrëdhënie me letërsinë shqiptare për shkak të gjuhës, por jo për shkak të modeleve që ndjek. Por të dyja letërsitë gjithsesi plotësojnë njëra-tjetrën dhe bëhen njësh në të njëjtën gjuhë. Dallimet bëhen më të dukshme kur përkthehen, sepse për një lexues të huaj ato duken se përkufizohen si letërsi dhe jo nga gjuha e tyre origjinale. Për arsye politike e historike dhe për modele estetike, letërsia në gjuhën shqipe ka dy identitete letrare dhe një identitet gjuhësor. 

    Sa e gjallë do të thoshit se është atmosfera në botën intelektuale dhe letrare të Kosovës tani për tani?

    Ka një atmosferë kulturore relativisht të shëndetshme. Kur bëhet fjalë për librat, njerëzit lexojnë kryesisht letërsi të huaj – ose autorë vendas për të cilët ata e dinë se janë përkthyer. Për shkak se jemi një vend i vogël, ne kemi nevojë për një lloj afirmimi nga jashtë për t’u vlerësuar nga brenda. Shumicës i mungon kjo, por letërsia vazhdon jetën e saj – ndoshta sepse arti lind nga mungesa.

    Jeni gjithashtu profesor i letërsisë; si shihet dhe studiohet letërsia në gjuhën angleze në Kosovë?

    Letërsia anglofone padyshim se ka vlerësimin më të madh në Universitetin e Prishtinës, ku kam studiuar dhe ku kam dhënë mësim që nga viti 2008. Është studiuar në mënyra të ndryshme në degët e Letërsisë Angleze, Letërsisë Shqipe dhe Dramaturgjisë. Unë kam studiuar dhe kam dhënë mësim në të treja degët, dhe vëmendja kryesore është te emrat e njohur: Shekspir, Milton, Suift, Blejk, Poe, Bajron, Shelli, Osten, Dikens, Jejts, Paund, T. S. Eliot, Xhojs, Vulf, Kipling, Konrad, Frost, Beket, Vonegut, Roth… Në fakt mund të vazhdoj ta zgjas listën pa fund. Letërsia angleze jo vetëm që është studiuar mirë; ajo ka ushtruar një ndikim të fuqishëm edhe në letërsinë shqipe, nga romantizmi e deri te post-modernizmi.

    Kush është autori juaj i parapëlqyer në gjuhën angleze?

    Është e vështirë të veçosh një emër mes kaq shumë emrave që unë i vlerësoj. Krahas Shekspirit, të cilin e do gjithë bota – sigurisht edhe unë – në poezi ia dhuroj palmën e dafinës T. S. Eliotit. Admiroj disa prozatorë bashkëkohorë, por për mua Julian Barnes-i spikat: gjithmonë më mahnit mprehtësia e tij – një finesë stili si filigran Kosove.


    Burimi: https://www.anglo-albanian.org.uk/aaa-gazette

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË