More
    KreuUncategorisedDuke imagjinuar veriun e Shqipërisë në alpet bavareze - Belfjore Qose, Blerina...

    Duke imagjinuar veriun e Shqipërisë në alpet bavareze – Belfjore Qose, Blerina Rogova Gaxha, Zuzana Finger, Christian Voss.

    Prezantim i shkurtër i Martin Camajt

    Martin Camaj konsiderohet sot si një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX.

    Camaj ka lindur në Shkodër në vitin 1925 në fshatin Temal, në malësinë e Shkodrës. Pasi u arsimua në kolegjin Ksaverian, ai punoi si mësues. Ai u detyrua të largohet nga Shqipëria në vitin 1949 për arsye politike. Pasi qëndroi në Kosovë, ai iu përkushtua studimeve sllave, romane dhe shqiptare në Beograd, para se të zhvendoset në Itali në vitin 1956. Sllavologu dhe ballkanologu Alois Schmaus ia doli ta merrte Camajn Universitetin Ludwig-Maximiluans Mynihut, pasi ai mbrojti disertacionin e tij në Romë në vitin 196-. Fillimisht ai ishte student në Mynih, me pas lektor e më tej profesor me kohë të plotë dhe drejtues i Katedrës së Albanologjisë. Camaj ishte filolog dhe gjuhëtar, i cili dha një kontribut të rëndësishëm në historinë e dialektit geg (të folur në Shqipërinë e Veriut dhe prej të gjithë shqiptarëve në Ish Jugosllavi). Ai gjithashtu kreu kërkime shkencore për arbëreshët në Itali.

    Ai ishte njëherësh një shkrimtar shumë prodhimtar: vepra e tij letrare sot përfshin dhjetë vëllime.[1] pamje të parë Camaj duket rasti i poetit nostalgjik për vendlindjen. Megjithatë, edhe pse ngjarjet në pjesën më të madhe të veprave të tij në prozë vendosen në malësinë e veriut, proza e tij shpesh bëhet surreale dhe fantastike. (Shih më poshtë: romanin “Rrathë”). Vepra e tij depërton në tema që janë përcaktuese për letërsinë e sotme të diasporës: interferenca kulturore, përkatësia dhe vetmia. Kështu që më poshtë do të diskutojmë se çfarë ka shqiptare, italiane apo gjermane në veprën e tij. Duke qenë shkrimtar në ekzil, Camaj zhvilloi idiolektin e tij pothuaj hermetik. Vështirësia e përkthimit të veprës së tij e ka penguar deri më tani receptimin ndërkombëtar. Në vitin 1993 miqtë dhe dishepujt e tij themeluam në Mynih “Shoqatën Martin Camaj”, e cila kujdeset edhe sot për veprën e tij.

    Christian Voss: Arka e Noes e gegnishtes

    Do doja që sot të rilexonim veprën e Camajt, prandaj për këtë qëllim, sot kam ftuar tre studiuese brilante, të cilat po ashtu si Camaj, pozicionohen në udhëkryqin mes studimeve letrare, letërsisë dhe përkthimit: Belfjore Qose nga Tirana dhe Blerina Rugova Gaxha nga Prishtina/Gjakova, të dyja poete të mirënjohura dhe njohëse të Camajt. Zuzana Finger është ballkanologe dhe një prej përkthyeseve më të njohura dhe aktive të letërsisë shqiptare dhe kosovare në gjuhën gjermane. Të treja do na flasin për mënyrën se si e lexojnë dhe e shohin Camajn. Unë vetë jam studiues i sllavëve të jugut dhe ballkanolog në Universitetin e Humboldt-it. Do doja ta përdorja rolin tim si mikpritës në këtë takim në Zoom për të ngritur pyetje nga jashtë, që mund të hapin perspektiva potenciale, që mund të rezultojnë të paparashikuara.

    Ne që kemi interes për letërsinë shqipe e vemë re menjëherë se Martin Camaj është nga ato lloj artistësh shkalla e popullaritetit të të cilëve nuk mund të ishte më e ndryshme në Shqipëri/Kosovë dhe në Gjermani. Ndoshta është i krahasueshëm në këtë pikëpamje me Aleksandër Pushkinin, të cilin shumica e rusëve e konsiderojnë poetin e tyre më të madh, ndërsa shumica e lexuesve gjermanë vështirë se e njohin, pasi preferojnë të lexojnë romanet e njohura të Dostojevskit dhe Tolstoit. Sigurisht që krahasimi i Camajt me shkrimtarët rusë nuk është fort i gjetur, pasi Camaj është jo- apo edhe kundër-kanonik. Ndoshta kjo është arsyeja që admiruesit e tij më të zjarrtë janë të rinj. A depërton Camaj në çështjet më të rëndësishme të letërsisë së sotme transnacionale, të letërsisë së re botërore – e cila në një masë të madhe është shkruar prej shkrimtarëve të ekzilit dhe të migracionit – apo është thjesht një shkrimtar tradicional i vendlindjes  (Heimatdichter), nostalgjik për vendin e tij? Dhe si mund ta zbërthejmë një shkrimtar ‘të vështirë’ idiolektik dhe hermetik? Çfarë na thotë ne Camaj sot? Në gjuhën gjermane ekzistojnë vetëm dy volume poetike të përkthyera nga Hans-Joachim Lanksch[2] dhe një fragment nga novela “Pishtarët e natës”, e përkthyer nga Florian Kienzle[3] në disertacionin e tij të vitit 2020.

    Ndonjë prej trajnerëve për eficiencën e punës shkencore dhe krijuese do thoshte se Martin Camaj kishte deficit në përhapjen e tij, duke qenë se shkruante ne një dialekt të një gjuhe periferike. Por qëllimi i Camajt nuk ishte shitja masive e librave të tij, përkundrazi misioni i tij ishte tërësisht i ndryshëm. Gruaja e tij Erika, gjatë një vizite në Lenggries në tetor të vitit 2021, me tha se ai thoshte “që shpëtoi gegnishten”. Gjeta një formulim të ngjashëm në një shkrim të Lanksch-it (2010), ku Camaj citohet të ketë thënë “unë luftoj për gegnishten”[4]. Do e përdor këtë pohim të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë na thotë ne Camaj sot. Si akademik, gjuhëtar, shkrimtar dhe poet, Camaj e shpëtoi gegnishten, kjo ishte tërë puna e jetës së tij.

    Do e kontekstualizoja këtë në bashkëkohësi dhe do shtroja me pyetjen: Si lexohet Camaj 50 vite me pas? Një autor që donte të dokumentonte, të ruante kulturën e Shqipërisë së Veriut, të malësisë, të cilën ai e futi si një mesazh galaktik në një shishe dhe e hodhi në hapësirë. Çfarë është moderne dhe çfarë është tradicionale në veprën e tij, siç do pyeste shkurtimisht Belfjore Qose. Para së gjithash obsesioni i Camajt për të shpëtuar gegnishten mund të shpjegohet prej situatës së njohur politike të kohës. Regjimi totalitar e margjinalizoi brutalisht gegnishten, e cila simbolizonte shpirtin kozmopolit të Shkodrës urbane, me rrënjët e saj katolike dhe influencën shekullore italiane. Po për sa i takon Kosovës? Camaj kaloi shtatë vite në Beograd dhe përjetoi Jugosllavinë e hershme të Titos nën Aleksandar Ranković-in, që e kontrolloi në mënyrë shtypëse Kosovën[5]. Duhet të jetë mahnitur dhe qysh prej fundit të viteve ’60 e më tej, dhoma e tij e pritjes do ketë qenë plot me kosovarë të cilëve u është dhënë e drejta për të udhëtuar jashtë Jugosllavisë, pas ndryshimit pozitiv të qëndrimit ndaj gjuhës dhe kulturës shqiptare në Jugosllavinë e Titos të pas vitit 1966. Gjithsesi – dhe kjo është shumë e rëndësishme – ky ndryshim qëndrimi kishte të bënte vetëm me variantin standard të unifikuar të mbështetur në dialektin tosk dhe të folmet e Shqipërisë së Mesme, pasi elitat kosovare në fund të viteve ’60 kishin votuar për adoptimin e këtij standardi nga Tirana.

    Pavarësia e Kosovës padyshim solli përmirësimin e pozitës dhe ringjalljen e gegnishtes, por përforconte makthin e Camajt, rënien e gegnishtes si dialekt nativ i të gjithë shqiptarëve nën regjimin jugosllav dhe të atyre të Shqipërisë së Veriut. Një gjuhëtar si Camaj – që sigurisht i shihte gjërat më qartë se miku i tij Arshi Pipa në Shtetet e Bashkuara – e dinte se fundi i represionit ndaj një gjuhe minoritare dhe hapja e mundësisë për të qenë pjesë e maxhoritetit nuk kontribuon në jetësimin e një gjuhe, krejt e kundërta, ky është ekzaktësisht momenti kur fillon vdekja e një gjuhe. Sipas këndvështrimit tim përmes kontekstit historik shpjegohet pse Camaj i konceptoi dhe shkroi pjesën më të madhe të veprave të tij në vitet ’70 dhe i botoi ato në një publikim shumë të shtrenjtë pesë vëllimësh në Itali në 1981-shin – kaq urgjent ishte misioni i tij për kohën.

    Martin Camaj nuk do t’i besonte syve nëse do kishte llogari Facebook-u sot, ku mund të shihte sesi jo vetëm studentët e rinj, por edhe profesorë të Universitetit të Prishtinës përdorin variantin geg në mediat sociale. Si lidhet vepra e Camajt më çështjen aktuale të identitetit gjuhësor të shqiptarëve, që festuan festën e tyre kombëtare më 28 nëntor 2021, sërish me sloganin “një komb, një alfabet”? Kontributi i parë në këtë diskutim vjen nga Belfjore Qose, e cila jep mësim Letërsinë Botërore të sh. XX, pjesa I dhe Letërsinë Ruso-Sllave në Universitetin e Tiranës. Ajo gjithashtu është anëtare e Akademisë së të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe mes botimeve të saj përfshihen edhe dy vëllime poetike dhe botime poetike në disa gjuhë të huaja[6].

    Belfjore Qose: Martin Camaj mes modernitetit dhe traditës

    Krijimtaria letrare në ekzil mund të jetë një formë e rikujtimit, rikrijimit dhe rikthimit të vendlindjes. Për mua pjesa më prekëse e “Uliksit” të Xhojsit nuk është fjalia e mirënjohur me “Po”, ajo është në fakt një fjali e cila as nuk është pjesë e romanit. Është shënimi në fund “Trieste-Zurich-Paris, 1914-1921”. Njësoj si gjeniu që transformoi Letërsinë Botërore edhe Martin Camaj e zhvilloi veprimtarinë e tij letrare dhe artistike larg Shqipërisë dhe vendlindjes së tij Temalit, 50 km në verilindje të Shkodrës. Kjo përvojë e formësoi thellësisht në mënyrë tragjike letërsinë e tij, duke na dhënë një prej imazheve të pashlyeshme të veriut arketipor shqiptar. Sikurse vetë Camaj pohon në intervistat e tij, ai nuk kopjon çka mban mend prej veriut, ai thotë se kujtimet që përdor më së shumti janë prej fshatrave arbëreshe, sigurisht të rikrijuara për t’iu përshtatur tërë qëllimit të tij artistik: rindërtimit të veriut arketipor. Itinerari i Camajt fillon nga Temali (1925 – 1935), Shkodër (1935 – 1946), Prekal (1946 – 1948), pas arratisjes në Jugosllavi ai vazhdoi studimet filologjike në Tuz dhe Pejë (1949 – 1950), Beograd (1950 – 1955) dhe Sarajevë (1955 – 1956); më pas ai jetoi në Romë (1956 – 1960) dhe së fundmi në Mynih dhe Lenggries (1960 – 1992).

    Camaj është magjepsës pasi vepra e tij ndërthur atë çka është thellësisht tradicionale, arkaike, etnike shqiptare me formën dhe strukturën e prozës dhe poezisë moderne. Kam zgjedhur ta cilësoj letërsinë e tij si “ekzuberancë e përkorë”. Ai është modest pasi veprës së tij i mungojnë tërësisht notat patetike, amplifikimi i ndjenjave, ekspresiviteti i dëshirave, ndërkaq personazheve të tij u mungon po ashtu madhështia (tipike për heronjtë pozitivë të Realizmit Socialist). Përkundrazi, personazhet e tij ose janë duke u përpjekur, ose duke u transformuar apo në rënie. Mbi të gjitha, gjuha dhe stili i tij janë të përkorë. Kemi të bëjmë me një letërsi të përkorë, ku influenca hermetike shkon më së miri me lakonizmin e veriut. Nga ana tjetër jemi përpara formave moderne, të cilat Camaj është ndër të parët që i eksploron, nëse kemi parasysh Historinë e Letërsisë Shqipe.

    Simboli si shtylla e figurativitetit të Camajt (shembull: korbi)

    Në Itali kontakti me profesorin e tij, poetin e madh hermetik Giuseppe Ungaretti (1888 – 1970) e shënjoi Camajn poet. Poezia e tij me kohën bëhet me e thellë dhe priret më fort drejt metafizikës, duke përdorur simbole dhe imazhe tërësisht autentike. Camaj e ndryshon dhe pasuron kuptimin simboleve tradicionale që ripërdor në poezinë e tij. Simboli ishte mjeti letrar i parapëlqyer i poetëve hermetikë dhe teorikisht Camaj vepron po si ata, duke e çliruar fjalën nga përdorimi i automatizuar dhe semantika e saj e ngushtë. Ai i përdor simbolet e marra nga tradita shqiptare në kontekste dhe perspektiva të reja, duke i bërë ato të funksionojnë krejt ndryshe, në mënyrë më komplese.

    Ilustrimi më i mirë mund të jetë përdorimi i simbolit të “korbit”, i cili për traditën shqiptare (ashtu si dhe për shumë të tjera) ka konotacion negativ. Krrokatja e korbit besohet se lajmëron fatkeqësi e ndoshta lajmi i një vdekje nuk vonon. Camaj e përdor këtë simbol në shtatë poezi, duke e ndryshuar kuptimin në çdo rast sipas interesit të tij estetik e duke e intensifikuar efektin tek lexuesi. Le të shohim dy poezi të mirënjohura me këtë simbol. Poezia e parë “Korbi”, e shkruar në fazën e hershme të krijimtarisë poetike dhe “Një ditë e ka dhe korbi”, një poezi e shkruar më vonë.

    Poezia “Korbi” ka një natyrë narrative, pasi tregon historinë e një korbi i cili dëshiron t’i afrohet tokës, pavarësisht faktit se është i mallkuar të mos i afrohet kurrë asaj dhe banorëve të saj. Megjithatë, ai është duke u djegur nga etja dhe e mposht frikën ndaj njerëzve (atij i kujtohet se njerëzit e dinë që ai ha prej trupave të të vdekurve, madje sytë e tyre – çka është në natyrën e tij) dhe lëshohet tëposhtë. Në çastin që ai prek lisin (një tjetër simbol i fuqishëm në poezinë e Camajt), ai merr flakë dhe humbet nëpër qiell me shpejtësinë e rrufesë, për t’u gjetur të nesërmen prej barinjve “me kryet të bam thëngjill”. Përpara se ai të digjet, ne njihemi me agoninë e tij “S’mujte korbi me pyetë vehten: / po un tokës shka i kam vjedhë? / S’mujte korbi me ndie tjetër / në zemër të zezë vetëm frigë.”

    Në poezinë “Një ditë e ka dhe korbi” përdoret një imazh i kondensuar, e zeza e korbit në kontrast me të bardhën e pëllumbave. Korbi fshehtazi sheh pëllumbat e bardhë, ai nuk bën zë sepse nuk do të prishë harenë e tyre dhe së në fund ndjen se “Kur te e vona pllumbat kthyen në banesa / e ndjeu vehten korbi pllumb në shpirt.” Natyra evokative e Camajt përforcohet në poezinë e dytë, pasi interpretimet mund të variojnë nga çështja e natyrës të së keqes, faljes dhe pajtimit, deri tek ajo e tjetërsimit apo alienimit, tema tipike të letërsisë moderniste.

    Dikotomitë tipike të Camajt

    Thyerja midis individit tradicional, jeta e të cilit është thellësisht e mbështetur në kuptimin sakral që ai i jep botës përballë individit të ri modern, botëvështrimi profan i të cilit e zhvesh nga përmasa sakrale botën rreth tij – është një çështje që Camaj e trajton me shumë interes në prozën e tij. Ai dëshiron të zbërthejë në thellësi dallimin ontologjik dhe ekzistencial ndërmjet të vjetrës dhe të resë, në kontekstin kërcënues të “fabrikimit” të njeriut të ri komunist, i cili duhet të programohej për të qenë tërësisht i shkëputur nga tradita dhe spiritualiteti.

    Në novelën “Shkundullima” dy personazhet kryesorë edhe pse janë të dashuruar, kanë vështirësi të madhe për të kuptuar njëri-tjetrin, të izoluar në botëkuptimin e tyre ata nuk arrijnë të depërtojnë në mënyrën se si tjetri e sheh botën. Ntonia jeton me “palimpsestet” e brezave brenda saj, ajo përjeton kohën ciklike, e cila është e pandryshueshme dhe veç përsërit veten. Jeta e saj ka kuptim tek përsëritja, jo tek ndryshimi. Vitoi, i cili ka jetuar në qytet dhe ka qenë i larguar nga fshati për një kohë të gjatë, është krejt e kundërta e saj. Për të gjithçka ka kuptim racional dhe sekular, ai dëshiron të sjellë ndryshimin në fshat. Për këtë arsye ai nuk është në gjendje të kuptojë pse Ntonia nuk mund të largohet nga kulla. Nëse ai do të rrijë me të, duhet të qëndrojë në kullë. Për Camajn fillimi nga asgjëja, pa histori dhe traditë është i pamundur, nuk mund të dilet prej rrethit të mbyllur. Prandaj kur Vitoi provon të ndërtojë një urë që do e lidhë fshatin me botën e madhe, fshatin e godet një tërmet i madh. Rendi metafizik nuk mund të ndryshohet, madje të tentuarit për ta ndryshuar atë sjell këtë tërmet apokaliptik. I ashtuquajturi “progres” është një tentativë për të shkatërruar harmoninë e kohës dhe të hapësirës universale.

    Struktura binare “këtu” dhe “atje” është e pranishme në disa prej veprave në prozë të Camajt. Një burrë dhe një grua prej vendesh të ndryshme dashurohen, njëri prej tyre jeton përherë më në veri se tjetri, qoftë ky fshat apo qytet, si për shembull tek “Rrungaja në mars”, “Shkundullima”, “Rrathë” apo “Pishtarët e natës”.

    Romani “Rrathë” (“Rrathë uji”, “Rrathë zjarri, “Rrathë gjaku”)

    Tek “Rrathë”, romani më  gjatë dhe për mendimin tim më i rëndësishmi i Camajt, Agoni (novelisti) është rrugës për në Ripën e Epërme (një vend fiksional), kur vëren (njëlloj si në novelën e sipërpërmendur) se koha dhe hapësira atje funksionojnë ndryshe. Agoni bëhet “peng” i një force misterioze që e mban atë në Ripë dhe ai nuk mund të kthehet më në qytet. Vetëm në fund të romanit ai arrin të kuptojë se ka kaluar 20 vjet në “vendin e vetmisë”. Qenia e tij ndahet mes realitetit mitik, të pandryshueshëm, sakral dhe qytetit, i cili është duke ndryshuar dhe ku instrumentet e totalitarizmit vihen re kur shohim aksionet e një tjetër personazhi të rëndësishëm, Bardhit. Personazhi që jeton në iluzionin e së kaluarës është Baci. Ai ka krijuar heterotopinë e tij duke mbledhur tërë objektet muzeale që ka patur mundësi, në një muze të improvizuar në shtëpinë e tij. Kur muzeu shtetëror i merr gjithçka që ka mbledhur, ai e di se çdo gjë me vlerë për të do i merret njëherë e përgjithmonë dhe se tash e tutje, ato sende do jenë thjesht objekte, të tjerët nuk do munden dot ta kuptojnë vlerën e tyre. Baci hyn në një periudhë krizë prej së cilës nuk mund të shërohet. Ai nuk mund të përshtatet me modernen, kuptimi ontologjik për të qëndron në të kaluarën.

    Romani “Rrathë” përfshin mjaft simbole që mbështeten thellësisht në kulturën tradicionale shqiptare, disa të rikrijuara e disa të marra ashtu siç janë nga tradita, duke e bërë rrëfimin e këtij romani një rast unik në letërsinë shqipe, përmes mënyrës sesi e ndërton raportin e tij mes imagjinares dhe reales. Kjo realizohet përmes narracionit modern dhe procedimeve kohore, të cilat krijojnë një botë mitike dhe reale, moderne dhe arketipale; një botë që ngre dyshimin metafizik: po sikur gjithçka të jetë veç trillim?

    Përvoja leximesh personale

    Christian Voss: Do pyes tani Blerina Rogova Gaxhën dhe Zuzana Finger-in për të na treguar më shumë rreth përvojës së tyre leximore të Martin Camajt. Do doja të filloja me Blerinën, e cila punon në Universitetin e Gjakovës dhe është doktore shkencash në studimet letrare. Ajo është gjithashtu poete dhe studiuese, në vitin 2015 ajo ka shkruar një vepër monografike për Ismail Kadarenë[7]. Në vitin 2021 është botuar monografia e saj “Vdekja në Letërsinë Shqipe Moderne – Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli”. Ajo ka fituar mjaft çmime letrare dhe është mjaft e pranishme në Europën Perëndimore, lexuesi gjerman e njeh përmes kontributit të saj në projektin e tradukit “Archipel Yugoslavia”, i cili përfshin tekste të ndryshme të kujtesës së folur të të rinjve post-jugosllavë. Blerina ka shkruar tekstin “Jetë e lehtë”, duke treguar perspektivën kosovare në këtë projekt (në fejtonin e gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung)[8].

    Blerina Rogova Gaxha: Sipas leximit tim të Camajt, do thoja se Martin Camaj është një prej atyre poetëve të rrallë, fuqia e të cilëve vjen prej autenticitetit të tyre. Letërsia shqipe nuk ka asnjë shkrimtar tjetër të ngjashëm me Camajn, por mund të themi se ai është një pikë referimi për shumë poetë të tjerë dhe se influenca e tij është mjaft e dukshme. Unë jam njohur me veprën e Martin Camajt në një mënyrë shumë të veçantë, në formën e një surprize të bukur. Isha në vit të dytë të studimeve universitare dhe mbaj mend profesor Sabri Hamitin, një prej historianëve më të njohur të letërsisë shqipe, teksa na shpjegonte Letërsinë Shqipe Moderne. Ai shkoi përtej emrit të Martin Camajt, duke e konsideruar atë si një fenomen në vetvete. Ai foli aq bukur për veprën e tij, sa pas leksionit shkova në librarinë më të afërt dhe gjeta një përmbledhje me poezi të quajtura “Lirika mes dy moteve” (Munich, 1967). E lexova librin dhe u mahnita prej vargjeve të tij, prej gjuhës dhe prej pasurisë që i karakterizon poezitë e tij. Ato ishin vitet e para pas Luftës së Kosovës në 1998 – 1999 dhe më kujtohet se mjaft prej emrave të autorëve shqiptarë që më parë nuk përmendeshin, apo ishin mohuar, filluan të dilnin në sipërfaqe gjithmonë e më shumë.

    Jam e sigurt se poezia e Camajt nuk lexohej në shkollë të mesme, ndoshta sepse unë e kam ndjekur shkollën e mesme gjatë luftës dhe ne nuk kishim tekste shkollore, por mësonim prej leksioneve që na jepnin mësuesit. Nuk më kujtohet nëse e kemi mësuar Camajn apo nëse e kemi lexuar poezinë e tij, kështu që përvoja ime personale e leximit të Camajt filloi në universitet. U dashurova me poezinë e tij, me thellësinë e poezive të tij, me thjeshtësinë dhe bukurinë e gjuhës së këtyre poezive.

    Duke qenë se ai jetoi në ekzil, unë e lexoj poezinë e Camajt si një udhëtim jetësor, ai është një lloj pelegrini modern, një udhëtar. Ai është Uliksi që nuk arriti kurrë në Itakë. Camaj e la vendin e tij që në moshë të re dhe gjithçka çka ndodhi përgjatë pelegrinazhit të tij nga ai moment e tutje ishte rikthimi në tokën e të parëve, në fakt për të mos ardhur më kurrë. Është një lloj udhëtimi shpirtëror drejt vendlindjes. Kështu më flet mua poezia e Camajt dhe prej fiksionit e deri në realitetin e ekzilit, poezia dhe udhëtimi i tij bëhen të pafundëm dhe kërkojnë të prekin thelbin esencial. 

    Letërsia e Martin Camajt është krijuar jashtë kufirit shqiptar, është letërsia e dikujt që u arratis, që u përndoq nga regjimi komunist, iku në Itali, në Gjermani, ku gjeti arratinë e duhur në punën e tij. Ai është zëri që udhëton nëpër botë dhe kthehet në vendin e tij si një jehonë, një zë nga ekzili. Camaj ishte i ri dhe i edukuar në frymën e lirisë dhe ndërgjegjes, prandaj refuzoi ta humbiste lirinë e tij shpirtërore, refuzoi t’i dorëzohej tmerrit ideologjik dhe çmimi i lirisë ishte largimi nga vendi i tij. Kjo duhet ta ketë shkatërruar atë, por përtej këtij shkatërrimi, toka që la pas do e ndjekë atë përgjithmonë. Imazhi i kësaj Itake ulet në ndërgjegjen e tij, prej saj ai krijon shumicën e poezive të tij, ashtu si edhe hartën e tij shpirtërore dhe letrare. Ne e dimë se tema kryesore e poezive të tij lidhet me vendin, origjinën dhe kulturën e tij dhe se udhëtimi jetësor dhe poetik i Camajt e rikthen tek rrënjët e tij. E shoh tërë krijimtarinë e Camajt si mall për gjërat që humbasim në jetë dhe poezia është një portë që na çon në atë botë të humbur, tek gjërat që dëshirojmë, tek njerëzit që i kujtojmë dhe i duam.

    Christian Voss: Do të vazhdojmë tani me Zuzana Finger-in. Ajo ka lindur në Çekosllovaki dhe sot jeton në Wilhelmshaven. Ajo është një prej ballkanologeve të fundit të shkollës së Norbert Reiter-it të Free University të Berlinit dhe ajo çka më duket më goditëse në rastin e Zuzanës dhe arsyeja pse e admiroj atë, është se ajo është eksperte shumë e mirë e studimeve ballkanike, por në të njëjtën kohë është një prej eksperteve të njohura të studimeve për Europën Qendrore. Doktoratura e saj e vitit 2000 është për komunikimin hungarezo-sllovak[9] dhe bashkë me Armin Hetzer-in është autore e librit ndoshta më të mirë për mësimin e shqipes[10]. Sot ajo përkthen nga çekishtja, sllovakishtja, sllovenishtja, serbishtja, kroatishtja dhe shqipja në gjermanisht.

    Zuzana Finger: Unë kam dy qasje ndaj Martin Camajt. Takimi i parë me veprën e tij m’u mundësua nga përkthyesi Hans-Joachim Lanksch (1943 – 2019). Lanksch-i, i cili ishte në Mynih asokohe, po ashtu më çoi në një takim të Shoqatës Martin Camaj në Lenggries[11]. Atje takova Erika Camajn, takova studentët dhe miqtë e Martin Camajt dhe përjetova atmosferën e shtëpisë së tij dhe të shtëpisë së tij birësuese në Lenggries, ne male. Unë kam studiuar ballkanologji në Berlin, kështu që rruga ime drejt Martin Camajt nuk ishte as e afërt, as e shkurtër. Por asohere unë jetoja në Bavari dhe gjithashtu u bëra pjesë e Shoqatës Martin Camaj dhe për shumë vite përjetova takimet në shtëpinë e zonjës Camaj. Në këto takime na bashkonte vepra e Martin Camajt dhe zonja Camaj ishte shpirti i mirë i këtyre takimeve. Dy vitet e fundit këto takime nuk i kemi zhvilluar dot për shkak të pandemisë, por shpresoj se mund të vazhdojmë të takohemi me komunitetin e miqve dhe të admiruesve të Camajt ndoshta vitin e ardhshëm. Çelësi im i zbërthimit të poezive të Camajt ishin përkthimet në gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch-i. Më vonë, lexova edhe përkthimet në anglisht të Robert Elsie-së, të cilin e njihja personalisht, më vonë edhe përkthimet e Leonard Fox-it. Kështu, nisa ta lexoja Martin Camajn nëpërmjet përkthimeve të ndryshme, sepse në fillim kisha përshtypjen që gjuha e tij është paksa e vështirë për dikë që ka mësuar shqipen standarde. Për mua si lexuese rishtare e Martin Camajt, më duhet të jem e sinqertë, ishte një sfidë e vërtetë. Veçse me kohë ndodhi e që m’u bë më e lehtë të zhytesha në gjuhën dhe fjalët e të menduarit të tij. Për këtë arsye, mendoj se problemi i qasjes gjuhësore është i zgjidhshëm. Me ç’kam lexuar e dëgjuar, së shpejti, do të nevojitet një fjalor i ri i letërsisë së Camajt në Kosovë. Shpresoj që kjo do ta ndihmojë shumë të lexuarin dhe të kuptuarin e letërsisë së tij.

    Kjo ishte qasja ime personale, por në të njëjtën kohë, duke qenë se jam përkthyese, vuaj nga sëmundja profesionale e të lexuarit të cilitdo teksti nëpërmjet syrit të përkthyeses. Për këtë arsye, më shqetëson se si mund të sillet sa më pranë lexuesit gjerman Martin Camaj, si një emigrant shqiptar në Gjermani. Mund ta merrni me mend se qasja e gjermanëve ndaj Martin Camajt është krejt e ndryshme nga ajo e shqiptarëve. Ndaj, u mundova të shihja në drejtime të ndryshme dhe më bëri shumë përshtypje kur mësova tani së fundmi se në Literarisches Colloquium në Berlin[12], ekziston një listë e autorëve letrarë të Berlinit që përfshin jo vetëm ata që shkruajnë në gjermanisht, por edhe ata që shkruajnë në gjuhë të huaj për tema gjermane.[13]

    Po t’i biem pas idesë së të qenit një autor nga Berlini, mund të arrijmë në përfundimin, një ide shumë subjektive imja, se Martin Camaj ishte njëkohësisht shkrimtar shqiptar dhe bavarez. Nuk dua t’ia rrëmbej kulturës shqiptare, por Martin Camaj e kaloi më shumë se gjysmën e jetës në Gjermani, në Bavari, dhe në këtë vend ai u bë një akademik i dorës së parë. Ai u martua me Erika Barbara Holer, pati të afërm gjermanë dhe po në Gjermani u maturua si shkrimtar. Ai ishte emigranti klasik por jo përfaqësuesi tipik i emigracionit politik, sikurse ka vënë re dhe Hans-Joachim Lanksch. Prandaj në shtëpinë e tij mendova se në poezinë e tij ndoshta kanë ndikuar malet e bukura të peisazhit bavarez. Sigurisht, shtëpia e tij shpirtërore ishte gjuha shqipe, por ai jetoi në malet bavaraze, dhe ndoshta kjo e ushqeu dhe i dha forcën për të shkruar për vendlindjen e tij në një veri fantastik shqiptar. Gjithsesi, kjo është veç një ide hipotetike. Kjo ide më shqetëson sepse në një tekst të Hans-Joachim Lanksch-it kuptova sa e vështirë pati qenë për të që të botonte përkthimet e tij në Gjermani. Jam i bindur se nëse do ta shohim Martin Camajn kryekëput si një shkrimtar shqiptar, pa lidhjen e tij me kulturën gjermane, do të jetë shumë e vështirë ta përcjellim atë për lexuesit gjermanë nëpërmjet përkthimit. Nga ana tjetër, i jam shumë mirënjohës Hans-Joachim Lanksch-it që u shpreh se “Lirikat e Camajt mund të shijohen edhe nga lexuesi gjerman i poezisë që nuk ka njohuri për Shqipërinë ose nuk ka interes për historinë shqiptare. Kjo është atmosfera e veçantë e poezisë së Camajt për lexuesit, për shkak të temave universale të poezive të tij.”[14]

    Përkthyeshmëria e Camajt

    Christian Voss: Sipas këndvështrimit tim, të thuash që një autor është i papërkthyeshëm, do të ishte si të deklaroje falimentimin e filologëve. Sigurisht që “camaj-lekti” është një varietet i tij që askush nuk e flet. Nëse u hedhim një sy përkthimeve shumë të famshme të teksteve poetike, mund t’ju jap dy shembuj: I pari është rrëfenja e Igorit (Igorlied), një poezi e vjetër ruse e shekullit të 12-të, dhe a e dini se kush e ka përkthyer në gjermanisht? Rainer Maria Rilke, në 1906-n. Jam i sigurt qe Rilke nuk e kishte njohurinë e rusishtes as në nivelin A2. Si ndodhi atëherë? Duhet që në një mënyrë a tjetër të ecësh hap pas hapi dhe në këtë mënyrë do të dëshiroja të shkonte me Camajn: nevojitet një poet që është shumë i interesuar për një përshtatje të lirë apo parafrazim (Nachdichtung), dikush i magjepsur nga cilësia poetike, por që ka zotësinë të bëjë një përkthim të papërpunuar. Shembulli i dytë është serbishtja dhe këngët epike në të folmen e sllavëve të jugut, që u përshtatën lirisht nga Johann Wolfgang von Goethe, Walter Scott-i dhe Stéphane Mallarmé-ja. Në kohët e romantizmit, kishte një magjepsje të skajshme për këtë folklor ekzotik, ndaj ata punuan me përkthimin ndërlinear. Kjo mund të ishte mënyra për të përkthyer Camajn, gjetja e një poeti që shkruan në gjuhën e synuar, të cilit do t’i interesonte të bënte një Nachdichtung në gjermanisht pasi t’i jepej një përkthim ndërlinear dhe tejet i fjalëpërfjalshëm. Kjo do të ishte pyetja ime për Zuzana-n: A është e mundur kjo – një dyshe poetësh dhe përkthyesish? A ju ka zënë veshi diçka të tillë në kohët moderne, apo është vetëm një model i shekullit të 19-të?

    Zuzana Finger: Jo, jo, kam dëgjuar për diçka të tillë. Për shembull, kemi rastin e Velimir Khlebnikov-it (1885 – 1922), një poet rus shumë eksperimentues i futurizmit, dhe shkrimtarit dhe përkthyesit gjerman Peter Urban (1941 – 2013). Fundjavën e kaluar lexova dhjetë interpretime të ndryshme të një poezie ruse nga dhjetë poetë të ndryshëm[15]. Kjo ishte një punë e përbashkët me poetët dhe Peter Urban, i cili bëri përkthimin ndërlinear dhe shpjegoi problemet gramatikore, strukturën gramatikore dhe poetët gjermanë shkruan poezi (një lloj Nachdichtung-u shumë të lirshëm).

    Kujt i përket Camaj?

    Christian Voss: Më pëlqeu komenti i Zuzana-s që Camaj që është poet gjerman dhe pyetja ime e parë provokuese është pikërisht në këtë kuptim: a mund të quhet pritja ndaj Camajt në Shqipëri dhe Kosovë një lloj përvetësimi kulturor? Ai nuk i përket fushës letrare në Shqipëri. Në fakt, ai godet si një kometë në vitet 1990, dhe kjo shpjegon magjepsjen e lexuesve të rinj prej tij. Pra, do të doja të krahasoja pritjet e ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë, sepse Shqipëria sigurisht që përjetoi monopolin e realizmit socialist. Ndërsa Kosova, duke nisur me shtëpinë botuese “Rilindja”, bëri pjesë në kulturën e perëndimorizuar, kishte akses në letërsinë botërore në vitet 1970 dhe 1980 dhe përktheu, për shembull, Henry Miller-in në shqip. Pyetja ime për Blerinën është se si pritet Camaj në Kosovë? A është ai një model për shkrimtarët ne gegërisht? Dhe pyetja ime për Belfjoren është, a provokon Camaj një rikanonizim në Tiranë? Dhe a ka pretendime për të pasur një “Camaj tosk”, për një version lehtësisht të aksesueshëm dhe “asimilues” të Camajt për shkollat ​​fillore dhe tekstet shkollore, apo një “toskëzim” i tillë është tabu?

    Blerina Rogova Gaxha: Camaj e nisi jetën e tij letrare në Prishtinë dhe u bë i njohur nga një botim në një nga revistat më të vjetra në Kosovë, me qendër në Prishtinë. Poezitë dhe librat e parë, “Nji fyell ndër male” në 1952 dhe “Kanga e Vërrinit” në 1955, i botoi në Prishtinë. Fillimisht, u dallua si poet nga Prishtina dhe me të vërtetë, edhe sot ka kritikë letrarë që e konsiderojnë Camajn nga Prishtina, ndoshta sepse ky qytet i dha strehën e parë poetike si autor i botuar, apo ndoshta për shkak se dy librat e parë të botuar në Prishtinë janë bërthama e poezisë së tij të mëvonshme, siç e ka formuluar Anxhela Lepuri nga Universiteti i Tiranës, dhe parathonë identitetin e tij poetik për sa i përket stilit, formës dhe tematikës. Sigurisht, këtë na duhet ta shohim me relativizëm, sepse librin e parë e botoi në Prishtinë, lindi në Temal të Shqipërisë dhe kaloi në Gjermani pjesën më të madhe të jetës. Në këtë mënyrë, ai është dhe nga Shqipëria, dhe nga Kosova e Gjermania. E vërteta është që temat e tij janë universale, subjekti ka mall për gjëra, vende apo persona që ka humbur gjatë jetës.

    Mendoj se jam pjesë e një brezi të ri poetësh. Librat e parë me poezi i shkrova në dialektin gegnisht dhe nuk isha e vetmja. Qemë disa poetë në brezin tim që pak-a-shumë eksperimentuam me gjuhën dhe nuk e pranuam standardin gjuhësor në poezi. Për kritikët letrarë kjo ishte tronditëse, sikurse ishte dhe mediatizimi ynë, por për mua Camaj ishte model se si të shkruaja gegnishten time vetjake. Ishte e ndryshme nga gegnishtja e Ndre Mjedës nga Shkodra (1866-1937), për shembull, një nga autorët që Camaj vetë e pati model për gjuhën, pikëpamjet gjuhësore, trajtën dhe përsosmërinë e gjuhës. Për mua dhe autorë të tjerë të rinj, ai ishte modeli i të shkruarit në dialektin tonë pa frikë, duke e përshtatur me standardin por duke përdorur gjithashtu paskajoren tipike të gegnishtes në mënyrën tonë, që të ndiheshim të qetë me veten. Me të vërtetë, ai ishte modeli i një brezi të ri poetësh që gjetën modelin e një gegnishteje nga më të shkëlqyerat në poezinë e tij.

    Belfjore Qose: Para se të bëhesha pedagoge në universitet, isha mësuese dhe u mësoja nxënësve të shkollave të mesme letërsi. Të gjithë nxënësit e mi e kuptonin gjuhën e Camajt. Duke u nisur nga kjo përvojë, gjuhën e tij do ta quaja një sintezë të dialektit të gegërishtes, sepse gjuha që përdor Camaj (dhe besoj fort në këtë gjë) nuk ishte veç mënyra e tij vetjake e përdorimit të gegërishtes, por një variant shumë i kultivuar i gegërishtes. Camaj donte të krijonte një model të gegërishtes letrare. Për mua, gjuha e Camajt është një gegërishte letrare e bazuar mbi traditën e së shkuarës së letërsisë shqiptare në gegërisht, ndërkohë që ai nuk përdor një gjuhë arkaike. Ndodh që ai zgjedh të përdorë fjalë të vjetra por gjuha e tij, në përgjithësi, është sintezë e traditës letrare në gegërisht dhe e dialektit të gegërishtes, por jo thjesht dialekti i tij i krahinës së tij. Kjo ka shumë rëndësi për mua sepse shumica e poetëve që shkruajnë gegërisht sot nuk ndjekin një parim të tillë. Ata përdorin të folmen e tyre. Në një nga letrat që Camaj i shkruante kritikut letrar shqiptaro-austriak, Krist Malokit (1900-1972), lexova se si Camaj, duke e krahasuar veten me të tjerë që përdornin gegërishten në idiolektin e tyre vetjak, thoshte që misioni i tij ishte krejt i ndryshëm. Ai dëshironte të krijonte një shembull të gegërishtes mjeshtërore.

    Dëshiroj të komentoj atë që tha Blerina: është e vërtetë që Camaj ishte i panjohur për lexuesin shqiptar para 1990-s, dhe se u shfaq befas në ato vite si një fenomen i huaj. Ai ishte i panjohur dhe nuk bënte pjesë as në kurrikula e në asgjë tjetër. Por tani, situata është shumë e ndryshme, Camaj mësohet në shkollat e mesme që kur isha nxënëse. Dua të ndaj edhe unë pëvojën time të takimit me veprën e Camajt. Kam lexuar poezi të tij, disa novela dhe romanin “Rrathë” që në shkollë të mesme. Po e përmend këtë, jo vetëm për të ndarë si përvojën, por të thënë që proza dhe poezia e Camajt paragjykohet si e pakuptueshme. Në fakt, letërsia e tij më pëlqeu jashtëzakonisht dhe romanin “Rrathë” e dashurova që në moshë të re. E lexova me kaq pasion, imazhet dhe ndjenjat që më ngjalli ishin kaq të forta, sa çdo pjesë të tij e kam të ngulitur në mendje. Gjatë rileximeve, sidomos për arsye hulumtimi, nuk kam e përjetuar kurrë me të njëjtin intensitet. Përjetimi i një vepre artistike është shumë më i çmuar se të kuptuarit e saj. Për këtë arsye, u them gjithmonë studentëve të mi se duhet të lexojnë para së gjithash veprën e Camajt.

    E ardhmja e Camajlogjisë

    Christian Voss: Cila është gjendja aktuale zhvillimore, për çfarë interesohen hulumtuesit e Camajt në Shqipëri dhe Kosovë? Si mendoni se ishte ndërveprimi dhe ndërhyrja midis dyzimit të Camajt si gjuhëtar dhe si shkrimtar? A bënte ai interpretime të shkrimeve të tij? Ekzistojnë komente të tij meta-letrare për romanet apo poezinë e vet?

    Blerina Rogova Gaxha: Mendoj se ka interes për studimin e Camajt, si për një autor të madh, por me sa kam lexuar ka interes të veçantë për “Palimpsestin” e tij ose për qasjen ndaj tij nëpërmjet metodës ndërtekstore, diskursit dhe kuptimësisë, kujtesës së tekstit, kujtesës si kujtesë personale, si dhe për hulumtimin e gjuhës së tij, por edhe të vetmisë së tij kaq të veçantë, sidomos në poezi. Nisa të përmendja rrugëtimin e tij në jetë dhe poezi, pasi e shoh vërtetë si shtegtar, jo aq për shkak të atdheut të tij, por si një shtegtar modern që ngarend nëpër botë, një lloj shtegtimi shpirtëror që shpie tek temat universale.

    Belfjore Qose: Një nga tiparet që duhet studiuar më tepër në veprën e Camajt është ndërtekstualiteti. Jo vetëm poezia por edhe proza e tij ka shumë shtresëzime. Edhe pse ai përdor tema universale si izolimi dhe vetmia, shtresëzimet e shumta në veprën e tij lënë shteg për lexime në shumë nivele. Për shembull, një mënyrë për ta interpretuar që ka qenë mbizotëruese bazohet te letrat që i dërgoi Camajt Krist Maloki, në të cilat ai theksonte tiparet psikanalitike të prozës së tij. Unë mendoj se kufizimi i interpretimit të Camajt vetëm te niveli psikanalitik, është kufizim i veprës se tij të gjerë e madhështore.

    Zuzana Finger: Martin Camaj ishte studiues dhe akademik. Në parathënien e “Palimpsest” ai shpjegon arsyet e të shkruarit të kësaj poezie tejet intelektuale. Në fund të jetës, si gjuhëtar dhe studiues, ai i tha Hans-Joachim Lanksch-it se mund të shprehte pothuajse çdo gjë në shqip. Kjo ishte vepra e jetës së tij: të arrinte përsosmërinë e mjeteve të tij të të shprehurit në shqip. Ky ishte pasqyrimi gjuhëtarit në vetë letërsinë e tij. Veç kësaj, romanet e tij janë një thesar i vërtetë etnografik, një regjistrim i realitetit që vëzhgoi në qytezat arbëreshe, faqja etnografike e artit dhe prodhimit të tij letrar. Sigurisht që si shkrimtar, ai kishte lexuar shumë. Njihet influencimi i tij prej Giuseppe Ungaretti-t, por ka shumë konotacione të tjera, pasi ai vetë shpjegoi shumë qartë se ishte influencuar nga William Blake-u tek “Nema”, nga Borges-i te “Palimpsesti”, e nga T.S. Eliot-i te “Karpa”. Mendoj se ai pasqyroi vetveten, studiuesi i projektuar tek artisti në nivelin gjuhësor dhe shkencor.

    Përktheu nga anglishtja:

    Albion Zifla


    [1]  Botimi i parë i veprës së Camajt është vetëpublikuar nga autori në Mynih gjatë viteve 1978 – 1981 dhe përfshin pesë volume. Kurse botimi i plotë i veprës së Camajt (10 volume) është botuar në Tiranë (Onufri, 2010).

    [2]  Martin Camaj, Gedichte: Albanisch-deutsch – Übertragen von Hans-Joachim Lanksch, München 1991;

    Martin Camaj, Weißgefiedert wie ein Rabe – Me pendlat e korbit të bardhë, Gedichte Albanisch-Deutsch, herausgegeben und aus dem Albanischen übersetzt von Hans-Joachim Lanksch, Klagenfurt u. a. 1999.

    [3]  Florian Kienzle, Ein Geben und Nehmen – Die Geschlechter in der albanischen Literatur, Wiesbaden 2020.

    [4]  Hans-Joachim Lanksch, Der Dichter Martin Camaj (1925 – 1992) – Ein Porträt, in: Bardhyl Demiraj, Wir sind die Deinen – Studien zur albanischen Sprache, Literatur und Kulturgeschichte, dem Gedenken an Martin Camaj gewidmet, Wiesbaden 2010, S. 24 – 45, cit. S. 45.

    [5]  Cf. Isabel Ströhle, Aus den Ruinen der alten erschaffen wir die neue Welt! Herrschaftspraxis und

    Loyalitäten in Kosovo (1944 – 1974), München 2016.

    [6]  Belfjore Qose, Aurat e Natës (Auras of the Night), Tiranë 2017; Dritë. Luminance (Light. Luminance), Tetovë 2020.

    [7]  Blerina Rogova Gaxha, Gorgonë (Gorgo), 2009; Kate (Floors), 2013; Ajo vjen nga Lindja, 2016 dhe Thasë (Sacks), 2020.

    [8]  www.faz.net/aktuell/feuilleton/buecher/archipel-jugoslawien/archipel-jugoslawien-beitrag-von-blerina-

    rogova-gaxha-17222654/blerina-rogova-gaxha-geboren-17230116.html

    [9]  Zuzana Finger, Die slowakisch-ungarische Kommunikationsgemeinschaft: eine Fallstudie, Wiesbaden 2000.

    [10]  Zuzana Finger/Armin Hetzer, Lehrbuch der vereinheitlichten albanischen Schriftsprache, Hamburg 2019.

    [11]  Për më shumë mund të shikoni faqen www.martin-camaj.de

    [12]  Për më shumë mund të shikoni faqen https://lcb.de

    [13]  Senati i Berlinit gjithashtu ofron u ofron grante autorëve, duke e përkufizuar këtë status mbështetur në statusin e rezidencës dhe jo të etnisë apo kombësisë; cf.www.berlin.de/sen/kultur/foerderung/foerderprogramme/literatur/artikel.82132.php

    [14]  https://shkoder.net/camaj-lanksch/Hans-Joachim Lanksch, Martin Camaj, ende i pazbuluem 

    [15]  Velimir V. Chlebnikov, Beschwörung durch Lachen, in: Peter Urban (ed.), Velimir Chlebnikov – Werke, vol. 1 Poesie, Rowohlt Verlag Reinbek 1972, pp. 19 – 25.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË