More
    KreuOpinionRudolf Marku: Shkëmbim mendimesh për antologjinë

    Rudolf Marku: Shkëmbim mendimesh për antologjinë

    Një shkëmbim mendimesh mbi Antologjinë e Poezisë Moderne Shqipe, me Muharrem Jakupin, në lidhje me kritikën dhe atë që ai e quan kriter gjeografik të Antologjisë

    I dashuri Muharem Jakupi,

    Të falënderoj për komentin e sinqertë. Desha të bëj dy sqarime në lidhje me shqetësimet tuaja:

    E para, kritikët. Kur flas për kritikët, unë (dhe të tjerët si unë) nënkuptojmë ata të cilët pretendojnë se janë kritikë profesionalë dhe njohës të mirë të letërsisë. Por që në të vertetë, në kundërshtim me pretendimet që kanë,  me paaftësinë e tyre për ta studiuar letërsinë si të tillë, e kanë gjykuar atë si jo të tillë, me mjetet jo letrare, me anësi politike dhe ideologjike. Kur Ali Aliu përjashton nga Antologjia e vet, në Vitin 2002, Budin, Bogdanin dhe Fishtën, ai niset nga këndvështrime jo kritike, por ideologjike, madje shumë të dyshimta, pa e justifikuar këtë përjashtim me asnjë kriter letrar a estetik! E njëjta logjikë aplikohet, kur K. Bihiku e kritikon Asdrenin për kërkime formaliste, duke rekomanduar mosbotimin dhe mospërfshirjen e poezisë së tij ‘Merzi Vjeshte’. Ose lexo  dhe komentet kritike mbi Jeronim de Raden, një shkrimtar madhor i letërsisë Shqipe që sot e kësaj ditë shpjegohet me termat Atdhetar, revolucionar, patriot, mërgimtar…Plus që kritikët jo kritikë kanë zgjedhur dhe lavdëruar dhe vazhdojnë të zgjedhin dhe të lavdërojnë gjithnjë krijimet më jopërfaqësuese të autorëve tanë!

    Nga ana tjetër, nese unë flas për të metat e këtyre kritikëve, nuk do të thotë se jam a pretendoj të jem kritik letrar. Nuk duhet të jesh piktor ose poet të flasësh për pikturën a poezinë!

     Kam respekt për të gjithë kritikët që e analizojnë letërsinë dhe krijimtarinë letrare me mjetet e letërsisë , të cilët flasin përmes mjeteve shprehëse të saj, që flasin për formën, që e shohin poezinë shqipe si pjesë të poezisë botnore, edhe atëherë kur nuk jam 100% dakord me shijet e tyre, te tillë si i ndjeri Ardian Klosi, një erudit dhe njohës i mprehtë i letërsisë, apo Ardian Vehbiu a ndonjë tjetër; i respektoj mendimet e tyre, edhe pse shpesh herë nuk jam në një mendje me atë që sot përmblidhet brenda asaj që thërritet negativisht Cancel Culture. I respektoj, sepse sido të jenë,  janë studiues dhe kritikë të vërtetë profesionalistë, që sjellin argumente formale në ndihmë të asaj që argumentojnë, sepse sjellin argumente bashkëkohore dhe logjike, dhe, mbi të gjitha, dinë të shkruajnë!

    E dyta: Antologjia që dhe ju e kritikoni (dhe askujt nuk i shkon ndërmend të të quaj kritik), është hartuar për prezantimin e poezisë së shkruar në shtetin shqiptar. Nuk jam nisur të hartojë një Antologji mbarë shqiptare, siç shprehen shumë vetë! As dhe një Antologji me kritere gjeografike, kriter të cilin e konsideroj non sens, siç e kam sqaruar në një shkrim në ExLibris! Sespe po të nisemi që të hartojmë një Antologji Gjeografike, ku mund t’i vendosim, në ç’cep gjeografik dhe kufitar, Poetët tanë të mëdhenj si Nolin, Konicën, Camajn, Naim Frashërin, Çajupin, Seremben, Zef Skiroin?

    Antologjia mbarëshqiptare do të kërkonte një vizion tjetër dhe një strukture tjetër, ndoshta një grup autorësh që e njohin mirë poezinë shqipe që shkruhet ne Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Ata autorë që njoh nga Kosova, më pëlqejnë dhe i admiroj, por jam i bindur se ajo çka njoh unë, është veç një grimcë e së tërës! Prandaj vendosa të hartoj një Antologji të asaj që njoh! Ndaj dhe ajo është një Antologji që mban veç emrin tim të përveçëm si hartues i saj, duke nënkuptuar se do të ndiqet nga dhjetëra, mos dhe nga qindra, Antologji të tjera.

    Edhe diçka tjetër: gjatë viteve të fundit, edhe poezia shqipe në shtetin shqiptar, edhe ajo në Kosovë e Maqedoni e Mal të Zi, është shtuar me shumë autorë të rinj, të cilët në fakt nuk janë dhe aq të rinj në moshë! Duke botuar vazhdimisht poezi gjithëpërfshirëse, këtyre autorëve te paevidentuar kurr nga kritika, nuk do t’’u bjerë rasti kurr të përfshihen e të evidentohen, ngase vendet e Antologjive e zënë emnat e fosolizuar dhe te shenjëtruar, të cilët janë mësuar me qenë të përjetshëm! Kjo ishte njëra nga arsyet  që më shtyu të botoj një poezi shqipe të asaj që njoh – me prurjet deri te emnat më te rinj! Madje, edhe duke e botuar Antologjinë kështu siç është , kam lënë padrejtësisht jashtë Antologjisë dhe shumë poetë të tjerë të Shqipnisë, që do ta kishin merituar për të qënë pjesë e kesaj Antologjie!( dhe këtyre autorve u kerkoj të falur!)!

    Nga ana tjetër, mendoj se herë pas here dhe për vetë Kosovën dhe dinjitetin e saj intelektual, por dhe shtetëror,  do të qe mirë që të dali me Antologjinë e vet të poezisë shqipe. Prishtina ka Shtetin e vet të pavarur, Ministrinë e vet të Kulturës, po ashtu si dhe Tirana. Natyrisht jo gjithmonë, por herë pas here, a nuk do të qe më mirë të botoheshin, krahas Antologjive gjithë përfshirëse (të tilla mund të kemi të botuara mbi 100 Antologji nga të dyja anët) dhe Antologji të poetëve të Kosovës dhe Antologji të poetëve nga Tirana, si Antologji alternative, si një mundësi e evidentimit të zhvillimeve më të fundit të poezisë në Prishtinë dhe në Tiranë? Nëse poezia Shqipe e Kosovës, e Malit të Zi dhe ajo e Maqedonisë së Veriut do te botoheshin përherë si appendix , si një shtesë e Poezisë së Tiranës (me 30 autorë nga shteti shqiptarë, dhe vetëm me 3 a 4 autorë nga Kosova) , një gjë e tillë  do të bënte efektin e kundërt, duke e zvogëluar rolin dhe rëndësinë e vetë poezisë shqipe të Kosovës dhe të Maqedonisë. Sa kohë të vazhdoj kjo traditë, që në emrin e ‘ patriotizmit’, ne do të vazhdojmë ta paraqesim poezinë e gjysmës  tonë si një periferi te poezisë që shkruhet brenda kulturës mbarëperfshirëse, poezia shqipe e shkruar në Kosovë dhe Maqedoni do të konsiderohen si Hirushet e letersisë Shqipe prej vetë kritikëve hipokritë që flasin kinse për ‘ të mirën e saj’.

    Të falënderoj sinqerisht për komentin tuaj!

    Ps: mund ta shtjelloja më hollësisht piken e dytë sidomos, por nuk është vendi këtu. Ndonjë ditë do shkruaj më gjatë rreth këtij problemi, për të nxitur ndoshta, në shtypin shqiptar, një debat më të gjerë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË