More
    KreuIn memoriamProf. Dr. Klara Kodra: Lamtumirë, Xhevat Beqaraj

    Prof. Dr. Klara Kodra: Lamtumirë, Xhevat Beqaraj

    U shua  edhe një yll nga yllësia e shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë, poeti mallakastriot  Xhevat Beqaraj, liriku  i ëmbël dhe fin që në vargje vizatonte  tablo të shumëngjyrëshme të natyrës, duke i parë  ato me syrin  e  mrekulluar dhe naiv të fëmijëve, që i  antropomorfizonte kafshët duke i shndërruar në personazhe të gjallë, që gjente  harmoninë e përshtatshme për vjershat dhe poemat e tij, përmes një larmie  metrash dhe rimash tingëlluese.

    Që nga  vëllimi i parë  që u takon  viteve  gjashtëdhjetë, “Kam një harmonikë” (1965) e deri në “Rruazat e vesës” të vitit 2005, Xhevati kishte gjetur vetveten si poet të afërt  me shpirtin e fëmijës që sillte  në krijimtarinë poetike për të vegjëlit  përvojën e vet si mësues, njohës i moshës fëmijërore. Veçse, ky autor nuk sillte aspak në shkrimet e veta frymën  didaktike, përkundrazi aspektin e pastër  fëmijëror të shpirtit të vet që u bënte  të fliste fëmijëve pa u shtirur dhe duke  komunikuar natyrshëm me ta. Xhevati kishte një individualitet krijues të spikatur  që e dallonte ndër  sivëllezërit  shkrimtarë për fëmijë. Qe poet i detajit dhe i  figurave (metafora, simboli, epitete) të thjeshta e befasuese, qe poeti i gjetjeve të goditura që e  çudisin dhe  e bëjnë të  mendohet  lexuesin e vogël. Qe poet i lirikave të shkurtëra dhe i poemave. Qe poet që dinte  të ndërthurte imtësitë  nga realiteti me elementin fantastik që përputhet me  magjinë  e vështrimit fëmijëror mbi botën, pra poet  i vjershës përrallë dhe poemës përrallë.

    Qe poet  që  dinte të  vendoste  dukuritë e përjetshme  kozmike pranë dukurive të teknologjisë moderne. Xhevat  Beqaraj e shtriu  poezinë e vet  në  dy periudha, madje në  dy shekuj, nga dyzetvjeçari i fundit i shekullit  të njëzetë në fillimin e shekullit të njëzetenjëtë, duke e përtërirë  vetveten nga vëllimi në vëllim dhe duke i qëndruar besnik thelbit të vet, botës së vet poetike. Ai diti të ishte  i thjeshtë, pa rënë në atë thjeshtëzim që dëmtoi  një  pjesë të poezisë sonë për  fëmijë, të shkruante një poezi të pasur me mesazhe, me vlera  njohëse dhe edukuese, pa rënë kurrë në atë retorizëm apo didaktizëm që e largojnë  instiktivisht fëmijën. Disa nga personazhet e tij kafshë të  animizuara të mbeten në mendje, qofshin ato pozitivë si milingonat punëtore të poemës  “Elefanti dhe milingonat”, mësuesja  sorkadhe, e dashur  dhe komunikuese me nxënësit, apo negativë si  dhelpra e vjershës “Ku di qeni të lexojë”, dinakja që kapet në vetë  lakun e dinakërisë së vet ose elefanti mëndjemadh që beson vetëm te forca fizike te “Elefanti dhe milingonat”, po mposhtet papritur nga guximi dhe mençuria  e kundërshtarëve që ai i gjykon  si të dobët. Gjithashtu të  mbeten në  mendje personazhe fëmijë si vogëlushja e dashur Keti që e animizon në mënyrë naive hënën dhe kërkon të  gjejë mënyrën  për ta  shpëtuar se mos mbytet në pus, vogëlushja  Dritë që hedh  tullumbacen me figurën e maces dhe shqetësohet  a do të fluturojë dot pa krahë, djali i vogël që bëhet merak për  rosën që lahet në shi, Eneida e dashuruar pas natyrës, e mençur, po edhe  naive, e tregimit në vargje “Çuditë e Eneidës”.

    Poeti e rizbulon  natyrën bashkë  me fëmijët  që janë personazhe ose  bashkëbisedues në poezinë e tij. Ai poetizon edhe lodrat përmes të cilave fëmijët zbulojnë realitetin dhe aktivizohen, po edhe përpjekjet e tyre të para për dije  në sferën  e shkollës.

    Një gjetje  befasuese e autorit është shkolla për kafshë e shpezë që fillon në pranverë dhe jo në  vjeshtë (“Nuk qeshin të gjithë”). Poeti i përdor personazhet kafshë të antropomorfizuara për të simbolizuar  tipa të ndryshëm fëmijësh dhe marrëdhëniet e tyre me mësimin dhe  mësuesit.

    Një tipar i artit  të Beqarajt  është  ndërthurja  e lirizmit me humorin  e këndshëm, dy çelësa për të hyrë në botën e lexuesit të vogël. Xhevati është  një poet konçiz, një poet  që sintetizon, një poet që gjen fjalën e duhur për të vizatuar portrete dhe tablo  ose për të  ndërtuar  dialogë  shprehës.

    Xhevat  Beqaraj  bën pjesë ndër ata autorë  që dëshmuan  për  thellësinë  dhe nivelin  e lartë  estetik që mund të arrijë  letërsia  për fëmijë, e nënvlerësuar dhe e mënjanuar  gjatë nga kritika  jonë. Ndarja e tij nga jeta  ka hapur një boshllëk që s’do të jetë  e lehtë  të mbushet.

    Po trashëgimia  letrare që ka lënë  është një  pasuri  e paçmuar  në thesarin e poezisë për fëmijë, në veçanti  dhe tërë  poezisë shqiptare  në përgjithësi. Përmes  saj poeti rron dhe  do të vazhdojë  të rrojë.

    S’po i rikthehem metaforës së yllit që, siç dihet, edhe i shuar mund të rrezatojë dritë. Është  një metaforë që ka humbur  bukurinë e origjinës nga stërpërdorimi. Veçse  drita e  poezisë  së  Beqarajt shkëlqeu  që në të  gjallë të tij në dy periudhat krijuese në të  cilat  u zhvillua dhe i  arriti  lexuesit fëmijë dhe të rritur, gjithnjë origjinale, gjithnjë e freskët dhe e  gjallë.

    Jemi të bindur  që kjo poezi  do t’u arrijë edhe brezave  të tjerë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË