More
    KreuOpinionVangjush Saro: ‘Pengu’ i detajeve

    Vangjush Saro: ‘Pengu’ i detajeve

    Gjetja është qasja e parë dhe më e rëndësishme që e bën një krijim artistik t’i rrijë bindshëm këtij termi; episodet janë ato që e shtjellojnë atë, duke maturuar idetë. Por shpesh herë, në fakt rëndom, detajet janë ato që vulosin vërtetësinë dhe klasin e artit. Nëse ato përbëjnë një dimension modest të veprës, kjo gjë do të kërkonte shumë shpjegime, që fillojnë nga shkalla e talentit në fjalë; por gjithsesi e, më së pari, vetë krijimi artistik do të humbiste pjesërisht vlerat e premtuara…

    Në çdo zhanër është kështu, por mbase në letërsi e në film, kjo veçori peshon edhe më shumë. Në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit, Malvolio ‘shkëlqen’ jo vetëm me guakërinë e vet, por edhe me çorapet e verdha, proverbiale pothuaj. Në tregimin ‘Vanka’, pasi rrëfen e shkruan në një letër vuajtjet qyshse kishte filluar të punonte diku si çirak, personazhi mjeran i Çehovit e mbyll zarfin me adresën “Gjyshit në fshat” (!) Në romanin “Tre shokët”, Remarku, veç të tjerave, tregon për Alfonsin, mikun e personazheve qendrore; ky vdiste për këngët korale dhe kaq mjafton për ta karakterizuar. Te “Procesi” i F. Kafkës, në gjyqin absurd, njerëzit mbajnë mbi kokë postiqe, ngase tavani është i ulët. Në filmin “Forest Gamp”, një pendë e bardhë, e bukur, fluturon ngadalë në pafajni dhe është aq intriguese…

    Le të bëjmë një parantezë. Për zhvillimet në letërsi e arte, shpesh dëgjojmë të flitet apo shkruhet pa përgjegjësi, në mënyrë emocionale dhe sipas interesave më qesharake, rëndom edhe duke kundërvënë (ndonjëherë) ç’është krijuar në ‘kohën tjetër’ e ç’po krijohet sot. Ka shumë kundërti dhe shprehen opinione që shkojnë kah ekstremizmi; në mënyrë të veçantë për filmat, ata të djeshmit, por edhe ata që janë realizuar pas vitit ‘90. Së pari, më duhet të them që, si rregull, artet e një vendi, për njëmijë arsye, zhvillohen e shfaqen pak a shumë në një gjatësi vale dhe jo me ndryshime të dukshme; ashtu si edhe të gjitha dukuritë sociale apo ekonomike. Më tej, nuk besoj se fitojmë gjë duke bërë snobin apo nihilistin, për çfarëdo që të bjerë fjala. Opinionet që ‘frymëzohen’ nga mungesa e atij apo këtij (fatkeqi) atje ku ka normalitet e suksese, e dëmtojnë mendimin estetik, artin gjithashtu. Ne kemi trashëguar nga kinemaja e ‘kohës tjetër’ një sërë filma të mirë, që e vlen të shikohen edhe sot; kurse për disa nga filmat e pas ‘90-ës, si dhe për një pjesë të mirë të letërsisë që shkruhet aktualisht, mund të thuhet se po e shpëtojnë artin shqiptar nga shabllonet, nga klishetë, nga bërtitja, nga emfaza, për ta zhvilluar profesionalisht edhe më tej, për ta bërë më bindës, më bashkëkohor.

    Meqë e cekëm filmin, kam folur edhe më parë, dhe me nderim, për krijimet e fundit të P. Milkanit e Dh. Anagnostit (“Trishtimi i zonjës Shnajder” dhe “Gjoleka, biri i Abazit”) që, në vështrimin tim, janë ‘amaneti’ i tyre për kinemanë. Më tej, kam shtuar se ndërkohë, në pult erdhën kinoregjisorë të rinj: B. Bisha: “Bolero”, “Mao Ce Dun”; Gj. Xhuvani: “Parrullat”, “I dashur armik”; P. Vasi: “Maya”, “Ndërkombëtarët”; A. Minarolli: “Nata pa hënë”, “Alive”; E. Budina: “Letra në erë”, “Ballkan Pazar”; F. Koçi “Tirana, viti zero”, I. Elezi: “Bota”; B. Alimani: “Amnistia”; “Delegacioni”, etj.

    E vërteta është që filma këso, falë lirisë së krijimit, por dhe bashkëpunimit me kineastë të huaj, ikën nga klishetë dhe ‘ngurtësia’ e Realizmit Socialist. Kjo mund të thuhet edhe për letërsinë, që në kushtet e një lirie aq të ëndërruar, vjen në shumë zëra, sekush interesant në profilin e vet, me krijime ku kërkohet aq shumë në formë e, tash, me botime edhe në gjuhë të huaja. Letërsia e mirë sjell subjekte e gjetje që me të drejtë ‘rrëmbehen’ nga skena apo ekrani, sikundër “Darka e gabuar” e I. Kadaresë apo një sërë krijime nga Y. Aliçka, B. Mustafaj, L. Lleshanaku, V. Zhiti, B. Hoxha, etj. Kjo panoramë shpërndan gëzim dhe besim; por natyrisht, nuk na largon aspak nga droja se aty-këtu nuk shohim gjithnjë qartësi artistike dhe vëmendje ndaj detajeve. (U kthyem në temë.)

    Ndodh që edhe në krijime përgjithësisht të realizuara, madje edhe aso që e kanë një jehonë te publiku apo më gjerë, detajet ‘tradhtojnë’ autorët, duke na kujtuar se mund të ishte bërë edhe më shumë, edhe më mirë. Në të shkuarën apo në të tashmen, në atë apo këtë zhanër – fundja, arti është një dhe i vetëm – shtjellimi profesional i episodeve dhe stisja me vëmendje e detajeve, mbeten një sfidë për krijuesit shqiptarë. Dhe vetëm për këtë shtyhemi të vëmë në dukje mungesën e perfeksionit (e s’kemi ndërmend asnjëherë të gërgasim ndokënd). Çdo bisedë vlen për ta parë në sy arritjen dhe mundësinë për më mirë.

    Në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, realizuar sipas romanit të jashtëzakonshëm të I. Kadaresë, sipas meje, mund të vihej në diskutim skena ku e dashura e futbollistit vallzon në shkallët e stadiumit (!) Por le ta fillojmë këtë pjesë të shënimit aty ku duhet. Thënë shkurtazi, episodi në fjalë tregon forcën shprehëse dhe aftësinë e veçantë të autorit për gjetje origjinale. Edhe në një ‘klimë’ të ashpër e të rëndë, ku ka me shumicë: shi, erë, eshtra të vdekurish, balada aq të trishta, tensione nga jashtë vendit dhe brenda vendit, etj., ai ka gjetur momentin të ndriçojë sadopak atmosferën… Por çfarë ndodh? Për ta ‘zbukuruar’ edhe më këtë episod, vajza – që në letërsi thjesht ulej diku dhe e ndiqte të dashurin gjatë stërvitjes – në film është vënë të bëjë balet (!) Por loja e saj është e sforcuar. Kemi dy akte krijimi, njëlloj ‘konkurence’ pa sens, sport dhe balet; kjo paralele e zbeh gjetjen, është një ‘poetizim’ i tepruar.

    Në disa nga prozat e gjata, të lexuara në këto dekada, ka krijuar njëlloj shtampe historia e dashurisë së një shqiptari me një të huaj, që zakonisht përfundon keq e me përndjekje. Dhe problemi nuk është thjesht këtu, te shtampa, por te mungesa e fantazisë dhe shtjellimi thatë i një ngjarjeje të shumëtreguar, te pajtimi me një mediokritet ideologjik që sposton diversitetet në jetën njerëzore dhe, sidomos, te mungesa e detajeve, çka mund të mbante disi gjallë artin dhe të vërtetat. Po të vijmë më këtej, filmi “Në kuadër të dashurisë”, gjithnjë në vështrimin tim, ka teprime (në mos edhe probleme) në vlerësimin e detajeve që, besoj, edhe autorët e veprës i dinë. Ndërkohë, një nga linjat më interesante (ajo e idilit të vajzës së vogël të familjes) është lënë disi pas dore, kurse mund t’i jepte krijimit një tjetër pamje e më shumë ‘vlagë’.

    Prirja për të denigruar gjithçka që i përket së shkuarës, bën që autorët e filmit “Parrullat” – që unë e vlerësoj edhe për dialogun, edhe për lojën perfekte të aktorëve – të përplasen disi me realitetin: në arsimin e asaj kohe, në plan të parë ishte Programi Mësimor, që zhvillohej me seriozitet; në atë pikë, nuk falte askush. Shumë nga ne kanë qenë mësues fshatrave dhe e dimë mirë që këtu, drejtorët e shkollave dhe inspektorët e arsimit tregoheshin shumë kërkues. Patjetër që gjithandej kishte edhe një pamje tjetër, me parrulla e aksione në ndihmë të kooperativave, por këto ishin aspekte anësore; fokusimi vetëm në këtë akt grotesk të jetës së atëhershme, por në kurriz të së vërtetës, është një teprim, deri diku një klishe – e kthyer kokëposhtë – e letërsive dhe filmave ku… mësuesi binte përmbys për shkollën dhe për partinë. (“Ajo që është e shkuar, është e shkuar.” Kështu thotë diku Oskar Uajld.)

    Në filmin “Delegacioni”, që unë gjithashtu e vlerësoj, veças si gjetje, të burgosurit (ashtu siç ata paraqiten duke drekuar në mensë e, jo vetëm atje) janë tejet të shëndetshëm, buçko pothuaj, figurantë të përzgjedhur keq dhe që e sjellin të cunguar tablonë e kohës. Edhe çiklistët e filmit “Lindje-Perëndim-Lindje”, aktorët në këtë rast, janë njëri më i shëndoshë se tjetri; kurse dihet që në këtë sport, protagonistët janë ‘të thatë e të thantë’. Mjaft të shikosh një ose disa dokumentarë të realizuar dikur – jo vetëm ata në burgje, por edhe në bulevardet e Tiranës e kudo – dhe vë re sa të dobët ishin njerëzit, për njëmijë arsye, aso të errëta e që kanë të bëjnë me jetë në andrallë apo edhe të tilla që mund të cilësohen pozitive (përfshi cilësinë e mirë të ushqimeve, anipse aq të pakta). Dikush mund të pyesë pa le ku do t’i gjenin asistentët e filmit (se ata merren me këtë punë) aq shumë amatorë të dobët apo të tukequr shëndetërisht (!) Ani. Edhe kështu si filmat shihen të realizuar, nuk se është fundi i botës. Por me një përzgjedhje më kërkuese (sidomos) ndaj figurantëve, do të kishin qenë edhe më bindës.

    Mund të duket e pavend paralelja e mëposhtëme, por nga sa kemi ndjekur kinemanë e huaj e nga sa lexojmë, në kinema, veças në atë amerikane, aktorët, për muaj të tërë u nënshtrohen mundimeve, sakrificave, për t’u dukur të shëndoshur apo për t’u dukur të dobësuar, thënë ndryshe për të qenë sa më të vërtetë. Këto episode dhe ‘pretendime’, nga ndokush mund të cilësohen vogëlsira; por janë pjesë e rëndësishme e realizimit të një vepre artistike. Arti nuk të pyet i ke mundësitë apo jo; ai kërkon të pamundurën, përkryerjen. (“Të shprehesh me përpikmëri, kjo është nisja dhe mbarimi i çdo arti.” J. V. Gëte)

    Detaji nuk falet te ideologjia; ai është valenca e thurrjes artistike, i shërben gjetjes, karakterit. Supozojmë se autori i këtyre radhëve apo dikush tjetër bashkë me të, do të shkruajnë një skenar ku protagonist është ish-boksieri i njohur Dhori Gërnjoti, i burgosur i ndërgjegjes për dekada, pjesëmarrës në disa revolta. Djalë i ri, i fuqishëm, kampion, ëndërrimtar, vendos të aratiset me një grusht miqsh, boksierë gjithashtu. Njëri prej atyre u tremb, mbase pati presion nga familja dhe u zbërthye te Sigurimi i Shtetit. Dhori dhe shokët e tij u burgosën pa e kaluar kufirin. Hetuesia, dënimi, ridënimi, përpjekja për t’u aratisur nga burgu, aratisja, ndjekja, plagosja, revoltat, kujtimet e turbullta të kohës kur grushtonte në ring, etj. këto hapin kaq shumë punë për mua apo për bashkautorin. Dhe nëse jemi me fat e dikush e merr përsipër realizimin e filmit, telashet shkojnë më së shumti te aktori që mund ta luajë rolin, te regjisori gjithaq. Asnjë nga komponentët s’do të flinte mbi dafina. S’është e lehtë të vizatohet protagonisti apo edhe shokët e tij të hallit në kaq shumë episode e vuajtje, në këtë jetë pa asgjë normale. (“Si mund të gjesh kënaqësi në botë, nëse nuk e ke atë për strehë?” F. Kafka) Dhe në këto përjetime, ndryshime e gjendje të personazheve, detajet marrin përsipër shumë. Pa dritnimin e tyre, nuk bëhet fjalë për art.

    Domethënia e këtyre radhëve nuk ishte me e ‘gardhue’ detajin tej së tërës; por mendoj që ndjeshmëria ndaj tij bën ndryshimin. Ka krijime të mbytura në psherëtima e llafe kuturu, e ku nuk lëviz asgjë; ka filma ku monotonia dhe heshtjet e pamotivuara nuk mbështeten nga asnjë detaj; dhe në këto raste, arti është vetëm një gjendje apo përkufizim i zhanrit ku mëton të bëjë pjesë krijimi në fjalë. E parë me qetësi dhe në gjerësi të shfaqjes, qasja për t’i plotësuar a mbushur gjetjet dhe episodet me detaje bindëse, është një detyrim profesional, sidomos në letërsi dhe në film. Për më tepër, ‘pengu’ i episodeve mund ta zhbëjë edhe gjetjen më interesante. Veprat e shkruara e të realizuara mirë, nuk ‘falin’ në këtë pikë. Në filmin “Kumbari”, protagonisti thërret një pronar funerali, të cilit dikur i kishte bërë nder; dhe i lutet atij t’ia ‘rregullojë’ disi të birin e masakruar, në mënyrë që të kufizohej sadopak tronditja e së shoqes. Në romanin “Qyteti i fundit”, mes të tjerave, P. Marko na rrëfen se si njëri nga ushtarët italianë (që presin riatdhesimin) kishte harruar emrin…

    Vepra artistike, e çdo zhanri, mund të fitojë shumë nga një vëmendje e shtuar ndaj episodeve specifike dhe, përkitazi, ndaj detajeve të qëlluara; pavarësisht shkollave e shijeve, pavarësisht kategorizimeve që mund t’u bëjmë, ato tregojnë klasin, e sjellin krijimin artistik të prekshëm, të tillë që ta ndjesh dhe ta mbash gjatë në mendje.

    _______

    *Për emrat e huaj, është ndjekur parimi i shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË