More
    KreuOpinionPetr Drulák: Pse Kundera nuk u kthye kurrë në atdhe

    Petr Drulák: Pse Kundera nuk u kthye kurrë në atdhe

    Përktheu: Granit Zela

    Vizitat e mia te Milan Kundera dhe gruaja e tij, Vera, u bënë të rregullta në vitin 2019, kur isha në vitin e tretë të misionit tim si ambasador çek në Francë. Ajo që filloi si telefonata të sjellshme dhe admiruese nga një diplomat për autorin më të madh të vendit të tij u zhvillua në miqësi. Por kjo mbrëmje e fund nëntori ishte e veçantë dhe unë isha po aq nervoz sa kisha qenë gjatë telefonatës time të parë para dy vitesh. U ulëm në apartamentin e tyre parizian duke biseduar, si zakonisht, për gjëra të ndryshme. Kur mendova se kishte ardhur çasti i duhur, u ngrita në këmbë dhe thashë: “Milan, e di që nuk të pëlqejnë ceremonitë, por më lër të them disa fjalë”.

    Pas një fjalimi të shkurtër, i dorëzova një dokument ku thuhej se Milan Kundera kishte marrë nënshtetësinë çeke. Me një buzëqeshje të butë, pak të druajtur, Kundera pohoi me kokë, duke marrë dokumentin dhe duke nënshkruar një kopje për autoritetet çeke. Në mënyrë simbolike, Kundera u kthye në atdhe atë mbrëmje, 40 vjet pasi iu hoq shtetësia dhe 30 vjet pasi Revolucioni i Kadifenjtë solli në pushtet kolegët e tij intelektualë disidentë, veçanërisht ish-mikun e tij Václav Havel, i cili shërbeu si president nga vitin 1989 deri në vitin 2003.

    Pse u desh kaq shumë? A nuk kishte dashur Kundera të kthehej në atdhe? Apo çekët e kishin parapëlqyer në ekzil? Pas vitit 1989, Kunderat menduan të ndanin kohën e tyre mes Parisit, Pragës dhe Brno-s, ku kishte lindur Milani. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Disa udhëtime incognito në Çeki, vizita të herëpashershme të miqve çekë në Paris ose në rezidencën e tij verore në Touquet, telefonata të shpeshta – por kaq ishte e gjitha. Nuk pati kthim. Pse?

    Romanet e Kunderës mund të na japin disa arsye të tërthorta. Kritikët e tij mëtuan të kenë zbuluar në to ndjenja anti-çeke. Para së gjithash, në romanet e veta ai jo vetëm që përqeshte zyrtarët komunistë, por mbante një distancë kritike nga disidentët. Për shembull, kur Tomáš-i, mjeku protagonist i “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, refuzon të nënshkruajë një peticion në mbështetje të të burgosurve politikë, lexuesi nuk mund të mos mbajë anën e tij. Për më tepër, Kundera thuhej se ngurronte të autorizonte përkthimet çeke të librave që kishte shkruar në frëngjisht. Por kurrë nuk foli publikisht për marrëdhëniet me vendin e vet. Në fakt, nuk ka folur fare në publik.

    Ishte Vera ajo që pak javë para kthimit të shtetësisë e theu këtë heshtje të gjatë me një intervistë të sinqertë. Ajo shprehu malli për atdheun e humbur, por edhe pse nuk mund të ktheheshin. Shumë lexues çekë u habitën kur mësuan se për dekada, Kundera ishte përballur me armiqësië e disidentëve në Pragë dhe nga të mërguarit e tjerë antikomunistë. Miqtë e Havelit ishin veçanërisht aktivë në këto sulme kundër Kunderës; vetë përfshirja e Havelit ishte e paqartë.

    Kundera dhe Haveli u takuan për herë të parë në fund të viteve 1950. Kundera, një shkrimtar i ri premtues, jepte mësim në Akademinë prestigjioze të Filmit në Pragë. Haveli, shtatë vjet më i ri, i kërkoi ta këshillonte, pasi donte të hynte në akademi. Kundera u përpoq të ndihmonte Havelin, duke vepruar, sipas fjalëve të Havelit, si “agjenti” i tij. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, akademia e refuzoi Havelin, si ndëshkim për “origjinën borgjeze” – një emërtim i përdorur kundër kujtdo, prindërit e të cilit nuk ishin punëtorë apo fshatarë. Në të vërtetë, përpara komunizmit, Havelët kishin qenë ndër familjet më të pasura dhe më me ndikim në Pragë.

    Takimi i parë i Kunderës dhe Havelit vendosi modelin e marrëdhënies së tyre me ulje dhe ngritje përgjatë viteve 1960. Kundera ishte pjesë e establishmentit kulturor, merrte çmime dhe admirimin e lexuesve dhe ngjallte interesin e botuesve të huaj. Nga pikëpamja politike, ai ishte një rebel që kritikohej rregullisht nga zyrtarët dogmatik dhe librat e tij duhej të prisnin vite për autorizimin zyrtar. Ndërsa braktisi idealizmin marksist të poezisë së tij të hershme, Kundera ende besonte në disa versione të socializmit. Haveli, në të kundërt, ishte një i huaj ambicioz. Ai përfitoi nga kapitali kulturor i familjes së tij, i cili i dha emër dhe i siguroi kontakte me poetë dhe intelektualë të rëndësishëm. Por Havelët trajtoheshin si armiq të klasës nga regjimi dhe rruga e tij profesionale nuk ishte e lehtë. Haveli fillimisht iu bashkua botës së teatrit si punëtor teknik i skenës. Vetëm pas liberalizimit politik të vendit u bë i njohur si dramaturg. Politika e tij ishte e përmbajtur: nuk ishte antikomunist i vendosur dhe as socialist (përveç një revolte të shkurtër kundër nënës së tij).

    Disa intelektualë me bona fides të mirëfilltë, përfshirë Kunderën, u përpoqën të ndihmonin Havelin në rrugën e tij të vështirë. Por duke pasur parasysh ambiciet e mëdha dhe etjen për njohje, Haveli duhet të ketë ndjerë një farë zilie ndaj tyre. Ata kishin mundësi më të mëdha në media, në pozicione me ndikim në aparatin shtetëror kulturor dhe te botuesit. Megjithatë, Haveli arriti njëfarë suksesi pavarësisht pengesave me të cilat u përball. Drama e tij e vitit 1963, “Festë në kopsht”, u vu në skenë jo vetëm në Pragë, por edhe në Gjermani – një arritje e konsiderueshme për një autor të ri çek në atë kohë. Por vështirë se mund të krahasohej me suksesin e Kunderës, veprat e të cilit u lexuan dhe përkthyen shumë. “Shakaja” (1967) u kthye shpejt në një tekst kult; dhe deri në vitin 1969, ishin realizuar tre filma të mbështetur në librat e tij. Kur Carlos Fuentes, Gabriel García Marquez dhe Julio Cortázar vizituan Pragën në vjeshtën e vitit 1968, ishte Kundera ai që kërkuan të takonin.

    Ndoshta kjo pakënaqësi shpjegon agresivitetin me të cilën Haveli reagoi ndaj esesë së Kunderës “Fati çek”, botuar në dhjetor 1968, muaj pasi pushtimi sovjetik mbylli përpjekjet për reformat demokratike të atij viti. Pa dyshim, Kundera ishte jashtëzakonisht lirik, kur fliste  për “një mision të madh të kombeve të vogla” duke pretenduar se viti 1968 “i zhvendosi çekët dhe sllovakët në qendër të historisë botërore” në një mënyrë të tillë që kombi “kishte parë madhështinë e tij”. Ai e kremtoi Pranverën e Pragës duke e quajtur një kontribut unik në politikën botërore, duke mëtuar se kërkimi çek për një sistem politik që respektonte lirinë dhe drejtësinë sociale ishte me rëndësi universale dhe mund të jepte mësime të dobishme për Perëndimin. Ai kishte shpresë për jetësimin e reformave demokratike, madje edhe nën pushtimin sovjetik.

    Haveli, i cili nuk u besoi kurrë reformatorëve komunistë, reagoi me një shkrim demaskues sarkastik, duke përbuzur “iluzionet patriotike vetë-admiruese, nostalgjike” të Kunderës dhe duke e akuzuar atë për “mesianizëm qesharak provincial”. Ai argumentoi se reformatorët e Pragës thjesht ishin përpjekur të korrigjonin krimet e tyre të mëparshme dhe se modeli perëndimor i demokracisë liberale ishte në gjendje të pajtonte lirinë dhe drejtësinë sociale më vete, pa pasur nevojë për mësime nga komunistët. Për më tepër, Haveli hodhi poshtë çdo shpresë për vazhdimin e reformave demokratike, duke bërë thirrje për rezistencë paqësore kundër pushtimit. Kundera u përgjigj në të njëjtën mënyrë personale. Ai akuzoi Havelin për ekzibicionizëm moral, duke argumentuar se radikaliteti i propozimeve të tij mund të kënaqte nevojën e tij të kotë për udhëheqje morale, por pasojat e tyre praktike do të ishin inekzistente ose të dëmshme.

    Polemika e tyre pasqyroi vijën e fajit midis intelektualëve demokrato-socialistë dhe liberal: Kundera argumentoi për një model të ri të shoqërisë që do të ishte i lirë dhe i drejtë, duke shmangur veset e kapitalizmit perëndimor dhe autoritarizmit të Europës Lindore; Haveli mbrojti kapitalizmin perëndimor si modelin e vetëm të dëshirueshëm, që kishte nevojë për rregullim, por jo rishikim të madh. Këto dallime nuk kishin rëndësi për udhëheqësit neo-stalinistë që rifituan kontrollin pas revoltës së 1968-ës; regjimi i dënoi të dy autorët si antisocialistë dhe ua ndaloi veprën.

    Por psikologjia e marrëdhënies së dy shkrimtarëve u formësua nga rivaliteti i tyre profesional. Ndonëse të dy ishin të etur për njohje letrare ndërkombëtare, vetëm Kundera ngadhënjeu. Haveli u njoh si luftëtar i lirisë dhe udhëheqës politik, por nuk ka hyrë kurrë në kanonin e letërsisë botërore. Megjithatë, ai ruajti ambiciet letrare dhe identitetin e tij si shkrimtar. Pasi u largua nga zyra e presidentit, Haveli shkroi një dramë të titulluar “Largimi” (që ishte mediokër) dhe drejtoi një film të mbështetur në këtë dramë (i cili ishte një dështim).

    E gjithë kjo mund të shpjegojë qasjen e dyfishtë të Havelit ndaj të Kunderës. Pas polemikës së vitit 1969, ai nuk u angazhua në asnjë sulm personal ndaj Kunderës, por nuk bëri asgjë për të shkurajuar sulme të tilla nga miqtë dhe admiruesit e tij. I fundit dhe më i egri prej tyre erdhi në vitin 2008, kur e përjavshmja çeke Respekt botoi një artikull ku Kundera akuzohej se kur ai ishte student në vitet 1950, kishte informuar policinë për një agjent perëndimor. Artikulli nuk nxori asnjë provë përveç thashethemeve dhe një protokolli policie ku përmendej se Kundera ishte burimi i informacionit.

    Edhe pse kishte arsye për dyshime, çështja kundër Kunderës ishte mjaft e dobët. As nënshkrimi dhe as numri i identifikimit të Kunderës nuk figuronin në protokollin e policisë, gjë që asokohe ishte një procedurë standarde. Përveç kësaj, agjenti u arrestua në dhomën e ish-të dashurës së tij studente. Ishte ajo që kishte treguar për ardhjen e tij në Pragë me të dashurin e saj të atëhershëm dhe më vonë bashkëshortin, i cili dyshohet se ia kaloi këtë informacion Kunderës. Megjithatë, as vajza dhe as i dashuri i saj nuk u ndëshkuan për kontakt me agjentin, gjë që nuk pritej në atë periudhë terrori. Kundera mohoi çdo përfshirje dhe nuk doli asnjë provë e mëtejshme, por kjo histori ia njollosi emrin, ia dëmtoi shëndetin e tij dhe të bashkëshortes dhe përjashtoi përfundimisht vizitat e tyre në Çeki.

    Respekt botohej asokohe, sikurse edhe sot, nga manjati mediatik miliarder Zdeněk Bakala, i cili është miku i Havelit dhe sponsori kryesor i Bibliotekës Václav Havel. Si kryetar i bordit të Respekt, Havel u lajmërua për artikullin përpara botimit dhe ai shprehu dakordësinë e tij. Një javë më vonë, pasi dëmi ishte bërë, ai bëri një deklaratë ku mbështeste me gjysmë zemre Kunderën: “Mos u dëshpëro, Milan, ka gjëra më të këqija në jetë se shtypi i keq”. Ai filozofoi për grackat e gjykimit të ngjarjeve të largëta historike, ndërsa i kërkoi Kunderës të mos mërzitej nga furia mediatike që do të pasonte, e cila në mënyrë të pashmangshme do të dëmtonte reputacionin e tij.

    Në Europën Qendrore, intelektualëve tradicionalisht u është caktuar një mision i veçantë. Ndryshe nga homologët e tyre perëndimorë, ata luajtën rol vendimtar në ndërtimin e kombit në shekullin e 19-të dhe pritej të kontribuonin në betejat politike të kombeve të tyre në kohët e vështira të shekullit të 20-të. Historia çeke është e pasur me shembuj të tillë: historiani František Palacký ishte një udhëheqës politik kyç në shekullin e 19-të, sociologu Tomáš G. Masaryk u bë presidenti themelues i Çekosllovakisë, shkrimtari Karel Čapek mbrojti demokracinë çekosllovake përpara Luftës së Dytë Botërore dhe filozofi Jan Jan Patočka shmangu politikën gjatë gjithë jetës së e tij, vetëm për t’u bërë teoricien, zëdhënës dhe martir i Kartës 77.

    Por ka edhe shumë shembuj të intelektualëve që u akuzuan për neglizhencë të misionit të tyre duke i dhënë përparësi artit mbi politikën ose duke dështuar të pasqyrojnë kombin në veprat e tyre: këtu përfshihet poeti më i madh çek i shekullit të 19-të, Karel Hynek Mácha, poezitë e të cilit kishin të bënin me dashurinë dhe vdekjen, dhe jo me virtytet çeke dhe Antonín Dvořák, muzika e të cilit u konsiderua shumë kozmopolite.

    Havel, dramaturgu i kthyer në president, i përmbushi qartë pritshmëritë kombëtare, duke iu bashkuar traditës së Masaryk-ut dhe Patočka-s, por të shumtë ishin ata që e qortuan Kunderën që nuk i përmbushi këto pritshmëri. Ai jo vetëm që u largua nga vendi në vitin 1975, gjë që disa e panë si dezertim nga lufta kundër tiranisë, por edhe shprehu vazhdimisht skepticizëm për aktivitetet disidente të ish miqve të tij dhe u tha se ishte tërhequr nga çdo aktivitet politik për t’ia kushtuar jetën plotësisht letërsisë. Kundera e bëri të qartë se nuk do të shkruante letërsi të angazhuar politikisht, për të cilën kishte një opinion shumë të ulët dhe kritikët e tij nuk besonin se librat e Kunderës, plot ironi, intriga qesharake dhe marrëdhënie dashurie, përbënin ndonjë sfidë të vërtetë për regjimin. 

    Kjo mund të shpjegojë pse botimi i “Lehtësia e papërballueshme e qenies” pati një pritje entuziaste pothuajse kudo, por jo në qarqet opozitare çeke. Ashtu si Dvořák, Kundera shihej si kozmopolit (ky kishte qenë tashmë një nga qortimet e Havelit në vitin 1969); si ato të Mácha-s, temat e Kundera-s nuk ishin sa duhe hapur politike.

    Këto qortime ishin të padrejta. Në vend që të braktiste politikën dhe të harronte atdheun dhe miqtë e tij, siç mëtonin detraktorët e tij, Kundera punoi me një koncept tjetër për politikën. Sigurisht, nuk pranoi të firmoste asnjë nga peticionet dhe deklaratat e shumta të Havelit, ndoshta ende duke dyshuar për ekzibicionimin e tij moral. Por ai ndërmori edhe veprime praktike që i shihte si të dobishme: botoi një artikull në mbrojtje të një zëdhënësi të burgosur të Kartës 77 në Libération; ofroi i ndihmë financiare të pabujë për miqtë në nevojë në atdhe; dhe mbrojti nocionin e Europës Qendrore në një ese të lexuar gjerësisht të vitit 1984.

    Autoritetet çeke i hoqën Kunderës nënshtetësinë pas botimit në vitin 1978 të “Libri i të qeshurës dhe harresës”, i cili tallte udhëheqësin e lartë të partisë. Pavarësisht censurës zyrtare, disidentët kryesorë të vendit nuk e shihnin librin si të denjë për shumë vëmendje. Ata prisnin një vepër që shprehej më hapur dhe më të angazhuar politikisht, sesa ajo që ata e shihnin si një seri aventurash erotike. Në këtë aspekt, opozita antikomuniste çeke ishte në të njëjtën linjë me neokonservatorët amerikan: Redaktori i komenteve Norman Podhoretz shprehu zhgënjimin e tij të përmbajtur për librin në një letër të hapur drejtuar Kunderës.

    Gjatë Luftës së Ftohtë, disidentët çekë dhe ata në ekzil nuk mund t’i shpëtonin lojës gjeopolitike të dy superfuqive dhe disa arritën të luanin një rol të rëndësishëm. Pavel Tigrid ishte shembulli i duhur. Ai u largua nga Çekosllovakia pas grushtit të shtetit komunist në vitin 1948. Duke filluar nga fundi i viteve 1950, jetoi në Paris si qytetar amerikan. Me financim nga qeveria amerikane, më konkretisht nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), financoi dhe redaktoi të përmuajshmen Svědectví (Dëshmia), revista më e rëndësishme antikomuniste çeke në qarkullim. Nga Parisi, ai organizoi një rrjet të frikshëm të mbledhjes së informacionit  dhe rekrutimit.

    Qysh në mesin e viteve 1960, Tigridi u interesua për Havelin, familja, pikëpamjet antikomuniste dhe talenti letrar i të cilit duhet t’i jenë dukur premtuese. Përfundimisht, ata u takuan në Paris në vitin 1968. Ishte fillimi i një bashkëpunimi dhe miqësie të përjetshme. Tigridi u bë promovues i qëndrueshëm i Havelit si në Çekosllovaki ashtu edhe në Perëndim. Sipas Jaroslav Vrzala-s, bashkëpunëtor i vjetër i Tigridit dhe botuesi i Svědectví, karriera politike e Havelit ishte produkt i përpjekjeve të mentorit të tij, të sponsorizuara nga SHBA. Këto përpjekje dhanë rezultat në vitin 1989. Përpara Revolucionit të Kadifenjtë, Tigridi filloi të pretendonte që Haveli të bëhej presidenti çekosllovak dhe porositi postera Havel për president. Më pas ai u transferua në Pragë për të shërbyer si këshilltar kryesor i presidentit të ri, dhe më vonë si ministër i tij i kulturës.

    Si e shikonte Tigridi Kunderën? Luftëtari i ftohtë i linjës së ashpër ka të ngjarë ta konsideronte intelektualin me mendje të pavarur, i cili nuk kishte nevojë për rrjetin e tij ose nuk pajtohej me ndarjen ideologjike të Luftës së Ftohtë, deri diku si të dyshimtë. Tigridi me gjasë nuk donte që Kundera të shihej si një zëdhënës i opozitës çeke, duke lënë në hije Havelin më të besueshëm politikisht. Ai u takua me Kunderën menjëherë pasi mbërriti në Paris në vitin 1975 dhe i ofroi këshillë miqësore për t’u larguar nga politika. Kundera e zbatoi me kënaqësi, duke mos pasur asnjë ambicie politike.

    Tigridi, një operativ me përvojë i shërbimeve inteligjente dhe grumbullues i informacionit që qarkullonte midis opozitës antikomuniste çeke brenda dhe jashtë vendit, u kujdes shumë që imazhet e Havelit dhe Kunderës të qëndronin në përputhje me planet e tij politike. Prandaj, mund të imagjinohet se sa i shqetësuar ishte ai në vitin 1984, kur Kundera u katapultua në superyllin letrar global me suksesin e “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, që e bëri atë një kandidat për çmimin Nobel në Letërsi. Tigridi nuk ishte i vetmi që shqetësohej. Shumë disidentë të Pragës nuk e pëlqyen idenë. Sipas mendimit të tyre, një Nobel për Kunderën do të ishte një mospërfillje për Havelin dhe kështu një pengesë për kauzën e tyre.

    Pikërisht në këtë sfond disidentët çekë i dërguan një peticion komisionit të Nobelit në mbështetje të Jaroslav Seifert-it, poetit të madh lirik, atëherë në të 80-at, i cili ishte praktikisht i panjohur jashtë Çekosllovakisë, por që ishte ndër nënshkruesit e parë të Kartës 77. Disa nga ata që vendosën emrat e tyre në peticion më vonë u penduan, pasi nuk ishin në dijeni kur firmosën se arsyeja kryesore e tij ishte të devijonte çmimin nga Kundera. Peticioni ia arriti qëllimit. Dhënia befasuese e çmimit Nobel në vitin 1984 për Jaroslav Seifert-in ishte një fyerje për komunistët çekë, por edhe një triumf për projektin politik të Václav Havel-it.

    Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, Haveli dhe aleatët e tij u ndjenë të shfajësuar nga ngjarjet: ndryshe nga shpresat e mëparshme të Kunderës, perëndimi fitimtar nuk ishte i interesuar të diskutonte rrugët e treta midis socializmit dhe kapitalizmit, në vend të kësaj vendosi të impononte kapitalizmin liberal në të gjithë Europën Qendrore. Gjatë gjithë viteve 1990, dukej sikur Haveli e kishte kuptuar mirë në polemikën e tij kundër Kunderës më shumë se 20 vjet më parë. Një Uashington i guximshëm e vlerësoi shumë këndvështrimin pro-perëndimor të Havelit, pasi i përshtatej lehtësisht ndërhyrjeve të administratave të Klintonit dhe Bushit, nga zgjerimi i NATO-s deri te Lufta e Irakut. Nga ana tjetër, ish-disidentët e udhëhequr nga Haveli u nxorën dalëngadalë në prapaskenë nga pragmatistët ekonomik që ndërtuan kapitalizmin çek, të udhëhequr nga Václav Klaus.

    Në këtë panoramë të re, Kundera ende nuk përshtatej: as moralistët e Havelit dhe as pragmatistët e Klausit nuk donin ta ftonin përsëri. Megjithatë, miqtë e përbashkët u përpoqën të pajtonin Kunderën dhe Havelin në fillim të viteve 1990. Ata patën një darkë kortezie, por të vakët në Paris. Kunderës iu dha “Nderi Shtetëror” nga Haveli, por Kundera dërgoi Verën për ta marrë ndërsa ai qëndronte në një hotel aty pranë. Artikulli në Respekt ishte goditja përfundimtare ndaj përpjekjeve për pajtim.

    Më shumë se një dekadë më vonë, gjendja shpirtërore është e ndryshme në Çeki. Ka ende njerëz që besojnë se trashëgimia e Václav Havel-it duhet të mbrohet me çdo kusht, jo kundër Klaus-it, por kundër populizmit të lidhur me ish-presidentin Miloš Zeman, dhe me liderin e opozitës dhe ish-kryeministrin Andrej Babiš. Nga ana tjetër, pas pasojave katastrofike të ndërhyrjeve të SHBA-së jashtë vendit dhe korrupsionit dhe dështimeve të kapitalizmit çek, besimi se Haveli e kishte kuptuar mirë është më pak i përhapur se sa ishte në vitet 1990. Për më tepër, lexuesit çek tani e gjykojnë Kunderën për meritat letrare dhe jo nisur nga kërkesat e politikës disidente, dhe atyre u pëlqen ajo që lexojnë. Librat e tij mbeten më të shiturit.

    Dallimi kryesor midis Kunderës dhe Havelit është qasja ndaj humorit, një vlerë e rëndësishme çeke. Dramat e Havelit janë shpesh argëtuese pasi ekspozojnë absurditetin e botës burokratike, teknokratike dhe totalitare. Por esetë e tij janë fatalisht serioze, sepse Haveli besonte se ka një rrugëdalje nga i gjithë ky absurd: gjurmimi i së vërtetës dhe demokracia perëndimore. Ishte ky qëndrim që e bëri atë një aleat natyral të neokonservatorëve amerikanë.

    E qeshura e Kunderës, krejt ndryshe, përshkoi të gjitha romanet dhe esetë e tij, duke u shfaqur gjithmonë në prani të tragjikes. E qeshura dhe tragjedia, për të, çuan përsëri në paqartësinë e pashmangshme të një bote që nuk mund të shëlbohet nga asnjë e vërtetë apo regjim politik. Por Kundera nuk iu nënshtrua nihilizmit, duke gjetur shpresë në traditat kulturore të Europës Perëndimore dhe Qendrore në veçanti, në muzikë, në artin e romanit, te hapja dhe te kthesat e papritura të historisë. E gjithë kjo e la atë të hapur ndaj ideve kundërthënëse për sa kohë që ato nuk ngurtësoheshin në dogma me të cilat nuk mund të qeshje.

    Mund të përfitohet shumë nga rileximi i veprës së Kunderës, pra, më shumë sesa vetëm kënaqësinë e të lexuarit të një proze të shkëlqyer. Siguritë e bipolaritetit të vjetër SHBA-Bashkim Sovjetik janë tani larg në të kaluarën, epoka e unipolaritetit amerikan po zbehet dhe Europa Lindore është përsëri një fushë beteje gjeopolitike. Në këto kushte, ne duhet të gjejmë mënyra për të menduar përsëri për botën, duke shmangur gjatë gjithë kohës kurthin e absolutëve politikë – qoftë socializmi apo kapitalizmi, pragmatizmi ekonomik apo populizmi kombëtar – dhe duke përdorur fuqinë e ironisë kundër atyre që mëtojnë se kanë gjetur të vërtetën përfundimtare. Me pak fjalë, ne kemi nevojë ta rilexojmë Milan Kunderën.

    Petr Drulák, ish-zëvendës ministër i Jashtëm i Republikës Çeke dhe ambasador në Francë, është profesor i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bohemisë Perëndimore.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË