More
    KreuLetërsiBibliotekë"Dhjetë fabula" nga Vangjush Saro

    “Dhjetë fabula” nga Vangjush Saro

    NJERIU dhe HIJA

    Hija në muzg është e gjatë;
    edhe njeriu,
    që s’e ha thatë,
    i flet asaj kinse me ton:
    “Se mos merr kot moj,
    më dëgjon?
    Jam unë pa je ti. Tutkune!”
    “Vërtet, ia pret ajo, por ti s’je unë…”
    Bën tjetri të gjejë fjalën për më tej;
    ndërkohë, dita po ngryset me gjithsej.


    RENDI

    Moti, për festimet, dukej mbarë.
    Në tribunë, u dha Çakalli i pari.
    Fjalët,
    q’i kish shkruar mbi një gjethe,
    zuri t’i kumtonte plot lezete…
    Por papritur, bëri ballë Luani.
    Gjindja mbajti frymën, le ç’po ngjan.
    Bam (!) ai një shkelm zotit Çakall
    dhe e postoi te shkurret përballë…
    “Të më falni,” tha pastaj, “ishte pa klas;
    por… o miqtë e mi, nga kjo marr shkas
    ta them ndershëm se do ish më mirë,
    që sekush vendin e tij ta dijë.”
    Paskëtaj, fjalën e mori vetë;
    gjindja – sytë përpjetë…


    KRIMBI I DELIRIT

    E bëri internetin copë-copë;
    pastaj u ul që të pushonte.
    Përzgjidhte selfie në lëndinë,
    duke menduar vetëm për lavdinë.
    Ishin Ai dhe Dielli, tok;
    (shto Krimbin e Delirit, mik për kokë.)
    Ndërkohë një Gjarpër vinte ngadalë
    dhe dukej se në shenjë e kishte marrë.
    I tha Krimb’ i Delirit:
    “Stop!
    Mund të ikësh, e çoj unë në gropë…”


    FAJKOI JEP LEKSIONE GJUETIE

    Deti është i qetë, vaj.
    Një Fajkua zhytet
    dhe pastaj
    ngrihet që andej me peshk në sqep,
    për ta çuar në folenë e vet…
    Dhe kur zbret për gjuetinë e radhës,
    Sorra, e habitur, i vjen anës:
    “More byrazer,
    si është kjo punë?
    Më mëso të gjuaj edhe unë…”
    “Po, moj, e pse jo, ia kthen Fajkoi.
    Po kështu… me not, je mirë besoj?”
    “Au, për Zotin, s’kam mësuar fare!”
    “Po ç’kërkon atëhere, moj qyqare?”
    Tha Fajkoi dhe u zhyt sërish.
    Mbeti Sorra po atje ku ish…


    *Ndër gjinitë e preferuara për këtë autor, me disa botime edhe në gjuhë të huaja. (Së fundi, u botua në ShBA libri i tij me fabula “WHERE TO?”)

    NGUT

    U mat njeriu disa herë
    të kapërcente një llogaçe;
    së fundi hopa(!) tha i mjeri
    edhe u hodh sakaq.
    Por nuk ia doli gjithsesi,
    në baltë u përlye,
    prandaj edhe u mat të shante
    kanalin e urryer
    q’e lagu thuaj gjer në thonj.
    Por balta mëndjen ia ndërroi
    teksa i foli:
    -O kokëtul,
    S’ta kemi fajin as unë, as gropa:
    pa marrë ende mirë vrull,
    si mund të thuash: “Hopa!”


    KUSH E ‘RRËZOI’ GLOBIN?

    Globi ra nga rafti drejt në shesh,
    se… kush e rrëzoi,
    s’u muar vesh;
    (se shtëpia ka qen edhe mace,
    që veç në të rrallë bëjnë paqe).
    Kushedi… do shtypet ca përqark
    apo nuk do bëhet më për raft (!)


    KAMELEONI

    Te korija
    që digjet në zheg,
    Trungu i rrëzuar përmbi pellg,
    po i flet Kameleonit rëndë:
    “Ç’më ngallosesh vend edhe pa vend,
    dhe më loz me ngjyra, me nuanca?
    E mohon? Të kapa në flagrancë.”
    “Rri, o mik
    dhe kot mos ia vesh!”
    thotë Kameleoni sy e veshë.
    “Unë ndërrohem puna si të jetë,
    se përndryshe nuk ngryset kjo jetë…”


    POETI dhe SHIU

    Një Poet po “qante” bashkë me Shiun;
    (shiu këtu e shiu atje…)
    Ish në qiellin e shtatë derëziu,
    fjalët dhe lotët shkonin rrëke.

    I tha Shiu, pak si me shaka:
    “Nuk u lodhe njëherë, o zotëri;
    fillim-mbarim me mua tallava?
    Folë për veten, thuaj kush je ti…”


    TRUMCAKU

    I ikën një Trumcaku mendja
    edhe kujton se është… qendra;
    (qendra e Botës domethënë).
    Pra, s’ka më Diell edhe Hënë,
    ësht’ veç ai dhe… këng’ e tij.
    Të mbajmë vesh çfarë do të ndrijë:
    E nis ‘koncertin’ si Gushëkuq,
    por sprova e parë i del huq.
    E ka pak lart, e ul më poshtë,
    që si Mëllënjë t’ia thotë.
    Por pak më tutje, ndërron prapë ky yll;
    rreh të këndojë si një Bilbil.
    Më kot.
    Bën vetëm: “Ciu, ciu!”
    Kjo s’i pëlqen as vetë të ziut.
    Dhe s’ka më kohë, nuk vazhdon dot.
    U ngrys. Ra perdja dhe për sot…


    PA SHPJEGIM

    Era pemët po krihte me nge…
    Diku, një kokërr molle ra përdhe.
    Zoti Iriq, që andej kalonte,
    tha me vete:
    “Ia hodha sonte.”
    Kurse Krimbi, teksa dilte jashtë:
    “Byrazer, po mua do më hash?
    Jo për gjë, por mund të më kurseje,
    sepse këtë vakt e ke prej meje.”
    Tjetri, me sa dukej, ngutej pak;
    Mollë edhe Krimb shkuan në bark…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË