Nga grishja e kësaj kujtese, krahas veprave letrare, nga ato që zënë vend në rendin e vlerave, nuk mund të mbeten jashtë vëmendjes as vektorët e proceseve të kritikës letrare, e cila, dihet se shfaqet e lidhur ngushtësisht/pazgjidhshmërisht, edhe me fatin e vet letërsisë shqipe. Përveç ndërvarësisë së brendshme, nga aspekti determinativ, mes tyre ka rezultuar i pandarë gjithashtu edhe fati i ndikimeve reciproke, ku nuk kanë munguar nga ato raste që ky ndikim – të shkonte deri në absurd, pikërisht atëhere, kur kjo situatë, vinte veçse për shkaqe të natyrës jashtë letrare. Domethënë, një kritikë anatemohej dhe përjashtohej nga komunikimi për shkaqet e fatit jashtëletrar të veprës, apo të autorit – të cilit, ajo mund t`i referohej. Apo edhe sepse vet autori i shkrimeve kritike, mund që të zbohej nga froni i kritikës për shkaqe krejt të tjera, nga ato që s`kishin të bënin fare me tekstet e kritikës së tij. Kjo ka ndodhur me jo pak autorë të njohur, që u përfshinë në rrahjen e problemeve të letërsisë shqipe si: Faik Konica, Namik Ressuli, Mitrush Kuteli, Filip Fishta, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Eqrem Çabej, Arshi Pipa, Vedat Kokona, Vangjel Koça (alias Vangjo Nirvana), Pashko Gjeçi, Jani Lili etj. Madje është interesante të kujtojmë se ky i fundit, Jani Lili, me pseudonimin letrar Lek Drini, që shfaqet mjaft aktiv në lëvrimin e kritikës në periudhën monarkiste e gjatë viteve të luftës së dytë botërore, i është drejtuar disa herë edhe paradigmës/dimensionit të kujtesës në letërsi, dhe konkretisht në disa shkrime me tituj të tillë si: Kujtimi, element i parë i artit (tek: Tomori, 28.1.19420), Kujtimi dhe koha (tek: Vatra shqiptare, 25.11. 1941), Futurizmi dhe kujtimi (tek Tomori, 23.1.1942).
Në këtë kontekst, si kujtesë e një kontributi – por i përjashtuar ky kontribut nga komunikimi për dekada vitesh, mund të shqyrtohet edhe revista Kritika (1944)e A. Pipës, e cila, e ka nisur botimin periodik të saj në disa numra, 80 vjet më parë, në marsin e vitit 1944. Pra, doli në qarkullim në një nga periudhat më të vështira të kohës, deri edhe të rreziqeve të mirëfillta egzistenciale, sikundër ishin vitet e pushtimit të Shqipërisë, gjatë luftës së dytë botërore. Por paradoksalisht, në kohët që erdhën më pas, edhe pse tashmë jemi pas largimit të pushtuesit, jo vetëm që kjo revistë nuk mundi ta vijonte dot më botimin e saj, por edhe mbeti në harresë, apo nisi kalvari i anatemimit të saj. Ky qëndrim, sigurisht që ishte në sintoni me qëndrimin ndaj autorit të saj, por që paradoksalisht, nuk lidhej me kurrfarë çështje të kritikës, që ai kishte shkruar e botuar deri atëhere.
Pra, për rrethanat e kohës, revista Kritika, mbeti jetëshkurtër nga aspekti editorial, por mbetet e vlerësuar për frymën emancipuese dhe moderne/vizionare, që ajo e përcolli tek lexuesi në trajtimin e çështjeve letrare. Do të mjaftonte që kjo revistë të mbetej vlerë e shënuar – edhe vetëm për faktin, si e para revistë e profilit kryesisht kritik në editorinë shqiptare, e njëkohëshme për nga rastësia e vitit të botimit, me botimin e librit – po të parë me shkrime kritike – atij të Mitrush Kutelit: Shënime letrare (1944).
Arshi Pipa ka meritën, jo vetëm si botuesi i një reviste të këtij formati, por mbi të gjitha, për vizionet konceptuale që përcaktoi dhe realizoi në shkrimet e saj. Duhet sjellë në vëmendje se, kësaj kohe, edhe pse në kushte aspak të favorshme prej rrethanave të amullisë së pushtimit të vendit, vrehej gjithsesi si sfidë mbijetese e qëndrese, që të qarkullonin prirje e modele të larmishme letrare, shoqëruar këto me debate e polemika të ndezura. Edhe pse në hapësirat e ngushta kulturore e të një vendi të vogël si Shqipëria e asaj kohe, e ca më tepër, në kushtet e smogut dëshpërues/depresiv të luftrave në kontekst global, megjithatë, këtu bota letrare vazhdonte të ruante ritmet e saj, thua sikur ajo të jetonte në oazin e vet të paqtë.
Pra, kësisoj, letërsia dëshmonte qartazi e pa trandje atë autonominë e saj sovrane/natyrale e të patjetërsueshme, që i takonte gjenetetikisht. Dhe prandaj vrehen që të ndeshen në këtë hapësirë letrare njëkohshëm: kryqëzime ndikimesh prej lëvizjeve më të reja letrare europiane dhe prej traditave të tejkaluara e anakronike; risi apo shenja origjinaliteti deri impresionuese – dhe plagjiatura spekulative; lartësime dhe denigrime të natyrës objektive apo emocionale; art elitarist e deri estetizant, që nxitej prej frymës krijuese – dhe art pacifist, apo hiper militant, që frymëzohej prej ideve të përkundërta politike të kohës.
Kjo revistë e A. Pipës, deri në çastin e daljes së saj më 1944, duket se ka një parapërgatitje në frymën konceptuale të interpretimeve letraro-estetike, që do të merrte përsipër të trajtonte. E kjo do të lidhej me frymën dhe parapërgatitjen e vet autorit të tyre. I sapo kthyer nga studimet në universitetin e Firences për filozofi (1938-1942), fare i ri, me formim të fortë estetik e letrar, ai dëshmonte përkushtim në fushë të kritikës letrare. Janë disa shkrime më të hershme të tij, të botuara në gazeta e revista letrare të kohës dhe sidomos tek Shkëndija, Tomori, Fryma, ku mund të veçonim ato me titujt: Për një kritikë letrare,[1] Art moral e vetëdije letrare,[2] Kritikë a Polemikë?[3] Këto shkrime të para të tij, sado prej një të riu të sapodiplomuar, dallohen për vëzhgime substanciale e të përditësuara të realiteteve letrare të kohës. Ato dëshmojnë shije të hollë në përzgjedhje e vlerësim, talent dhe inteligjencë të spikatur/lindur, si dhe formim të lartë/sigurt letrar e filozofik. Ky formim, ishte fituar jo sido kudo, por pikërisht në aulat e njohura universitare të Firences (Itali). Kritiku i ri, gjen rastin që t`u drejtohet veprave të disa prej autorëve nga më të njohurit e letërsisë shqipe si: De Rada, Konica, Fishta, Serembe, Noli, Kuteli, Migjeni…
A. Pipa e ka përcaktuar/projektuar qartazi vizionin e tij për kritikën, çka bie në sy edhe në një nga shkrimet e tij të para me titull: Për një kritikë letrare. Për të, kritika ka rolin e saj si vlerësim/matje e produktit spiritual dhe këtë, ajo duhet ta bëjë me dinjitet, pa e tradhëtuar vetveten – duke bërë pazarin vulgar të kulisave. Ai evidenton kërkesën për një kritikë të orientuar nga interpretimet e letërsisë prej principesh estetiko-historike. Pra, dëshmon se ndjek modelin e kritikës mirëfilli profesionale, e cila, duhet që t`i kalkulojë vlerësimet e veta mbi kritere rreptësisht dhe vetëm estetike. Sigurisht, duke mos i shkëputur ato vlerësime e klasifikime edhe nga konteksti historik, se ku dhe kur ato vlera janë krijuar e krijohen. Por pa u shkëputur krejt, edhe nga koha e mëtejme, kur ato vlera/vepra do të vazhdojnë të receptohen. Dhe nisur prej këtyre premisash, që procesi letrar shqiptar të mos prezantohet si stanjativ dhe i kalcifikuar, shtron kërkesën e rivlerësimeve. …Nuk mundemi të vijojmë ma me pranue verbësisht traditat e arkivave letrare për hatër të disa qyshkeve praktike extra – poetike. Me pranue nji flije ose nji zvoglim adhurimi për hir të së vërtetës; me guxue me u shprehë pa paragjykime edhe në se në kët mënyrë i biem ndesh krenarisë son` kombëtare; me depërtue raportet midis poetit e atdhetarit, midis qëllimit e kufinit estetik të arrijtun; shkurt me da shapin prej sheqerit: qe çka duhet me u ba. Iluzionet në fushën kritike janë po aq të damshme sa gjetiu…[4] Pra, kërkohet që të bëhen rivlerësime të letërsisë, nisur nga kritere veçse estetike.
Shkrimi Shpirti kritik,[5] i vendosur në faqen e parë të revistës, ka konturet e një programi të vizionit përmbi kritikën, të cilin, e ka formuluar vet botuesi i saj, A. Pipa. Këtu projektohet e përcillet pikërisht koncepti dhe besimi, që ai ka për lëvrimin e një kritiketë atillë, që të sjellë pak rend e ndriçim në pyllin e gjykimeve tona, një kritikë që vlerëson traditën dhe ndjek hap pas hapi prodhimin letrar të kohës, që përcjell në procesin letrar rend e dallim, masë e qartësi, kuptim e vlerë. Është ndjekës i asaj kritike, e cila, nuk shkatërron pa ndërtue ma parë… Pra, studiuesi i ri, ka për yll të tij një kritikë, që e përmbush misionin e saj përmes kompetencave profesionale, përmes ndjekjes sistematike dhe empatisë për letërsinë, që lidhet me konceptin e kritikës me perspektivë.[6]
Tek nr. 2 i revistës, Pipa i kushton një shkrim në trajtë eseje Faik Konicës. Koha provoi se do të ketë disa pika takimi mes karakterit dhe veprës së tyre. Vlerëson figurën e Konicës që u vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare dhe si hypi nji herë nuk luejti ma…Vlerëson po kështu, aktivitetin e tij kulturor e letrar, që, ndonëse jo e shpeshtë/e dendur, por gjithherë e ndrrueshme, e freskët. Kishte tinguj të nji mendësije të ndryshme, perëndimore… e që ma se nji herë iu dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare dhe ishte njeri ekstremesh të mëdhaja, këndej nuk begendiste, andej nuk falte!
Për A. Pipën, Konica ishte nga ata personalitete, që i njihte të tëra të fshehtat e stilit dhe që mund të karakterizohej si i tani stil, por që megjithëse botoi vlerësime impresionuese në fushë të letrave, potenciali i tij kritik, nuk arriti që të shfrytëzohej sa do të duhej dhe kjo, sepse rezulton të jetë ende i kufizuar produkti letrar: Gjithë letërsija shqipe përmblidhet në nji grusht dhe jo fort të shtërnguem…,[7] shkruan ai.Sipas tij, Konica qe i pari njeri modern i vërtetë ndër shqiptarë edhe sepse puna atdhetare e Faikut, qindron ma tepër te kritika e anës së dobët se sa te lëvdimi i anës së mirë të shqiptarit.[8] Po kështu, vlerëson ironinë dhe sarkazmën koniciane, si një dhuratë hyjnorësh, që sjell veç vlera të shëndetshme për shoqërinë shqiptare, sepse është e drejtuar nga një qëllim serioz, nga një dëshirë universale.
Këtu ka rastin të bëjë edhe një përqasje interesante mes dy personaliteteve: Konicës dhe Fishtës, fare të pangjajshëm në vështrim të parë mes tyre, duke dhënë me këtë rast edhe një sintezë përcaktuese të karakterit antropologjik e më gjerë: Na duket, ndërmjet atyne dy poleve të kombit, qi janë gega e toska, se i pari përmban ma tepër landën, brumin e shqiptarit dhe i dyti, trajtën, frymën. Dhe nëse gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnisë te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër … te Konica.[9] Sigurisht, që në këtë konkluzion, nuk ndihet ndonjë vlerësim paragjykues: diferencues apo relativizues, rreth tipareve të poetikave dhe shfaqjeve repektive antropologjike. Veçse bëhet e ditur si e pamundur që të shprehet e të përfaqësohet dot e plotë letërsia shqipe, pa njerën apo pa tjetrën. Ato krijojnë harmoninë e së plotës.
Kjo është nga ato teza besojmë mjaft interesante dhe intriguese për t`u shtjelluar në boshtin tematik të çështjeve të arealit letrar shqiptar. Por që mbetet një tezë enigmë, në kuptimin se autori, këtu nuk i hyn argumentit për ta shtjelluar së brendshmi, por që as më pas, në dijeninë tonë, nuk ka patur rast për ta trajtuar. Deri diku, si vijuese e cekjes së kësaj teze, është edhe një shkrim, pikërisht po i kësaj kohe i E. Çabejt, i cili, ndalet mbi veçoritë e epikës së veprës së Fishtës, një shkrim ky i botuar tek revista Shkëndija, ku kishte botuar jo pak herë edhe vet A. Pipa. Çabej thekson se vepra e tij (Fishtës)…u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë racial, që ka mundur të ruajë gjer sot jeta shqiptare… Kësaj i përshtatet edhe forma e përjashtme e poemit, stili i të cilit është burrëror e i vrazhdë, gjuha kokërr e larg çdo ëmbëlsie të tepruar…[10] Dhe këtë formë të poemës, Çabej e shikon të ndikuar prej Eposit të Kreshnikëve.
A. Pipa e shfaq edhe në raste të tjera prirjen e vështrimeve krahasimtare mes krijuesve e tendencave letrare, shenjë kjo e zotërimit të sigurtë të procesit letrar dhe e kalkulimeve të vlerësimeve më të gjera mbi nivelet e tij. Ai bën përcaktime koncize/bazike psh mes artit të Nolit dhe Konicës. “Arti për art” mund t`ishte “credo-ja” e nji Konice. Formula e Nolit qe gjithmonë: “Arti për edukatë”, nënvizon ai tek shkrimi: Bariu i popullit.[11] Pra, bën me dije atë dallimin e njohur mes artit meditant e artit militant në krijimtarinë e tyre, por pa rënë në pozita paragjykuese/blasfemuese për ndjekësit e kësaj ose asaj prirjeje.
Vështrime krahasimtare hedh edhe mes Fishtës e Nolit. Njeni geg e tjetrin tosk: dy polet e gjenialitetit shqiptar. Prift Fishta e prift Noli. Shqiptar i madh i pari e Shqiptar i madh i dyti. Vehtje poliedrike që të dy: të pajisun me kulturë të gjanë, me njohuni të thella, të pajisun dhe me art të madh. Që të dy bisedarë e polemista të fuqishëm… Përveç se shkrimtarë, piktor e arkitekt Fishta, muzikant Noli. Dhe përmbi të gjitha e njajtë e pothuej fuqija profetike e fjalës së tyne, e Verbit të tyne. Fe e Poezi, Zanë e Perëndi: binome të shêjta të shkrime në nji monom: Shqipni…Por kur kemi thanë kto nuk kemi precizue si duhet. Fishta me Nolin janë, në nji vështrim të dytë, antitetikë. Fishta “gjeni i tokës, shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”, si e quejti në nji mënyrë lapidare Lasgushi. Noli: gjeni i âjrit, za burije n`erë, fatidik kah horizontet e reja të s`ardhmes…[12]
Qysh në fillimet e aktivitetit letrar e studimor, Pipa e ka kuptuar se udha e idealistëve dhe shkrimtarëve, shpesh është e shtruar me gjëmba, që do ta artikulonte viteve më pas edhe Kuteli tek testamenti i tij. Atje ku jetën e shteteve e drejton makiavelizmi, hipokrizija politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të naltat njerzore. Dhe parashikon me një apel retorik atë situatë të rëndë që do të ndodhte menjëherë në Shqipërinë e pasluftës: O kohna të republikës së Platonit, ku filozofi drejton shtetin! Ju jeni gjithnji larg! E poezija! Ah! Ajo sidomos, qi asht aq e hajthët, aq ajrore, sa të mos i afrohet valës së betejave politike: mund t`i digjen krahët e atëhere do të bâhet krymb i mjerë qi çdo kambë mund t`a shklasë…[13]
Ne nuk e dimë pritjen e kësaj reviste tek lexuesi i kohës. Nuk kemi të dhëna të referueshme, aq më tepër, që ajo doli në kushtet e turbullta të travajeve të luftës së dytë botërore dhe brenda një qarku të shkurtër kohor – vetëm në pak muaj. Dhe pastaj, vjen koha e përjashtimit të gjatë të saj nga komunikimi, në vitet e totalitarizmit. Kësaj kohe, i pari që e risjell dhe e vlerëson para lexuesit këtë kontribut, në kontekstin e tërë rrjedhave të kritikës letrare shqiptare, ishte studiuesi Ibrahim Rugova, në studimin e tij të gjerë monografik Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, me të cilin, ai mbrojti tezën e doktoraturës (1984).
Por kjo revistë, ka rastin e gjykimit të sotëm, tashmë pa korniza kufizuese – për të evidentuar nivelin e saj antikonformist dhe emancipues e vizionar, vlera këto, që i kishin përcjellë para së gjithash e sidomos, shkrimet e botuesit të saj, A. Pipës.
Në ndonjë tekst apo manual, A. Pipa është përcaktuar si ndjekës i kritikës intuitiviste. Këtu është patur me sa duket parasysh interesimi i tij i njohur për filozofi e estetikë, duke u bërë në disa shkrime përcjellës/referues, sidomos i filozofisë metafizike të Bergsonit, e cila, artin e koncepton si një metafizikë dhe që procesin e saj të njohjes e realizon përmes intuicionit.[14] Duhet kujtuar se ky filozof, ishte mjaft i njohur dhe i autoritetshëm i kësaj kohe, mik i Ajshtajnit, i zgjedhur anëtar i Akademisë franceze dhe mbajtës i çmimit Nobel (1928).[15] Por gjithsesi, besojmë se duhen marrë me rezerva klasifikimet kategorike, ku në këtë rast, tek shkrimet kritike të A. Pipës, mund të ketë patur ndikimin e vet fryma eseistike në disa prej tyre. Kjo mund të ketë ndodhur me sa duket për t`i çliruar ato nga gjuha e thatë e për t`i bërë më tërheqëse për lexuesin. Këtu nuk përjashtohet, nga aspekti i veçorive të diskurit ligjërimor, as ndikimi që mund t`i vinte autorit të tyre prej muzës së poezisë, e cila, e kishte pushtuar qysh aso kohe zemrën e A. Pipës. Por duhet kujtuar se në rrethin e atyre shkrimeve, nuk mungojnë edhe parashtrimet vertikale mbi tekstet e shqyrtuara letrare.
Pra, mund të konstatojmë se modelin e kritikës intuitiviste, në fakt, nuk e ka si prirje/tendencë themelore të tij: as në shkrimet kritike të viteve `40, e aq më tepër pastaj në ato të mëpasmet, të cilat, shquajnë për zotërim dhe aplikim të koncepteve të thella teorike folozofike e letrare, si dhe me parashtrime e interpretime të karakterit filologjik, kulturoro-historik e tekstologjik. Mjafton të kujtojmë psh studimin e tij të gjerë monografik mbi poezinë e De Radës, si pjesë e Trilogjia Albanika, botuar më 1978. Padyshim që kjo është një vepër jete dhe mbetet nga interpretimet më të thella rreth veprës deradiane, në saj të hulumtimit nëpër burime të reja dhe të aplikimit të metodave adekuate interpretuese të asaj vepre. Kryevepra e De Radës Këngë të Milosaut, apo margaritari i poetit, siç e quan atë në një nga shkrimet e tij të para,[16] shqyrtohet si një univers letrar, i konceptuar brenda projektit të poetit arbëresh të romanit lirik të dyfishtë, e prej këtej: të ndërtuar/organizuar – brenda një strukture binare, një tezë kjo e vijuar për t`u rimarrë edhe nga studiuesit e mëpasëm.
Ky studim monografik i A. Pipës mbi veprën poetike të J. De Radës, do të mbetet një nga studimet tejet të thelluara/sofistikuara në vëzhgimin, në interpretimin dhe në rindërtimin e poezisë deradiane, sidomos e vështruar kjo krijimtari në amëzën/frymën italo-shqiptare dhe në rimarrjet ciklike e gërshetuese të saj – e vlerësuar si shenjë e një konceptualiteti prej tërësie, prej universi letrar të pa cak, të pafund.
Revista Kritika kujtohet me venerim, si e para revistë shqiptare e orientuar posaçërisht për nga lëvrimi i kritikës letrare, por edhe si projekt i aktivitetit dhe përgatitjes të një kritiku e personaliteti të shquar në kohët e mëpasme, sikundër do të ishte Arshi Pipa.
[1] Shkëndija, 1941,nr 2-3, f. 59-61
[2] Shkëndija, 1941,nr 5-6
[3] Kosova, 1942,nr 36
[4] Cituar sipas: E. Muhametaj:Mendimi letrar shqiptar 1939-1944/7, f. 62
[5] A. Pipa, rev Kritika, nr 1, T. 1944
[6] Shih:I. Rugova, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare, T. 1996, f.169
[7] Po aty, f.465
[8] A. Pipa Faik Konica, rev.Kritika, n. 3, 1944
[9] Po aty
[10] Përmbledhja Gjergj Fishta, Sht. botuese.Luarasi, T. 1941
[11] A. Pipa, Kritika, T. 1944, nr.2
[12] A. Pipa, Kritika, F. S. Noli “Mall e brengë…”, T. 1944, nr 1
[13] Po aty
[14] Shih I. Rugova, vep. e cituar, f. 170-171
[15] Didier Julia, Fjalor I Filozofisë, Sh.B. Enciklopedike, T. 1994
[16] A. Pipa, Vepra atdhetare e poetike e De Radës, Bashkimi i kombit, T. 01.03. 1944