More
    KreuIntervistaSandra Cisneros mbi aktin personal të shkrimit të poezisë: “E mendoj shkrimin...

    Sandra Cisneros mbi aktin personal të shkrimit të poezisë: “E mendoj shkrimin e poezisë një akt kryengritës”

    Përzgjodhi dhe përktheu: Andja Krasniqi

    Qysh nga fillimi i vitit, jetoj në një trazirë të madhe mendore, e egër si një krevat i pashtruar. Nuk jam e sigurt nëse jam unë ajo që pasqyrohet në çka më rrethon, apo nëse është ajo që më rrethon arsyeja se përse ndihem e çorientuar. Një pjesë e këtij kaosi janë edhe librat e shkresat që përkulen në mënyrë ogurzezë kudo që hedh sytë, duke mu lutur të gjej kohë për to. Në fakt, janë më keq se punët e shtëpisë. Ato janë detyra të shtëpisë. Të paktën, unë mund t’i shmang punët; mund të punësoj dikë që t’i bëjë ato për mua. Por nuk gjendet askush që mund të më ndihmojë të zbraz valixhet në trurin tim.

    Këtë përkujdesje të vetes e quaj poezi. Nëse e shmang për më shumë se sa duhet, filloj të ndjej një luzmë gjallesash brenda meje. Lajmëro shfarosësin e tyre!

    Oh – por qenkam unë ai shfarosës. Ajo grackë minjsh është në të vërtetë lapsi im.

    E mendoj poezinë si një dialog me veten, një bashkëbisedim personal, madje më shumë se sa një ditar. Jam vazhdimisht në dialog me veten, dhe kështu ka qenë për mua që në fëmijëri. Kjo vjen nga kalimi i një kohe të caktuar vetëm, si dhe nga kënaqësia që më sillnin ato çaste. Ndonjëherë, kur përjetoj miqësi të veçanta, ndihem në faj, sikur vetëm po i shfrytëzoj si dëgjues të monologëve të pafundmë që zhvillohen në mendjen time. A ndihen të gjithë njerëzit kështu si unë? Nuk e di. Unë njoh vetëm veten dhe mënyrën se si mund të kuptohet përvoja kur e përkthej atë në fjalë.

    Unë shkruaj çfarë mendoj, por nga ta di se çfarë mendoj derisa ta shkruaj? Nuk mendoj në mënyrë abstrakte. Idetë më paraqiten si emocione të zbehta, të turbullta, sikur gjithçka që shkruaj më përcillet nga zemra, një muskul i fortë si një piton, por i brishtë si një byrek me shtresë limoni. Ndodh vetëm duke vrapuar pas poezisë (ajo e kërkon një farë përndjekjeje) që unë të përfundoj e kapur pas diçkaje, egërsisht në lëvizje, e cila më fshin nga toka dhe më çon gjithnjë e më lart.

    Çdo ditë, poezia më thërret në të njëjtën mënyrë që minaret lëshojnë ezanin e tyre të mëndafshtë. Besoj se do të mund të shkruaja disa poezi çdo ditë vetëm nëse do t’i përgjigjesha kësaj thirrjeje. Megjithatë, shpesh shpërqendrohem nga një takim që s’mund ta anuloj, ose nga një email tekanjoz që kërkon t’i kushtoj vëmendje, ose nga nevoja bezdisëse e trupit për një dremitje.

    Poezia është një shpëtim nga përditshmëria, një ftesë drejtuar të shenjtës. Për këtë arsye unë kënaqem kur lexoj vepra nga poetë që më frymëzojnë të nxitoj për të kapur lapsin tim. Nëse jam duke lexuar Bashō-në apo Issa-n, i lejoj vetes të shkruaj poezi më të shkurtra për natyrën. Kur lexoj Rumi-n, shtyhem të zbuloj shpirtëroren.

    Shkrimi i poezive është një akt vërtet vetjak. Më çudit mendimi se poezitë e mia do t’i interesonin tjetërkujt. Poezitë janë aq personale saqë unë do t’i vlerësoja në të njëjtën mënyrë që do të vlerësoja grafitë me rreze X të mitrës sime. Është e vështirë të përfytyroj se kush do të donte t’i shikonte ato përveç meje.

    Kliko për të blerë librin

    Një rregull i pashkruar që më ndihmon të shkruaj poezi: i shkruaj ato sikur të mos mundja t’i publikoja, t’i printoja, t’i lexoja apo t’i shprehja ndonjëherë. Për këtë arsye poezia është ajo dhomë në shtëpinë e shpirtit ku jam e lejuar të mendoj çfarë të dua. Kjo gjë më duket befasuese, magjepsëse, e frikshme dhe qesharake, të gjitha njëherësh. Në këtë kohë të ndalimit të librave dhe të dyshimit të së vërtetës, e mendoj shkrimin e poezisë një akt kryengritës.

    Është synimi im personal që në jetë të arrij deri tek një farë ndjeshmërie, mirësie dhe pranimi ndaj njerëzve nazeqarë rreth meje – gurutë e mi, jam e sigurt. Poezia është rrëfimi im personal. Jo gjykuese. E butë. Dashamirëse. Me besimin se do të lëviz nga ku jam tani dhe nga pikëpamja ime e vockël, e papërfillshme, duke shndërruar veten në një njeri që kërkon ndriçimin shpirtëror.

    Në qoftë se një poezi më duket e thjeshtë për t’u shkruar, e di që nuk po përpiqem aq sa duhet. Poezitë janë të dyshimta kur e paraqesin veten lehtësisht.

    Kjo është arsyeja se përse kaq shumë prej poezive të mia grumbullohen poshtë shtratit për muaj e vite, pasi asnjëherë nuk jam e sigurt nëse një poezi do të arrijë te dera. Me derën, dua të nënkuptoj që ato kanë arritur të më çojnë në një vend ku nuk prisja të shkoja. Kjo është ajo që duhet të bëjë një poezi.

    Është puna e shkencëtarëve të zbulojnë vrimat e zeza në gjithësi, por është detyra e poetit që të zbulojë vrimat e zeza të qenies. Jam ende në një rrugëtim drejt vetëzbulimit, megjithëse jam gjashtëdhjetë e shtatë vjeçe e gjysmë teksa shkruaj. Jam duke plotësuar akoma praktikën time.

    Ndihem me fat kur poezia më thërret sipër një Harley Davidson-i, duke mu lutur për një xhiro rreth lagjes. Por kur zhdukem për disa ditë dhe papritur kthehem me kostumin e zhubrosur, atëherë kuptoj që duhet ta kisha ditur: poezia është pjesërisht joshje e pjesërisht rrëmbim.

    Është emocionuese, dëfryese dhe lozonjare, dhe u jam mirënjohëse lexuesve të mi. Jeni më se të mirëpritur të më bashkoheni në këtë rrugëtim.

    30 gusht 2022, Casa Coatlicue, San Miguel de Allende

    Sandra Cisneros

    Sandra Cisneros është një shkrimtare e njohur për kontributin e saj të rëndësishëm në letërsinë amerikane. Ajo ka lindur më 20 dhjetor 1954, në Çikago. Cisneros njihet më së shumti për romanin e saj “Shtëpia në rrugën e Mangove” (1984), një histori që flet për një vajze të re latine të quajtur Esperanza Cordero, e cila eksploron tema të identitetit, përkatësisë dhe trashëgimisë kulturore. Cisneros ka marrë çmime të shumta për kontributin e saj në letërsi, duke përfshirë Çmimin Amerikan të Librit dhe Medaljen Kombëtare të Arteve. Ajo është gjithashtu një avokate e fortë për drejtësinë sociale dhe ka punuar gjerësisht për të mbështetur shkrimtarët nga komunitetet më pak të përfaqësuara.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË