More
    KreuIntervistaProf. Skënder Asani: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në...

    Prof. Skënder Asani: Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, projekte të përbashkëta me Tiranën dhe Prishtinën

    Bisedoi Andreas Dushi

    Profesor, si drejtues i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të më thoni cilët janë objektet kryesore të studimit dhe fushat më të rëndësishme ku shtrihet kontributi i Institutit, akoma jo të njohur aq sa duhet në Shqipëri?

    Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup  është themeluar para 17 viteve, konkretisht më 22 nëntor të vitit 2007. Dhe jo rastësisht 22 nëntori konsiderohet si datë e themelimit të këtij Instituti, sepse në këtë datë më 1908 është mbajtur edhe Kongresi i Manastirit. Prandaj, duke e ndërlidhë këtë datë historike me formimin dhe zhvillimin e Institutit tonë, dua të theksoj edhe një fakt tjetër që ngërthen në vete gjithë moton e angazhimeve të mia profesionale, intelektuale e kombëtare. Kjo moto ka të bëjë me tërësinë e veprave kolosale të familjes iluministe shqiptare të Qiriazëve, që në kontekstin e duhur historik patëm kontributin kolosal të kësaj familje, përfshi Gjergjin, Qerazimin, Sevastinë dhe Parashqevinë. Këta katër emra të historisë sonë kulturore, arsimore e kombëtare, janë margaritarët e kujtesës sonë dhe sa herë që ne si Institut organizojmë “Ditët e Alfabetit”, i kujtojmë këta emra me pietet, duke ua transmetuar gjeneratave të reja rëndësinë e ndikimit që patën ata në ngritjen dhe zhvillimin tonë si komb.

    ITSHKSH,  në anën tjetër, është institucioni i parë dhe i vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili merret me ruajtjen, kultivimin dhe avancimin e trashëgimisë kulturo-historike të shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit.

    Veprimtarinë  e vet kërkimore-shkencore Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) e zhvillon në disa fushëveprime kryesor: histori, gjuhësi, letërsi, folklor- etnografi dhe fushat interdisiplinare si: ballkanologjia, muzeologjia dhe  trashëgimia shpirtërore e ngërthyer kryesisht në Departamentin e Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë, në Departamentin për edukimin dhe studimin e Holokaustit dhe në Departamentin e marrëdhënieve shqiptaro-osmane.

    Krahas veprimtarisë kërkimore-shkencore, në ITSHKSH  kanë gjendur vend edhe disa fusha të tjera, siç janë veprimtaria botuese (tituj librash dhe revista kulturore-shkencore)  dhe manifestimet kulturore-shkencore: Ditët e Alfabetit, Drita e Gonxhës, Ditët e Bodanit, Ditët e Ballkanlogjisë dhe konferenca e tryeza shkencore të rregullta dhe ad-hoc.

    Është sfiduese për komunitetin shqiptar mbajtja e një instituti me të tillë qasje në shtetin maqedonas?

    Ne si Institut jemi të hapur ndaj vlerave humane dhe universale dhe si të tillë e kemi ndërtuar strategjinë tonë të veprimit, duke mbajtur një qëndrim parimor e korrekt ndaj kulturave, gjuhëve, religjioneve e traditave të popujve të tjerë, si një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer dije e përvoja. Një kulturë e lashtë si e jona nuk mund të trajtohet e mbyllur e futur në korniza të ngushta ego-centrike. Përkundrazi, vetëm duke u hapur dhe duke dalë në tregun e gjerë të vlerave botërore, ne kemi shans të nxjerrim në pah të veçantat etnopsikologjike të popullit tonë. Në këtë mënyrë bëhemi edhe më të besueshëm tek autorët dhe institucionet shkencore e akademike të botës.

    Mbi këtë parim janë ndërtuar edhe raportet e brendshme me shoqërinë e këtushme në Maqedoninë e Veriut, por edhe me fqinjët. Jemi institucioni i vetëm në rajon në gjuhën shqipe, që për çdo vit mbajmë konferenca nga fusha e ballkanologjisë, ku trajtojmë ide e probleme me interes rajonal mbi perceptimin e TJETRIT dhe ndikimi i faktorëve të shumtë gjeokulturor e gjeopolitik në raportet në mes të vendeve dhe njerëzve.

    Nga pikëpamja juaj, si i shihni lidhjet kulturore dhe bashkëpunimet në këtë lamie mes shqiptarëve në të gjitha trojet e ndara prej kufijve politikë?

    Një prej shtyllave kryesore mbi të cilat bazohet veprimtaria jonë shkencore-kulturore, është bashkëpunimi me Tiranën dhe Prishtinën, sepse konsiderojmë që trekëndëshi Shkup-Tiranë-Prishtinë nuk është i rëndësishëm vetëm si trajektore e komunikimit tonë, por edhe një tërësi unike e integrimeve tona të brendshme shpirtërore e kombëtare, ku albanologjia zë vendin kryesor në kalendarin e ngjarjeve tona të përbashkëta kulturore-shkencore. Atë që nuk po e bën politika, po e bëjmë bashkë si institucione, sepse po i bëjmë bashkë arkivat, botimet, konferencat dhe në këtë mënyrë studiuesit tanë po i kalojnë kufijtë e ngushtë administrativ-shtetëror dhe po kalojnë në një hapësirë më të gjerë të bashkëpunimit dhe ndërveprimit në frymën e integrimeve euro-atlantike. Nëse Rilindësit tanë dikur e kishin shndërruar në aksion ideologjik unitetin e njësisë së kombit dhe të gjuhës si dy shtylla të qenësishme të formimit tonë etno-psikologjik, ne sot po shkojmë përtej kësaj platforme, duke dalë në tregun e gjuhëve e civilizimeve të tjera me veçantitë tona identitare, në një proces aktiv dhe të vazhdueshëm receptiv të dhënies dhe marrjes së vlerave e arketipeve kulturologjike.  

    Në përshkrimin e Institutit, vura re një departament që mu duk shumë interesant, besoj është unik në llojin e vet: Departamenti i Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës. Cila është konkretisht puna e këtij departamenti dhe, mund të më thoni disa nga produktet kryesore të realizuara prej tij?

    Një prej fushave të karakterit shpirtëror, që u përmend edhe më sipër, është pikërisht ky departament që është i pari në rajon dhe botë, me dedikim kryesisht figurës së Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Terezës, përfshi jetën, veprën dhe trashëgiminë e saj familjare, humane e kulturore.

    Siç e dini, në Maqedoninë e Veriut para disa viteve janë zhvilluar disa betaja donkishoteske për përvetësimi e identiteti të Nënës Terezës, por të gjitha këto aventura të kota përfunduan pa sukses pas daljes sonë në skenë me argumente bindëse shkencore mbi identitetin shqiptar të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Terezë.  Dhe ky angazhim i yni pastaj u shndërrua në mision, që si pikëmbështetje pati fuqinë e argumentimit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, në aksionin  qytetar për ta mbrojtur emrin dhe trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut dhe në një veprimtari të pasur shkencore, kulturore e botuese. I gjithë ky angazhim pati emërues të përbashkët nismën tonë për ta shpallur Nënën Terezë “aset shtetëror”, një ide kjo që mori formën e një elaborati të shkruar drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Kjo është rruga më efikase, mendoj unë, e parandalimit të të gjitha abuzimeve që mund të bëhen me emrin dhe veprën e Nënës Tereze, sepse ajo është një trashëgimi që i përket gjithë njerëzimit, por Gonxhja është e jona, shqiptare, prandaj është obligim edhe kombëtar i yni që pikërisht nga Shkupi të iniciohen ide të tilla që do ta konkretizonin aspektin njohës të origjinës së kësaj gruaje me dimensione të mëdha altruiste. Nëse në komunikimin botëror tash më është përvetësuar sintagma “Nënë Tereza e Kalkutës”, atëherë pse të mos bëjmë përpjekje që t’i ofrojmë opinionit botëror dhe një sintagmë tjetër – “Gonxhe Bojaxhiu e Shkupit”, si një rrugëtregues që sytë dhe mendjet i kthen nga vendi i origjinës, nga Shkupi i lashtë Dardan. Nëse nuk e bëjmë ne këtë, kush do ta bëj vallë? Kush do ta nderonte një figurë tonën kombëtare, nëse ne nuk e nderojmë vet, duke i dhënë të gjitha atributet që e meriton për të qenë i respektuar jo vetëm nga ne por edhe nga të tjerët. 

    Botimet tuaja, lexuesit dhe studiuesit shqiptar, ku mund t’i gjejnë, pasi e kemi trajtuar disa herë në “ExLibris” mungesën e urave për botimet shqipe në Ballkan?

    Po punojmë  në këtë drejtim që të gjejmë një formë më të përshtatshme të qarkullimit të botimeve tona në mbarë hapësirën shqiptare. Ne jemi pjesëmarrës të panaireve të librit që organizohen në Tiranë dhe në Prishtinë dhe e kemi vërejtur një interesim të vazhdueshëm të lexuesve për botimet tona. Tani për tani lexuesi në Tiranë mund të orientohet tek Libraria “Libri Akademik” pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por besoj që në një të ardhme jo të largët, në bashkëpunim me disa botues nga Tirana do të krijojmë një hapësirë ku lexuesit do të mund t’i gjenin botimet tona, të cilat për hir të vërtetës janë ekskluzive por edhe intriguese sa i përket tematikës dhe fushës së problemeve që trajtojnë.

    Me këtë rast dua të tregoj edhe një kuriozitet për lexuesit tuaj. Botimet tona aktualisht janë pjesë e fondit prej miliona librash të Bibliotekës së Kongresit në Washingtonit dhe për rrjedhojë ne jemi një ndër botuesit e rrallë shqiptarë që jemi të përfshirë në katalogun e kësaj biblioteke me renome ndërkombëtare. 

    Kur jemi te botimet, të përmend me këtë rast disa tituj që për nga natyra dhe rëndësia mund të jenë në listën e librave më të kërkuar nga studiuesit, siç janë, bie fjala, dy vëllimet e Historisë së trevave lindore shqiptare – “Ipeshkvia Shkup Prizren nëpër Shekuj” e autorit Gaspër Gjini dhe “Zhvillimet kulturore shqiptare në fund të shek. 19 dhe fillim të shek. 20”, grup autorësh. Rëndësia e këtyre botimeve qëndron se Shkupi dhe viset shqiptare në Maqedoninë e sotme ngërthejnë në vete dëshmitë më argumentuese të autoktonisë dhe vazhdimësisë iliro-arbërore-shqiptare.

    Ne si Institut, për një kohë të gjatë kemi ndjekur ecuritë historike e aktuale të komunitetit katolik shqiptar në Shkup, dhe si rezultat i këtij interesimi kemi botuar disa vepra që kanë pasur në fokus pikërisht rëniet dhe ngritjet e këtij komuniteti, përfshi edhe ato mbi jetën, veprën dhe historinë familjare të Nënës Terezë. Tash së fundmi po punojmë në rrumbullakimin e kësaj tematike, duke sjellë në një botim të veçantë dëshmitë e njerëzve që përbëjnë degët e trungut familjar të Bojaxhijve të Shkupit, të cilët aktualisht janë shpërnda gjithandej, por një numër i madh i tyre ndodhen në Kroaci.

    Duke qenë pjesë e strategjisë mbi hulumtimin dhe edukimin e Holokaustit, në kuadër të Departamentit me të njëjtin emër, kohë më parë kemi botuar një libër mjaft të rëndësishëm me titull “LEGJISLACIONI BAZIK ANTISEMITIK I MBRETËRISË BULLGARE”, si përgjigje e drejtpërdrejt ndaj dy objektivave fondamentale – në njërën anë të argumentohet shkencërisht gjithë ajo përvojë kolektive e popullit hebre në kuadër të  sakrificave sublime gjatë ditëve të vështira të Luftës së Dytë Botërore dhe në anën tjetër të rifreskohet memoria e atyre që mbijetuan holokaustin por edhe të atyre që i shpëtuan hebrenjtë nga kthetrat naziste. Bullgaria e atëhershme cariste, duke u rreshtuar me Hitlerin, ka dashur të realizojë pjesë të padrejtësive të pretenduara territoriale nga e kaluara që nga Marrëveshja e Shën Stefanit, duke e shtri dominimin e saj edhe në Maqedoninë e sotme. Paradoksalisht, Bullgaria kishte nxjerrë ligje antisemite madje edhe më shumë se vet Gjermania naziste, vetëm e vetëm që të gëzojë përkrahjen  e Hitlerit mbi pretendimet e saja bullgaromëdha.

    Një prej arsyeve se pse iu kemi rrekur botimit të veprave të tilla është fakti se në diskursin publik në Maqedoninë  e Veriut dhe me gjerë, një kohë të gjatë kishte ekzistuar padrejtësisht një etiketë mbi shqiptarët si gjoja bashkëpunëtorë të fashizmit. Duke themeluar Departamentin për hulumtimin dhe edukimin e Holokaustit, si dhe duke botuar libra e doracak me kujtime e monografi nga jeta e hebrenjve në trojet tona, ne si ITSHKSH kemi demantuar në mënyrë të argumentuar të gjitha këto akuza dhe pretendime të rreme në adresë të shqiptarëve.

    Konkretisht, pasuria shpirtërore e popullit shqiptar, e shqiptarisë si të thuash, çfarë roli shihni ju të ketë në formimin dhe trajtësimin e pasurisë shpirtërore të të gjithë Evropës dhe a e justifikon qasjen e përgjithshme sipas së cilës ajo është një pjesë e mozaikut pa të cilin panorama e përgjithshme e Evropës nuk është e plotë?

    Pyetja që shtroni është sa komplekse, po aq edhe sfiduese, në aspektin e argumentimit sa më shterues të çështjes së pasurisë shpirtërore të popullit shqiptar dhe rolit që ka pasur ajo, siç thoni ju, në formimin  dhe trajtësimin e pasurisë shpirtërore të të gjithë Evropës. Kjo për faktin se mbi këtë problematikë jo vetëm që na mungojnë studime të specializuara, por kemi edhe një zell të tepruar të paraalbanologjisë në rrjete sociale dhe në botime të ndryshme që gjithë civilizimin e përbotshëm ta trajtojnë si vazhdimësi e kulturës pellazge-ilire. Të ndodhur në mes të këtyre dy ekstremeve, pra në mes të studimeve të pamjaftueshme mbi lashtësinë tonë dhe këtyre aventurave paraalbanologjike,  institucionet tona, katedrat tona të historisë e filologjisë, institutet e akademitë, por edhe  shtëpitë botuese nuk do të mund ta kenë komoditetin që të flasin për rolin e  pasurisë shpirtërore të popullit shqiptar në formimin dhe trajtësimin e pasurisë shpirtërore të të gjithë Evropës.

    Ne duhet ta pranojmë realitetin me të cilin ballafaqohemi sa i përket studimeve, sidomos ato mbi prehistorinë, por edhe mbi mesjetën e hershme. Shumë pak është punuar, ose është punuar jo mjaftueshëm,  që të kemi specialistë të paleologjisë, arkeologjisë, filologjive klasike, për periudhën e prehistorisë. pa të cilët është e pamundur të kemi një depërtim pak më serioz në lëvozhgen e kohëve të lashta.

    Edhe zbulimet që janë bërë kohët e fundit, janë bërë me ndihmën e hulumtuesve të huaj, siç është rasti me kërkimet disavjeçare në Lin të Pogradecit, një nga vendbanimet më të  hershme liqenore në Europë, nga ana e arkeologëve zviceranë, të ndihmuar edhe nga ata shqiptarë. Sipas analizave laboratorike mbetjet e drurit të shtëpive të zbuluara në ujë datojnë rreth viteve 6000 deri në 5800 para Krishtit.

    Gjithashtu kohët e fundit kemi edhe hulumtime të reja që konfirmojnë lashtësinë e gjuhës shqipe, por të cilat hulumtime sërish janë bërë nga të huajt. Kjo është vërtetuar edhe në një  artikull të revistës Science, përmes të cilit me metoda të sofistikuara studiohet origjina e gjuhëve indoeuropiane dhe e gjuhës shqipe. Bashkë me armenishten dhe greqishten, konfirmohet se shqipja është një ndër tri gjuhët më të vjetra indo-europiane që fliten ende. Njëkohësisht nga kërkimet e bëra rezulton që përmes studimeve gjuhësore kompjuterike konfirmohet vjetërsinë dhe origjinalitetin e shqipes, ndërkohë që studiuesit grekë kanë bërë studime me ADN-në dhe kolaudojnë që popullata shqiptare është autoktone dhe shumë e vjetër në këto troje.

    Nëse i marrim parasysh të dyja këto studime, do të vërejmë se ato janë komplementare dhe plotësojnë njëri-tjetrin, me ç’rast argumentojnë në mënyrë të pakontestueshme shkencërisht që, si populli shqiptar, ashtu dhe gjuha shqipe, janë të paktën 6 mijë vjet të vjetër dhe autoktonë në këto troje.

    Jo rastësisht po i përmend këto hulumtime, për të orientuar temën e debatit sipas pyetjes që shtroni ju, me çka dua të them që shtetet tona, sidomos Shqipëria dhe Kosova, pse jo edhe Shkupi, ta marrin më seriozisht çështjen e kompletimit të katedrave, instituteve e akademive me specialistë të fushave deficitare që na mungojnë për të depërtuar në thellësitë e shekujve parahistorikë. Pa kuadro të specializuar, lashtësia jonë do të mbetet një zanat zbavitës në duart e paraalbanologëve, të cilët do të vazhdojnë të na argëtojnë me prurjet e tyre etimologjike e pellazgo-ilire.

    Sigurisht, ka shumëçka që na bashkon, por gjithsesi, më duket me interes edhe çështja e dallimeve. Konteksti historik me dinamika të llojllojshme, a ka ndikuar për të krijuar ndryshime mes shqiptarëve në shtete të ndryshme?

    Ne jemi një komb me disa mentalitete, ashtu siç kemi dy dialekte dhe disa të folme krahinore. Kjo është normale për një popull që gjatë rrugëtimit të tij historik është ballafaquar me mijëra sfida në procesin e mbijetesës kombëtare e njerëzore.

    Nëse i hedhim një sy rrugës së gjatë mijëra vjeçare që kemi bërë si komb, mund të vërejmë se e kaluara jonë është e mbushur plot me sinkopa dhe me ambise dhe mund ta merrni me mend se nëpër çfarë tallazesh të forta të kohës ka lundruar varka jonë e tejngopur me shpërngulje, gjenocide, asimilime e akulturime. Për të ardhur në pikën ku ndodhemi sot, ka qenë dashur të bëhen beteja të shumta identitare e gjeopolitike, sepse vetëm një popull që arrin të sprovohet nëpër  beteja të forta, ai popull meriton të ekzistojë.

    Për ta argumentuar këtë dua të veçoj tri periudha, apo tre momente, të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar populli ynë, pa të cilat nuk do të mund të flasim për ngjizjen etno-kulturore e psikologjike të popullit tonë. Shteti i Arbërit i udhëhequr nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Pavarësia e Kosovës, janë këto tri momentet vendimtare dhe shumë të qenësishme në ruajtjen e vertikales sonë shpirtërore si komb, si shtet dhe si shoqëri. Që të tri këto momente i ngjasojnë atyre centraleve elektrike, të cilat vetëm pasi të lidhen në linja interkoneksioni, prodhojnë energji dhe e bëjnë të mundur që errësira të shndërrohet në dritë. Pa këto tri momente historike, ne do të ishim ende në errësirë dhe do të ishte në pikëpyetje ekzistenca jonë si komb. Këto janë momentet, fundja që na bashkojnë, përfshi edhe një fushë të gjerë komunikimi e ndërveprimi përmes gjuhës, mediave, institucioneve, sportistëve, artistëve etj.

    Një komb modern nuk do të ishte i kompletuar nëse nuk i ka në vetvete edhe dallimet, sepse, fundja dallime kanë edhe italianët, edhe japonezët, edhe gjermanët, edhe suedezët, edhe kinezët. Dallime në mes veti kanë edhe shqiptarët, por këto, sipas meje, janë dallime që e pasurojnë koloritin tonë etno-kulturor. Janë dallime që nuk thellojnë ndasi, por përkundrazi janë thesar që e begatojnë arealin tonë gjuhësor, kulturor, etnografik etj. Merrne, bie fjala, vetëm laryshinë e kostumeve tona popullore dhe do të vëreni dinamikën e ngjyrave si dhe stilet e modelimit. Kjo flet për gjerësinë dhe thellësinë shpirtërore e kulturore të një populli, sepse kostumet ndryshe mund t’i konsiderojmë si    një  hartë e diversitetit kulturor e etno-psikologjik të një populli, siç është edhe harta kulturore e etno-psikologjike e shqiptarëve.

    Dhe në fund, cilat janë planet apo projektet ku Instituti është i përfshirë?

    Ne, pas përfundimit të çdo veprimtarie, fillojmë të mendojmë për veprimtarinë e radhës. Sivjet para nesh janë disa manifestime kulturore-shkencore, me karakter tradicional, përfshi revistat dhe botimet e ndryshme  që janë, ose pjesë përcjellëse e këtyre manifestimeve, ose pjesë të veçanta. Presim që gjatë datave 26 gusht-5 shtator të organizojmë “Ditët e Gonxhes”, një manifestim ky dedikuar kryesisht figurës së Gonxhe Bojaxhiut- Nënës Terezë, Konferenca shkencore ndërkombëtare e Ballkanologjisë (në gjysmën e dytë të muajit tetor), pastaj vijnë “Ditët e Alfabetit” (14 – 22 nëntor), “Ditët e Bogdanit” (5-6 dhjetor).

    Përveç këtyre manifestimeve e konferencave, që janë të rregullta dhe tradicionale, ne si ITSHKSH brenda vitit organizojmë edhe dhjetëra konferenca, promovime e tribuna ad hoc, të cilat vijnë me prurje të reja në fusha të ndryshme, ku studiuesit tanë dhe bashkëpunëtorët që i kemi si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri e diasporë, sjellin këndvështrimet e tyre të reja dhe krejt origjinale mbi fusha të caktuara të studimeve albanologjike e interdisiplinare.

    Pjesë e pandarë e veprimtarisë sonë kërkimore-shkencore janë edhe arkivat. Sivjet kemi bërë hulumtime serioze në disa arkiva dhe planifikojmë që të nxjerrim për herë të parë botime të bazuara mbi dokumente që flasin për të vërtetat dhe dritëhijet e proceseve, ngjarjeve e individëve të ndryshëm gjatë periudhave të ndryshme kohore. Kjo është një përpjekje për të ngritur nivelin e seriozitetit në studimet tona, me qëllim që të krijojmë traditën pozitive të bazuar mbi faktografinë e dokumentuar.

    Krahas gjithë kësaj që u tha më sipër, ne si Institut edhe sivjet jemi të përfshirë në aktivitete të përbashkëta shkencore-kulturore, bashkë me Tiranën dhe Prishtinën dhe presim që dinamika e këtyre aktiviteteve të jetë në funksion të avancimit cilësor e përmbajtësor të studimeve tona albanologjike dhe jo vetë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË