More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMatteo Mandalà : Njerëzit e mëdhenj dhe veprat e mëdha kanë fatin...

    Matteo Mandalà : Njerëzit e mëdhenj dhe veprat e mëdha kanë fatin të kujtohen përjetësisht

    Bisedoi Andreas Dushi

    Profesor Matteo, biseda me ju është një gëzim i parrëfyeshëm, si ai që ndjen një nxënës kur profesori pasionant merr fjalën dhe fillon të shpjegojë temën e ditës. Libri juaj “Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” u nderua me Çmimin Kombëtar të Letërsisë si libri më i mirë studimor. Me ç’emocion e përcollët këtë vlerësim?

    Gjithashtu është një kënaqësi për mua të bisedoj me ju, i dashur Andreas. Faleminderit për fjalët që më drejtuat, të cilat i vlerësoj veçanërisht për sinqeritetin e tyre. Por me të njëjtin sinqeritet do të doja t’ju tregoja se veprimtaria ime kërkimore ka për qëllim arritje (potenciale) shkencore dhe në veçanti, përparimin e shkencës sonë të përbashkët, albanologjisë. Prandaj nga pikëpamja profesionale më shpërblejnë plotësisht konsideratat, madje edhe kur ato janë kritike, (por të shëndosha) të kolegëve të mi të nderuar albanologë. Kur këto vlerësime shoqërohen edhe me surprizën e bukur të një çmimi me prestigj siç është Çmimi Kombëtar i Letërsisë për librin më të mirë studimor, emocionet janë të pashmangshme. E shfrytëzoj rastin për të falënderuar përzemërsisht Jurinë e çmimit dhe organizatorët e këtij evenimenti të rëndësishëm për Kulturën dhe Albanologjinë mbarëshqiptare.

    Veprimtaria juaj kërkimore dallohet për një spektër të gjerë fushash – nga historia deri në gjuhësi, në letërsi dhe në filologji… Por duhet thënë se një rëndësi të veçantë i keni kushtuar letërsisë arbëreshe. Si e shihni sot panoramën e përgjithshme të studimeve të kësaj letërsie? A ka mjaftueshëm studime cilësore për të?

    Me qëllimin e mirë që një shkencë të mund të quhet e gjallë, studimet nuk mund të konsiderohen asnjëherë shteruese. Sipas një ligji të Karl Popper-it do të bënim një gabim të madh nëse do të konsideronim përfundimtarë rezultatet e arritura. Për pasojë, kërkimi shkencor duhet të jetë përherë, në mënyrë të vazhdueshme, në lëvizje dhe të eksplorojë hipoteza dhe rrugëtime të reja. Studimi i letërsisë arbëreshe dhe në përgjithësi i asaj shqiptare gëzon shëndet të plotë. Studimet filologjike të kryera nga katedrat albanologjike simotra të Universiteteve të Kalabrisë dhe Palermos, kanë propozuar botimet kritike të klasikëve arbëreshë në variante tekstesh në besnikëri të plotë dhe njëherazi kanë sjellë vepra të pabotuara të autorëve që kanë jetuar në shekujt XVIII dhe XIX. Me ardhjen e tyre në dritë, këto botime, jo vetëm që kanë plotësuar boshllëqet që haseshin sidomos në fazën “fillestare” të letërsisë moderne arbëreshe, por duke na dhënë mundësinë të rindërtojmë historinë e qytetërimit letrar arbëresh, kanë pasuruar më tej njohjen e një fenomeni letrar dhe kulturor të një rëndësie të veçantë në një periudhë kur në vendet shqipfolëse të Ballkanit nuk kishte lindur ende një fenomen të ngjashëm. Pa dyshim, ky mund, ka kërkuar përditësim metodologjik dhe një vizion të ri epistemologjik të shkencës së përbashkët albanologjike. Duke ecur në gjurmët e mësimeve të vyera të Mjeshtërve të shkëlqyer të së kaluarës (përmend për të gjithë studiuesit shqiptarë Eqrem Çabej dhe Dhimitër S. Shuteriqi si dhe ata arbëreshë Giuseppe Faraco, Francesko Solano dhe Antonino Guzzetta), katedrat e sipërpërmendura kanë vënë në jetë metodologji shumëlëndore që kanë rrëzuar kufijtë e rremë ndërmjet specialiteteve në fushën albanologjike, duke nxjerrë kështu në pah pikat e forta të secilës dhe duke arritur rezultate që janë të dukshme për këdo. Në programin dhjetravjeçar të kërkimeve të përgatitur dhe në një pjesë të mirë të ndikuar nga miku dhe kolegu Françesko Altimari, Decanus i albanologëve italianë, hetimet gjuhësore dhe ato filologjike, ato historiko-kulturore dhe antropologjike, kanë dialoguar në mënyrë të frytshme, duke u dhënë një shtysë të fortë kërkimeve që sot vijojnë sipas angazhimit të studiuesve të rinj arbëreshë.

    Duket sikur studentët tek përgatisin temat apo desertacionet, studiojnë vetëm pak emra të përveçëm nga përfaqësuesit e letërsisë arbëreshe. Si sugjerim për to, por edhe si konstatim i nxjerrë nga përvoja juaj e gjatë akademike: Për cilin nga shkrimtarët arbëreshë mendoni se studimet e deritanishme janë të pamjaftueshme?

    Nëse i referohemi studentëve shqiptarë, ndesh vështirësi t’i përgjigjem pjesës së parë të pyetjes. Nuk kam ndër duar elementë të mjaftueshëm për të vlerësuar arsyet që shpënë në këtë situatë të pakëndshme, kundër së cilës do të ishte e udhës të kërkohej një fuqizim i efektshëm i didaktikës së kulturës arbëreshe në fushën universitare shqiptare. Për sa i përket studimeve, ndeshemi me një situatë kontradiktore: nga njëra anë, nuk ka dyshim se disa autorë arbëreshë janë studiuar në të shkuarën dhe se të tjerë kanë tërhequr vëmendjen kohët e fundit, kjo edhe në sajë të njohjes së trashëguar nga e kaluara. Porse, nga ana tjetër, dergjen në errësirë autorë pak të njohur ose të panjohur, veprat e të cilëve pak nga pak po dalin në dritë. Kujtoj këtu, për shembull, veprat e Nikollë Ketës (Nicolò Chetta, 1742-1803) ose Kodiku i Kieutit (italisht Codice chieutino) i Nikollë Filjës (Nicolò Figlia, 1693-1769), të parat të botuara tashmë edhe në Shqipëri dhe tjetra në rrugë botimi. Në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për autorë të fazës më të hershme të letërsisë shqiptare, të përmendur shpesh në historitë e letërsisë shqiptare, porse shumë pak të studiuar si fenomene letrare. Së fundmi, nuk mund të mos shpreh keqardhjen rreth vëmendjes së mangët për autorët bashkëkohorë, disa të botuar në Shqipëri, por edhe këta pak të përhapur dhe të studiuar.

    Për të qëndruar edhe pak këtu, prej shumë vitesh tanimë, keni ligjëruar në disa universitete, në Itali dhe Shqipëri. Si e shihni interesimin e studentëve në studimin e letërsisë, historisë apo kulturës arbëreshe në përgjithësi?

    Pikësëpari u jam mirënjohës kolegëve të disa universiteteve shqiptare, si atij të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Gjirokastrës dhe Vlorës, të cilët në të kaluarën e afërt kanë organizuar aktivitete kushtuar kulturës arbëreshe duke na krijuar mundësinë e të qenit në kontakt me disa breza studentësh shqiptarë. Në përgjithësi, mund të them, edhe në sajë të dëgjuesve të shumtë, që takimet janë shoqëruar me interes të lartë nga ana e studentëve; por që gjithsesi nuk më lejon të them më shumë sesa ajo që thashë më sipër, duke mos pasur të dhëna të tjera.

    Sipas jush, cila mund të jetë arsyeja përse Jeronim de Rada, ndonëse shkroi shumë për Shqipërinë, nuk e vizitoi asnjëherë atë?

    Kanë luajtur rol, patjetër, kushtet historiko-politike të përgjithshme, por nuk duhen përjashtuar edhe arsyet personale – pasojë e vuajtjeve të hequra nga i madhi Jeronim de Rada. Për hir të së vërtetës, janë shumë të paktë arbëreshët që vizituan Shqipërinë para Pavarësisë së saj në 1912. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX Pietro Chiara ndërmori një udhëtim të gjatë, i cili frymëzoi librin e tij L’Albania (1869), më vonë qe Terenzio Tocci që erdhi për të ndihmuar kryengritjen ushtarake kundër pushtimit osman dhe pas shpalljes së Pavarësisë, qe Giuseppe Schirò që arriti të shumëdëshiruarën tokë mëmë. Mund të themi, se për ironi të fatit, Jeronim de Rada nuk pati fatin e mirë të shkelte tokën e Shqipërisë ideale, që ai vetë kishte kontribuar të ndërtonte.

    Në studimet tuaja, vërejmë qasjen nëpërmjet filologjisë moderne shqiptare, ektodikës. Çfarë mund të na thoni diçka më tepër për këtë metodë?

    Filologjia shqiptare krenohet me një traditë të lavdërueshme studimesh në lëmin arbëresh.  Ajo, e nisur me baza të shëndosha shkencore nga Demetrio Camarda, është përditësuar gjatë shekullit të kaluar nga filologë të shkëlqyer, përmend në veçanti Imzot Giuzeppe Schirò, zbulues i disa veprave të rëndësishme si dhe botues i parë i Mesharit të Gjon Buzukut. (Gjej rastin të kujtoj këtu, se botimi i parë kritik i veprës së Buzukut dergjet ende në dorëshkrim: njohja e saj nga ana e studiuesve shqiptarë do të ishte me vend dhe patjetër do të ishte vlerësimi më i mirë ndaj figurës dhe punës së Imzot Schirò). Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, rifillimi i studimeve është meritë e padiskutuar e një plejade studiuesish (Gaetano Petrotta, Giuseppe Valentini, Marco la Piana, Matteo Sciambra, Giuseppe Faracco, Francesco Solano dhe Antonino Guzetta), të cilët i lanë detyrë brezit pasardhës zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm të albanologjisë, i cili në të njëjtën kohë kishte marrë stimuj që nuk mund të mos merreshin në konsideratë nga studiues shqiptarë, ndër të cilët kam nderin të përmend Eqrem Çabejn. Shtysa erdhi nga Francesco Altimari, i cili me largpamësinë e vet shënjoi trajektoren e re të studimeve albanologjike duke dalluar dy pikësynime parësore: nga njëra anë qasja ekdotike për risjelljen e teksteve dhe, nga ana tjetër, përpunimin informatik të tyre që lejon analizën leksikore e cila i vjen në ndihmë përpilimit të fjalorit të madh, si dokument i shkruar i gjuhës arbëreshe. Si vijim i kësaj ideje, lindi projekti BESA (Biblioteka Elektronike e Studimeve Arbëreshe), që sot ka arritur në fazën përmbyllëse falë publikimit të një pjese të mirë të veprave letrare të traditës arbëreshe. Ekdotika ka luajtur rol kryesor në arritjen e këtij rezultati duke qenë se ka përfaqësuar metodën më funksionale në shërbim të synimit të dyfishtë të projektit. Nëse kjo qasje do të lulëzojë edhe në mesin e studiuesve shqiptarë, do të jetë e mundur të niset një projekt i ngjashëm edhe për letërsinë shqiptare.

    Ka një apo dy vjet që është risjellë sërish në vëmendje Françesk Anton Santori. Ç’mendim keni për këtë personalitet si dhe çfarë vendi zë ai në udhën e letërsisë arbëreshe?

    Nismat e ndërmarra nga katedra e albanologjisë së Kalabrisë për të kujtuar këtë figurë të ndritur me rastin e dyqind vjetorit të humbjes së tij, si dhe botimi i veprës së tij të plotë sipas një qasjeje të rreptë ekdotike, ishin më se të duhura. Për shkak se shumë prej shkrimeve të tij janë akoma të pabotuara, njohja e veprës së tij është ende e pa plotë. Porse, kjo nuk na pengon aspak të pohojmë se Françesk Anton Santori zë një vend nderi në panoramën e letërsisë arbëreshe të Rilindjes, qoftë për cilësinë, për zhdërvjelltësinë dhe origjinalitetin e veprës së tij letrare në përgjithësi, qoftë për tiparin modern të angazhimit të tij intelektual. Jam i bindur se interesi për Santorin do të vijë gjithnjë në rritje, ashtu si edhe përhapja e veprave të tij, botimi i të cilave është programuar nga Francesco Altimari me bashkëpunimin e një grupi të konsiderueshëm studiuesish arbëreshë.

    Para pak ditësh, keni nxjerrë në dritë një dokument të panjohur për Heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin. Si e shihni vendin e tij në historinë e Evropës dhe a mendoni se sot, ai ka gjithë vlerësimin e merituar?

    Përtej të gjitha pozicionimeve, Gjergj Kastrioti mbetet pikë referimi e historiografisë që ka objekt studimi mesjetën evropiane. Nga pikëpamja kulturore, përhapja në kohë dhe hapësirë e mitit të tij ka qenë vazhdimisht frymëzim për letrarët e pothuaj të gjithë vendeve të Kontinentit të Vjetër. Nëse sot nuk çuditemi që vazhdojnë e zbulohen vepra letrare, siç është rasti i asaj që pata fatin të zbuloja unë, lidhet pikërisht me famën që ka pasur Skënderbeu gjatë shekujve pas humbjes së tij. Në javët vijuese do të paraqes për lexuesit e ExLibris të tjerë artikuj të shkurtër kushtuar Heroit tonë, të cilët e kanë përjetësuar në Fushat e Elizeut si të Privilegjuar, i dashur nga hyjnitë. Ky mund të konsiderohet si përgënjeshtrim i përpjekjeve të atyre që menduan se ishte e thjeshtë të çliroheshim nga forca e rrënjosjes së një miti të vërtetë si ai i Skënderbeut: nuk ishte hera e parë, por ajo që ndodhi para pak vitesh ishte e pahijshme si për nga diletantizmi dhe gjykimi sipërfaqësor i të ashtuquajturve çmitizues.

    Së fundmi, keni “sprovuar” veten, nëse më lejoni ta përdor këtë term, edhe në përkthim nga shqipja në italisht. “Metamorfozat e një kryeqyteti” të Ylljet Aliçkës si dhe “Rrugët e ferrit” të Visar Zhitit, nëpërmjet jush, i janë paraqitur a do t’i paraqiten lexuesit italian. Si ishte kjo eksperiencë për ju, kur mund të themi se si shqipja, si italishtja janë gjuhë amtare tuajat?

     Nëse në marsin e vitit 2019 pandemia e papritur nuk do të më kishte detyruar të mbyllesha në shtëpi, ndoshta nuk do të kisha menduar asnjëherë se do të përktheja romanet e Ylljetit dhe Zhitit. Përkthimi, edhe pse një nga fushat e mia të studimit, nuk më ka përfshirë asnjëherë në vetë të parë. Duhet të them se ka qenë një përvojë stimuluese, që më ka lejuar të verifikoj in corpore vili vlefshmërinë e disa teknikave të përkthimit dhe të shoh të tjera. Fakti që jam dygjuhësh ka qenë avantazh, por jo vendimtar, edhe sepse shqipja e dy romaneve, e dallueshme sipas veçantive të autorëve, është e ndryshme nga gjuha arbëreshe.

    Matteo Mandala dhe Kadare, Bar Juvenilja, Tiranë, 28 nëntor 2018

    Dhe për ta mbyllur, doja t’ju pyes pak për shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare. Veprën e tij e keni përfshirë shpesh në studimet tuaja. Veçoj këtu “Në studion Kadare – Botim kritik i dorëshkrimeve të romanit Dimri i vetmisë së madhe”, studim i cili krijon një fushëpamje të re të kësaj vepre, nëpërmjet dorëshkrimit autograf. Cila ka qenë njohja juaj e parë me autorin si dhe, si e vlerësoni sot rëndësinë e veprës së tij në kontekstin kombëtar dhe ndërkombëtar?

    Interesi im për veprën e Ismail Kadaresë është përqendruar në planin shkencor pas ftesës nga botuesi Bujar Hudhri për të shkruar parathënien e romanit Kështjella në rastin e botimit të veprës së plotë në njëzet vëllime. Rastësia më diktoi të lexoja të gjithë prodhimtarinë narrative kadareiane, e cila më ofroi ide frymëzuese që më parë, edhe në sajë të leximit episodik të veprave të shkëputura, më mungonin plotësisht. Prej atij full immersion përftova një perspektivë të re kritike, një qasje personale hermeneutike ndaj botës narrative kadareiane që më lejoi ta ripagëzoj Ismailand [nga angl.: (it) is-my-land]. Botimi besnik i romanit Dimri i vetmisë së madhe, që unë çmoj si kryevepër të mirëfilltë narrative, bazohet në dorëshkrimet prej të cilëve u bë botimi i vitit 1973. Qe një përvojë ekdotike me dobishmëri të madhe që më hapi portat e laboratorit të shkrimtarit duke më lejuar të hyj kështu në atë zonë sekrete ku mësohen të fshehtat e të shkruarit vetjak, sistemi i punës, teknikat, shtysat, zakonet dhe deri te përfytyrimet më intime. Të rindërtosh fjalë për fjalë dhe fjali për fjali tekstin e një vepre të ndërlikuar në strukturë dhe me përmbajtje mjaft të brishtë për kohën, ka qenë mbështetja më e plotë që një studiues letërsie mund të ketë për të hyrë në shpirtin e artistit dhe të veprës së tij. Mund të pohoj se e njoha Kadarenë duke u endur nëpër shtigjet e fshehta që përshkojnë romanin e tij të famshëm dhe që për habinë time, përsëriten në historitë e të gjitha veprave të tjera. Fakti që sot kjo vepër madhështore narrative bën pjesë në trashëgiminë e letërsisë botërore dhe emri i Ismail Kadaresë lartësohet në Panteonin e shkrimtarëve më të çmuar, tingëllon si vlerësimi më i mirë dhe i autoritetshëm që asnjë mburracak s’do të mund të zbehë. Njerëzit e mëdhenj dhe veprat e mëdha kanë fatin të kujtohen përjetësisht.

    Përktheu nga italishtja: Dr. Lindita Kazazi

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË