More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Mitologjia e krijimit

    Xhevair Lleshi: Mitologjia e krijimit

    François Rabelais / Fransuà Rabëlè
    (4 shkurt 1494 -?- 9 maj 1553 – !)

    E mbylli, duke u menduar pak. Rabële ishte kthyer në mit. Dhe shkroi: «Mitologjia e krijimit». Ia vlente. Gati si çdo ditë u ndie një lëvizje e gjallë përreth tavolinës së punës. Ishte një gjë e zakonshme, ku gjigantët dhe liliputët e tij, marrë prej kohe rrugën e krijimit, nxitonin dhe dukeshin edhe më të gjallëruar. Pas rrugës së tretë të tyre, u shfaqën menjëherë të përditshmet pas gogësimave bajate e të trasha. Deri në atë moment kishte shërbyer interpretime të stilit të vjetër, kurse tani zgjohej me diçka të fortë, pothuaj të pangishme, që s’tretej lehtë. E kuptonte qartë se po qartësonte me bindje idetë e veta.

    Në mes të zhurmës së lehtë të ndërrimit të situatave për këdo që bëhej edhe rastësisht i pranishëm, Fransua Rabële, gjithmonë e më shumë i habitur, përgjithësonte se «të gjithë ndërtuesit e rinj me gurë të vdekur s’kanë ndikuar kurrë në librin e jetës sime, sepse unë ndërtoj vetëm me gurë të gjallë dhe këta janë njerëzit, me ta zbavitem, me këto pyetje endem, qeshem, më kap çdo lloj marrëzie dhe jam gati të sqarojë për gjithçka edhe në detaje…», analizon personazhet e tij të famshëm, gjithmonë sipas autorit, Manuel dë Dieguez. Në krye dalin gjigantët me fëndyej të gjatë gjer në fund të qiellit për të siguruar ajrin e pastër, të fshehur në lartësi kaq të mëdha! Mendoi se do të qe më mirë që fëndyejtë të harkoheshin mbi pyje. Ajri i pastër aty fshihet!…

    «Njëlloj si dielli përhap kudo dritë, ashtu edhe Parisi, kryeqytet i mbretërisë, ushqyer nga Muzetë, radhonjtë e shkencës mbi botën, si të thuash, kompenson me artin e vet të të shkruarit me dukje të shenjtë, kishte gjithashtu për fat të mirë për nënë – një grua për së mbari, me karakter të fortë, e cila, pasi e kishte mallkuar, e pat falur dhe ishte pajtuar me të, në krye të një viti reflektimi, duke dashur, të paktën, t’i ruante tërë pasurinë e nevojshme qytetarëve, fitoreve dhe perspektivës, e cila ishte tepër e ftohtë, që mbahej si një nga gjërat më të bukura, me një vlerë që nuk ndryshonte kurrë, gjithë urdhra e rregulla, duke mirëmbajtur krejt jetën e përditshme një skrupulozitet të paparë…» (Mosha e artë, M. Dë Dieguez, «Rabële për vetveten», f. 5, Paris, 1960.)

    F. Rabële u bë ideal i shek. XVI me zbulimet e asaj që fshihej brenda njeriut, lirizmi i pavdekshëm, gjigant, ndezi shpresat duke qenë se zbuloi lirinë dhe personalitetin, me një elegancë të rrallë, sido që edhe me një skepticizëm që kuptohej qartë, i guximshëm dhe sigurisht donzhuanesk… Kështu shek. XVI i Rabëlesë është më afër nesh (shek.. XXI) se shek.XVII. Duket si diçka kundër rrjedhës normale. Tek e fundit ky njeri, Rabëleja, ishte i tëri kështu dhe ky përbën kolonën eshtërore të letërsisë frënge moderne me «Gargantua e Pantagryel»… Vepra e tij është një qiell i ëmbël, qytete të pasur e të gjallë, natyrë e kultivuar – e praruar – më në fund edhe artificiale, art shpërthyes, femra madhështore, popull i qetë, humor brilant, ironi e pavdekshme: një jetë e gëzueshme, më fisnike, më e gjallë në ngjyra dhe ndjenja, më e thjeshtë dhe më e gëzueshme. Gjithçka në «Gargantua e Pantagryel» është po kaq e rrallë dhe me ndikim marramendës.

    Humanisti francez, pabesueshmërisht, është tejet i madh, dëshiron të duket agresiv, vendosur si kontekst ose realizuar në figurën e një heretiku dhe më në fund ai realizohet në kohë gjithmonë duke qeshur, pasi s’mundi kurrë të vijë tek ne ndryshe (jo për fat të tij!) si lëndë kulturore e plotë. Ai nuk qe as dy shekuj larg Bokaçios, thelb dhe përditësim i mbretërisë së Napolit dhe po aq afër me Bibliotekat e Manastireve, me një këmbë futur në botën e dijeve, gjithnjë duke vajtuar bujshëm, me elegancë dhe estetikë të paparë, madje pranon të parën që i jepet, është i gatshëm të japë përgjigje të vogla e të thjeshta për realitetin rreth e rrotull, duke ua shitur mrekullisht lirë grave dhe fëmijëve…

    Mahnitshëm ne zotërojmë Letrat e Gloreanit – Erazmit, më 1517, ku i  shkruan: «Unë që kam jetuar në Paris për të mësuar greqishten e vjetër dhe ky nuk u bë dot as deluzion! Nuk gjen njeri këtu që të shpjegojë në mësime publike e private një autor të rëndësishëm grek të paktën në njohjen time. Kështu kohortat e panumërta të sofistëve kanë bërë një progres të madh… që kanë ardhur përmes entuziazmit duartrokitës si të vinin prej teatrit të Pompejit, një diskutim impozant për leshin e dhisë, (domethënë për asgjë!). Ata donin nga pak Adamin, atin tonë të parë (spekulativ), duke mos ngrënë dardha në vend të mollëve, si shprehje e dhunshme e zemërimit të tyre. Po bënte dy shekuj që Petrarka kishte shkruar: ‘Përse punoni pa pushim në boshësi, për fat të keq duke shpërdoruar veten? Përse harroni realitetin e gjërave për t’u vjetruar përmes fjalësh, me kuaj të bardhë dhe balle të qeshur, duke na kumtuar gjithmonë kalamanësi?’ Përse?…’ Në shek.. XVI skizma kulturore dhe imitimi i së kaluarës po gjente terrenin e duhur. Ndaj dhe «Gargantua dhe Pantagryel» përbën fenomenin letrar dhe filozofik. Kështu që Rabële është filozof dhe shkrimtar pararendës në ide dhe krijim artistik krejt të veçantë. Artet do ta rindërtonin Botën, vetëm pas Tij.

    Pastaj, me të shpejtë, në vazhdën e detajeve që jepte, shton diçka edhe për të tjera: tregti e qartë dhe e thjeshtë edhe përmes fjalëve. Termi tregti fjalësh tek Pantagryel bëhet lagje periferike, edukuar në një kolegj të madh për t’u bërë edukator, dëgjonte, duke vështruar, i shastisur dhe i ngacmuar nga ky rrëfim brutal, që i vjen keq dhe troç në veshin e tij delikat; ndërkohë që, pas kurrizit të tij, kushdo mund të përsëriste me një zë të respektueshëm se latinishtja asaj kohe e kishte mbyllur epokën e saj plot nderime dijesh dhe grotesk mendor për t’u admiruar…

    Rabëleja e impononte përvojën e tij, gjithnjë duke shijuar kënaqësinë e asaj që nuk të bie në kokë. Një lloj nxehtësie që rri pezull prej shandanëve të mëdhenj, prej pjatave që venë e vijnë, prej qenieve njerëzore që u zihet fryma; kurse Pantagryelët, si të hutuar, nxitojnë nëpër tapete që janë bërë me njolla yndyre. Megjithatë, darkat nuk po shijonin më. Zonjat po u bënin naze atyre, duke lënë pa ngrënë gjysmën e mishit. Vetëm Gargantuai i përlan të gjitha, me babëzi. Në atë orë të vonë të natës, nuk ka tjetër veçse hamës të nervozuar, as kutërbim kapriçioz të stomakëve të çoroditur.

    Askush përveç Atij, zotërisë «së moshuar» nuk pranon të prekë asnjë nga pjatat që i renditen; ai merr vetëm një lugë të stërmadhe supe dhe, ashtu i qetë, para pjatës së tij gjigante bosh, vështron rreth e qark tryezës sakate, tmerrësisht të vogël sipas përmasave të idealizuara njerëzore. Me takt, ai mundohet të fshehë ndonjë gogësimë. Shpesh qepallat i mbyllen, kurse fytyra i merr një ngjyrë dheu. Është gjithmonë si i rraskapitur, i uritur, sipas fjalëve të vjetruara. Këto lloj darkash, që të jenë të këndshme, nuk duhet të jenë të pastra, tipike. Po të mos ishte fjala e shkrimtarit që sokëllinte, ata të gjithë do t’i kishte zënë gjumi. Ajo dreq darke, duke marrë pamjen e një pritjeje orientale, me këmbën e shtrirë gjerë e gjatë, sa hapësira e një oborri apo salloni, bënte namin që t’i shërbenin ata që ka pranë vetes. Dhe ata s’bëjnë gjë tjetër veç kujdesen për Të, e ruajnë, e llastojnë, deri i japin edhe lugën e gotën dhe, të gjitha këto, nuk arrijnë ta bëjnë që të reshtë së ankuari. Dhe lind pyetja: Përse një gabim i tillë trashanik është treguar kaq lehtë e përciptë? Për t’i vjelë të kundërtën që jep grotesku dhe ironia? Ndoshta. Por ne sot, përtej çdo lloj parashikimi të vjetër, edhe në kohën e Rabëlesë, shprehet nëpërmjet revolucionit edhe atij aktual teknik e social: se ne njerëzit e kësaj epoke drejt gjysmës së shekullit XXI, mendojmë më mirë se revolucionet janë mjeti më i mirë i transportit ose produkt i triumfit aktual të një pikture abstrakte, që në shek. XVI na rrëfehej si një botë modeste. Pra, shek. XVI ishte thelbi i zhvillimit të revolucionit teknik, se që në ato ditë ishte parashikuar e sotmja e teknikës, që Rabële e vizaton para syve tanë si një botë tjetër gjigante e me gjak ironie. Sepse është shkrimtari i madh ai që na jep thelbin e atij zhvillimi të mbartur si figurë: Madhështia e batërdisë së paparë ndonjëherë shpreh të kundërtën e, gati-gati trashanike, në një botë që ndoshta ende s’e kemi perceptuar. Mos vallë edhe teknologjia e sotme e viteve njëzet të shek. XXI, ende nuk është parathënë ashtu si duhet nëpërmjet fjalëve të Rabëlesë? Kur Rabëleja, si Bude (krijues dhe miku i tij) i kohëve histori-formuese, ekzaltohet para kohëve të reja të daljes në skenë të librit, ç’do të thoshte për pesë shekuj më pas të epokës së humbjes së librit të shkruar, ose fillimit të librit digjital ose efemer, të ajrët – siç e përcakton shkrimtari i madh. «Ku? Si ta prekim, apo të hyjmë në abstraksion dhe të bëjmë sikur e prekim, ta ndijojmë…? Si do ta shijojmë atë që s’e prekim? Si do ta perceptojmë Ciceronin ose Senekën nëpër librari për një çmim të përgjegjshëm, për të pasur me dinjitet në bibliotekën tonë edhe të shkruar edhe në mënyrë digjitale Mozartin, edhe Verdin, edhe Bokerinin, ashtu siç do të donim të shijonim edhe veprat më konkrete të bëmave të Luigjit Diell? Si?…» Kështu, për ta kuptuar edhe më mirë, në shkrimet letrare më të bukura qëndrojnë ngjyrat e epokës kur është shkruar dhe ballafaqohet me kohët që jetojmë si një «shpërthim i vrullshëm mendimesh dhe parashikimesh me një vetëdije mahnitëse…» Kështu ndodh sot me Rabëlenë e jashtëzakonshëm në çdo fjali të parathënë për kohën tonë; kohën që ne e jetojmë si një ironi e llahtarshme e plot kuptim. Kështu është modifikuar edhe shija e publikut, vlera komerciale e librave që shndërrojnë politikën dhe botimet, artin e parathënë dhe atë të jetuar bukur apo keq, por gjithmonë e parathënë si britmë dhe gjetje e fuqishme. Kështu humanistët e mëdhenj i parathanë të gjitha. Njëri prej tyre është Fransuà Rabëlé.

    Paqësori Rabëlé gjithmonë i ndiqte ngjarjet e ndryshme të Sorbonës, të Parisit e të Lionit, kundërshtimet, armët, leximet, thirrjet e pafundme, parashikimet e çuditshme, njerëz që vinin nga gjithë bota, sigurisht edhe Erazmi i Roterdamit, një nga figurat më të kompletuara dhe të jashtëzakonshme intelektuale të Rilindjes Evropiane, ndihej si zgjim i fuqishëm; bisedat vinin dhe u bënë më të plota e të përgjithshme, ndërkohë që i japin fund marrëdhënieve sipërfaqësore, të ngrira, që mund të bëheshin të zemëruar nga mungesa e entuziazmit dhe të flitej fuqishëm më zë të lartë. (Aforizmat.)

    Me këtë rast, Erazmi i Roterdamit në vitet tridhjetë të shek. XVI, u njoh nga afër me Rabëlenë, si mik i çmuar i letrave dhe si filozof i madh, ashtu si me Thomas Mur në Angli etj. Rabële mbante një tunikë mbuluar tërësisht me gurë të çmuar, një mrekulli, një yll flakërues, që kishte mijëra ndjekës. Në Francë, një letërsi shumë e madhe Oborri do të lindte dhe të fuqizohej (një shekull më pas!), si një letërsi realiste – sipas mënyrës së saj, domethënë një realizëm i rritur, kompleks, shoqëruar me një psikologji subtile, që mundi edhe të jetë tragjike dhe një dukuri e thellë… Por kjo letërsi nuk arriti dot as te këmbët e letërsisë së fuqishme të Rabëlesë. S’ka dhe nuk gjen dot pika krahasimi. Rabële (një shekull më parë, XVI, e sheh epokën e ndritur të shek. XVII nga lart poshtë. Dhe kjo nuk është imagjinatë e vonë, por realitet i madh: shekulli i ashtuquajtur i artë (XVII) por një liliput letrar para madhështisë Rabële në shek.. XVI…

    Te Rabëleja, pasioni i vetëm dominues ishte kërkimi i një dijeje universale, energji e gjithçkaje  që u bë pikë referimi, u bë bulimì enciklopediste dhe ushqim shpirtëror, si një shtojcë e Pik dë la Mirandole. Vepra e Rabëlesë, është e gjitha e huaj për humanizmin klasik në dimensionet e saj profane, domethënë në saje të universalitetit të ngurtë psikologjik i gjinisë njerëzore, që përbën një sintezë të gjerë nga pushteti që rrjedh prej gjenisë së ushqyer nga teologët e mëdhenj të Mesjetës dhe ankthi i Rilindjes. Ndërkohë Rabële, për t’i dhënë fuqi të lartë të vërtetës dhe disa ekuilibrave superiorë, zbuloi aluzionet, të qeshurat, apologjitë, heshtjen, humbjet nganjëherë në rrugë sekrete, madje duke u rikthyer në faqet e jashtëzakonshme të ekuilibrave psikikë.

    Në veprën e tij gjen fytyra të zbehura, por me sytë e ndezur prej lakmisë, ka shumë zgjatje koke, përmendje emra – mbretërish dhe perandorësh të tjerë, që priten të vijnë në skenën e historisë. Rabële nuk shtron aluzione, por hedh vetëm të vërteta. Gjithashtu ka shumë ëndërrime, po edhe ndonjë trill mbretëror, ndonjë natë që do të paguhej me një pasuri të tërë… Dhe Rabële bën sikur është lënduar nga kjo fjali e ashpër, dhe s’ka asnjë lloj proteste, as edhe me pëshpërimë, ndërkohë që jep hollësi qesharake rreth mbretërve të ndryshëm, por kjo nuk e pengoi që të kishte të gjitha gratë që dëshironte; edhe pse këto dukuri e mërzitnin, saqë askush nuk arrin t’ia besojë bëmat dhe situatat.

    Vepra e Rabëlesë është ironi, grotesk, sarkazëm, tronditje zakonesh intime, biseda që kthehen në fatalitet, me një mënyrë të ftohtë akull tregohen histori shumë të çuditshme: ky që thua ti, ha mish të gjallë; kurse ai takon ndonjë femër pranë shtrofullës së tij, e përlan, e hedh në kurriz dhe e merr me vete… Dhe mbetesh gojëhapur nga habia. Plas kurdo e kudo e qeshura dhe që kuptohet se rrethohet nga gastrole të çmendura! Gjithashtu ka shumë ngazëllim teksa mendon se ç’mund ta priste ato ditë… se mund të sigurohen aq të ardhura, saqë të kihet mundësi të tërhiqen edhe nga mallëngjimi… sapo ishte ndier i turpëruar apo edhe tepër i skuqur, në situata plot humor e sarkazëm, herë duke iu marrë goja personazheve dhe e peshojnë gjendjen me një vështrim të vetëm. Në çdo rresht të ngjallet neveri dhe sheh se tashmë ndërpriten fjalët, mendimet, jeta… Dhe pa dashje vë buzën në gaz, me një gjest moskokëçarjeje, që lë të kuptohet se mund të korret ndonjë sukses të vogël…

    Spektakli i një vepre të madhe për të gjithë dhe te ky subjekt konkretisht, vepra e Rabëlesë të ngjall interes edhe më shumë… Aty është misteri i kohës, kthehet funksioni i jetës dhe ne na ndihmojnë edhe në gjysmën e parë të shek. XXI të kuptojnë situatën shpërthyese të planetit edhe në shek. XVI, infiniti i kufijve të kërkimit objektiv, shpresat e mëdha për të ardhmen e shkencës dhe plot problematika të njëjta, edhe pse pesë shekuj larg. Por i tillë ishte Rabëleja: shkoi kundër rrymës. Shkroi me intensitet për zgjidhjen e problemeve të shekullit të tij, parashikoi rrugën e gjatë të teknologjisë së sotme, por… ende asnjë shkrimtar i madh i botës sonë nuk arriti të shkruajë një roman aq profetik dhe domethënës, të një inteligjence ndryshe, qoftë edhe artificiale, saqë thua se edhe përpjekja e Xhonatan Suift – dy shekuj më vonë – do të dukej lilipute…

    Vërtet, në gjithë historinë tonë, shekulli i gjashtëmbëdhjetë është gjithnjë e më afër me shekullin tonë: jo, nuk është hije që ne sot e më tepër kuptojmë qartë se ky shekull (i njëzetenjëti!), ne do t’na evokojë duke folur vetëm për Fransua Rabëlenë (François Rabelais) dhe të famshmin, gjigantin e papërsëritshëm, «Gargantua e Pantagryel»…

    Tiranë, më 13.06.2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË