More
    KreuArte pamoreYlli Drishti: Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve

    Ylli Drishti: Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve

    ‘Kur një vepër arti udhëton, ajo nuk humbet rrënjët – ajo i përhap ato më gjërë, duke sjellë me vete historinë e saj. Kjo ekspozitë nderon ata që, përmes artit të penelit, formës dhe ngjyrave, kontribuan në zhvillimin e identitetit tone kulturor”

    Blendi Gonxhe, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

    Më 18 prill në Galerinë e Arteve në qytetin e Shkodrës u çel ekspozita e pestë e ciklit të ekspozitave shëtitëse të artit që inicioi Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë me mbështetjen e MEKI nën slloganin: “Psikologjia shqiptare në artet pamore”. Me titullin e gjetur bukur: “Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve” u mbyll me sukses të plotë ky projekt i jashtëzakonshëm dhe shumëplanësh arti që u konceptua si një mundësi e “artë” e admirimit nga afër e veprave origjinale të thesareve të trashëgimisë kulturore që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, por edhe në zhvillimin e ciklit të programeve të edukimit për nxënësit, studentët dhe grup moshave të ndryshme të interesuara, takime me artistë – autorë të veprave të ekspozuara si dhe privilegjin për të patur takime me z. Olsi Laskës (drejtues i projektit) dhe znj. Suzana Varvarica Kukës (kuratore).

    Në të gjitha sallat e Galerisë së Arteve të qytetit të Shkodrës u vendosën vepra që kanë qenë në vite pjesë e linjës muzeale të GKA, Tiranë të emrave të nderuar të artit shqiptar të fundit të shek.XIX, gjysmës së parë të shek.XX e në vazhdim si: Kol Idromeno, Simon Rrota, Zef Kolombi, Kel Kodheli, Qamil Grezda, Danish Jukniu, Lec Shkreli, Zef Shoshi, Bahri Jubani, Nineta Baja…

    Në fakt projekti evoloi dhe u konceptua nga z.Laska dhe znj.Varavrica Kuka si një ide e bukur që po realizohej për herë të parë nën këtë vizion kuratorial: “… ekspozimit të të gjithë artistëve bashkë sipas zonave gjeografike të Shqipërisë…”. Në ekspozitën “Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve”, u paraqitën vepra të gjinive të ndryshme të artistëve nga zona veriore, veri-lindore dhe veri-perëndimore të Shqipërisë. U ekspozua një koleksion prej 113 vepra arti të 76 artistëve nga Shkodra, Lezha, Malësia e Madhe, Mirdita, Laçi, Kukësit, Pukës, Peshkopisë dhe  Tropoja, në pikturë, skulpturë, grafikë, tekstil, karikaturë e skenografi. Tashmë që Galeria Kombëtare e Arteve ka mbyllur përkohësisht dyert për vizitorët pasi Godina po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, duke e dyfishuar sipërfaqen ekspozuese projekti ishte një zgjidhje inteligjente dhe më e mira në kushtet aktuale.

    Projekti me titull: “Psikologjia shqiptare në artet pamore”. i iniciuar në fillimin e vitit 2023 nga z.Olsi Laska (drejtues i projektit) dhe znj.Suzana Varvarica Kuka (kuratore) me krijimin e një ekspozite lëvizëse me vepra nga fondi I kësaj Galerie përfundoi me sukses pas një rrugëtimi 27 mujor. 

    Në fakt Projekti që në filllim u mirëprit dhe pati mbështetje dhe vemëndje të plotë nga dy Ministrat e Kulturës znj.Elva Margariti dhe z.Blendi Gonxhe, të cilët u kujdesën personalisht që “thesaret e artit kombëtar shqiptar” përgjatë kësaj periudhe (të rinovimit strukturor të ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Arteve), të vijonin të ishin pranë publikut artdashës shqiptar, turistëve të shumtë, koleksionistëve dhe historianëve të arteve pamore. Fillimisht projekti u mendua të ishte një ekspozitë e vetme lëvizëse me vepra arti përfaqsuese që do të “lëvizte” nga qyteti në qytet sipas një kalendari të mirëmenduar. ”…Në këtë periudhë ndërtimesh e restaurimesh lindi inciativa për të ekspozuar veprat e Fondit të GKA-së jashtë mureve të sallave të saj, për të krijuar mundësi të reja komunikimi për shikuesit dhe vizitorët shqiptarë dhe të huaj, të cilët nuk lëvizin e shëtisin vetëm në kryeqytet, por vizitojnë site arkeologjike, bregdetin dhe qytete të Shqipërisë…”, u  shprehën: drejtuesi i projektit Olsi Laska dhe kuratorja Suzana Varvarica Kuka, dhe më tej në shkrimet e tyre kuratoriale sqarojnë se:” …Ekspozita ka formën tradicionale të një pakete ekspozuese lëvizëse të veprave të artit. Koncepti aranzhues do t`i përshtatet kohës së krijimit, por aspak rregullave strikte të saj, pasi do të krijojë një mjedis ekspozues të gjallëruar nga kohët moderne që jetojmë. Të gjitha veprat e ekspozuara janë shprehje e asaj që arti ruan në dejet e veta dhe që ne e njohim si një instrument ndjesor dhe i gjallë sa vet jeta e njeriut…”

    Dy specialistët e artit dhe njëhkohësisht realizuesit e Projektit z.Laska dhe znj.Varavarica Kuka e pasuruan, plotësuan dhe modernizuan projektin me një vizion më interesant: “…ekspozimin e një numri më të madh veprash dhe autorësh me ciklin prej 5 ekspozitave në qytetet kryesore shqiptare…” – duke realizuar kështu projektin më të bukur e gjithpërfshirës sipas 5 zonave të Shqipërisë. Ky vizion ndihmoi edhe në grupimin bashkë për herë të parë nën këtë kënd vështrim të artistëve shqiptarë (sipas zonave gjeografike) ku pjesa më e madhe e veprave të tyre ekspozoheshin për herë të parë.

    Sigurisht që përgatitja e çdo ekspozite – trajtimi në laborator i çdo vepra arti ka proçedura rigoroze bazuar në Kartën e Restaurimit të RSH. Duhet theksuar se stafi I restauratorëve të Sektorit të Konservim & Restaurimit të GKA, e improvizuan dhe e plotësuan me aparaturat e duhura laboratorin e tyre në mjediset e vëna në dispozicion në Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë. Nuk ishte i lehtë organizimi I ndarjes së detyrave të specialistëve të këtij sektori, ku pjesa më e madhe ishin të rinj dhe pa përvojën e duhur, por këmbëngulja, pasioni dhe përgjegjësia për të realizuar çdo prekje të veprave sipas kritereve por dhe brenda afateve të caktuara bëri të mundur kurorëzimin e secilës ekspozitë duke filluar me ekspozitën e parë të çelur në qytetin e Pogradecit me titull:“MIO, bashkëkohësit dhe artistët e rinj” (23 shtator -15 tetor 2023), me vepra të përzgjedhura të artistëve të qyteteve Elbasan, Librazhd, Pogradec dhe Korçë, ku u ekspozuan 55 vepra të 42 autorëve. Ekspozita e dytë u çel në Galerinë e Arteve në qytetin e Sarandës me titullin: “Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta” (23.11.2023 – 07.01.2024), me vepra të përzgjedhura të artistëve të qyteteve: Vlorë, Sarandë, Gjirokastë dhe Përmet, ku u ekspozuan 49 vepra të 46 autorëve. Galeria e Arteve “Edward Lear”, në Berat do mirëpriste ekspozitën e tretë me titull: “Artistë të njohur dhe Berati, qyteti i shkëlqyer modern i Antipatreas shekullore”, (21.12.2023 – 21.01.2024), me vepra të përzgjedhura të artistëve të qyteteve: Berat,Fier dhe Lushnjë, ku u ekspozuan 44 vepra të 30 autorëve. Ekspozita e katërt me vepra të përzgjedhura të artistëve të qytetit Tiranë me titull: Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në shekullin XX” u çel në Galerinë “FAB”, (18.07.2024–15.08.2024), ku u ekspozuan 89 vepra të 85 autorëve. Pra nga janari 2023 – korrikun e vitit 2024 (për 19 muaj) u konservuan, u kryen ndërhyrje të lehta e të thella restauruese dhe u përgatitën edhe për ekspozim në 238 vepra arti të gjinive të ndryshme. Të gjitha këto ekspozita u shoqëruan dhe me katalogët përkatës të konceptuar si një kolanë botimesh me të njëjtin format dhe dizajn.

    Në historikun e këtij projekti gjigand për nga kohështrirja, problematikat e vështira të restaurimit të veprave sigurisht që vendin kryesor për dy organizatorët e talentuar si dhe profesionistët e klasit të parë: z.Olsi Laska dhe znj. Suzana Varvarica Kuka do e zerë ekspozita e çelur në qytetin e Shkodrës. Përgatija e kësaj ekspozite filloi në shtatorin e vitit 2024 dhe zgjati plot 8 muaj. Në përzgjedhjen e veprave të koleksionit të kësaj ekspozite të dy bashkautorët z.Laska dhe znj.Varvarica Kuka, përveç eksperiencave të 4 ekspozitave të mëparshme u ndodhën përpara disa vështirësish të një niveli tjetër që kërkonin zgjidhje siç ishte: a. përcaktimi i autorësisë së disa veprave të emërtuara në dokumentacionin arkivor ”Anonime”. b. – heqja (çlirimi) nga mbipikturimet apo nga ngjitja e kanavacës mbi një tjetër pikturë në veprat e disa autorëve të njohur.

    Bashkëpunimi i Studjueses së artit Znj.Suzana Varvarica Kuka, një nga historianet e artit më të  njohura shqiptare (kuratore e ekspozitës) dhe e drejuesit të Laboratorit të Konservim & Restaurimit z.Olsi Laska, me një eksperiencë 20 vjeçare dhe restauratori më i shkëlqyer në këtë fushë, bëri të mundur arritjen e rezultateve mbresëlënëse. Kështu tashmë janë ekspozuar disa nga rezultatet e kësaj pune pasionante dhe të një profesionalizmi të klasit të lartë që u realizuan në zbulimin e tablosë së Kol Idromenos me titull: ”Portret burri”, I cili është ekspozuar në proçes restaurimi, ku dallohet qartë nga publiku se si do të duket vepra pas largimit të vernikut të errësuar nga koha. Një tjetër tablo e Idromenos me titull:”Kur hyn dreqi në shtëpi” e vitit 1899, është ekspozuar edhe pse ngelet në të ardhmen shumë punë restauruese për të marrë pamjen e saj të plotë, pasi ka patur dëmtime të shtratit piktural.

    Falë një pune të kujdesëshme studimore dhe krahasimore të stilit piktural, u gjet dhe autorsia e  peizazhit me titull: ”Ura e Mesit” që I atribohet piktorit Simon Rrota. Me mjaft interes është dhe zbulimi i autoportretit të piktorit Zef Kolombi që mendohet të jetë I realizuar kur punoi si mësues në qytetin e Elbasanit. Ky autoportret u zbulua pas largimit të pikturës në kanavacë me titull:”Rrugë në Elbasan”.

    Një tjetër risi në këtë ekspozitë e përbën dhe ekspozimi i veprave në pikturë të pikturuara nga të dy anët, të cilat dolën pas punës së kujdesëshme të Restauratorit të talentuar Laska. Kështu autoportreti i piktorit Qamil Grezda në anën e prapme të tablosë së tij në kompensatë po me të njëjtin imazh ishte zbulimi i radhës. Pas tablosë së Kel Kodhelit me imazhin e një portreti të veshur me kostum kombëtar u zbulua boceti i një kompozimi me temën e luftës antifashiste Nac. – Çl. që paraqet një grup partizanësh duke bërë gati një top për qitje në drejtim të pallatit mbretëror (Pall.të Brigadave) në vitet e luftës së dytë botërore. Sigurisht që kjo vepër do i nështrohet vazhdimit të ndërhyrjeve restauruese  për të qenë e gatëshme për një ekspozim dinjitoz.

    Duke parë e kujdes veprat dhe autorët e kësaj ekspozite vihet re shumë prej tyre ekspozohen për herë të parë para publikut, pasi janë ekspozuar në ekspozitat kombëtare të kohës para viteve 1990. Kështu nga piktori Zef Kolombi është ekspozuar tabloja: ”Portret gruaje” (1933), nga Ferdinand Paci është ekspozuar tabloja me titull:”Peizazh Industrial” (1966), nga Ndoc Gurashi është ekspozuar tabloja me titull:”Peizazh” (1969), nga  Edi Hila është ekspozuar tabloja me titull:”Portret gruaje me kostum kombëtar” (1972) e kështu e radhë në ekspozitë artdashësit shkodranë dhe publiku I gjerë do njihen me krijimtarinë e artistëve si: Kolec Prela, Rrok Dabërdaku, George Pali, Pjerin Sheldija, Alajdin Tabaku, Robert Guci, Ali Miruku, Guljelm Kraja, Pjetër Kakija, Adrian Paci, Danish Jukniu, Lec Shkreli, Agustin Shyti, Ferit Kola, Agron Mesi, Pashk Përvathi, Zef Vorfi, Pashuk Lala, Nazmi Hoxha, Ikbal Kalaja, Nirvana Baja  etj.etj.

    Në mbyllje të këtij projekti me sloganin: “Psikologjia shqiptare në artet pamore”.  që sigurisht mendoj se e ka gjallëruar jetën artistike të 5 zonave gjeografike të Shqipërisë asaj: Jug-lindore, perëndimore, qëndrore dhe veriore&verilindore në rrugëtimin e tij u restauruan dhe u ekspzozuan 350 vepra të ndryshme arti të 279 autorëve nga e gjithë Shqipëria. Sigurisht në këtë projekt të madh të mbështetur nga MEKI u desh dhe bashkpunimi me Bashkitë e qyteteve përkatës, Policinë e Shtetit për sigurinë e lëvizjes së veprave të artit si dhe e departamenteve të tjera të GKA, Tiranë. Mendoj se Projekti dëshmoi se kur ka pasion, seriozitet, profesionalizëm edhe në kushtet edhe të mosfunksionimit të përkohshëm të Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë arrihen rezultate të një niveli të lartë që duhen përgëzuar dhe përshëndetur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË