More
    KreuIntervistaFatmir Toçi: Mungesa e një historie të plotë të arbëreshëve, më nxiti...

    Fatmir Toçi: Mungesa e një historie të plotë të arbëreshëve, më nxiti të shkruaj këtë libër

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D.: Kur botuat vështrimin historiko-kulturor për arbëreshët me titull “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit”, natyrshëm m’u ndërlidh me krahinën e Shën Kozmasë në Kalabri ku, sikundër ju tregoni, që në vitin 1543, një nga mbiemrat më të njohur të zonës ishte edhe Toçi. Nuk e di për sot, por deri në LIIB, personalitete të këtij mbiemri si Francesco Saverio Tocci, Gugliemo Tocci apo edhe Terenzio Tocci luanin një rol në dinamikat politike të brendshme e të jashtme. Ju a keni ndonjë lidhje personale me këtë familje, si p.sh., ajo të jetë shpërngulur nga vendi juaj i origjinës, apo është një rastësi? Pra, a keni ndjerë një lloj thirrjeje nga mbiemri i përbashkët për t’u marrë me një studim kaq të gjerë, që përplotësohet në vëllimin e sapobotuar “Arbëreshët, shqiptarët e Italisë”?

    F.T.: Toçi (it. Tocci) është mbiemër shumë i përhapur, pothuaj në të gjitha vendbanimet arbëreshe, veçanërisht në Kalabri dhe Sicili, që, çuditërisht, në të shumtën e rasteve, nuk gjejnë lidhje me njëri-tjetrin. Është një tezë e pavërtetuar për prejardhjen e tyre, ndoshta nga Jugu i Arbërisë, arvanitët e Peloponezit apo ishujt e Jonit në Greqi.

    Prof. Matteo Mandalà më ka thënë gjatë një bisede me këtë temë se mendohet që pjesa me e madhe e banorëve të Horës së Arbëreshëvet (it. Piana degli Albanesi) kanë ardhur në Sicili nga zona e Himarës, e cila në shek. XV-XVI ishte një krahinë bashkë me Kurveleshin, ku bën pjesë edhe fshati im i origjinës Kuçi, ku mbiemri Toçi është i përhapur. Madje në Horë një nga lagjet më të vjetra, vendosur në një grykë mali si në honet e Himarës, quhet edhe sot e kësaj ditë Himara. Por nuk kam gjetur burime dokumentare bindëse. Gjithsesi, koincidenca e mbiemrit të familjes sime në shumë vendbanime arbëreshe në Itali ka krijuar që në fillim një afinitet të këndshëm me ta, duke më quajtur si një njeri të tyre. 

    Kam vizituar vendbanimet arbëreshe në Kalabri që pas viteve ’90 dhe kam mbetur i mrekulluar nga mikpritja dhe dashuria e tyre, tingëllimi i arbërishtes arkaike, si në kohën e Skënderbeut, riti bizantin dhe liturgjia në greqishten e vjetër apo në arbërishte, veshjet mahnitëse tradicionale dhe Valljet tunduese plot ritëm e gjallëri, kuzhina tipike dhe hareja e zhurmshme e festave që vijnë nga lashtësia… Aty kam parë se sa pak dinim ne për historinë dhe jetën e arbëreshëve tanë, një imazh të veshur me mjegull, të mbushur me mite e legjenda për shkak të kontakteve të pakta dhe mungesën e bashkëpunimit e shkëmbimeve të ndërsjella.

    Dëshira për t’u bërë shqiptarëve sa më të njohur këtë botë shqiptare, të shkëputur dhunshëm nga trungu për 20 breza më çoi tek ideja për të shkruar këtë libër. M’u duk se do të ishte një punë e lehtë, por m’u deshën mbi 15 vjet për të vizituar mbi 500 vendbanime ekzistuese apo dikur arbëreshe, të shfletoja dhjetëra mijëra faqe, të takoja shumë personalitete të fushës, si profesorët Francesco Altimari, Matteo Mandalà, Pëllumb Xhufi, studiuesin e rëndësishëm dhe rrëmuesin e arkivave Italo Sarro etj. dhe mbi 5 vjet për të shkruar e rishkruar disa herë dy librat për arbëreshët.

    A.D.: Vëllimi i fundit karakterizohet nga një qasje skrupuloze shkencore, me citime dhe referime të sakta nga burime të besueshme e në të njëjtën kohë, së brendshmi ruan strukturën e një vepre që nuk mëton t’i ofrohet vetëm studiuesve të tjerë, por grish një lexues më të gjerë drejt njohjes së të gjitha përmasave që i duhen për ngulmimet arbëreshe në Itali. Ka qenë kjo një zgjedhje e qëllimtë? Dhe, gjatë procesit të përgatitjes së librit, cilin lexues kishit parasysh?

    F.T.: Ekziston një bibliografi shumë e pasur me objekt arbëreshët të Italisë, për jetën e tyre, historinë e vendosjes në Itali, veçoritë e kulturës, folklorit, letërsisë, veshjeve, besimit fetar etj. Më e pasur dhe intensive rezulton kjo veprimtari në gjysmën e dytë të shek.XIX deri në fillimet e Luftës I Botërore, dhe pas Luftës II Botërore deri në ditët tona. Megjithatë, unë nuk kam mundur të gjej kënaqshëm një histori të plotë të arbëreshëve nga fillimet e vendosjes së tyre në krahinat e ndryshme italiane, kryesisht në Jug e deri në ditët tona. Kjo ka qenë nxitje për mua për të hartuar një vepër përmbledhëse, të shtrirë në mbi 5 shekuj, duke filluar me kalvarin e vuajtjeve dhe odisenë e shpërnguljes së tyre përtej brigjeve të Adriatikut e Jonit, në një vend të huaj me gjuhë e zakone të ndryshme, në fillim krejt të panjohura; për rreziqet e shumta që kanë kaluar në përballjen me elementët e natyrës dhe me vendasit; për përpjekjet e tyre për t’u përshtatur me mjedisin shoqëror në atdheun e ri; për ngulimet në tërësinë tyre dhe për ato që u mbijetuan furtunave të kohës; për gjendjen e tyre ekonomike, kulturore, arsimore etj.

    Dua të theksoj se libri im studimor ka karakter të theksuar informues me një vështrim përmbledhës e të përgjithshëm mbi historinë pesëqindvjeçare të arbëreshëve në aspektet e saj kryesore, duke nisur nga aventura tragjike e kalimit të tyre nga Arbëria drejt Italisë e deri në ditët tona, shpërndarja e ngulimeve arbëreshe dhe kostituimi fetar i tyre.

    Në fakt, botimet e studimeve tradicionale të mirëfillta shkencore i drejtohen një lexuesi të kufizuar të fushave përkatëse, si studiues, analistë, kritikë, edhe studentë të fushës me një gjuhë që shpesh është e pakuptueshme dhe jotërheqëse për lexuesin e gjerë. E shoh si tendencë në botimet e këtij fillimshekulli mënyrën e shkrimit për komunikimin me një lexues më të gjerë, pa e ulur nivelin shkencor të veprave që studiuesit ofrojnë. Kjo i ka dhënë më shumë lexues veprave të tyre. Nuk më duket i rastësishëm kthimi i interesit të lexuesve drejt veprave historike të shkruara në mënyrë më divulgative, pa u larguar aspak nga aparati i tyre shkencor dhe pa e ulur nivelin e tyre studimor. Nga autorët historianë më tipikë, shumë të dashur për mua, që kanë shkruar veprat e tyre duke iu drejtuar një lexuesi sa më të gjerë do të përmendja Kristo Frashërin, vepra e të cilit është shumë e qartë, e kuptueshme dhe, pa dyshim shumë e saktë shkencërisht, për të përcjellë te lexuesi atë për të cilën shkruan. Sot do të veçoja me kënaqësi prof. Pëllumb Xhufin, i cili është edhe një personazh publik mjaft interesant e karizmatik për temat që trajton, po ashtu edhe disa të tjerë si prof. Arben Puto, historiani Paskal Milo, prof. Irakli Koçollari, Ilir Ikonomi, studiuesi arbëresh shumë i rëndësishëm Italo Sarro e shumë të tjerë. Nuk është e rastësishme që veprat e tyre, si dhe shumë përkthime të spikatura historike, të cilat botohen e ribotohen vazhdimisht, janë nga veprat më të kërkuara në tregun e librit shqip.

    Këtë kam parasysh dhe jam përpjekur të realizoj në dy veprat e shkruara për arbëreshët, të jem i qartë para lexuesit për sa shkruaj, ta ofroj materialin historik apo informativ ashtu siç do ta doja unë po të isha në rolin e lexuesit. Nuk e di sa e kam arrirë, lexuesi i interesuar do ta thotë.    

    A.D.: Paçka se rigoroziteti metodologjik nuk ju lejon sentimentalizma mbi tematika nacionale, krijohet përshtypja se si rezultat i kërkimeve tuaja, del se më së pari gjuha e më pas besimi katolik i ritit bizantin kanë ndihmuar më së shumti në mbrojtjen e identitetit të arbëreshëve. Kam të drejtë, apo është një perceptim i gabuar?

    F.T.: Pa dyshim që gjuha është elementi më specifik dhe më i dukshëm i identitetit, ndërsa shprehja e besimit veshja shpirtërore e tij, aq më tepër në një vend të krishterë si Italia, ku në thelb besimi është pak a shumë i njëjtë, por i shfaqur dhe i praktikuar në mënyra të ndryshme. Pa dyshim se ushtrimi dhe ruajtja e këtyre dy elementëve thelbësorë të identitetit, bashkë me elementë të tjerë kulturorë, tradicionalë, zakonorë, mënyrën e jetesës etj. ruajtën të pacenuar identitetin arbëresh dhe e trashëguan brez pas brezi, si elementin dallues nga vendasit.

    Kanë qenë edhe disa faktorë të tjerë historiko-shoqërore që kanë ndihmuar në mbrojtjen e identitetit të arbëreshëve, ku nga më të rëndësishmit nënvizojmë vendosjen e tyre në vende të izoluara, larg qendrave të mëdha të banuara, me mungesë të theksuar të infrastrukturës, komunikim të pakët me vendasit, jeta në familje të mëdha patriarkale etj. Në kohën e sotme të zhvillimeve të vrullshme ekonomiko-shoqërore, infrastrukturore dhe politikave të egra globalizuese, emigrimit masiv drejt veriut të Italisë apo vendet e tjera, nevoja për shkollim cilësor të brezit të ri etj. kanë sjellë fenomenin e braktisjes nga vendbanimet arbëreshe, e si rrjedhojë mospërdorimin e gjuhës e bjerrjen e saj, duke rrezikuar humbjen e një prej elementëve themelorë të identitetit arbëror. Kështu që perceptimi juaj është shumë i drejtë, por në kohën e sotme shpërbërja e familjes, emigracioni për shkaqe ekonomike e mbijetese etj., kanë sjellë braktisjen masive të  vendeve ku historikisht jetojnë arbëreshët duke hequr bazën sociale të elementëve që bëjnë të mundur ruajtjen e identitetit.  

    A.D.: Harta në hyrje të librit ku paraqiten ngulmimet arbëreshe tregon diçka tejet interesante: Në krahinat veriore të Italisë kanë mbetur vetëm gjurmë të ngulmimeve, ndërsa në ato të jugut, ngulmimet vijojnë ende dhe sot, duke ruajtur gjithë tiparet e tyre. Pse mendoni të ketë ndodhur kjo?

    F.T.: Diaspora më e madhe arbre në fillimet e saj në shek. XIV-XVI ka qenë ajo në veri të Italisë, kryesisht në Republikën e Venedikut dhe zotërimet e saj përgjatë brigjeve veriore të Adriatikut, duke filluar që nga shek. XIV. Por edhe asimilimi i të ardhurve nga Arbëria u krye më shpejt në këto zona, për shkak se emigracioni ishte kryesisht nga vendet e veriut të Arbërisë, Shkodra, Lezha, Ulqini dhe territoret malore rreth tyre. Ato i përkisnin besimit të krishterë katolik dhe asimilimi i tyre brenda të njëjtit besim fetar ishte një proces që kryhej më natyralisht. Nga ana tjetër, pjesa territoriale e Arbërisë së Mesme, Jugore dhe e Greqisë, ku jetonte një pjesë e madhe e arvanitëve ishte përballë Italisë së Jugut, pjesë e Mbretërisë së Napolit, e cila kishte qenë në marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi me Skënderbeun në të gjallë të tij, por që pas vdekjes së heroit tonë kombëtar gjetën strehë masivisht në krahinat dhe provincat e mbretërisë, si Kapitanata (Molize dhe pjesa veriore e Puljes), Bazilikata, Pulje, Kalabri, Sicili etj. Duhet shënuar këtu edhe interesi i ndërsjellë i ikanakëve për shkak të rrezikut turk që ishte evident dhe interesave të feudalëve dhe klerit katolik në Mbretërinë e Napolit, vendi i të cilëve ishte prej dekadash në krizë demografike për shkak të luftërave, epidemive shfarosëse, tërmeteve shkatërruese etj., duke ulur ndjeshëm forcat prodhuese të afta për punë dhe duke e kthyer territorin në një hapësirë djerrë e pa produktivitet.  

    A.D.: Është folur shumë për rolin e arbëreshëve gjatë Rilindjes Kombëtare. Nga De Rada te Serembe; nga Lorecchio te Tocci në fundin e LIIB, e sa e sa të tjerë luajtën rol të rëndësishëm në përforcimin e idesë kombëtare te shqiptarët. Figura të shquara të lëvizjes kombëtare si: Gurakuqi, Fishta e të tjerë, në të rijtë e tyre, qenë nxënës të arbëreshëve. Pas viteve ’90, përpos prof. Matteo Mandalà-së dhe prof. Francesco Altimari-t që kanë krijuar një shkollë krejt të veçantë filologjike për studimin e letërsisë shqipe e jo vetëm, si dhe pak figurave të tjera në fusha të ndryshme, lidhja mes arbërve në dy anët e Adriatikut ngjan sikur, vende-vende ose është shumë e hollë, ose është shkëputur. Si e shpjegoni këtë dukuri?

    F.T.: Përmbi pesë shekuj, për shkak të pushtimit osman të Arbërisë (më pas Shqipëri) ka pasur një mungesë pothuaj totale të komunikimit të arbërve në të dy brigjet e Adriatikut, dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore gjendja nuk ndryshoi. Në kohën e regjimit monist marrëdhënia ishte më shumë folklorike, ndërsa sot në epokën fatlume të hapjes të vendit tonë me botën marrëdhënia nuk është ajo që pritej, edhe pse komunitetet arbëreshe në Itali janë pjesë e Bashkimit Europian dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat do të ishte me interes të ndërsjellë. Interesimi i politikës dhe i përfaqësuesve të saj në nivelet më të larta shpesh mbetet në kuadrin e qokave populiste, pa prodhuar rezultate konkrete në forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit reciprok. Më rezultative është dukur në fillimet e saj, pas viteve ’90 marrëdhënia e bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën studimore midis akademive të shkencave e instituteve në Shqipëri e Kosovë me katedrat e gjuhës shqipe të disa universiteteve në Itali (Napoli (1901), Palermo (1933), Bari (1934), “La Sapienza” në Romë (1939), Kozenca në Kalabri (1975), Salento në Leçe (1993), Venecia (2001)),  ku ato më aktivet janë, pa dyshim, ajo e Kozencës dhe e Palermos, që drejtohen nga prof. Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà, dy personalitete që janë kthyer në sisteme referimi kur bëhet fjalë për çështjen arbëreshe. Edhe unë jam në një mendje me vërejtjen tuaj të hollë e plot delikatesë për një bashkëpunim më intensiv, i cili vitet e fundit duket më i brishtë, ndoshta për shkak të raporteve më të brishta institucionale kur bëhet fjalë për shkencën dhe punën studimore, por edhe për një rol më aktiv, të drejtpërdrejtë e konkret të strukturave shtetërore në Shqipëri për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të pakicave kombëtare apo gjuhësore kudo që ndodhen. Kjo do të inkurajonte një rol dhe lëvizje më aktive e të organizuar edhe nga komunitetet arbëreshe në Itali.

    A.D.: Duket sikur një punë e tillë i është besuar një stafi të madh njerëzish me detyra të përcaktuara, nga mbledhja e të dhënave, përpunimi i tyre, vendosja sipas metodologjisë së ndjekur, radhitja në rendin e duhur e në fund, përgatitja për shtyp. Ndërkohë ju keni punuar i vetëm… Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur gjatë punës për përgatitjen e kësaj vepre?

    F.T.: Pa dyshim që ka qenë një punë e shtrirë në kohë dhe relativisht e gjatë për mbledhjen e materialeve, kërkimin në biblioteka të literaturës dhe materialeve të tjera të nevojshme, kontakteve me njerëz të të gjitha niveleve, vizitat pothuaj në të gjitha vendbanimet arbëreshe objekt i këtij libri, si dhe shërbimi i fotografimit, të cilin duhej, në pjesën më të madhe, ta realizoja vetë. Por, nga ana tjetër, kjo punë e madhe, që kërkonte edhe shumë kohë, më ka bërë të prek nga afër pothuaj çdo detaj të botës arbëreshe në Itali, në vendbanimet që sot ekzistojnë dhe njihen si tilla edhe zyrtarisht, por edhe në ato që janë asimiluar apo shuar përgjatë këtyre më shumë se pesë shekujve. Një punë e gjatë, por edhe e mundimshme, po të mendosh se shumica e vendbanimeve arbëreshe janë apo ishin të vendosura në vende me terren të vështirë, në zona malore, me infrastrukturë të dëmtuar, larg qendrave të mëdha urbane, dhe me një shtrirje më shumë se 1.000 kilometra, sikur të llogaritim udhëtimet vetëm nga Molize në Sicili, ku ndodhen pjesa më e madhe e tyre, pa llogaritur edhe inkursionet që kam marrë në pjesën veriore të Italisë, nga krahina e Venetos në Piemonte, duke zbritur përsëri në Abruco. Gjithsesi, ky impenjim më ka dhënë një ndjesi kënaqësie të pafund dhe, besoj se jam nga të paktët, në mos i vetmi shqiptar që ka mundur të vizitojë, të shohë e të prekë nga afër të gjitha vendbanimet që janë apo dikur ishin arbëreshe përgjatë më shumë se 5 shekujve. 

    A.D.: Në shënimin e tij për librin, prof. Neritan Ceka shkruan ndër të tjera se përcjellë njëkohësisht ndjesitë dhe shqetësimet e një udhëtari të palodhur të katundeve arbëreshe. E di se është e padrejtë t’jua kërkoj për aq kohë sa ju i keni shkruar në libër gjerë e gjatë për secilin ngulmim, por gjithsesi po e bëj: A mund t’i përmblidhni në disa “kategori” kryesore këto ndjesi dhe shqetësime?

    F.T.: Prof. Neritan Ceka është një njohës i mirë i botës arbëreshe. Përpos studiues dhe njohës profesionist i historisë në tërësi, asaj të lashtësisë në veçanti, ai është nga diplomatët që mbajti lidhje të ngushta me komunitetet arbëreshe dhe është një nga njerëzit më të njohur e më të dashur midis tyre. Ka ndodhur që bashkë të kemi qenë disa herë në festat e takimet me arbëreshët, si dhe në debatet që organizohen shpesh për problemet e identitetit dhe rrezikut të bjerrjes së gjuhës dhe kësaj trashëgimie unike kulturore europiane. Ai e ka shumë të qartë kur flet për ndjesi e shqetësime, ku pa dyshim kryefjala është rreziku i humbjes së gjuhës arbëreshe për shkak të shpopullimit të vendbanimeve arbëreshe.

    Unë, prej gati tri dekadash, jam shpesh i pranishëm mes arbëreshëve për arsyet nga më të ndryshmet, gjithnjë e më tepër si i shtëpisë, si njëri prej tyre dhe nga viti në vit shoh gjithnjë e më pak njerëz që flasin arbërisht midis tyre, shumica të moshuar, të cilët janë rralluar shumë gjatë kësaj periudhe. Brezi i ri, nxënësit e pakët të shkollave me program mësimor italian nuk e flasin shqipen e vjetër, dhe as ka programe apo përpjekje për të mësuar arbërisht apo shqipen e sotme, gjuhën zyrtare të shqiptarëve. Besoj se ka të drejtë prof. Ceka kur vëren ndjesi dhe shqetësime tek unë apo edhe në arbëreshë të tjerë, kur arbërishtja po shuhet ngadalë e në një proces pa kthim, ndërsa përpjekje nuk ka as për të mësuar shqipen, qoftë si gjuhë e dytë, në shkollat italiane ku fëmijët e arbëreshëve mësojnë në gjuhën italiane…

    A.D.: Shtëpia botuese “Toena”, e themeluar nga ju, ka botuar një prej zërave kryesorë të letërsisë arbëreshe, Carmine Abate-n e në të njëjtën kohë, edhe Seremben apo Gavril Darën. Nisur nga ky fakt, si dhe nga njohja e antropologjisë arbëreshe, besoni se letërsia e arbëreshëve sot mund të shihet si një vijim i asaj të fundit të shek. XIX, apo është diçka tjetër, e përfshirë, për shkak të globalizmit, në një hapësirë shumë më të gjerë se ajo e arbëreshëve?

    F.T.: Letërsia arbëreshe që në shek. XVI-XVIII ka rëndësi jo vetëm si etapa e parë e letërsisë shqiptare, por edhe sepse ajo vuri bazat e shkrimit shqip. Që nga “E Mbuame e Krështerë” (1592) e Lekë Matrangës (1592), te “Ghiella e S. Mëriis Virghiër” (1762) e Jul Varibobës, që shënoi kalimin drejt letërsisë artistike, shpërtheu në shek. XIX një plejadë e ndritur intelektualësh e krijuesish arbëreshë, si: Gjergj Guxeta, Pal Maria Parino e Nikollë Keta, më pas Xhuzepe Krispi, i madhi De Rada, Gavril Dara, Françesko Krispi, Kamarda, Dorsa, Lorekio, Zef Skiroi etj. Me veprat e tyre jo vetëm letrare, por edhe studimore gjuhësore, historike e politike, e ngjallën dhe i dhanë shtysë çështjes shqiptare duke ndihmuar në njohjen dhe sensibilizimin e saj botërisht. Midis tyre figura madhore e Jeronim de Radës, i cili qëllimin dhe idealin e përbashkët për fatin e atdheut të përbashkët, e bënë letërsinë shqiptare dhe atë arbëreshe një të vetme, letërsi të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pas rënies së prodhimtarisë letrare në gjysmën e parë të shek. XX, për shkak të depërtimit të frymës represive të regjimit fashist, pas Luftës II Botërore do të vihet re një ringritje si rrjedhojë e përpjekjeve të shumë intelektualëve dhe krijuesve për të shpërfaqur identitetin shqiptar nëpërmjet veprave të tyre studimore për gjuhën, historinë, kulturën, trashëgiminë folklorike shpirtërore e materiale, mbështetur e përhapur kjo edhe nëpërmjet një numri të konsiderueshëm gazetash, revistash e organeve të tjera kulturore, letrare,  shkencore e politike. Françesko Solano (Dushko Vetmo), Domeniko Belici (Vorea Ujko), Karmel Kandreva, Luka Perone, Xhuzepe Skiro’ di Maxho do të ishin përfaqësuesit më të njohur të letërsisë së kësaj periudhe.

    Në kohën e sotme veprimtaria studimore dhe veprimtaritë kulturore tradicionale janë më të përhapura se krijimtaria letrare, ndoshta edhe për shkak të numrit të kufizuar të lexuesve në arbërishte. Fati i leximit në çdo kohë është i lidhur me lexuesin, dhe ky element po i mungon gjithmonë e më shumë arbëreshëve, shqiptarëve të Italisë, edhe pse një prej shkrimtarëve më të shquar të letërsisë italiane, Karmine Abate, është arbëresh nga Karfici i Katanxaros në Kalabri. Karmine Abate, vërtet për t’u çmuar, ka vlerën që shkruan vepra me subjekte nga historia dhe jeta e arbëreshëve të Italisë, duke i bërë jehonë historisë dhe kulturës të këtij komuniteti shqiptar. Por Karmine Abate, veprat e të cilit ne i kemi përkthyer nga gjuha italiane dhe botuar në gjuhën shqipe, shkruan në italisht dhe për lexuesin italian e më gjerë, në saje të përkthimit të veprave të tij. Kjo do të thotë se edhe  arbëreshët e lexojnë veprën e tij në gjuhën italiane, siç e lexojmë edhe ne në gjuhën shqipe. Dëshira për ta shkruar veprën e tij apo vepra të tjera në gjuhën arbëreshe praktikisht është një mision i pamundur, pasi arbërishtja, siç dihet, është një gjuhë e folur, me leksik të kufizuar, e fragmentizuar në dialekte të ndryshme sipas vendeve të origjinës nga erdhën dhe territoreve ku janë vendosur. Ajo nuk mësohet sot në sistemin shkollor të shtetit italian, as si gjuhë e dytë, nuk ka politika për përgatitjen e mësimdhënësve për arbërishten dhe, përpjekjet e shoqatave të ndryshme për të sensibilizuar dhe organizuar kurse për mësimin e arbërishtes nuk po gjejnë mbështetjen e duhur institucionale.   

    A.D.: Para shumë vitesh, kur rropatesha të mësoja italishten, një zotëri më dhuroi një nga metodat më të mira për t’i dalë në ballë kësaj sfide: “Gjuha italiane pa mësues”, përgatitur nga ju. Kohë më vonë, u gjenda përballë dikujt që donte po ashtu të mësonte italishten dhe i sugjerova të njëjtin libër, duke marrë në kthim mirënjohjen e tij pasi ia kishte dalë me sukses… Prandaj, ndonëse ky duhet të jetë libri juaj i parë nëse nuk gaboj, s’rri dot pa ju pyetur: Jetëgjatësia kaq e madhe e librit dhe suksesi i tij mes lexuesve, ende edhe sot kur për mësimin e gjuhëve të huaja përdoren metoda virtuale, si ndiheni?

    F.T.: Ai libër, që i ka kaluar gjysmë milioni kopje të shitura gjatë më shumë se tri dekadave, ka historinë dhe rëndësinë e vet në jetën time. U ngjiz dhe lindi si një përmbledhje e leksioneve të studentëve të Akademisë Ushtarake në Tiranë, ku jepja mësim si pedagog i jashtëm para viteve ’90, në fillim si dispensë, shtypur me shaptilograf, më pas i sistemuar në një libër për mësimin e italishtes pa mësues, me shpjegime në gjuhën shqipe. Kujtoj se mësimi i gjuhëve të huaja para rënies së sistemit monist në vitet ’90, veç asaj që ishte e programuar dhe e kontrolluar në shkolla, ishte i ndaluar. Më vjen mirë që ky libër, që kërkohej masivisht nga shqiptarët, si një dritare për të kontaktuar me botën, ndihmoi shumë, jo vetëm që ata që kërkonin një dritare informative e kulture nëpërmjet italishtes, por edhe si mjet komunikimi për mijërat e emigrantëve që kalonin detin me të gjitha mjetet e mënyrat e mundshme, dhe ku midis atyre pak plaçkave e pak të hollave që kishin me vete mbanin edhe librin tim si një gjë të çmuar. Edhe sot që flasim, kur kanë dalë në qarkullim me dhjetëra metoda virtuale e audiovizive, libri vijon të ribotohet periodikisht, pothuaj pa ndryshime nga botimet e para sepse, veç konceptimit të thjeshtë e praktik, ai është i pajisur me shpjegime në gjuhën shqipe në çdo element të gramatikës apo leksikut të saj.

    A.D.: Në mbyllje, është një shprehje shumë e bukur që si rrallë ndonjë tjetër, përfshin thelbin e supersticionit e në të njëjtën kohë, të shpresës te shqiptarët: Nuk ka dy pa tre. Tani që janë botuar dy libra për arbëreshët, a jeni duke punuar, ose a do të punoni edhe me një të tretë?

    F.T.: Gjatë pothuaj tri dekadave vajtje-ardhjesh e kontaktesh të çdolloji me botën arbëreshe, kudo në të gjithë Italinë, kam grumbulluar një material shumë të gjerë e të pasur dokumentar e informativ nga të gjitha aspektet e jetës në vendbanimet arbëreshe, ku gjuha, kultura, mënyra e jetesës, riti lindor bizantin, objektet dhe simbolet e kultit etj. dhe fotot e tyre ilustruese janë më kryesoret. Kjo më ka bërë të mendoj për botime të tjera mbi arbëreshët, me qëllim njohjen sa më mirë të historisë dhe kulturës së tyre, siç do të jetë një album i madh fotografik mbi trashëgiminë historike dhe kulturore arbëreshe në Itali, si dhe një libër studimor i indeksuar për mbi 560 vendbanimet shqiptare në Itali në shek. XIV-XIX, pjesa më e madhe e të cilave sot nuk ekzistojnë, por, duke lënë, gjithsesi, gjurmë të dukshme dhe të dokumentuara në historinë dhe kulturën e vendeve ku jetuan e punuan.

    Gjithashtu, përgatitja e një botimi Guidë Turistike për vendbanimet arbëreshe, me informacionet dhe ilustrimet e nevojshme sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore mund të jetë në planet e mia jo fort të largëta. Besoj se do të ishte një botim informativ që do të ndihmonte në njohjen dhe nxitjen e vizitave turistike në botën arbëreshe në Itali. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË